Ndonjëherë kujtojmë, gabimisht, se përkthimet në kulturën shqiptare duhet të zënë një vend të ngjashëm me ç’zënë në kulturat dhe gjuhët perëndimore. Në fakt, për rrethana të njohura, shumëçka në mos gjithçka që lidhet me modernitetin dhe modernizimin, ndër shqiptarë, do të kalojë nëpërmjet përkthimit – dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm për përkthimin gjuhësor, por edhe për çfarë gjetiu e kanë quajtur lokalizim, një veprimtari që veç përkthimit nënkupton edhe përshtatjen kulturore.
Artikulli i përkthyer keq, që solla si shembull në shkrimin e mëparshëm, dëshmon se me çfarë mospërfilljeje trajtohet përkthimi dhe përkthyesi në kulturën e sotme, të sunduar nga mediat dhe nga shkelja e syrit; katastrofa të tilla me gjuhët, ekspertizën gjuhësore, të drejtat e autorit dhe respektin e medias për veten dhe lexuesin nuk do t’i gjesh dot në anglishte ose në frëngjishte ose në gjermanishte, bie fjala; edhe pse këto gjuhë kanë më pak nevojë se të tjerat për përkthimin, si veprimtari intelektuale madhore.
Pse vallë qenka kaq i rëndësishëm përkthimi në shqipe, ose shqipërimi? Së pari, ngaqë ne marrim shumëçka nga vende dhe kultura të tjera: ligje, metoda dhe sidomos koncepte, të cilat ekzistojnë në trajtë gjuhësore. Së dyti, ngaqë në shumë fusha ne nuk kemi kohë që t’i zhvillojmë konceptet në mënyrë organike, ose t’ua besojmë autorëve origjinalë. Një nga aspektet themelore të modernizimit, bie fjala, ka të bëjë me përditësimin e ligjshmërisë; i cili përditësim edhe sikur të mos konsistojë në përkthim të mirëfilltë, ad literam, të ligjeve të vendeve të tjera, së paku do të mbështetet në koncepte dhe nocione themelore të atyre kulturave ku ka lindur ligji; dhe që kanë nevojë të përkthehen.
Çështja lidhet ngushtë me terminologjinë, por nuk është e kufizuar me të; sepse termi duhet jo vetëm të shqipërohet, por edhe të përdoret mirë në kontekst, aq sa të hedhë rrënjë në truallin e ri. Po ashtu, nuk mund të shterrohet në planin kulturor vetëm, meqë pa mbështetjen institucionale mbetemi në nivelet e Rilindjes – idealiste, por të pamjaftueshme. Prandaj vetëm përkthyes të mirë nuk mjaftojnë, duhen edhe bashkërendues të mirë – institucione të tilla si akademitë, universitetet me katedrat përkatëse, qendrat e specializuara.
Një pjesë e publikut mendon se përkthimin mund ta kryejë kushdo: mjafton të dijë gjuhët, të njohë fushën dhe të ketë fjalorin me vete. Mirëpo edhe brenda këtij përkufizimi, njohja e shqipes nuk i garantohet madje as dikujt që ka mbaruar universitetin, në një kohë që fjalorët janë të pamjaftueshëm. Prandaj përkthyesi kurrë nuk luan solo, por gjithnjë në orkestër; dhe nëse nuk ka veshë të dëgjojë muzikantët e tjerë, do të stonojë doemos.
Le ta ilustroj idenë me një shembull. Para pak ditësh, në një diskutim, Lyss përmendi orvatjen për ta shqipëruar fjalën alienation si tjetërsim, në kontekste të filozofisë, të sociologjisë dhe të psikologjisë. Në fakt, tjetërsim dhe tjetërsoj (për alienate) janë nga ato fjalë që në leksikologji i quajnë kalke, meqë ndërtohen duke kopjuar (kalkuar) strukturën etimologjike të fjalës së huaj që duan të zëvendësojnë. Anglishtja alienation (dhe frëngjishtja aliénation, italishtja alienazione etj.) vijnë të gjitha nga latinishtja diturore alienatio/onis, që nga ana e vet ka për temë fjalën latine alius “tjetër”. Kushdo që e ka formuar fjalën tjetërsoj ka “shqipëruar” fjalën alienare duke ia përkthyer strukturën fjalëformuese; dhe kjo procedurë ndeshet rëndom në shqipen librore, ndonjëherë edhe me efekte groteske. Kështu, autorët e një fjalori të anatomisë e patën përkthyer dikur latinishten antitragus (emri i një kërci të veshit) si kundërcjap, të mbështetur në faktin e pakundërshtueshëm se, në latinishte, tragus i thonë cjapit.
Gjithsesi, tjetërsoj, tjetërsim në shqipe nuk tingëllojnë keq dhe tashmë kanë zënë vend në fjalorët; çështja është tani nëse kanë zënë vend edhe në ligjërimin libror apo jo.
Nëse një fjalë do të futet apo jo në fjalor, dhe si do të trajtohet atje, kjo vendoset si të thuash në tavolinë, nga autorët e fjalorit, të cilët janë të paktë me përkufizim. Përkundrazi, se ç’fat do të ketë fjala në ligjërim, këtë nuk e përcakton dot arbitrariteti i autorëve të fjalorit.
Tani, në ligjërimin libror të shqipes, tjetërsoj, tjetërsim, i tjetërsuar etj. duhet t’i hapin vend vetes në luftë edhe me konkurrencën. Kështu, në një numër tekstesh, koncepti i ALIENATION është shqipëruar si jetërsoj, jetërsim; përsëri një kalk, por këtë herë i bazuar në një formë disi arkaike të përemrit tjetër (jetër-). Fjalori i Shqipes së Sotme parapëlqen tjetërsoj, tjetërsim; por kjo nuk do të thotë se përkthyesit do ta ndjekin fjalorin verbërisht.
Sikur të mos mjaftonte me kaq, koncepti i ALIENATION është shqipëruar edhe me një fjalë tjetër: tëhuajzoj, tëhuajzim, terma që janë edhe ato kalke, por këtë herë të gjermanishtes entfremden, Entfremdung. Qarkullojnë në shqipe tekste ku këto fjalë përdoren ende; dhe mund të ketë përkthyes që t’i parapëlqejnë ndaj tjetërsoj, tjetërsim; megjithëse norma leksikore është shqiptuar tashmë në favor të këtyre të dytave.
Përfytyroni tani pështjellimin e atij lexuesi që ka ndeshur tjetërsoj, tjetërsim në një tekst, dhe tëhuajzoj, tëhuajzim në një tekst tjetër; ky lexues ka arsye të besojë se është fjala për dy koncepte të ndryshme, dhe ndoshta do të shpenzojë kohë dhe energji për të kuptuar se ku qëndron dallimi mes tyre. Automatikisht, përdoruesit e gjuhës dhe veçanërisht në kontekste librore supozojnë se dallimeve leksikore u përgjigjen dallime kuptimore; dhe lexuesi standard nuk ia lejon dot vetes t’i bëjë tekstit dekonstruksion kritik dhe t’i shohë dallimet leksikore si manifestime të individualiteteve të ndryshme të përkthyesve.
Çështja ndërlikohet edhe më nga prirja e një kategorie përkthyesish për të shpërfillur traditën shqipëruese dhe për t’i lejuar fjalët e huaja në shqipe, pasi u kanë dhënë një makijazh të lehtë morfologjik: kështu, në vend të tjetërsoj, jetërsoj, tëhuajzoj, do të kemi alienoj; dhe në vend të tjetërsim, jetërsim, tëhuajzim do të kemi alienim ose, siç do të thoshte Fatos Nanoja, alienacion.
Përsëri duhet pyetur: ku është e keqja këtu? Jo aq te fjala e huaj në vetvete, sepse alienoj, alienim nuk kanë ndonjë dallim leksikor, bie fjala, nga konceptoj, konceptim, ose deduktoj, deduktim etj., as krijojnë ndonjë problem të pakapërcyeshëm për përdoruesin e shqipes librore. Problemi qëndron te prishja e raportit ekskluziv të termit me konceptin përkatës, sa kohë që lexuesit do t’i duhet të orientohet në labirintin leksikor të tjetërsim, jetërsim, tëhuajzim, alienim, alienacion etj., i cili, në thelb, nuk e pasuron gjuhën as ligjërimin, por vetëm sa krijon konfuzion konceptual në përdoruesit; të cilët mund të ndeshin tjetërsim në një përkthim nga Marksi, tëhuajzim në një përkthim nga Sartri, alienim në një përkthim nga Derrida e kështu me radhë, pa e kuptuar dot që është fjala për luhatje të sistemit konceptual të shqipes, jo për dallime në konceptin përkatës, midis atyre filozofëve.
Dukuria ka edhe implikime praktike marramendëse. Siç e kanë thënë disa kolegë këtu në blog, duke filluar nga Piftoja, legjislacioni i sotëm në shqipe është përkthyer aq keq, sa që prokurorët e së ardhmes do ta kenë praktikisht të pamundur t’i mbrojnë çështjet e tyre, përballë avokatëve të zot. Përfytyroni, për shembull, një ligj të mbrojtjes ndaj rrezikut të derdhjeve të një kimikati çfarëdo, shqipja e të cilit bie ndesh me shqipen e përdorur në dëftesën e sigurisë materiale-teknike që shoqëron kimikatin (p.sh. në mënyrën si është shqipëruar fjala leak (derdhje këtu, rrjedhje atje), ose fjala hazard (rrezik këtu, rrezikshmëri atje; një avokat mund të argumentojë se rrezikshmëria, si koncept, ndryshon nga rreziku). Natyrisht, përkthyesi i dëftesës së sigurisë nuk është i detyruar të njohë gjuhën e ligjit përkatës; normalisht edhe përkthyesit e ligjit, edhe përkthyesit e dëftesave, duhej të mbështeteshin në fjalorë normativë, të hartuar nga institucionet përkatëse (p.sh. Ministria e Mjedisit). E kuptoj, gjithashtu, se të shtrosh çështje të tilla, në një kohë kur deri edhe Gazeta Zyrtare nuk botohet më, të paktën rregullisht (nuk mbaj mend ku e pashë këtë para disa ditësh), është si t’i biesh violinës gjatë kohës që kurva krihet.
Vite me pare, lajmi i mire se google gjendej edhe ne shqip u bashkeshoqerua me lajmin jo edhe aq te mire se help-i apo ndihma nuk ishte perkthyer. Pak kohe kisha, pak ne brendesi te programeve isha, dhe pak ne kontakte po ashtu, e nje tu regjistruar si vullnetar, nje te mu dhene e drejta e nje t’ja nisur perkthimit…
Problemi qe me hutoi, me ndali, me futi ne kerkesa te kota (ku perkthyesve e ku google-s), e me ne fund me beri te hiqja dore ishte pikerisht sa trajtohet ketu per alienimin. Hajde ta dije si ishte perkthyer cdo term, e per me tutje, google ne shqip nuk ishte perkthyer nga nje person por nga disa te tille, aq te dallueshem sa edhe dialektet e tyre.
Mua me duket sikur gjendja e sotme me termat eshte e ngjashme me ate te para Kongresit te Manastirit per alfabetet. Do te duhet kohe, por edhe nje eveniment i atij lloji per ti dhene nje zgjidhje te qendrueshme edhe per gjate. Nderkohe mendoj se nje lloj protofjalori termash te pranuar gjeresisht do te ishte me i dobishem se te quajturit fjalore te fushave perkatese, ne te cilet arbitraritetit te autorit i pergjigjemi po me arbitraritet.
Kjo pune mund te behet dhe te gjendet on-line. Pasurimi i ketij protofjalori, per thjeshtesi, nuk kishte pse te ndiqte rruget akademike, por te behej per termat ne qarkullim sot, neser, pasneser.
CD, flm per korrigjimin. PA
Tim Sheqerin e ka kap policia për i gjo, që s`mun t`thuhet ktu, se ene muret kon vesh.
Ata t`prokuroris e kon da menien me e rras mrena, pa asi fakt.
Shoku i vet Gimi, që osht grup, herën e funit kur foli m`telefon i tha te mos bohet merak, se ka gjet njonin, nji avokat t`fort, njish fare, që ka per ta liru mrena javes, pa i hy gjo m`kom, dhe tashi kon ardh me e vizitu içik.
Gimi – Plako! Kena me t`qit prej knej.
Timi – Amon mër jahu, as t`vdekmit mos i pafsha ktu.
Avokati – Po zotëri. Ne do të kërkojmë lirimin tuaj me anë të habea corpus.
Timi – mir fare.
Gimi – Osht dor ky plako. Njish fare, i papam.
Avokati – Por nëse habea corpus nuk funksionon atëhere ne do të provojmë me nolle prosequi, në mos, me nolo contendere, ose me jus sanguinis
Timi –a ka nai rrezik qi kto gjonat, ça jane kto që po thu, të mos bojn pun. Se ky gjygjtari osht tunxh fare m`kon thon, ene kom frik se s`ha vllai pyka kollaj.
Gimi – Ça flet mër. Osht pun e marume kjo.
Avokati – Nuk e shikoj të mundur një gjë të tillë. Por nëse gjyqtari krijon nevojën per to, ne gjithnjë mund të përdorim një ex post facto, quid pro quo,ipse dixit ose dhe in hoc signo. Nuk mendoj se do na duhet të shkojmë deri në pluribus unum apo caveat emptor!
Timi – hallall plako.