Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Lexim

MISTIKA E POPULLIT LETRAR

Nuk ndodh kurrë që të hapet një debat lidhur me sa vlen një vepër ose një autor, dhe të mos sjellë herët a vonë dikush argumentin atomik, se “lexuesi do ta vendosë” (me versione të ndryshme: “këtë e ka në dorë lexuesi”, “lexuesi e ka fjalën e fundit”, e kështu me radhë). Është kjo një formë klasike e asaj rrejshmërie që njihet si “argumentum ad populum” në lëmin e kulturës.

Logjika pas këtij argumenti mund të formulohet edhe kështu: shumica ka gjithmonë të drejtë.

Por lexuesi – që është edhe më volatil, si kategori sociale se votuesi në demokraci – nuk ekziston jashtë marrëdhënies me tekstin, paratekstin dhe kontekstin, letrar, kulturor dhe më gjerë, të një vepre. Edhe kur flasim për lexuesin individual, të një vepre individuale, ky vërtet mund t’i qaset veprës me pritje të caktuara, por pastaj përftohet edhe si i tillë gjatë leximit, duke u transformuar. Madje, po të dëgjojmë teoricienët e rrëfimit letrar, vepra i përmban në tekst udhëzimet për ta përftuar lexuesin.

Gjithsesi – dhe pa u ngatërruar edhe më tej në teori – një lexues sociologjik i afrohet veprës për arsye të ndryshme: dikush kërkon të vërtetën, një tjetër harresën; dikush kërkon dëfrimin, një tjetër sfidën. Ka lexues që e zgjedhin veprën sipas autorit që pëlqejnë, ka të tjerë që ndjekin këshillën e miqve, ose të një recensioni a analize që kanë parë. Ka lexues që ndjekin “modën” dhe lexojnë atë që lexojnë “gjithë të tjerët”; por ka edhe lexues që qëmtojnë të pazakonshmen. Ka edhe nga ata që zgjedhin sipas kopertinës…

Edhe sikur lexuesi të ish vërtet gjykatës i “vlerës” letrare, do të duhej të merrnim vesh si e shpreh ai gjykimin. Statistikat e shitjeve nuk janë për t’u besuar shumë – ato shpesh varen nga reklama që i bëhet librit, fuqia e shtëpisë botuese dhe tema e librit vetë. Një libër mund të shitet shumë dhe të lexohet pak; ose edhe të shitet shumë, por të mos lërë gjurmë në letërsi dhe në kulturë.

Nga ana tjetër, qëmtimet sociologjike, sondazhet dhe studimet e tjera sociale mund edhe të lejojnë të ndërtohet një profil i lexuesit tipik – qoftë edhe i diferencuar sipas zhanreve. Ky lexues është produkt i kulturës së leximit që ka marrë në familje dhe i shprehive të leximit që ka mësuar në shkollë – por, në analizë të fundit, edhe ky profil do të rezultojë si tërësia e leximeve (letrare) të individit.

Dyshoj fort se lexuesi i sotëm shqip as nuk arrin dot të formohet si lexues letrar kompetent, në gjendje të gjykojë letrarisht për një vepër; dhe as nuk arrin të hyjë në kontakt adekuat me ofertën letrare. Kjo e fundit, shkëputja mes atij që kërkon të lexojë dhe veprave që ofrohen në treg ose në bibliotekat, është veçanërisht fatale për letërsinë e shkruar rishtas dhe shkrimtarin e ri. Dhe kjo ngaqë, në rrethanat kur lexuesit i duhet të zgjedhë midis titujve që i ofrohen, gjasat janë që ky të parapëlqejë një autor të njohur, ndaj një të panjohuri; ose edhe një vepër të përkthyer ndaj një vepre origjinale në shqip.

Shtëpitë botuese sot nuk më duket se i kanë mundësitë të investojnë shumë në reklamën dhe informacionin për autorët shqip bashkëkohorë; njëlloj mungojnë edhe revistat dhe uebsajtet ku të jepen rregullisht dhe sistematikisht informacione për botimet e reja. Nismat private dhe sporadike nuk mjaftojnë. Për arsye që i kemi prekur në shkrime të mëhershme, kultura bashkëkohore e ka hequr qafe figurën e kritikut letrar, i cili jep një gjykim profesional për veprën – çfarë i ka bërë dëmin më të madh pikërisht atyre që për kritikët janë mësuar të flasin me përçmim. Opinioni për veprat e reja u është lënë në dorë miqve të autorit dhe nismave subjektive – dhe lexuesi këtyre as që ua vë veshin.

Atyre veprave që i mbajmë sot si kryevepra dhe vendimtare për formimin tonë letrar, kulturor, filozofik, ne që e duam librin u jemi qasur zakonisht ngaqë kemi dëgjuar të flitet për to nga kritika – kritika thjesht informuese, recensionuese, që është pjesë integrale e procesit letrar dhe që ndërmjetëson mes tekstit dhe lexuesit. Nga momenti kur gjejmë një lloj letërsie që na pëlqen, do të sillemi edhe ne si kritikë “personalë”, të vetes, dhe do të orientohemi mes ofertave, duke kërkuar të ngjashmen. Nëse më pëlqen Shvejku, nuk do të zgjedh të lexoj më pas Kunderën; nëse më pëlqen Kadareja, kjo nuk do të më bëjë të lexoj Trebeshinën. Veprat e mira letrare janë detyrimisht pak, por ato pak që janë, të hapin dyert e një universi mahnitës, për imagjinatën dhe për mendjen; dhe e vetmja mundësi për t’i gjetur, ato që janë të mira për ty, është të kërkosh dhe të lexosh shumë dhe të konsumosh shumë pleh.

Lexuesin e mban gjallë edhe ekosistemi i librit, që nuk mund të mjaftohet vetëm me panairin dhe as me emisionet a bisedat televizive për libra. Jam i vetëdijshëm sa kam përfituar unë vetë nga libraritë, në qytetet e mëdha ku kam jetuar – libraria nuk është thjesht dyqani, ku shkon për të blerë një titull që ke në mendje, por edhe vend për të eksploruar, ku librat i japin kuptim njëri-tjetrit, si ingredientët në një gjellë perfekte. Kushdo, të cilit i ka ndodhur të kalojë një pasdite të gjatë në librari, duke shëtitur nga një raft në tjetrin, nga një sesion në tjetrin, do të më kuptojë kur them se kjo lloj eksperience meditative është ajo vetë udhëtim në mundësitë e leximit, madje riorganizim i imagjinatës letrare. Libraritë e mira janë në gjendje të bëhen ato vetë palë në vetëdijen e lexuesit, duke gjetur mënyra si t’i flasin nëpërmjet ekspozimit, vënies në pah, pranëvënies, kontrastit. Ashtu ti lexuesi del nga libraria i ndryshëm nga ai që ishe kur hyre – madje edhe po të mos kesh blerë asgjë.

Unë që shkruaj tani, kam vite që nuk shkoj më shpesh në librari – për arsye të ndryshme, titujt sikur po mësohem t’i shfletoj në sajtet e mëdha online, si Amazon-i, ose në sajtet letrare të specializuara, ku mund të kalosh me një klik nga recensioni (ose analiza e veprës) te faqja ku mund ta blesh, si libër ose tekst digjital. Por, megjithë revolucionin teknologjik në lexim, titujt e radhës gjithnjë i zgjedh në bazë të informacionit që kam. Dhe me trishtim konstatoj se këtë lloj informacioni për librin e ri shqip lexuesi i interesuar nuk arrin ta sigurojë.

Ky lexues, gjysmak jo për fajin e vet, nuk është se mbetet pa libra – përkundrazi, është libri shqip, si realitet i gjallë edhe në bashkëkohësi, që mbetet pa lexuesit që do t’i jepnin jetë. Madje edhe ata tituj që zihen disi në gojë në momentin kur dalin dhe prezantohen në mediat, shumë shpejt harrohen dhe ua lënë vendin të tjerëve, si të ishte fjala për gazetën e javës që shkoi, të cilën tani mund ta përdorësh vetëm për ta shtruar në dyshemenë e kafazit të kanarinës. Ekosistemi i librit shqip është kaq i sëmurë, sa e ka humbur “lidhshmërinë” kohore, duke u ndarë në dy segmente: libri i tanishëm, që ka dalë rishtas nga shtypshkronja, dhe libri klasik, i jashtëkohshëm, që është pjesë e kanonit (zakonisht kombëtarist). Duke folur për librat që kam shkruar vetë, ngaqë ndihem më i sigurt: zoti Shyti mbetet disi në vëmendje, edhe për shkak të ekspozimit që i është bërë online; edhe Castigat, i cili ka dalë para një viti; ndoshta Sende që nxirrte deti, ngaqë edhe u përkthye në italisht, dhe Shqipja totalitare, që e ka gjetur rrugën në kurrikulumet. Por librat e tjerë praktikisht m’i kanë harruar – edhe pse janë ende të rinj, për t’i lënë t’i mbulojë pluhuri. Sërish, për këtë fajin e ka një rreth vicioz, i cili formohet kur lexuesi nuk di që një libër i caktuar me temë dhe qasje të caktuar ekziston, sepse nuk e informon njeri; ndërsa palët që duhej të informonin, nuk e marrin mundimin dhe as guximin që ta bëjnë, ngaqë janë të bindura se nuk ia vlen bara qiranë, meqë lexuesi nuk do të ketë interes.

Për këto gjëra edhe është shkruar. Arsyeja që i risjell në vëmendje, është për të mbrojtur argumentin tim se, në rrethanat ku gjëllin sot letërsia shqipe, bindja se “lexuesi do ta vendosë” nuk ka më kuptim: meqë ai lexues hipotetik, që mund të japë verdikte letrare nuk ka më asnjë shans që të përftohet në masë (ose për t’u kthyer në forcë). Dhe kjo gjendje sa vjen edhe bëhet më kritike – ngaqë rrjetet sociale kanë mundësuar tani shfaqjen e një lexuesi performativ, i cili vendos me tekstin një marrëdhënie simbolike, që nuk ka të bëjë me leximin – duke e shndërruar librin shqip në aksesor të look-ut të vet social.

Shpresoj t’i shtjelloj edhe më tej këto përsiatje, meqë kjo e lexuesit “sovran” më kujton pak si tepër mantrën e komercializmit “the customer is always king” (“the customer is king”); dhe më duket një nga ato huqe të mendimit kolektiv që veç dëm na sjell të gjithëve, si lexues dhe si autorë.

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin