(nga Stanislaw Lec*)
Niveli më i ulët ku mund të bjerë arti: në gjunjë.
Çfarë sharlatani! Ua thekson ngjyrat tablove me gjakun e vet.
Vrasësi gjithnjë kthehet në vendin e krimit, sidomos po të mos e ketë përfunduar mirë.
Në lëmin e artit, rendi i fjalëve nuk është demokratik.
Ligjet e logjikës mund t’i shkelë vetëm ai që i zotëron.
Nuk kushton asgjë që ta soditësh botën. Vetëm komentet janë me pagesë.
Për shkak të brerores, qëllon që asgjë të mos hyjë dot në kokë.
Ndodh që një pikëpyetje retorike të drejtojë shpinën, për t’u shndërruar në pikëçuditje!
Klouni e lyen fytyrën me të bardhë, që kundërshtarët e tij të pushtetshëm të mos e dallojnë që po zbehet.
Koka mund të përmbajë mijëra universe. Mjafton t’i imagjinosh.
Kërkimet në historinë e gjuhës nuk duhet të shpërfillin raportet e informatorëve, atë gjuhë të një epoke.
Banaliteti përshëndetet me mijëra duartrokitje. Të atyre që kanë ndihmuar për ta krijuar.
Censura e brendshme e njeriut është e pamëshirshme: as që i njohim mendimet që nuk duam t’i sjellim në jetë.
E vështirë të luash me fjalët me dy kuptime, kur fjalët nuk kanë më kuptim.
Te Deum ex machina laudamus!
Kur kohët janë memece, mjafton një fjalë e vetme; kur janë llafazane, mjafton heshtja.
Në lëmin e artit, Gjeneza fillon me krijimin e njeriut.
Kam frikë nga përzierja e stileve: për shembull, rilindja e realizmit socialist.
Ta mbrosh artin? Jo, ta detyrosh të sulmojë.
Jepuani fjalëve lirinë e shprehjes!
Na kërcënon një përmbytje fjalësh! Do të gjehet një Noe i ri për t’i shpëtuar, dy nga dy, të gjitha gjinitë letrare?
Autorë tragjikë, mos e vini në të njëjtin rrafsh orgazmën dhe katharsis-in!
Veprat e njeriut: variacione mbi një temë të imponuar.
Krijoni akustika të reja: që banaliteti të marrë kumbime të reja.
Fraza: forma letrare më e gjatë e mundshme.
Jo të gjitha shqiponjat i kanë balsamosur me krahët shpalosur.
(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Nouvelles pensées échevelées (frëngjisht).