nga Teuta Toska
Në fund të majit nisi në televizionin Top Channel shfaqja e serialit kosovar “Rrushe”, me skenar nga Jeton Kulinxha dhe Patrik Lekaj, dhe regjisor Valter Lucaj, dhe përdorimi i titrave në shqipen standarde habiti shumë teleshikues dhe “shokoi” një pjesë prej tyre. Siç është e zakonshme këto kohë, kjo u shoqërua me diskutime të shumta publike, por edhe në rrethe të ngushta profesionistësh kryesisht të sferës së komunikimit. Përdorimi i titrave u perceptua në masë si përkthim, që nënkupton kalimin e mesazhit nga një gjuhë në një gjuhë tjetër. Për rrjedhojë, duke u mbajtur fort te kjo pikëpamje e thjeshtuar, shoqëruar edhe me qëndrime më të skajshme emocionale, titrimi u përjetua deri edhe si “tronditje” në kontekstin e përpjekjeve shumëvjeçare për njësimin kombëtar. Kjo përpjekje e producentëve për t’u kuptuar më mirë prej publikut (edhe atij të Kosovës, sepse filmi është i titruar edhe në shqipen që performohet prej aktorëve, siç mund të shihet në linkun e mësipërm) solli në diskutim mite shekullore dhe ca narrativa të vjetruara kombëtariste, me të cilat mediat ushqehen prej kohësh pa lejuar të shihen gjërat për ato që janë dhe, për më tepër, të diskutohen edhe çështje të tjera me rëndësi.
Desha ta shoh këtë ngjarje kulturore përtej çështjes së thjeshtë gjuhësore, në një vështrim më të gjerë, duke e lidhur edhe me dy ngjarje të tjera filmike, të cilat i bashkon përdorimi i dialektit (gegërishtes) si gjuhë e filmit. E kështu mund të bëjmë një vëzhgim pikërisht për gjuhën e filmave, të shqipes që zgjedhin për ta dëshmuar regjisorët dhe skenaristët e filmit, të mënyrës se si kjo gjuhë do të komunikojë me publikun dhe cilin publik kanë në mendje ata kur e projektojnë që në fillimet e tij. Ngjarja e parë është filmi “Sofia” (2022), me regji të Eduart Grishajt dhe skenar të Eduart Grishajt, Zefina Hasanit dhe Fatmira Nikollit, që e pati premierën e vet në nëntor 2022 dhe më 7 korrik 2023 u transmetua në prime time në Top Channel. Gjuha e filmit është shqip, anglisht dhe serbisht, dhe meqë njëra nga linjat e skenarit zhvillohet në Veri, personazhet performojnë në gegërisht. Në linjën tjetër përdoret gjerësisht standardi, ose më mirë të them një shqipe letrare. Do ta shpjegoj më poshtë pse e përdor këtë term që mund të tingëllojë i vjetëruar sot. Ngjarja e dytë është filmi “Virgjëresha shqiptare” (2021), shfaqur në Cineplexx këta muajt e fundit (që nga fundi i prillit 2023), me regji të Bujar Alimanit dhe skenar të Katia Kittendrof-it. Siç mund të imagjinohet nga titulli, ngjarjet zhvillohen në Veri dhe aktorët performojnë në gegërisht.
Në këtë shkrim do të doja të ndalesha tek natyrshmëria e zgjedhjes për të titruar serialin “Rrushe” në të njëjtën gjuhë dhe që kjo zgjedhje nuk mund të ketë lidhje me debatin “dialekt – standard”, “kosovarishte – shqipe zyrtare”, por me raportin “gjuhë e shkruar/e njësuar/standard – gjuhë e folur”. Dhe kjo më çon në diskutimin për atë se sa të folurit, me gjithë larmishmërinë e vet, është i shfaqur në filmat tanë, falë mundësisë së përveçme që filmi ka për ta sjellë aktin gjuhësor për atë që është në realitet. Nga ana tjetër, nuk dua të diskutoj këtu kthimin jocilësor të gjuhës së filmit në standard. Nuk ka nevojë të argumentohet se sa e dobët, e mangët dhe me gabime është. Në industrinë e prodhimit të filmave në Kosovë dhe Shqipëri duhet të mendojnë seriozisht të përfshijnë profesionistë të fushës (gjuhëtarë dialektologë, sociolinguistë, stilistë) për këtë proces në thelb gjuhësor.
Edhe te një shkrim tjetër te Peizazhe të Fjalës Edon Qesari e trajtoi çështjen e titrimit në të njëjtën gjuhë sapo “Rrushe” u shfaq në Shqipëri dhe debati u ndez, dhe u shpreh se sa e natyrshme është “përcjellja gjuhësore nga shqipja në shqip” përkundër paradoksit që ajo mund të shkaktojë aty për aty.
Titrimi i filmave në të njëjtën gjuhë duket si çështje e transkriptimit nga një formë gjuhësore (e folur) në një tjetër (e shkruar), dhe mund të quhet një përkthim semiotik, kalimi nga një sistem shenjash në një tjetër. Por duhet të kemi parasysh se përpara se të jetë i folur, teksti, pra skenari, ka qenë i shkruar. Kështu, ky transpozim “i shkruar në të folur e më pas në të shkruar”, është në rrjedhën e vet të natyrshme të procesit të filmbërjes, përjashto rastet kur aktorët e pasurojnë tekstin e shkruar të skenarit me kreativitetin e tyre gjatë xhirimit.
Thuajse të gjithë mund ta dinë, por pak e sjellin ndërmend (kur duhet), se të folurit dhe të shkruarit janë dy sisteme të ndryshme: i dyti ekziston prej të parit dhe i pari ka përparësi në disa drejtime. Të folurit ka qenë përpara shkrimit dhe sigurisht që realiteti i qenësishëm i gjuhës është të folurit. Nuk mund të ekzistojë një sistem shkrimor që të pasqyrojë gjithë pasurinë e aktit të të folurit, larminë e njësive dhe aspekteve zanore, timbrike, nuancave dhe intonacioneve të ndryshme që përdorin folësit kur flasin. Shkrimi është një përpjekje gjeniale e njerëzimit për të kapur dhe riprodhuar sa më shumë atë që është kaq e shumëllojtë, e ndryshueshme, e papërsëritshme, e çastshme – pra, akti i folur gjuhësor në të tashmen e vet. Të folurit në thelb karakterizohet nga ndryshueshmëria, ndërsa shkrimi synon njëjtësinë. Të folurit gjendet në një proces shndërrimi ashtu si gjithçka tjetër në natyrë. Kështu edhe gjuha (sistemi) e pëson ndryshimin për shkak të kohës. Madje edhe për shkak të hapësirës.
Shkrimi dikur lindte si nevojë për të ruajtur gjuhën (që është qenësisht e folur), por sot është një sistem që ka fituar një pavarësi funksionale: lloje të tjera të komunikimit me shkrim, rrugë e mënyra të tjera, gjini të tjera, krejt të ndryshme nga ato të të folurit, karakteristika të tjera gjuhësore. Dhe sot gjithnjë e më shumë përmasa gjuhësore po transportohet në rrjetet virtuale elektronike (të shkruara, më së shumti) dhe shumë shpejt virtualja e shkruar do ta ketë gllabëruar dhe pasqyruar atë që ndodh në realitetin e folur. Dikur gjuhëtarët shkonin në terren për të hulumtuar dukurinë gjuhësore. Tani studimi duhet të hulumtojë korpuset elektronike gjuhësore dhe në të ardhmen, kushedi, i gjithë kërkimi do të mund të bëhet kryesisht në këto korpuse.
Edhe pse shkrimi ia ka dalë ta pasqyrojë kënaqshëm gjuhën e folur, ka një gjini të saj, më e rëndësishmja, që ende mbetet një terren i vështirë: biseda, ajo e zakonshmja, në të tashmen e saj të papërsëritshme, të pakthyeshme, dialogu që ndodh në jetën reale, ai mes dy njerëzve, por edhe kur shtohet një zë i tretë, e një i katërt. “Po në të vërtetë, çfarë është një bisedë, në realitetin, në konkreten e kohës së tashme? Nuk e dimë. Dimë vetëm se bisedat në teatër, në një roman, apo qoftë edhe në radio, nuk ngjasojnë me një bisedë reale.[1]” E megjithatë teatri dhe filmi e kanë bisedën ndër shenjat e veta kryesore, boshtin mbi të cilin lëviz ngjarja e rrëfyer, e gjithë vepra në tërësinë e vet, koha dhe hapësira që recepton spektatori është e transmetueshme, ose e pohueshme, përmes bisedës (kupto këtu edhe dialogun).
Përballë ndryshueshmërisë së natyrshme të të folurit, për shkak të shumë faktorëve, është shkrimi që na ndihmon të kuptojmë më mirë atë që ndodh përqark nesh me folës që vijnë nga kontekste të ndryshme kulturore, shoqërore, arsimore dhe hapësinore. Tashmë është e natyrshme të shohim intervista të folësve të ndryshëm të titruara jo vetëm në standard, në emisione të ndryshme televizive. Të gjithë e marrim si një kortezi të prodhuesit televiziv që ne të mund të kuptojmë thuajse gjithçka që thuhet. I sjellim ndërmend video të shkurtra a të gjata të personave në mediat sociale, që shoqërohen me titrimin në anglisht, italisht e çdo gjuhë tjetër të përhapur gjerësisht. YouTube dhe platforma të tjera multimediale në ueb ta japin mundësinë që ta kthesh në të shkruar ligjërimin e personazheve, edhe nëse videoja mund të mos e ketë pasur në prodhim tekstin e shkruar.
Pa shkrimin bëhet e pamundur të kuptosh të gjitha batutat e filmit, të thëna shpejt, nën emocion, në ngritje e ulje zëri, me ndërprerjet, përzierjet e zërave që karakterizojnë bisedat e dialogët, ose në një gjuhë që e njeh shumë mirë, por edhe në gjuhën amtare. Asnjë spektator nuk do të mund të ishte i sigurt se e kupton të gjithë ligjërimin e personazheve kur e sheh për herë të parë një film (me përjashtim të aktorëve që i kanë prodhuar dialogët dhe skenaristit kur e ndjek filmin e vet si spektator). E kush është i sigurt se e kupton plotësisht tjetrin në gjithçka që thuhet në një bisedë? Kur për më tepër je në një mjedis të caktuar, me zhurma, me muzikë, me zëra të tjerë.
Dhe kur krahasohet biseda e zakonshme me dialogët e shkruar në letërsi, si në prozë apo edhe në teatër, mund të kuptosh që biseda është e ndryshme në shumë aspekte. Më së pari për funksionin e saj. Në prozë mendoj se biseda, e përthyer në dialog, është një formë e të shkruarit që ngjan me atë që ndodh në realitet vetëm pjesërisht dhe se i shërben strukturës së narracionit, zhvillimit të ngjarjes së rrëfyer dhe paraqitjes së karakterit të personazheve. Por në film biseda është mjeti kryesor që na çon tek simulimi i realitetit. Mund të shohësh imazhet që lëvizin, peizazhin urban ose natyror që shpaloset para teje, një njeri që hyn në skenë dhe lëviz e zbulon jetën e vet, njerëz që lëvizin dhe kryejnë veprime të jashtëzakonshme, por filmi “fillon” në çastin që prodhohet akti gjuhësor siç ndodh në realitet, kur njeriu në skenë nis të shkëmbejë gjuhë me dikë tjetër.
Pikërisht nga kjo pikëpamje dua të vlerësoj, në prodhimet filmike të përmendura në këtë shkrim, një ndryshim që vura re mes tyre pikërisht nga mënyra se si krijohet biseda, shkëmbimi gjuhësor mes personazheve dhe shtjellimi i ngjarjes përmes bisedës. Sigurisht që jemi duke folur për dy gjini të ndryshme filmike, por mendoj se të tria këto produkte synojnë të jenë realiste në stilin e në teknikat kinematografike. Më poshtë kam rishkruar një dialog prej filmit “Sofia” dhe një nga filmi “Rrushe”, duke u përpjekur të pasqyroj mënyrën se si aktorët kanë shqiptuar batutat e tyre, që nga struktura fonetike e fjalëve e deri tek intonacioni, duke e pasqyruar me shenjat e pikësimit pauzat, intonacionet, timbrin etj.
Shembulli 1, dialogë nga dy skena të njëpasnjëshme të filmit “Sofia”.
Arbri – (nget makinën dhe flet) Dikur ëndërroja të bëhesha muzikant me famë botërore, ndërsa sot një menaxher i një biznesi familjar, ama me shpirt artisti.”
Sofia – (buzëqesh) Po, për çfarë ke studiuar?
Arbri – Në fillim ndoqa liceun artistik për piano, por nuk i vazhdova studimet e larta. Pasioni për muzikën nuk është se të jep ndonjë të ardhme të madhe këtu. Babai më nxiti të shkoj për studime në Romë, për menaxhim biznesi. Atje u sistemova mirë, me thënë të drejtën, saqë nuk e mendova më kthimin në Shqipëri.
Sofia – E, pse u ktheve?
Arbri – Për babanë. Ka kalu një periudhë të fshtirë kohët e fundit. Pati probleme serioze me zemrën. Ndaj erdha, dhe s’u ktheva më në Itali. S’mund ta lija. Jam fëmija i tij i vetëm. Kur e shihja aq të qetë, ndërsa më kishte mua aty, s’kisha ç’bëja, përveçse t’i rri afër. Sigurisht, m’u përmbysën të gjitha planet, por … s’ke ç’bën, kjo është jeta.
Sofia – Sa keq.
Arbri – Nejse, se s’du t’mërzis ma me gjanat e mia. ….. Nesër e ke biletën e kthimit, ë?
Sofia – (Pohon me kokë duke e kthyer pak kokën nga ai.)
[Skena që vijon, afër një varreze, mbi një kodër]
Malësori Kolë – Mirë se erdht!
Arbri – Ti je zoti Kolë?
Kola – Po, unë jam. Mirë se ju pruni Zoti!
Arbri – Mirë se ju gjetëm!
Kola – A erdhët fshtirë? Si ju shkoi rruga?
Arbri – Krejt mirë, kadalë e kadalë.
Kola – M’ka marrë Arbana n’telefon edhe m’ka thanë do vinë do miq t’mij, pranaj m’i ki kujdes.
Arbri – Kena ardh për Sofi Lekën.
Kola – Heeeeee, kam nigju prej babës tem se Sofi Lekja ka kenë i gru sojnike që s’e ka pas shoqen mbi ket tokë. Ka kenë me za n’kto male…. Po fatzezë!
Shembulli 2, nga seriali televiziv “Rrushe”, një nga skenat e serisë së parë (që nga ‘31:40).
Vesa (Rrushe) – Ku je Arben? Sun thirrshe 100 herë, tamom me rrumbullaksu si numër?
Arbeni – Qysh je Vesa?
Vesa – Edhe ti e din mirë… Unë mirë super, ti? Ti e din që kur nuk ta qeli me heren e parë, nuk ta qeli as heren e dytë, as heren e tretë as 70-ten.
Arbeni – A po ulesh Vesa?
Vesa – Veç t’shkoj deri n’WC edhe po vij.
Arbeni – Vesa, kom diçka shumë me rëndësi për ministër Sinanin. T’lutna ulu!
Vesa – Çka?
Arbeni – Ulu!
Vesa – Veç 1 minutë po shkoj, edhe kthena.
(Arbeni largohet i frikësuar dhe lë një kartë memorieje në çantën e Vesës.)
Vesa – Ku shkoi ky?
Dini (kamarieri) – Kush?
Vesa – Arbeni
Dini – Cili Arben?
Vesa – Din!
Dini (Dini qesh) – Oh nuk e di, qi knej shkoi tu u kurthu diçka, s’di çka u ngutke.
Vesa – E a tha që kthehet?
Dini – A jo, s’um m’tha kurgjo. S’um tha kurgjo, veç e ka lan telefonin n’shank, kështu që garant kthehet.
Në pamje të parë mund të duket se ndryshimi i këtyre dy mënyrave të bisedës mes personazheve është fakti se njëri është në dialekt dhe tjetri në standard. Në fakt, kjo nuk është e vërtetë. Ose e thënë më mirë, kjo çështje nuk ka të bëjë këtu. Dallimi kryesor i këtyre dy mënyrave të dialogimit është se njëri priret të jetë i tipit letrar dhe tjetri sa më afër realitetit të folur të gjuhës. Shqipja e dialogut të parë është një shqipe e lexuar, d.m.th. një dialog i krijuar si për një letërsi, që është e shkruar, dhe që i kërkohet aktorit ta perfomojë si të jetë real. Ndërsa dialogu i dytë është krijuar për të qenë simulim i bisedës për atë që është. E për rrjedhojë shqipja e dialogut të parë priret të jetë sa më afër shqipes letrare (kupto shqipes së letrave), madje edhe nëse përdoret gegërishtja, ndërsa shqipja e dialogut të dytë është ajo e ligjërimit të çlirët gojor.
Një film e mendoj si një dritare që hapet dhe sheh, dhe dëgjon gjëra të cilat nuk ke mundësi t’i shohësh si janë në realitet, sepse i fshihen syrit dhe ti nuk arrin të depërtosh në realen e perceptuar. Filmi na çon për të kuptuar misteret e situatave dhe të marrëdhënieve njerëzore, të zgjerojmë të kuptuarit për të tjerët dhe veten përmes imazheve që e rikrijojnë realitetin ashtu siç është. Pikërisht këtë ndjesi merr nga seriali “Rrushe” që në skenën e parë (takimi mes një ministri të korruptuar dhe dy gangsterëve) dhe të dytën (dy të rinj në majë të një ndërtese që bisedojnë në zhargonin e tyre). Duket se këtë mesazh regjisori dhe prodhuesi i filmit ka dashur të na e thotë që në fillim: po ju tregojmë jetën për atë që është, ashtu si nuk mund ta shohësh dot vetë.
Mënyra se si dialogojnë personazhet në dy filmat e Shqipërisë (“Sofia” dhe “Virgjëresha shqiptare”) shpesh nuk të duket si reale. Është shumë larg së folurës së natyrshme të shqiptarëve sot, një gjuhë që të kujton prozën e shkruar, që është bërë për t’u lexuar pa zë. Midis tyre personazhet duket sikur nuk dialogojnë natyrshëm: një batutë e ndjek tjetrën, por rrallë vjen një e tretë dhe një e katërt. Në dialogun nga filmi “Sofia”, po ta vini re, nuk ka një bisedë. Është si një monolog që ndërpritet herë pas herë nga pyetje të shkurtra telegrafike. Dikush mund të kundërshtojë duke thënë se personazhi që pyet telegrafikisht është një serbe që e ka mësuar shqipen në universitet. Por të njëjtën ndjesi e merr edhe nga ligjërimi i personazheve të tjerë. Në linjën e parë të filmit (historia e Sofi Lekës, 100 vite përpara linjës së dytë që ndodh në ditët tona) ritmi i ligjërimit është aq i ngadaltë dhe aq letrar edhe pse në dialekt, sa nuk humbet asnjë batutë nga ligjërimi i aktorëve. Nuk i humbet batutat, edhe sepse janë kaq të njohura. Duket si kur i ke dëgjuar edhe në filma të tjerë. Dialogu i personazheve duket sikur ngec vetëm në shkëmbimin e parë. Shpesh krijohet ndjesia sikur personazhet janë të zhytur në një vetmi të çuditshme komunikimi dhe kështu rrallë gjen karaktere të formësuara dhe që mund t’ua dallosh veçoritë, sepse ndoshta as u jepet mundësia që karakteri ta shprehë veten. Dhe gjuha, ajo që e bën dhe e shfaq njeriun, dhe kështu edhe personazhin të spikatë, ndihet si njësoj. Të njëjtën ndjesi e pata edhe tek “Sofia” e Grishajt, edhe tek “Virgjëresha shqiptare” e Alimanit. Gegnishtja e të dy filmave është shumë letrare, kinse e moçme, e stilizuar, e retushuar, monotone, d.m.th. veç në një regjistër. Të gjithë personazhet flasin njësoj, pavarësisht çfarë janë dhe çfarë profesioni kanë. Vërtet kaq e njësuar gegnishtja në realitet, kaq pa ngjyra?
Nga ana tjetër, kinematografia e Kosovës (dhe jo vetëm tek “Rrushe”) ta sjell dialogun e gjallë, të jetës së përditshme, të shek.XXI, ashtu si është. Ti e ndien natyrshmërinë e gjuhës. Dhe për ta kuptuar më mirë a plotësisht të folurën, ke nevojë ta shohësh të shkruar dhe kjo do të ishte e natyrshme, ashtu si ndodh të dua ta shoh të shkruar edhe bisedën mes dy krutanëve[2], dy laçjanëve, dy vlonjatëve, dy gjirokastritëve në përditshmërinë e tyre. Kështu kinematografia e Kosovës edhe po e dokumenton në pelikulë mënyrën e komunikimit, të folurën e njerëzve të vet të këtyre kohëve.
Këtu vij, së fundi, te një çështje tjetër që më intereson edhe si studiuese e gjuhës: a e dimë vërtet se si flasin dhe komunikojnë njerëzit në Shqipëri? A po arrijmë të kuptojmë mekanizmat gjuhësorë të bisedës, karakteristikat gjuhësore, sasinë e fjalëve, llojet e fjalëve, tipologjitë e thënieve, elementet paralinguistike (gjestet, mimikat, qëndrimet e trupit etj.) dhe ato të prozodisë (melodinë, theksin, theksimet, timbrin, intonacionin etj.). Mendoj se kjo është një mungesë edhe në studimet tona, nga e cila e “vuan” edhe filmi ynë. Kushedi.
Të folurit karakterizohet gjithnjë nga ndryshueshmëria, e synon gjithnjë atë. Shqipja e folur e Kosovës, për shkak të shumë faktorëve, ka ndryshime nga shqipja e folur në Shqipëri. Këto dy ndarje që bëra në fjalinë përpara kësaj janë politike, por realiteti është se shqipja e folur është e ndryshme kudo. Pa e gënjyer veten se njihemi mirë dhe pa bërë sikur kuptohemi, duhet të pranojmë edhe këtë mënyrë të zakonshme që zgjedh komunikimi multimedial. Do të na ndihmonte për të kuptuar e për të njohur edhe më shumë njëri-tjetrin.
© 2023 Teuta Toska. Të gjitha të drejtat janë të autores.
[1] M.Kundera, “Testamentet e tradhtuara”, Pika pa Sipërfaqe, 2011, f.144.
[2] – O Fredi, alo.
– Po, po.
– Jashari jam, ça bane?
– Mirë, si kalove?
– Vallai, qësh thu ti, ka shku puna atje ku s’man ma, o shoku.
– O Jashar, je shum n’rregull…. Dhe…
– Tash… ngj…
– A t’flas pak?
– Ngjo tashti, o Fredi. Policia ash këtu, n’vendngjarje…
– Po?
– ….denoncimin na e kan çu pa dit gja na, a kan çu do t’tjerë. Tashti se nuk të duro kush. Unë për Zotin shok, mik durova, e… e… e lam i her at punë me Çakun. Tashti hajde shife, hajde shife hy gishti m’murt, o Fred.
Pjesën tjetër të këtij dialogu telefonik mes dy krutanëve mund ta dëgjosh këtu.
Shqipja e gazetave te Kosoves (ne internet) eshte ne 99% identike me ato te Shqiperise.Mua me ngaterron pak shprehja”kemi mundur te punojme me shume “ e cila ne shqipen e anes sone eshte ekuivalenti i “duhej te kishim punuar me shume” e disa shprehje te tilla si keto .Kur vjen puna per shqipen e folur te perdorur ne rrjetet sociale mua me duhet nje kohe ta deshifroj pasi tingellon si shqipe e kohes se Gjon Buzukut .U takon gjuhetareve te hamendesojne se sa kohe do te duhet per folesit e te dy dialekteve ta kuptojne njeri tjetrin pa qene nevoja e perkthimit .
Kemi ne fakt nje kontradikte interesante mes ne shqiptareve, e cila vjen nga mungesa e nje fjalimi dominues, te besueshem dhe koherent mes nesh, duke ja lene cdo gje ne dore “fatit”. Ndersa ketej kufirit inteligjenca shqiptare perpiqet (per mos thene me shume) ta afroje gjuhen e shkruar dhe te folur me shqipen standarte, nderhyrja e dialekteve, perfshire dhe kosovaren , kthehet ne nje force te madhe kundershtuese. Psh gjuha e Hip-Hopit eshte nje vektor shume i rendesishem per vazhdimesine e shqipes. Nje shqipe e ndryshme po evoluon ne diaspore. U duk (ose me ngjau mua) se ne vitet 90 kishte nje konsensus mbi shqipen standarte /kadareske. Mbase ndryshe nga cfare besoi per inertsi brezi i para viteve 2000, shqipja do te vazhdoje te ndryshoje dhe vete ky koment i shkruar do te ngjaje arkaik pas disa vitesh. Ky nuk eshte vetem fati i shqipes standarte, por i shume gjuheve te tjera pa nje themel solid socio-kulturor per ti rezistuar ndryshimit.
Paragrafi i fundit i autores dhe fjalia e fundit e parashkruesit me tingellojne si pa ndonje kuptim. Dallimi gegerisht-toskerisht eshte ne Shkumbin dhe jo ne Morine. Nga pikepamja gjuhesore Kosova ”fillon” ku nis gegerishtja e jo ku ndan kufiri londinez.
Nqs duhet te trajtohet ndonje kandikap, atehere duhet te trajtohet Rep. e Shqiperise me ekuilibrat e veta, por jo hapesirat dialektore. Keto te fundit nuk pyesin shume per sterhollimet semantiko-politike, sepse psh austriaket jane bavareze, po aq sa kosovaret jane gege dhe keto nuk i luan as topi i Mato Grudes dhe as topi Berta.
A eshte ky nje rast i kompletimit te filmit me te ashtequajturat “Closed captions” ose “subtitles”? Nese po, i tere diskutimi i mesiperm nuk eshte i nevojshem.