nga Elsa Demo
“Aty nga fillimi i viteve ’80, pata idenë se mund të vuaja më pak nga e nxehta e një korriku të llahtarshëm, nëse do merresha me diçka vërtet të bukur që do më shkëpuste nga çdo lidhje me materien, qoftë dhe kjo materie vetë trupi im.”
Atalanta Pasko i pati shkruar për një artikull në faqet e kulturës në gazetën “Shekulli” këto radhë, që po i nxjerr nga arkivi im. Kërkoj të dhëna dhe shkrime ku ajo është autore apo e intervistuar. Sot, kur Atalanta nuk jeton më, le të jetë zëri i saj që flet, sërish.
Në korrik 2011, në Teatrin e Kukullave në Tiranë, një regjisor bullgar vinte në skenë përmes një përvoje të re teknike “Princin e Vogël” të Antoine de Saint-Exupery-së. Personazhi udhëtonte brenda camera obscura-s, skena dhe plateja ndaheshin me tyl të zi, në të cilin projektohej bota qiellore në lëvizje të pandërprerë. Kur Princi shkëputej nga banorët e planetëve me fjalinë “njerëzit e rritur janë vërtet të çuditshëm”, vogëlushët duartrokitnin, sepse kuptonin që po mbyllej një skenë e po fillonte tjetra. Nuk kishte për të qarë kush, ngaqë regjisori e kishte kursyer zhdukjen e Princit të vogël, ndryshe nga ç’ndodh në tekstin e Exupery-së ku ai bie ngadalë, ashtu si kumbiset një pemë. Përmendej fjala trishtim, pa u inskenuar finalja me dramën e aviatorit të vetmuar në shkretëtirë, parandjenjat për më të keqen e të cilit kishin bërë të përfytyronte një princ dhe të zbulonte akoma racë njerëzore. Këtij përshkrimi në artikullin “Dashnorët e Princit të vogël, 3-83 vjeç”, i bashkova kujtimet e disa njerëzve që e ruanin në zemër librin e Exupery-së. Atalanta më kishte treguar se kishte përkthyer disa kapituj dhe atë përvojë e shkroi për gazetën:
Aty nga fillimi i viteve ’80, pata idenë se mund të vuaja më pak nga e nxehta e një korriku të llahtarshëm, nëse do merresha me diçka vërtet të bukur që do më shkëpuste nga çdo lidhje me materien, qoftë dhe kjo materie vetë trupi im. Dhe kur flitet për të bukur, mendja më shkon menjëherë drejt e tek “Princi i vogël” i Ekzyperisë. S’di në ç’bibliotekë e gjeta dhe nisa të përktheja disa kapituj. Eksperimenti doli me sukses, sa i takon vapës. Ndërsa përkthimi… janë thjesht pak kapituj, siç e thashë, për qejfin tim…
Në të vërtetë, mendoj me keqardhje se asnjë nga përkthimet e shumta që janë bërë në gjuhën shqip, s’arrin të vlerësojë siç duhet stilin e këtij libri. Kjo, jo për mangësi të shqipes, as për paaftësi të shqipëruesve. Ekzyperi punon shumë hollë; ashtu si Princi edhe ai vetë është fisnik. Fjalori dhe fjalia e tij janë prej aristokrati, por jo të akullt; janë të thjeshtë por pa vulgarizma; mbartin filozofi, pa rënë në stërhollime filozofike. Me modesti, do desha të vërej se problemi i përkthimeve të deritashme qëndron tek respekti, kryesisht tek respektimi i fjalive mungesore ose i fjalive të shkurtra që e bëjnë aq të vërtetë dhe dinamik sidomos dialogun. Në disa përkthime këto fjali i gjen të bashkuara, disa herë gjen shtesa, fjalë e grupe fjalësh të cilat s’i ka origjinali, por krijohen nga përkthyesi “për të sqaruar” brendinë.
Nga ana tjetër, mund të gjesh rreshta të tërë që mungojnë – përfshi kushtimin e faqes së parë apo shënimin e faqes së fundit. Do desha të marr si shembëll vetëm fjalët e para të Princit të Vogël: “S’il vous plaît… dessine-moi un mouton! (Ju lutem… vizatomë një dele! Dmth e fillon me shumës, ka një hop ndalese, pastaj vazhdon në njëjës (ju lutem – vizatomë). Mendoj se kjo nuk është e rastit dhe bën pjesë në brishtësinë e personazhit, në mënyrën si e kërkon Autori komunikimin e tij. Në të gjitha variantet shqip, përveç njërit (megjithatë, ky s’mendoj se është më i miri në tërësi), kalohen të dyja foljet ose në njëjës, ose në shumës, dmth “të lutem” ose “vizatomëni”, ndërsa tri pikat, diku bëhen presje.
Për ta mbyllur, ajo i hidhte sytë nga vetja si për të matur forcat dhe pranonte:
Ndërkohë, s’ma mban të plotësoj kapitujt që më kanë mbetur pa përkthyer, se gjithsesi është më lehtë të kritikosh.
Kërkoj në postën elektronike dhe më dalin mesazhe të shkurtra të sajat për t’i gjetur një hapësirë botimi këtij apo atij shkrimi, sidomos për tema të aktualitetit politik, duke shtuar: “po qe se duket me vlerë”, “po t’u duk koti, mos e ço”.
Përvoja e saj me shtypin kishte nisur në faqet e Rilindjes Demokratike. Në vitin 1992 hyri përkthyese në Agjencinë Telegrafike Shqiptare, më pas drejtoi Sektorin e lajmeve të jashtme dhe në vitet 1999-2008 kishte përgjegjësi për Sektorin e diasporës. Nuk ishte gazetare aktive dhe as e aspiroi, megjithatë tekstet e saj kishin disa cilësi kureshtare dhe ide të qëndrueshme të publicistikës së mirë, vlera që i buronin prej temperamentit dhe vetëdijes (vetëdijen për ngjarjet dhe vendin ku jeton nuk ta jep detyrimisht pasja e një profesioni). Besonte tek ajo që shkruante, i qëndronte temës, respektonte më të dobëtin ose palën pësuese, qoftë ky njeri apo çështje e shkelur me këmbë nga njeriu, nuk përsëriste çfarë ishte thënë e dëgjuar, mbante këndvështrimin individual, që me një nerv të rreptë inteligjent përshkonte shqipen e saj të pastër. Me të njëjtin kod ka shprehur qëndrimet në publik, si personi kyç në mesin e Paskove, Polikseni, Doruntina dhe Pandeli, trashëgimtarë të drejtpërdrejtë, që shpëtuan nga humbja dhe harresa veprën e plotë të Mitrush Kutelit. Pa punën e tyre nuk do ta kishim shkrimtarin me plotësinë që e kemi sot. Historia e letrave shqip do t’u mbetet gjithnjë borxh.
Gjuha e Atalantës, në të folur dhe në të shkruar, dëshmonte shijen dhe pretendimin për ta kërkuar të bukurën dhe lirinë në çdo rrethanë, sepse kërkesa për të bukurën dhe lirinë nuk mund të ndërrojë standard në varësi të varfërisë, kamjes, injorancës, dhunës, arrogancës. Dikush mund t’i gëzohet një racioni lirie ose lirisë të pakufi dhe në të dyja rastet, të ketë përsëri ide të deformuar për lirinë.
Guximi përmes fjalës dhe gjurma që fjala lë, e afronte bijën me të atin, me Kutelin pamfletist, kur ky kritikonte patriotizmin e rremë, servilizmin e pordhashëve me pushtet, shitjen e vendit të huajve dhe pasivitetin e një mileti pa brekë, siç përshkruhet Shqipëria te “Havadan më havadan” (shkrime në shtypin e viteve 1930-’40, botuar me pseudonimin Lugati, ribotuar në vitin 2010). Atalanta ka shkruar për një havadan të viteve dymijë, e prapë havadan, vend i boshit dhe i fjalëve në erë. Ja një shembull, “Nga piramidat te Piramida” (Shekulli, 2011), kundër shembjes së objektit simbolik në bulevardin e Tiranës:
“…ndryshimi i sallës aktuale të Kuvendit tonë nga sallat e parlamenteve të vendeve me një nivel edhe më të lartë ekonomik se vendi ynë, nuk është aq i madh sa ndryshimi i spitaleve të atyre vendeve nga spitalet e vendit tonë; nuk është aq i madh sa ndryshimi i shkollave dhe universiteteve të atyre vendeve nga shkollat dhe universitetet e vendit tonë. Në një kohë kur Shqipëria gërryen trupin e vet me fabrika të shumta çimentoje dhe furra gëlqeresh që thërrmojnë malet, ne s’mund ta kemi luksin për pallate të tillë luksozë që s’i kanë as vendet me parametra ekonomikë shumë herë më të lartë se të vendit tonë. Kujt duam t’i shesim mend? Botës? Kjo është thjesht delir madhështie. Ndërsa shqiptarët e varfër as që duan t’ia dinë për maketet të cilëve ju u buzëqeshni, pasi buza e tyre është plasur nga jeta e rëndë.”
Kauza e fundit ku ajo mori pjesë bashkë me Anën, bija e saj e shtrenjtë, ishte mbrojtja e Teatrit Kombëtar. Në valën e parë të protestave, kur nuk kishin hyrë në mes përçarjet dhe shëmtitë, një nga tekstet që u pat lexuar në oborrin e Teatrit, krahas “1984”-ës së Orwell-it, ishte “Lumi i madh” i Kutelit me zërin e Sesilia Plasarit: “Vjete me radhë, që kur zuri të ngushtohet vendi e të shtohet lakmia, Lumi i Madh i duroi të gjitha. Jo vetëm ato që thashë, po edhe tërë plehrat e fëlliqësitë e botës – që ne macet e qentë e ngordhur e gjer ne kominat e kazanëve të rakisë e sa të tjera (se kjo botë paska shumë të palara e të gjitha i hedh në lumë).”
Me sa më kujtohet, një herë doli Atalanta për të lexuar diçka nga “Shënime letrare”. Vinte kur mundej, dëgjonte në fund të oborrit analizën që bëhej në shesh dhe e komentonte me të njohur në kontekstin e gjellës që gatiste qeveria aktuale dhe ajo e tridhjetë vjetëve. Nuk kishte iluzione për revolucion, për ndonjë opozitë të re në horizont, as për kauza me fund të lumtur. E ushtroi të drejtën për të protestuar me logjikën e vet dhe jo për hesap të ndokujt, ndërkohë që kazmaxhinjtë në politikë dhe art i bezdiste logjika, të cilën, shkruante ajo, “e përdorin vetëm kur përkon me interesat e tyre të pashpallura”.
Kjo grua ishte e veprimeve prej njeriu të ndërgjegjshëm që shprehet me shpirt kritik, pavarësisht se kush zemërohet e kush jo. Në këtë pikë më vjen një skenë përshkruar te “Shënime letrare”. Në bulevardin e Tiranës, viti 1939, Dhimitër Paskoja, i sapokthyer nga Rumania, shëtiste me Vangjel Koçën dhe ky, me buzëqeshje të hidhur, i pati thënë: “… rroj në Shqipëri i lidhur këmb e duar bashkë e s’kam si bëj ndryshe. Ti je i lumtur që jeton jashtë…” Dhe Paskoja reflekton: “Tani, pas kaqe vjet, kur një vepërim i shkurtër kritik, më pat sjellë edhe mua kaqe mërira – për kritikën e bërë ose për lëvdatat që s’kam bërë – fillova ta kuptoj unë vetë Vangjel Koçën edhe t’i jap të drejtë.”
Në artikullin “A mos ka filluar të përpërijë ca si shumë gjuha shqipe?” (Republika, 2000), Atalanta godet pandjeshmërinë për përdorimin e shqipes në ligjërimin publik:
Doni një shëmbëll të përpëritjes moderne? Ja:“Për përballimin e përkeqësimit të situatës…”; “për përurimin e përmendores përkushtuar…” etj, etj. Ngjiten e përplasen për-et dhe folësi a shkruesi nuk e ndjen fare! Por a janë të pashmangshme gjithë këto përplasje? Dhe a janë të domosdoshme gjithë fjalët që fillojnë me “për”?
(…)
Duket se edhe në këtë fushë bota shqiptare ec ndryshe nga pjesa tjetër e botës: ndërsa të gjithë shkojnë drejt thjeshtimit, shqipja ec drejt ngatërrimit e mbingarkimit.
Dhe përsëri, siç kanë ardhur punët, nuk do habitem kur do vijnë të më thonë se llogaritarët qenkan ngritur, paskan zënë sheshin e Tiranës e po bëkan një grevë urie. Përse? Në tabelat që mbajnë në duar, lexohet: “Përllogaritjet tona janë të sakta!” “Nuk bëjmë llogari, por përllogari!” “Emrin e kemi PËRLLOGARITARË!”.
Pastaj do ngrihen puntorët e birrës e do të thonë: Puna jonë është e veçantë! Ne s’jemi dosido, puna jonë është PËRPUNIM! Duam të na thonë “PËRPUNËTORË”!
Shqetësimet që ngre dhe logjika që përdor, e kanë një bazë te modelet etike dhe kulturore që kishte pasur në jetë. Vinte nga punishtja e Paskos për gjuhën, mirëpo është e saja vetëdija për të zgjedhur se çfarë do të bënte ajo me modelet. Njëherë, i pati treguar një grupi nxënësish që e kishin ftuar në shkollë, se i ati i vinte në punë bashkë me motrën e madhe, Polikseni. U jepte dorëshkrimet dhe ndryshimet që kishte bërë në njërin variant dhe thoshte: Hidhi në kopjen tjetër. “Duke bërë këtë, ne shikonim si përpunohej stili, si mund të korrigjohej vetvetja. Ai na diktonte, edhe kur bëhej një përkthim. Faza e parë e punës bëhej me dorë. Ishte i sëmurë dhe nuk duhej të lodhej, prandaj shkruanim ne. Kishim kënaqësi, kur thoshte: prishe këtë e thuaje kështu.”
Kur në fillim të viteve dymijë, familja Pasko nisi botimin e veprës së plotë bazuar në botimet e para të autorit ose në daktiloshkrimet, veçanërisht Atalanta, ishte gati të bënte operacione delikate e të lodhshme me gjuhën. Kështu u krijua Botimet Kuteli si një model që respekton vullnetin e autorit. Shtëpitë botuese të cilat ishin ofruar më parë, propozonin ndryshime gjuhësore që iu mbivendoseshin redaktimeve të “Naim Frashërit”. Pothuaj e gjithë vepra e tij, ka pasur këtë konflikt me gjuhën dhe “prerjet”. Familja pa se çfarë mund të ndodhte dhe i tërhoqi tekstet. “Edhe gjatë ripunimit të thjeshtë të tregimeve, Kuteli nuk kishte bërë një afrim mekanik të gjuhës së viteve ’40 me normën letrare që zbatohej në vitet ’60. Meqë ne s’mund t’ia lejonim vetes një ndërhyrje të këtij lloji, duke mos pëlqyer as ndryshimet mekanike, po paraqesim këtë përmbledhje duke respektuar zgjedhjet e autorit.” E kishte fjalën për tregimet “Vjeshta e Xheladin beut”, “Natë kollozhekut”, “Xha Brahua i Shkumbanores”, “Qysh e gjeti Ago Jakupi rrugën e Zotit”, “Fshati im e pi rakinë”, “Parvera në Transilvani” etj., ku ruhen format dhe ngjyrimet gjuhësore e të folmes lokale. Kështu u ribotuan “Prozë dhe vargje të zgjedhura” në disa vëllime, “Tregime të moçme shqiptare”, “E madhe është gjëma e mëkatit”, “Ditar i ekonomistit”, “Shënime letrare”, përralla e gjatë me ilustrime “Xinxifilua”, përkthimet letrare etj.
Me rastin e ribotimit të “Frymë të vdekura”, Atalanta pati treguar (Gogoli ndrit vetë, “Shekulli”, 2009) se i ishte dashur të ballafaqojë përkthimin në shqip me origjinalin rusisht. Nisur nga njohja e Gogolit dhe e punës të të atit në rrethanat shtrënguese të censurës dhe normës së përkthimit, ajo kishte mbajtur vërejtjet shënim në një fletore aritmetike. “Konstatova sa shumë e kishte respektuar Kuteli gjuhën e Gogolit, qoftë në formulimin e fjalive, qoftë në fjalitë shumë të gjata, të përkthyera me fjali po aq të gjata pa i ndryshuar strukturën e mendimit. I kam të ruajtura këto në vitet ‘86-‘87. Dhe pikërisht sepse e kisha pasur një përvojë bashkëpunimi me shtëpinë botuese, u angazhova për të bërë këtë konfrontim që nuk kishte asnjë lloj përfitimi, përveç që libri të dilte i saktë, me sa më shumë respekt për fjalën qoftë të autorit, qoftë për variantin që ka dhënë përkthyesi.”
Me të njëjtën përgjegjësi Botimet Kuteli i dhanë lexuesit “Tregimet e Petërburgut”, dhe të tjerë autorë rusë, Turgeniev, Pushkin, Shçedrin, Tolstoi, Gorki, që Paskoja i pati përkthyer pasi doli nga burgu, ndërkohë që nuk kishte të drejtë botimi për krijimtari personale.
Nga kërkimi me emrin e Atalanta Paskos dalin 67 zëra në katalogun e Bibliotekës Kombëtare. Një pjesë lidhet me punën e redaktores, gatitëses për shtyp dhe botueses së Kutelit, pjesa tjetër janë shkrime publicistike me temë politike, sociale dhe kulturore.
Në vitin 2008 botoi te “Shekulli” një cikël shkrimesh për raportet e kinemasë me censurën, për periudhën që njihte më mirë. Pati punuar regjisore montazhi në Kinostudio prej vitit 1970 kur, për shkak të biografisë politike të të atit, që kishte rënduar mbi gjithë familjen, iu mohua e drejta e studimit. Bazuar në shënimet nga “blloku i montazhieres” shkruan: Pengu i Gjikës si pengu i Viskontit?; Propaganda dje, e vërteta sot; Censura dhe magjia e artit të Dhimitër Anagnostit;, Ajri i Kinostudios dhe Gëzim Erebara. Te ky i fundit ajo përshkruan dhe se si funksiononin “në terren” kufijtë shtrëngues ndaj krijuesit dhe e ndërton profilin e kineastit nga këndvështrimi i koleges, po edhe i burokratëve e mediokërve:
Ndër të parët të kthyer në Shqipëri pas studimit në një institut europian kinematografie (FAMU, në Pragë, që nuk arriti ta përfundojë), Erebara ishte dhe ndër të parët që u ndeshën me kurthet e servilëve partiakë të cilët nuk i lidhte asgjë me artin. Ai i tregonte më pas këto episode, shkurt, me pak detaje, por të krijonte mundësinë të njihje një Kinostudio tjetër, ku tonin e jepnin disa militantë të cilët merreshin edhe me çantën me të cilën vinte regjisori në punë! “E ç’don me thanë ti me këtë?” – e kishte pyetur njëri për çantën ku mbante libra e shënime. Sepse sipas atij që pyeti, çanta ishte një element i frikshëm, e shpikur nga borgjezët, dhe njerëzit kur shkonin në punë, pavarësisht se ç’punë bënin, duhej të kishin në dorë vetëm një paketë të mbështjellë me gazetë – bukën që do të hanin… “… Mos i shif tani… Si ishin këta në kohën e miqësisë… (me Bashkimin Sovjetik)” më tha një herë Gëzimi dhe me gegërishten e tij të bukur më tregoi se si disa vite më parë nuk mundeshe të kritikoje as tingëllimin e duartrokitjeve, që ishin të një mjedisi të hapur, kur duheshin duartrokitje salle. “Janë aplaudismente sovjetike!”, pat mbrojtur zgjedhjen e vet, teknikisht të gabuar, përgjegjësi i kësaj pune.
Duke qenë pjesë e ekipit krijues, dëshmitë e Paskos kanë vlerën e një burimi të rëndësishëm për studiuesin e vonuar të kinemasë shqiptare. Anagnosti, Gjika dhe Erebara nuk kanë lënë dëshmi esenciale për fatin individual dhe atë kolektiv në kinemabërje (në kujtimet e Anagnostit dhe Gjikës vetëm sa gërvishtet sipërfaqja e asaj kohe), siç janë detajet që prek Atalanta Pasko. Ajo merr shembuj filma dhe skena të caktuara, tregon hollësisht për rixhirimin e finaleve apo shtimin e linjave për të rregulluar mangësitë e regjisorëve dhe skenaristëve “në pasqyrimin e rolit të partisë dhe në luftën e popullit për liri”. Nga tekstin për Viktor Gjikën ajo trajton dy variante censure. Njëri u bë shkak për ta ndryshuar tërësisht skenën e fundit të “Gjeneral gramafonit” (1978). “Censorët nuk e donin, jo se nuk e pëlqyen, ata ishin të pandjeshëm ndaj kësaj kategorie, por e quajtën mbyllje pesimiste dhe nuk mund të pranonin që në fund të filmit artisti të mbetej vetëm”.
Një tjetër lloj censure vinte si “frikë nga simpatia që mund të ngjallte dikush ose diçka e llogaritur për t’u urryer”. Këtu flet si dëshmitare në prerjet e filmit “Senso” (1954) të Lukino Viskontit, i shfaqur me titullin “Venetik, 1866”: “Edhe vetë fjala ndjenjë mbartte rrezik për cenzorin shqiptar.” Para se filmi të qarkullonte në kinematë e vendit, u hoqën disa skena erotike “si dhe një episod i tërë me dialogë poetik, thjesht se kishte tepër poezi!”
Për shkak të humbjes së arkivave online të “Shekullit”, nuk e kam një shkrim për Kinostudion dhe një tjetër të vitit 2011, ku përfshihet reagimi i saj për skandalin e klientelizmit politik në tregun e librit shkollor. Botimet Kuteli u bënë pjesë e Shoqërisë së Librit Shqip, një grupim që nuk i mbijetoi peshës shtypëse të Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, monopol i pak botuesve të mëdhenj.
Gjej mesazhin e saj për një udhëtim të trishtuar në Pogradec. E priste një proces gjyqësor që Familja Pasko kishte hapur kundër shpifjeve në librin “Kuteli, kalvari i një jete plot brenga”, të cilin gjykata e bllokoi. Atalanta refuzonte po aq, ekzagjerimin e disa fakteve për jetën e Dhimitër Paskos. Ndëshkimi në kampin e Vloçishtit, varrosja për së gjalli në kënetën e Maliqit, është përmendur shpesh në kufijtë e legjendës. Ja përgjigjja që më pati dhënë për këtë temë:
Ata që kanë vuajtur nuk kanë folur për torturat e veta. Sepse në përgjithësi ndëshkimi fizik, trupor, synon që të vrasë personalitetin e njeriut. Askush nuk do që të përjetojë qoftë dhe përmes fjalëve të veta, atë që ka vuajtur konkretisht. Për disa gjëra që i shkaktonin dhimbje në eshtrat ai (Dhimitër Pasko) ka folur me një mjek të familjes, shumë të dashur, dr. Koçi Moisiun. Le të dalë ndokush dhe të tregojë për torturat e veta me detaje. Nuk e di, ai që e ka bërë, deri në ç’pikë të vërtetësisë arrin tregimi i vet.
Në vitet e fundit familjes i është dashur t’iu përgjigjet rikthimit të zërave që e akuzojnë Dhimitër Paskon si pjesëmarrës në ushtrinë gjermane, si i angazhuar në mbrojtje të ideve gjermane në Rumani, pjesë e “Gardës së hekurt”, zëra që Ismail Kadareja i ka rimarrë në një nga librat e tij të fundit. Botimet Kuteli nxori në vitin 2015 “Netë moldave”, me parathënien e Atalanta dhe Pandeli Paskos ku, ndër të tjera, thuhet: “Nuk di nëse Kadareja do kish patur guximin t’i thosh madje një të dhjetën e këtyre fjalëve Kutelit në takimet e pakta të tyre. Dëmi i të pavërtetave ndaj figurës së Mitrush Kutelit, sidomos jashtë Shqipërisë, ishte dhe është shumë më i madh nga sa mund të mendohet… ato përsëriten me zell, jo rrallë, nga letrarë e studiues nëpër tryeza televizive”.
“Netë moldave” dëshmon se Dhimitër Paskoja u mobilizua në legjionet rumune që u dërguan drejt Stalingradit në shtator-dhjetor të vitit 1941. Ai nuk mbërriti kurrë në Stalingrad, por nga vise të Ukrainës, shkruan “Po të vdes në dhé të huaj”, “Në rrugë përtej Tiraspolit”, “Taras Shevçenko –këngëtori i Ukrainës”, “Këngët i sjell era”, një letër dërguar Lasgush Poradecit… Familja bëri si përherë, u përgjigj me veprën.
Nga lista e shkrimeve të Atalantës më mungon reportazhi “Korrik refugjatësh e botërori: ditar 2-5 korrik 1990” (Shekulli, Nr. 3021, 9 korrik, 2010, f.18-19). Prapëseprapë, e kam para syve atë, shtatimtë, në kohën kur e ka shkruar tekstin, në shtëpinë e saj modeste, ku në të njëjtën hapësirë ndodhej aneksi i ngushtë, tavolina e bukës, kompjuteri i një modeli të vjetër, me radhë librash e blloqe shënimesh ngjitur, pa kufijtë ndarës midis gjurmëve të gruas që jeton dhe gruas që mendon. Më vjen emocioni i tregimit të saj për ngjarjet e valës së parë të eksodit, të cilat i ndiqte në distancë nga dritarja e kuzhinës, që shikonte oborrin e pasmë të rrugës së ambasadave. Them se ky emocion që vjen në këtë çast, herë i butë e herë i rreptë si shtrëngim në fyt, është pjesë e hirit dhe e bukurisë (që s’ka pse të jetë patjetër e gëzueshme, ka mjaftueshëm bukuri edhe në dhimbje) që Atalanta kërkoi deri në fund, me të njëjtin intensitet si në vitet e rinisë, kur provonte të gjente gjuhën e duhur për Princin e vogël. Sot, kur ajo i preu lidhjet me materien, ka mbetur ngazëllimi dhe trishtimi i saj i kulluar për botën, që nuk janë më të sajtë, janë të cilitdo që e ka njohur pak apo shumë këtë grua dhe që ka filluar të mungojë.
© 2022 Elsa Demo. Të gjitha të drejtat janë të autores.