nga Natasha Shuteriqi Poroçani
Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës
Pohimi se cilido lloj teksti, i shkruar apo i folur, është i hapur për analiza stilistikore (Mengaldo, 2001)[i], na vendos para përgjegjësisë për të vepruar si vëzhgues i thellë, në ndërmarrëdhënie me tekstin që kemi përpara. Sikurse Kundera, duke pohuar në mënyrë të përgjithshme se “pasuria e fjalorit në vetvete nuk paraqet asnjë vlerë. Hapësira e fjalorit varet nga qëllimi estetik që organizon veprën (Kundera, 2010)[ii]“ na mëson se fjala nuk është fonetikisht kaq e pavarur sa të mund edhe të humbasë në vijueshmërinë e kanalit të të folurit. Dhe nëse në këtë kontekst Galdi[iii] (Lasdislao, 1984) do të na tërhiqte veshin duke na kujtuar në të kundërt fjalën në frëngjisht e cila krijon herë-herë një lloj rrëshqitjeje ndërsa shqiptohet (je n’irai jamais avec vous a Paris) përkundrazi fjala shqipe, edhe e veçuar, duke patur një theks të ngulitur, dallon secilin tingull në brendësi të vargut të tingujve dhe, ndonëse në nëndialektet e saj ajo luan me ë-në e patheksuar, ky varg tingujsh që formon një grup fonetikisht shqip, i cili e ka nominuar atë motra e çuditshme e Indoevropianishtes[iv], pra ky varg tingujsh shqip, nga këndvështrimi i vijueshmërisë dhe pavarësisë së fjalës, përbën gjedhën dhe tulin nga ku do të mbruhet hapësira e fjalëkrijimeve me qëllime të qarta estetike dhe stilistike, të njërit prej poetëve më bashkëpunues me këtë gjedhë, Lasgush Poradecit[v].
Të qëmtosh në këtë hapësirë të krijimtarisë së poetit, do të thotë të startosh vonë, pasi një numër i konsiderueshëm studiuesish e kanë thënë fjalën e tyre, e cila ka zënë vend, duke e bërë shterues kërkimin me fokus fjalët e reja që Poradeci ka sjellë në fondin e leksikologjisë dhe stilistikës shqiptare si dhe rrugën që ai zgjodhi si mjet për pasurimin e fjalorit shqiptar, siç pohon Kuteli[vi].
Po ashtu, nuk mund të jemi më pohues për vlerën shprehëse të fjalës së Lasgushit, përveçse duke iu referuar Qoses kur thotë se Lasgushi identifikon gjuhën me zjarrin dhe kërkon efektet e saj më të fuqishme (Qosja, 1979)[vii]. Të qëmtosh mes analizave mbi fjalorin e poetit, do të thotë të gjesh alternime të spikatura mes problemeve të poezisë së tij me ato të gjuhës dhe arritjeve stilistike të fjalës, të cilat S. Hamiti i identifikon me ato të Naimit (Hamiti, 1978)[viii]; të qartësosh lidhjet mes leksemave kyçe dhe mënyrës së formimit të tyre, në të cilat fjalëformimi jo pak herë ka ndihmuar procesin e ekspansionit dhe kondicionimit (Gjikaj, 2014)[ix], siç pohon Gjikaj; të evidentosh dhe pranosh pa dyshime shtresimin tipologjik semantiko-strukturor të fjalëve të reja, sipas klasifikimeve të Topçiut (Topçiu, 2003)[x]. Bëhet edhe më skrupoloz qëllimi nëse kemi parasysh pohimin e Ekos se një tekst nuk ka domosdoshmërisht vetëm një tematikë (Eco, 2010)[xi], çka na devijon lidhjen e neologjizmës lasgushiane drejt gërshetimeve tekstuale dhe thëniesore.
Por, sfidues për punimin tonë, është vlerësimi i përftesave ligjërimore të arrira nga fjalëkrijimet e Poradecit, duke patur si startim analizat e mirëfillta konkrete tekstore, kryesisht stilistike dhe pragmatike, të ofruara si variante të lexuari të tekstit (ndër to edhe të Poradecit). Kthehen në motivuese ato analiza, në të cilat synohet rikuptimësimi i fjalës së poetit, përgjatë leximit të tekstit dhe reflektimit estetik pas leximit të tij, sjellë në një bashkëkohësi të posaçme me prurjet e shkencave të ligjërimit nga Plangarica (Plangarica, 2017)[xii].
Metodologjia
Analizat që referuam më lart, na mundësojnë një bazë të mirë teorike dhe praktike, për të drejtuar studimin tonë në hulli analizash tekstore/diskursive, në të cilat qasja do të nisë nga njësitë maksimale tekstore e mbisegmentore, për të zbritur drejt leksemave që ia dedikojnë vlerat e tyre stilistikore mënyrave fjalëformuese shumëngjyrëshe. Vlerësimi dhe nxjerrja në pah e mjeteve dhe mënyrave fjalëformuese të një tipologjie të caktuar leksikore, do të na ndihmojë të rivlerësojmë aspektet semantike brenda leksemave, duke e ngushtuar punimin vetëm te kjo tipologji, nëpërmjet qartësimit të semave dhe përbërësve të rinj kuptimorë që fitojnë ato. Dhe së fundi, do të përpiqemi të hedhim dritë, specifikisht në disa nga treguesit e simbolizmit tingullor të poetit, në përpjekje për të përcaktuar gjedhet që qëmton e përfton Lasgushi.
Termi neologjizëm do të thotë një fjalë e re që pasuron leksikun e një gjuhe. Në dëshirën për ta përshtatur në strukturën e shqipes këtë term, si dhe në jehonë të qëllimit të Lasgush Poradecit për ta pasuruar gjuhën shqipe me fjalë e kuptime të reja, do të zgjedhim të përdorim termin fjalëkrijim për neologjizëm. Përmes fjalëkrijimit një formë e re, një koncept i ri, një hije tjetër mendimi arrin të transmetohet me përpikëri nga dhënësi i një mesazhi. Fjalët e marra nga një gjuhë e huaj ose ato që rrjedhin nga fjalët tashmë ekzistuese në një gjuhë mund të konsiderohen së bashku fjalë të reja, megjithatë parapëlqejmë t`i quajmë kredi të parat dhe vetëm të dytat fjalëkrijime të vërteta.
Mund të dallohen dy kategori të fjalëkrijimeve: fjalëkrijime semantike, që nënkupton një ndryshim kuptimi edhe nëse forma mbetet identike dhe fjalëkrijime kombinuese të cilat vijnë nga ndërthurja e elementeve gjuhësore, përmes proceseve të formimit të fjalëve (me prapashtesë, parashtesë, prejardhje, përbërje). Fjalëkrijimet kombinuese janë një metodë prodhuese. Deri një folës i zakonshëm, që zotëron një leksik të pasur, si dhe ka aftësinë të përdorë saktë mjetet gjuhësore, mund të kuptojë dhe krijojë një seri fjalëkrijimesh kombinatore. Denduria e përdorimit të këtyre fjalëkrijimeve më pas, varet nga funksionaliteti dhe domosdoshmëria e fjalës së re të krijuar, nga valenca që i ka dhënë autori (ose autorët) gjatë përdorimit, nga gjykimi pozitiv i grupeve të kualifikuara siç janë folësit e ligjërimit libror.
-Përmbledhurazi, fjalëkrijimet në përgjithësi duhet të nënkuptohen si veprime të shkrimtarit mbi vetë gjuhën. Në kohën kur Lasgushi filloi rrugëtimin si poet i letrave shqipe, pra në fillimshekullin XX, prurja e fjalëve të reja në gjuhësi, ishte e shtrirë në gjithë Europën, sepse kjo tendencë ishte trendi i epokës, {më 1911 kishte dalë disertacioni i Spitzer mbi neologjizmat e Fransua Rabëlesë (François Rabelais)} dhe fusha në të cilën diskutohej purizmi i një gjuhe në sensin e parapëlqimit të saj për derivim apo kompozicion.
Jo thjesht si njohës i tedencave të epokës kur po shkruante, por edhe si njohës i mirë mungesaveleksikore të gjuhës që e deshi aq shumë, Poradeci punoi mbi gjuhën, duke e trajtuar atë në një tjetër dimension nga bashkëkohësit e tij: Poradeci krijoi një dialogim fin dhe përmbushës mes tingullit dhe kuptimit, fjalës dhe ngjyrimit të saj, thënies dhe kontekstit.
Kompozitat grafike dhe qokëtimi[xiii] imazherik
-Pohimin se poezia e Poradecit është kthjelltësisht shqip, e kemi ndeshur në gjithë studimet që kanë patur në vëmendje veprën e tij. Por po kaq shqip janë edhe fjalëkrijimet e përftesat e tyre. Ajo çka ne duam të fokusojmë në këtë paragraf është efekti i veçantë stilistik që realizojnë kompozitat në poezinë e Lasgushit. Duke iu referuar studimeve pararendëse mbi fjalëkrijimet në gjuhën poetike te Lasgushit[xiv], konkludojmë se kompozimi ka kaluar në këto procede: 1- kompozita të formuara nga emër + mbiemër: hapa-lehtë, sy-qielltë, vetëtim-naltë, kurm-holla, lesh-verdhën, cullufe-verdhë, 2- kompozita të formuara nga emër +emër: gji-qumshtuar, sy-qengjërushe, sy-vetullushe, krah-fluturushe; fat-mirushe, vetull-kurorë, zemër-valë, sy-sorkadhe, verbim-magjie 3– kompozita të formuara nga emër + pjesore: zemërë-thyer, mes-thyer, flakë-bashkuar, flakë-zhuritur; shigjetë-helmuar; shtat-lëkundura, lumturi-dehur, llërë-kulluar, zili-përskuqur, laqe-derdhur, sy-perënduar, buzë-puqur, etj.
Edhe në rastin e kompozitave do të ricitonim Topçiun[xv] se ato funksionojnë si sitilema që nëpërmjet bashkëshoqërimeve leksikore kanë përtëritur bazën e leksikut poetik të tij. Plangarica[xvi] pohon se poezia e Lasgushit, dhe më drejtpërdrejtë poezia e dashurisë e tij, është poezi refleksive, dhe si e tillë, ajo ka intensitet mendimi dhe ndjenje. Këto kompozita të krijuara posaçërisht për këtë lloj poezie përcjellin efekte ekstatike, fluturime emocionale, të cilat nuk janë bashkime të thjeshta matematikore të kuptimeve të fjalëve përbërëse, por abstragime asosacionesh kuptimore, p.sh. nëse krijojmë grupime kompozitash sipas përbërësve të variacioneve emotive brenda efektit ekstatik do të kemi:
Grupi i parë: hapa-lehtë, sy-qielltë, kurm-holla, lesh-verdhën, cullufe-verdhë, gji-qumshtuar, sy-qengjërushe, sy-vetullushe, krah-fluturushe, vetull-kurorë, zemër-valë, sy-sorkadhe, mes-thyer, shtat-lëkundura, llërë-kulluar, sy-perënduar, buzë-puqur.
Grupi i dytë: vetëtim-naltë, fat-mirushe , zemër-valë, verbim-magjie, zemërë-thyer, flakë-bashkuar, flakë-zhuritur; shigjetë-helmuar, lumturi-dehur, zili-përskuqur, laqe-derdhur
Arsyeja se përse i shkëputëm nga diskurset ku ato janë përdorur, lidhet me qëllimin për të krijuar një imazh në formë mozaiku, i cili qëndron i tillë në përfytyrimin e lexuesit, edhe pasi ai ka mbaruar së lexuari e shijuari erotikën e poetit.
Në grupin e parë, të shkëputura nga poezitë, përvijohet një kurm i mrekullueshëm, hyjnor vajze. Në kompaktësinë e tyre këto fjalëkrijime përbëjnë një materie e cila është e thërrmuar nëpër poezinë erotike të Poradecit, gjallon nëpër të, lëviz. Lexuesi, vetëm pasi e ka përthithur lirikën erotike, arrin të mbledhë copëzat e të krijojë mozaikun. Sepse këto fjalëkrijime, janë pjesët e thërrmuara të kurmit hyjnor të gruas.
Grupi i dytë shkon përtej, nuk qëndron dot pa të parin. I pari është ai që impulson ndjesitë sensuale në rritje (ekstastike) të të dytit. Nuk kemi të bëjmë më me stilema që shënojnë konkretësi, por kemi të bëjmë me fjalëkrijime që shënojnë gjendje. Dy grupet e fjalëve plotësojnë njëra-tjetrën.
Në të njëjtën logjikë fjalëformimi, por edhe receptimi vjen nga poeti edhe grupi i kompozitave me tre a më shumë përbërës, i cili gjithashtu është pjesë e këtij mozaiku kaq ekstastik.
Duke mos dashur të biem në përsëritje të përfundimeve që studiues paraardhës kanë arritur, dy fjalë do të nënvizonim për shenjat grafike të fjalëkrijimeve. Fjalën pasardhëse viza në mes e lëviz kuptimisht: ka raste që e drejton lart si te sy-qielltë, gji-qumshtuar, sy-sorkadhe, fat-mirushe, vetëtim-naltë, sikurse ka raste kur e ul poshtë, si te zili-përskuqur, zemërë-thyer, shigjetë-helmuar, zemër-valë, sipas nevojave tekstuale të vargut. Shenja grafike e pajis fjalëkrijimin me tërë arsenalin e iluzioneve emotive duke kodifikuar bashkimin dhe jo ndarjen e tyre. Kjo do të thotë që brenda vargjeve kompozitat me shenjat grafike gjallojnë të njësuara jo vetëm semantikisht por edhe semiotikisht, duke gjeneruar shtresëzime kuptimore sipas konteksteve ku ato lindën. Sepse në këndvështrimin tonë, këto kompozita stilistike i erdhën poetit për të mbushur vakuume shprehësie në gjuhën shqipe.
Pasi kemi detajuar këtë përftesë, tani mund ta kuptojmë qokëtimin që poeti i bën lexuesit si marrës aktiv në leximin e mesazheve të erotikës së tij. Qoka e parë, e delimituar në përmasën fizike femërore është zanafilla e maturisë orientuese të imazhit që lexuesi do të kthjellojë. Por po kaq, aty ku ajo përmbush misionin e saj, si lajmëtar i stërvitur poeti qokëton për së dyti përmes fjalëkrijimeve të grupit të dytë çaste meditimesh referenciale, të cilat jo pak raste janë trajtuar si qoka referuese të poezisë së tij erotike nga Gjikaj, Qosja apo Topçiu[xvii].
Këndi ynë i vështrimit në dukje i ka shkëputur fjalëkrijimet nga konteksti poetik me qëllimin praktik për ta qartësuar procesin e qokëtimit nëpërmjet një mozaiku imazherik, por ky është iluzion i pastër, sepse në fakt, këtë qokëtim poeti e realizon vetëm te lexuesi që ka krijuar infratekstin e tij. Shkurt, qokëton brenda këtij infrateksti.
Fjalëkrijimet te Lasgushi si refleksion i trashëgimisë së Naim Frashërit
-Sipas Brodskij-t, çdo krijimtari është një refleksion ndaj paraardhësve dhe stanjacioni i simbolizmit në kuptimin e pastër të harmonisë gjuhësore kërkon një zgjidhje (Brodskij, 2018)[xviii]. Kur poeti ka hedhur vështrimin pas, në humbëtirën nga ku gjallonin herë copëza biblike të përkthyera e herë vargje që nuk mund të ngopnin formimin klasik dhe tendencën moderne të frymës së tij, refleksionet lasgushiane nuk mund të mos zanafillonin tek i vetmi poet që krijoi bazat e një rryme e cila, veç vlerave aristike e letrare, përmbushte sfidën e poetit të ri: pastërtinë e gjuhës shqipe dhe nevojën e atypëratyshme për ta pasuruar leksikun e saj, i cili siç e kemi përmendur më lart, me sa duket i rrinte i ngushtë poetit. Naim Frashëri dhe Lasgush Poradeci kanë një emërues të përbashkët gjuhësor: prurjet shqipe me gjedhe shqipe dhe me qëllime poetike që orientojnë formatet e fjalëkrijimeve. Duke qenë se kjo tematikë kërkon një sprovë të thelluar në rrafshe krahasuese mes fjalëkrijimeve të të dy poetëve të mëdhenj, do të ndalemi vetëm në disa aspekte periferike, që kanë të bëjnë kryesisht me evidentimin e fjalëkrijimeve të përdorura në dy poezitë kushtuar Naim Frashërit, si dhe me rolin e fjalëformimit në gjatësinë e vargut respektivisht.
Dy poezi i ka kushtuar Lasgushi Naim Frashërit. Ajo që studiuesit e kanë pohuar që në hershmëri të studimit të Lasgushit është vlerësimi dhe një lidhje e qenësishme e tij, me veprën e Naim Frashërit, por edhe me synimin dhe qëllimin që Naimi i kishte vënë vetes për të pastruar trungun e gjuhës shqipe prej kulpërave të huaja, siç pohon Rexhep Qosja[xix]. Naimi e arriti këtë qëllim duke ndihmuar jo vetëm si purist, por, ç’është me rëndësi të posaçme, si artist, megjithëse në këtë mes puristin nuk mund ta veçojmë prej artistit. Në shkrimet e tij gjuha shqipe për herë të parë ka dalë e kulluar, ashtu siç del ari i kulluar pasi t’i hiqen xehet e tjera që ja fshehin bukurinë[xx]. Po i njëjti krahasim vlen edhe për ndihmesën e Poradecit, i cili model pati Naimin dhe nuk i kurseu formantet fjalëkrijuese në dy poezitë kushtuar atij vetë, në të cilat numërojmë gjashtëdhjetë e një fjalëkrijime, të përsëritura disa herë në një pjesë të tyren: stërgjyshërishte, armiqërishte, dhembshurishte, përmivarrmishte, pleqërishte, harrim, lavdurim, shkrepëtim, këndim, mburim, shëmbëllim, kullim, shoqërim, therorësia, dhembshuria, ligësia , vetëdija, ndryshësia, mëmëdhetar, thëthimtar, fjalëtor, vjershëtor, këngëtor, e paçmuashmë, i madhërishmë, i harmonishmë, i frymëzuar, i skëterruar, i pashijuar, i pazemëruar, e shenjtëruar, e djallëzuar, i lumturuar, i pastërtuar, i tepërlumtur, e pritme, e perëndishme, e mallëngjyer, trashëgonjës, vraparak, e paanë, dhëmbkos, pakmos, zemëratë, ligjëratë, e përjetshmja, e pasharë, fshehtësira, e palëmpirë, përjetësisht, zëth, mizor, trimëror, lotak, shkrumbosur, shkumbëzon, gushë-dehuri, pjesë-urgji, bilbil-finoshi, pendë-shkruarëza, tru-venitur.
Siç është e dukshme, një shumësi ngjyrash në metodat e fjalëkrijimeve, tregojnë se autori ka ndjerë përgjegjësinë të ecë në udhë analoge me Naim Frashërin. Mjaft të sjellim një shembull nga Naimi: Kish ahere Shqipërija/ gjithë ç’kërkon njerëzija/ Zot i math e kish uruar/ pa ishte fatbardhësuar (Frashëri, 1894)[xxi] që të kuptojmë se fjalëkrijimet edhe te Naimi determinojnë gjatësinë e vargut. Vetëm fjala e re (fatbardhësuar) e thyen prirjen trokaike të vargut dhe i jep ritmin anapestik, sikurse, nevoja për rima kumbuese plotësohet me forma të tilla fjalëkrijuese: Hysejni’ është dashurija/ Që fatbardhëson/ Buron soje miqësija/ Që na lartëson (Frashëri, 2001)[xxii]. Apo edhe prapashtesat diminuitive që i mbushin me një ëmbëlsi ledhatare mëmësore veprat e të dy poetëve. Të përcaktosh rrugën se si erdhi ky emërues i përbashkët dhe kur nisi ai, ky është një proces që i përket një studimi më të thelluar krahasues.
Për të mos rënë në përsëritje të gjetjeve që Qosja apo Topçiu na rendit në këtë përputhshmëri misionare, do të krahasojmë në kritere ritmike dhe konceptuale dy diskurse poetike të secilit prej poetëve, brenda së cilëve një rol shumë të rëndësishëm luan fjalëkrijimi kalim:
Do të digjem, të venitem,/si kandili kur s’ka vaj,/Baltë e pluhur do të bëhem,/Të më shkelnjë këmbë e saj,/Dhe do tretem duke puthur,/Atë këmbë pasandaj. (N. F. Cikli Bukuria)
Do të tretem, të kullohem në kalim të këmbës sate (L. P. Ti po vjen që prej së largu). Nëse i krahasojmë dy thëniet poetike, vërejmë afrinë konceptuale dhe erotizmin elegant që përshkon diskurset respektive. Te Naim Frashëri tërësia e foljeve {do të digjem, do të venitem, do të bëhem, do të tretem, duke puthur (formë e pashtjelluar, por me atributet kuptimore të foljes)} krijon lidhje homogjenimie vargëzuese, në të cilën shenjë pas shenje kuptimet rrisin shkallën emotive të thënies, duke na sjellë imazhin e një vuajtjeje në rritje (shkallëzimi ngjitës), vuajtje e cila finalizohet me dy qëllime: të parin e përmbush fjalia qëllimore (të më shkelnjë këmbë e saj), ndërsa i dyti realizohet me një fjali bashkërenditëse e cila tërë sakrificën që poeti e sjell nëpërmjet shkallëzimit ngjitës e ngrin në imazhin të tretem duke puthur këmbën, imazh që nëpërmjet detajit (këmba) në fakt bën kthim pas të mendimit. Lexuesi ka perceptuar një ndjenjë emocionale në ngjitje, ndërkohë që sintagma të tretem duke puthur rikthen në perceptimin e tij gjithë rrugëtimin emotiv, me synimin për ta përmbyllur atë. Është një vuajtje e ëmbël dashurie.
I njëjti proces vjen nga Lasgushi, por i kondensuar. Dy foljet (do të tretem, të kullohem) nuk shkojnë deri në nivelet e shkallëzimit, madje vargu nuk ka peshën e dhimbjes së vargut naimian. Kjo dallohet po të krahasojmë fushat kuptimore që fitojnë leksemat në secilin rast. Te Naimi shkallëzimi proceson vuajtjen duke e analoguar me detajimin e dekompozimit metafizik të shpirtit (pas vdekjes gati). Te Lasgushi foljet shënojnë dy procese gati të njëjta të gjendjes emocionale (tretëm nga dashuria, kulloj dashuri për ty), ndërkohë që emri prejfoljor kalim përmbledh në një imazh të vetëm, gjithë vizionin e detajuar të periudhës së diskursit naimian. Emri me prapashtesa duke e kthyer foljen në emër ruan dhe tërheq në këtë klasë të re konceptimet e lëvizjeve, por prapashtesa i shton asaj edhe perceptimin vizual. Leksema e krijuar është në njëkohësi perceptive me imazhin që krijon segmentin diskursiv: Të më shkelnjë këmbë e saj,/Dhe do tretem duke puthur,/Atë këmbë pasandaj.
Nëse vargjet e Naimit do t’i shohim si një diskurs të plotë, vërejmë se pavarësisht zgjedhjes së vargut, brenda diskursit kemi disa nënpjesë që përcaktohen si të tilla nga pozicioni i theksit në fjali, të cilat mund t`i shtronim edhe në këtë mënyrë:
Do të digjem, të venitem, si kandili kur s’ka vaj,/Baltë e pluhur do të bëhem, të më shkelnjë këmbë e saj,/Dhe do tretem duke puthur, atë këmbë pasandaj. Do të vërenim se kuptimi nuk prishet, madje vargu qëndron shumë mirë në sajë të vendosjes së theksave logjikë në pozicionet 3-7-11 (duke llogaritur rënien e ë-së së patheksuar përgjatë shqiptimit). Po e njëjta vendosje e theksave ritmikë gjendet edhe në vargun e Lasgushit: 3-7-11 duke krijuar të njëjtin ritëm të brendshëm, i cili mbyllet shumë para mbylljes së vargut, gjë që e ul tonalitetin e ligjërimit. Kjo ulje tonaliteti sfumon ndryshueshmërinë prej një rrokjeje mes dy thënieve dhe koncentron kuptimet në të njëjtat shkallë të valencave ndijore për të dy poetët.
Kjo procede nuk është gjë tjetër veçse qokëtim i Lasgushit në stanjacionin e simbolikës së Naimit, por duke e ngritur atë në nivel metafizik e duke iu shmangur platonizmit, i cili nuk i përshtatet shijeve të poetit.
Përfundime
E gjithë metoda fjalëkrijuese e Poradecit mbështetet në dialogimin e tingullit me kuptimin.
Në korpusin poetik të poetit gjejmë fjalëkrijime në të cilat janë shfrytëzuar të gjithë mekanizmat fjalëkrijues të gjuhës shqipe, duke na sjellë kryesisht fjalëkrijime kombinatorike, po jo në pak raste edhe fjalëkrijime semantike.
Nga sa analizuam përfundojmë se poeti ndërton fjalë dhe stilema duke shfrytëzuar abstraktin popullor, por duke ia nënshtruar atë rrugëve moderne.
Fjalëkrijimi i Pradecit aq ngushtësisht i lidhur me synimet e tij mbi pasurimin dhe pastërtinë e gjuhës shqipe, mendojmë se ka lidhje të forta reflektive simbolike ndaj krijimtarisë fjalëkrijuese të Naimit Frashërit, poet të cilin ai e vlerësoi veçanërisht për ndihmesën në pastërtinë e gjuhës shqipe.
Brenda vargjeve kompozitat me shenjat grafike gjallojnë të njësuara jo vetëm semantikisht por edhe semiotikisht, duke gjeneruar shtresëzime kuptimore sipas konteksteve ku ato lindën.
Për ta përmbyllur, ky punim është shumë modest krahasuar me format stilistikore dhe madhësitë pragmatike më të cilat përballemi ne si lexues e si studiues sa herë i qasemi veprës së poetit tonë të madh, i cili me të drejtë tashmë ka marrë titullin e mjeshtrit.
© 2023 Natasha Shuteriqi. Të gjitha të drejtat janë të autores.
Bibliografi:
https://sq.wikibooks.org/wiki/Vitviteja/Naim_Frashëri/Qosaj_për_Naimin .
https://sq.wikibooks.org/wiki/Vitviteja/Naim_Frashëri/Qosaj_për_Naimin.
Brodskij, J. (2018), Pikëllim dhe arsye. Tiranë, Shqipëri: Aleph.
Eco, U. (2010), Lector in fabula. Milano, Itali: Tascabili Bompiani.
Frashëri, N. (2001), Lulet e verësë. Tiranë, Shqipëri: Dituria.
Frashëri, N. (1894), Parajsa dhe fjala fluturake. Bukuresht, Rumani: Dituria.
Gjikaj, E. (2014), Cikli filozofik në sistemin poetik të Lasgush Poradecit. Tiranë, Shqipëri: Zambaku Botime.
Hamiti, S. (1978), Vdekja e nositit, parathënie. Prishtinë, Kosovë: Rilindja.
Kundera, M. (2010), Testamentet e tradhëtuara. Tiranë, Shqipëri: Pika pa sipërfaqe.
Kuteli, M. (1937), Poeti Lasgush Poradeci (Vëzhgim kritik). Tiranë, Shqipëri.
Ladislao, G. (1984), Introduzione alla stilistica italiana. Bologna, Itali: Patron Editore.
Mengaldo, P. V. (2001), Prima lezione di stilistica. Bari, Itali: Edizione Laterza.
Plangarica, T. (2017), Shkencat e ligjërimit dhe teksti poetik. Tiranë, Shqipëri: INALCO.
Qosja, R. (1979), Dialogje me shkrimtarë. Prishtinë, Kosovë: Rilindja.
Topçiu, L. (2003), Tekstualizim dhe stil,. Bukuresht, Rumani: Getic.
Umberto, E. (2010) Lector in fabula. Milano, Itali: Tascabili Bombiani.
[i] Mengaldo, P. V.,Prima lezione di stilistica. Bari, Itali: Edizione Laterza, (2001), fq. 3.
[ii] Kundera M., Testamentet e tradhëtuara. Tiranë, Shqipëri: Pika pa sipërfaqe, (2010), fq 118
[iii] Lasdislao, G., Introduzione alla stilistica italiana. Bologna, Itali: Patron Editore, (1984), fq. 64.
[iv] https://sq.wikipedia.org/wiki/Gjuha_shqipe
[v] Në punimin tonë i jemi referuar veprës letrare „Lasgush Poradeci“, Shtëpia botuese „Naim Frashëri“, Tiranë 1990
[vi] Kuteli, M., Poeti Lasgush Poradeci (Vëzhgim kritik). Tiranë, Shqipëri, (1937), fq. 124
[vii] Qosja, R., Dialogje me shkrimtarë. Prishtinë, Kosovë: Rilindja, (1979), fq. 59.
[viii] Hamiti, S.,Vdekja e nositit, parathënie. Prishtinë, Kosovë: Rilindja. (1978).
[ix] Gjikaj, E., Cikli filozofik në sistemin poetik të Lasgush Poradecit. Tiranë, Shqipëri: Zambaku Botime. (2014), Kapitulli V, 5.3.
[x] Topçiu, L., Tekstualizim dhe stil,. Bukuresht, Rumani: Getic, (2003).
[xi] Eco, U., Lector in fabula. Milano, Itali: Tascabili Bompiani, (2010), fq. 91
[xii] Plangarica, T., Shkencat e ligjërimit dhe teksti poetik. Tiranë, Shqipëri: INALCO, (2017).
[xiii] Këtë term e kemi huazuar nga Plangarica, Aspekte të gjuhësisë së zbatuar (2017), i cili, ndërsa saktësonte terminologjinë e përkthimit nga frëngjishtja, shkruan: Për të vijuar më tej, skaji repère, mendojmë se duhet përkthyer me qokë, ndërsa të ardhurat prej tij repérer, repérage, repéré përkatësisht me qokëtoj, qokëtim dhe i qokëtuar; përkthim i tillë nuk është bërë ende në shumë gjuhë të tjera. P.sh.: në anglisht, për mungesë të një fjale që do ta jepte barasvlershëm nocionin përkatës të gjuhësisë franceze, përdoret skaji reper i huazuar nga frëngjishtja. Është parapëlqyer skaji qokë, sepse i përgjigjet më mirë skajit gjegjës frëng repère, se që të dy vijnë nga fusha e marrjes, e vënies së diçkaje (qokë, popël, kunj, etj.) si skaj orientimi, sepse fjala qokë me kuptimet dhe përdorimet e saj në gegërisht i përgjigjet më mirë jo vetëm nocionit të orientimit, saktësisë, urtësisë, maturisë, por edhe shërben si temë më pak e zënë për të formuar çerdhe homogjene terminologjike fjalësh : qokëtoj, qokëtim, i qokëtuar, qokëtues, i qokëtueshëm etj.
[xiv] Studiuesit që kemi vëzhguar janë: M.Kuteli, E. Çabej, R. Qosja,N. Caka,T. Plangarica, L.Topçiu, E. Gjikaj, R. Luniku.
[xv] Topçiu, L., Tekstualizim dhe stil,. Bukuresht, Rumani: Getic, (2003), fq. 202-209.
[xvi] Plangarica, T., Shkencat e ligjërimit dhe teksti poetik. Tiranë, Shqipëri: INALCO, (2017), fq. 106.
[xvii] Vepra të cituara më lart: Topçiu, L., Tekstualizim dhe stil,. Bukuresht, Rumani: Getic, (2003); Gjikaj, E., Cikli filozofik në sistemin poetik të Lasgush Poradecit. Tiranë, Shqipëri: Zambaku Botime. (2014); Qosja, R., Dialogje me shkrimtarë. Prishtinë, Kosovë: Rilindja, (1979).
[xviii] Brodskij, J., Pikëllim dhe arsye. Tiranë, Shqipëri: Aleph, (2018), fq. 246
[xix] Qosja, R., Dialogje me shkrimtarë. Prishtinë, Kosovë: Rilindja, (1979), fq. 59.
[xx] https://sq.wikibooks.org/wiki/Vitviteja/Naim_Frashëri/Qosaj_për_Naimin
[xxi] Frashëri, N., Parajsa dhe fjala fluturake. Bukuresht, Rumani: Dituria, (1894), fq. 71-72
[xxii] Frashëri, N., Lulet e verësë. Tiranë, Shqipëri: Dituria, (2001), fq. 24.
Kopertina: Photo by Ken Cheung on Unsplash