Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Histori / Shkencë

HIPOTEZA SI MODELIM SHPJEGIMOR

nga Albert Doja

Mund të lexosh në shkrimet apo statuset e studiuesve të rinj historiane se arkeologjia dhe fusha të tjera si studimi i trashëgimisë kulturore janë disiplina ndihmëse të historisë, për çka studiuesit e rinj arkeologe u përgjigjen se ky discours është i stërvjetruar, apo i përshtatshëm vetëm për mendësitë e shek. XIX, meqë arkeologjia është sot shkencë e stërshkencë. Por ndonëse studiuesit e rinj e përjashtojnë hierarkizimin e disiplinave pa problem, asnjëri nuk na thotë se ku qëndron karakteri shkencor i disiplinave të tyre.

Thjesht mund të thonë se në hulumtimin historik punohet përmes hipotezash, që sipas tyre janë parashtresa me vlerë relative, sepse nuk kanë sigurinë absolute të një pohimi të mirëfilltë shkencor dhe nuk do t’i japin kurrë historianit sigurinë e pakundërshtueshme të studiuesve në shkencat ekzakte. Prandaj për studiuesit e rinj historia e mirëfilltë është e tejmbushur me “ndoshta”, “duket se”, “ka gjasa që”, “mund të themi se”, “me shumë mundësi”, etj. Me sa duket pohime të tilla janë shprehje e konfliktit midis të vjetërve dhe të rinjve, meqë bien në kundërshtim të drejtpërdrejtë me studiuesit e vjetër që janë kryeneçë në këmbënguljen e tyre për të na treguar “të vërtetat” e thata ashtu si i kanë gjetur në burime apo në gërmime.

Pohime të tilla duket se marrin edhe një kuptim më konkret në kontekstin e rezultateve të reja nga gërmimet në vendbanimet palafite të Linit dhe nga studimi kompleks i botuar në revistën “Science” 381, 414 (28 July 2023), mbi lokalizimin e djepit gjeografik dhe orientimit kohor të lindjes së gjuhës proto-indoeuropiane dhe të shkëputjes së proto-shqipes prej saj, apo në kontekstin e gërmimeve të reja në kulturën e Komanit. Ndërsa vendbanimet e Linit dhe artikulli i revistës “Science” duket se kanë sjellë provat e padiskutueshme të vjetërsisë, autoktonisë dhe përparësisë së gjuhës shqipe dhe të popullit shqiptar, gërmimet e Komanit akuzohen se po vënë në diskutim vijimësinë iliro-shqiptare.

Nga një anë tjetër, qasjet e dallueshme nga pikëpamja e atyre që quhen shkenca sociale si sociologjia, antropologjia, etj. bazohen detyrimisht në të dhënat e disponueshme në burimet arkivore, gërmimet arkeologjike apo përvojat etnografike. Zakonisht ato nuk përpiqen të ofrojnë ndonjë përshkrim sado të detajuar apo të bazuar në kërkime empirike sado shteruese, as nuk kërkojnë të plotësojnë dhe madje aq më pak të korrigjojnë dëshmitë empirike të grumbulluara nga burimet, gërmimet, apo ndjekja e vijueshmërisë gjenetike të popullatave, sepse nuk janë në gjendje të trajtojnë veçse në mënyrë sipërfaqësore dhe abstrakte botën komplekse të objektit të tyre të hulumtimit.

Janë historianet, arkeologet dhe gjuhëtaret ata që grumbullojnë dëshmi të shumta burimesh dhe gërmimesh empirike dhe ata janë gjithmonë superiore për sa i takon përshkrimit të hollësishëm empirik që siguron një pamje gjithnjë e më të plotë të objektit të tyre të hulumtimit. Megjithatë, si antropolog apo studiues në fushën e shkencave sociale, unë besoj se ka shumë nevojë për një model analitik gjithëpërfshirës që të shpjegojë kuptimin, qëllimin dhe mënyrat e bashkëveprimit të tërësisë së të dhënave të disponueshme.

Ashtu si Glaser dhe Strauss kanë vënë re, studimet historike tregojnë njëkohësisht edhe mungesën e rëndësisë së kuptimit të gjërave nga pikëpamja e shkencave sociale, e cila mund të korrigjojë ideologjitë konvencionale që qëndrojnë mbas “togjeve të pluhurosur” të të dhënave të grumbulluara. Shpjegimi i “së vërtetës” historike nuk gjendet domosdoshmërisht në burime apo në gërmime. Të dhënat e grumbulluara duhet të kuptohen në bazë të një arsyetimi funksional, i cili nuk mund të gjendet tek të dhënat pasi këto janë ato çka duhet të shpjegohen. Pikërisht, konceptimi paraprak i një hipoteze eksperimentale të përfytyruar nga imagjinata intelektuale duhet të përballet me realitetin e dukshëm të dukurive shoqërore, të cilat në vetvete nuk na mësojnë asgjë dhe madje nuk janë as të vëzhgueshme, përveçse nga këndvështrimi i hipotezës që interesohet për to.

Nuk është për t’u çuditur se një këndvështrim i tillë është trashëguar nga shkencat ekzakte. Në fakt, shkencat e natyrës si biologjia, kimia, fizika, astronomia, etj. nuk janë shkenca të mirëfillta sepse eksperimentojnë në laborator objektin e tyre të hulumtimit, por pikërisht sepse operojnë me verifikimin e hipotezave që studiuesit i vendosin paraprakisht përpara vetes. Por si në shkencat ekzakte edhe në shkencat sociale, hipotezat nuk janë parashtresa me vlerë relative, që nuk paskan sigurinë absolute të një pohimi të mirëfilltë shkencor. Përkundrazi, hipotezat shërbejnë për të ndërtuar një model shpjegimor të dukurisë shoqërore që na intereson. Një dukuri e tillë mund të jetë, për shembull, historia e gjuhës hipotetike proto-indoeuropiane dhe degëzimet e saj ku përfshihet, si një degë e veçantë dhe e izoluar, edhe proto-shqipja apo paraardhësja e gjuhës shqipe. Një dukuri tjetër është vijueshmëria gjenetike e popullatave që kanë folur këto gjuhë përgjatë gjashtë apo tetë mijëvjeçarësh, apo kultura dhe organizimi shoqëror i banorëve të vendbanimeve palafite të Linit para 8000-8500 vjetësh, si dhe i banorëve të Komanit në Mesjetë.

Modeli shpjegimor është një teori që na orienton me të dhënat në një mënyrë të veçantë, që të identifikohen dhe të arsyetohen proceset dhe mekanizmat specifike të funksionimit të dukurisë mbi bazën e faktorëve të qëndrueshëm jashtë sferës së të dhënave empirike të disponueshme, për shembull në kushtet kur nuk ka dhe nuk mund të ketë lidhje ndërmjet gjeneve specifike dhe gjuhës apo kulturës së një populli të caktuar, në kushtet kur gjuha dhe kultura e një populli të caktuar nuk mund të kenë ngelur të pandryshuara për tetë mijëvjeçarë, apo në kushtet kur as gjaku, as gjuha, as kultura, madje as historia nuk janë domosdoshmërisht përcaktorë sine qua non të identitetit të një popullsie, por thjesht burime simbolike të pavetëdijshme që përdoren qëllimisht për një politikë identitare të caktuar.

Modeli shpjegimor hipotetik shërben kështu të bëhen parashikime të provueshme për t’i verifikuar apo për t’i përgënjeshtruar këto faktorë, si dhe të ofrohet mundësia e përdorimit të tyre për të përftuar njohuri ose kuptime të mëtejshme. Kështu lind nevoja e metodave të papërdorura më parë në kontekstin e objektit të hulumtimit, si për shembull, meta-analizat statistikore dhe përsiatjet bayesiane të pemës filogjenetike të një numri të kufizuar fjalësh bazike nga gjuhët e përafërta, që përdoren në studimin e botuar në revistën “Science”, në kombinim me ndjekjen e vijueshmërisë gjenetike të popullatave që kanë folur apo që flasin këto gjuhë, për të arritur në përfundime të reja mbi origjinën dhe lokalizimin e gjuhës proto-indoeuropiane në kohë dhe në hapësirë.

Hipotezat që ndërtojnë modele të tilla shpjegimore janë pikërisht ato që i hapin rrugë hulumtimit shkencor, sepse në shkencë pyetjet që shtrohen kanë më shumë rëndësi se sa përgjigjet që jepen, të cilat si rregull janë relative dhe të përkohshme. Me fjalë të tjera, nuk janë provat që u lënë vendin hipotezave por janë hipotezat që u hapin rrugë provave. Pa çka se ashtu si hipotezat u hapin rrugë hulumtimit dhe verifikimit shkencor nëpërmjet analizës së vazhdueshme të të dhënave apo provave të përgënjeshtrueshme, ato u hapin rrugë njëlloj edhe ideologjive konvencionale dhe populiste mbi vjetërsinë, autoktoninë dhe përparësinë e gjuhës, historisë dhe kulturës së një populli apo marrëzive të tjera që bazohen në bindje të tilla të papërgënjeshtrueshme.

Në fund të fundit, shkenca dhe populizmi, ashtu si dija dhe kundër-dija, njohuria dhe injoranca apo mençuria dhe marrëzia, mund të organizohen në përbërje të një tërësie permutacionale ku secila prej tyre vendoset në dy skaje të kundërta që ndodhen në një marrëdhënie simetrike, ndonëse të përmbysur, ndaj njëra-tjetrës. Në këtë kuptim, debati duhet zhvendosur përtej krimit kulturor të populizmit turbo-albanologjik, që nuk është problem i albanologjisë, por i mbarë shoqërisë. Vetëm kështu albanologjia do t’u shpëtojë alibive të panevojshme dhe mund t’i hapet rrugë për t’u marrë me problemet e veta endemike. Ndryshe do të mbetet peng e turbo-albanologjisë dhe ideologjive konvencionale që e mbajnë metodologjikisht të gozhduar në shekullin e nëntëmbëdhjetë.

Nga njëra anë, kufiri dhe marrëdhëniet midis shkencës dhe populizmit mund të jenë dhe ndoshta duhet të bëhen objekt hulumtimi i shkencave sociale ashtu si çdo dukuri tjetër shoqërore. Por do të ishte gabim t’u kërkohet historianeve apo gjuhëtareve të përdorin argumente shkencore për t’u mbyllur gojën dhe për t’u prerë rrugën histerive populiste që kanë obsesion vjetërsinë, autoktoninë dhe përparësinë e gjuhës, historisë dhe kulturës së shqiptarëve. Puna e tyre mund t’i shërbejë trajtimit të problemeve shkencore në historinë e gjuhës, por do ishte naive të besosh se shërben për të luftuar populizmin dhe histeritë obsesionale mbi përparësinë e origjinës së shqipes, sepse nuk është punë për albanologet të luftojnë marrëzi të tilla. Përkundrazi, kam përshtypjen se argumentet shkencore i acarojnë më shumë histeritë, që nuk ushqehen nga faktet por nga konvencione ideologjike të ngulitura. Bindjet populiste janë si gozhdë në tru, të cilat sa më shumë i rreh aq më shumë të ngulen. E vetmja gjë që mund të bëhet është që antropologet, sociologet apo psikologet të shpjegojnë se pse histeri të tilla obsesionale lindin dhe zhvillohen në këtë shoqëri në këtë apo atë kohë të caktuar.

Nga ana tjetër, edhe studimet kërkimore historike, arkeologjike, gjuhësore apo gjenetike mund dhe duhet të jenë objekt hulumtimi i shkencave sociale. Një hulumtim i tillë duhet të na bëjë të kuptojmë jo vetëm metodat shkencore që përdoren për grumbullimin e të dhënave historike, gjuhësore, kulturore apo gjenetike në burime dhe në gërmime apo nëpërmjet vëzhgimeve etnografike dhe laboratorike, por të kuptojmë edhe botëkuptimet ideologjike konvencionale që qëndrojnë prapa grumbujve të këtyre të dhënave.

© 2023 Albert Doja. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

Kopertina: Photo by Aleks Marinkovic on Unsplash. Imazhi për ilustrim vetëm.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin