Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Albanologji / Antropologji

VËSHTRIM ANTROPOLOGJIK MBI STUDIMET SHQIPTARE

Fjala e dhënë në Kuvendin Ndërkombëtar të Studimeve Albanologjike, organizuar nga Akademia e Shkencave, Tirana, 25-27 nëntor 2021. [Video link https://youtu.be/5buwp-GBJ0M]

Albert Doja
Anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë,
Profesor i antropologjisë në Universitetin e Lilës, Francë

Qasja antropologjike

Kjo kumtesë parashtron një meta-studim antropologjik mbi studimet shqiptare. Antropologjia është një shkencë hipotetiko-deduktive që operon me ndërtim modelesh teorike dhe qasje krahasuese për të nxjerrë në pah dhe për të shpjeguar botëkuptimet që njerëzit krijojnë në përputhje me botën dhe mënyrën e jetesës së tyre. Për këtë qëllim, antropologët hulumtojnë produktet kulturore dhe dukuritë shoqërore që përbëjnë botën njerëzore dhe jetesën e popujve të ndryshëm, siç mund të jetë rasti për shembull me mitet dhe domethënien e tyre, si dhe rolin që ato luajnë si një produkt kulturor dhe dukuri shoqërore.

Në këtë rast, nga pikëpamja metodologjike, kumtesa mbështetet në parimin e njohur antropologjik me një “vështrim prej së largu”, si dhe pikërisht në modelin e analizës strukturale të miteve, që është një model shpjegimor klasik në antropologji, ndonëse ende nuk njihet nga studiuesit e ciklit të kreshnikëve apo të epikës legjendare. Disiplinat historike, filologjike, folklorike, etnografike, apo letrare, që merren me studimin e miteve dhe produkteve të ngjashme kulturore, synojnë të japin një përshkrim të hollësishëm e shterues të motiveve mitike dhe të huazimeve të mundshme për të përcaktuar origjinën e tyre, për të arritur te varianti burimor e më i hershëm, apo për të gjetur pikëtakimet midis motiveve mitike dhe të dhënave historike. Ndryshe, antropologjia synon të zbulojë qëllimin e aktorëve dhe mesazhin që komunikojnë mitet, për të shpjeguar përse njerëzit tregojnë këto apo ato mite dhe jo të tjera në një kohë, një vend, apo një situatë të caktuar. Qëllimi i aktorëve nuk është domosdoshmërisht i vetëdijshëm, ashtu si dhe domethënia e miteve nuk gjendet domosdoshmërisht në moralin, fabulën, motivet apo origjinën e mitit dhe lidhjet e drejtpërdrejta me realitetin historik. Këto nuk mund të zbulohen as me mikroskopin e të dhënave faktike, historike dhe filologjike, por me një “vështrim prej së largu” nëpërmjet analizës krahasuese të tërësisë së miteve dhe varianteve të tyre, që janë krijuar, rrëfehen dhe qarkullojnë në një shoqëri të caktuar apo janë huazuar nga shoqëri të tjera. Për këtë qëllim, antropologët marrin parasysh të gjitha variantet e mundshme, duke i trajtuar ato si një grup transformimesh, në kuptimin matematikor të fjalës, të cilat kryhen gjatë kalimit nga njëri variant në tjetrin.

Ndonëse studimi i miteve ka shërbyer në antropologji për të nxjerrë në pah dhe për të shpjeguar mënyrën se si është ndërtuar dhe si funksionon mendja njerëzore, imagjinata shkencore për të përdorur modele të tilla shpjegimore mundëson shqyrtimin në mënyrë kritike dhe krahasimore të çdo lloj produkti kulturor e dukurie shoqërore. Nëse studimet albanologjike i konsiderojmë thjesht si një produkt kulturor dhe dukuri shoqërore, atëherë me një imagjinatë të thjeshtë krahasuese, objekt i antropologjisë mund të jetë edhe praktika studimore albanologjike, që mund dhe duhet të studiohet si e tillë në kontekstin e vet historik e sociologjik.

Ashtu si në rastin e studimit të miteve, theksi nuk vihet mbi ndonjë zbulim me mikroskop të të dhënave faktike, për një përshkrim sado të hollësishëm e shterues të studimeve dhe të studiuesve të veçantë apo të tematikave dhe çështjeve të trajtuara, por mbi një analizë kritike krahasuese me një “vështrim prej së largu”, sipas parimit të njohur antropologjik, që në këtë rast mundëson një dallim të dyfishtë operacional. Nga njëra anë, karakteri shkencor i qasjeve dhe prurjeve disiplinore në fushat përkatëse të studimeve shqiptare, si arkeologjia, filologjia, historia e gjuhës dhe e shkrimeve të vjetra e të trashëgimisë kulturore, historia politike dhe e formacioneve shoqërore, apo disiplina të tjera të përafërta, gjatë zhvillimit të tyre në periudha të ndryshme historike. Nga ana tjetër, paradigma albanologjike brenda së cilës janë zhvilluar e janë praktikuar këto apo ato qasje dhe prurje shkencore dhe jo të tjera sipas periudhave të caktuara historike.

Sot pranohet gjerësisht se kriteri i vetëm për të dalluar qasjet dhe prurjet mirëfilli shkencore në çdo lloj studimi kërkimor është kriteri që sipas Karl Popper njihet si “falsifiabiliteti” apo përgënjeshtrimi i të dhënave të përdorura. Për ta thënë troç në shqip, kjo ka të bëjë me pritshmërinë që studiuesit ta vënë veten përpara të dhënave empirike të grumbulluara, sado të reja e të panjohura apo mahnitëse e interesante qofshin këto, dhe të bëjnë pyetjen e thjeshtë «e çë pastaj?». E njëjta gjë ndodh edhe gjatë rrëfimit të miteve, legjendave, përrallave e meseleve, kur përtej përmbajtjes tematike të rrëfimit shpesh shtrohet pyetja përse rrëfehen këto apo ato mite apo cili është morali i fabulës së mitit në një situatë të caktuar. Por në fushën e studimeve shqiptare me sa duket askush nuk ia bën asnjëherë vetes këto lloj pyetjesh, sepse kjo bëhet e tmerrshme nëse nuk ka me çfarë t’u përgjigjesh.

Nëse përpiqemi të kuptojmë me këtë mënyrë se çfarë qëndron për shembull prapa “kapriçiove” të gjuhës, skutave të errëta të historisë apo dukurive të larmishme të kulturës, atëherë detyrimisht do na dalin përpara jo vetëm çështjet për t’u shpjeguar shkencërisht nga disiplinat kërkimore përkatëse, por edhe çështja nëse këto apo ato qasje u nevojiten vërtet studimeve shqiptare. Në fund të fundit, ashtu si morali i fabulës kundrejt temës së rrëfimit, edhe motivimi prapa argumenteve shkencore, qofshin këto arkeologjike, filologjike, historike, kulturore apo shoqërore, shpesh është ndoshta më i rëndësishëm se vetë çështjet dhe argumentet shkencore.

Mënyra shkencore e arsyetimit, apo “falsifiabiliteti” (përgënjeshtrimi) i të dhënave studimore, na bën të kuptojmë se studimet shqiptare dhe paradigma albanologjike janë dy kategori sociologjike të veçanta që nuk nënkuptojnë njëra tjetrën. Ato janë gjëra krejt të ndryshme që nuk duhet, madje nuk mund të ngatërrohen e të zëvendësojnë njëra tjetrën, sepse ndryshimi i tyre është thelbësor, jo thjesht në nivelet e shkallëshkallshme të kësaj apo asaj veçorie, por në karakterin e qenësishëm dallues të tyre, shkencor apo ideologjik. Në vetvete, një ngatërrim i tillë mbetet një argument tautologjik i papranueshëm për arsye konceptuale dhe metodologjike, sikurse edhe ngatërrimi i shkencës me filozofinë e shkencës.

Nëse marrim parasysh një kuadër ideologjik e metodologjik gjithëpërfshirës ku praktikohen e zhvillohen qasjet shkencore të studimeve shqiptare, me këtë duhet kuptuar një sistem botëkuptimor, apo siç thuhet ndryshe një lloj filozofie e kërkimit shkencor, që njëherazi përcakton dhe përbëhet nga pikësynimet ideore, imagjinata shkencore dhe zgjedhjet metodologjike e teorike në fushën e studimeve shqiptare. Në këtë kuptim, raporti i paradigmës albanologjike me studimet shqiptare është i barasvlershëm me raportin midis shkencës dhe filozofisë së shkencës, ashtu si skepticizmi, iluminizmi, racionalizmi, modernizmi, liberalizmi, etj. nuk janë shkenca por sisteme filozofike në kuadër të të cilëve dhe sipas situatës është bërë i mundur kërkimi shkencor dhe zhvillimi i shkencave në çdo lloj fushe disiplinore.

Shpesh, ashtu si dhe në rastin e rrëfyesit të këtyre apo atyre miteve, studiuesit nuk janë domosdoshmërisht të vetëdijshëm për pikësynimet ideore dhe zgjedhjet e tyre teorike dhe metodologjike. Por ky dallim na lejon të kuptojmë se motivimet ideologjike dhe kushtet politike të trashëguara nga e kaluara, si për shembull, imperial-kolonializmi, nazi-fashizmi, apo nacional-komunizmi, kanë mundësuar formimin dhe zhvillimin e paradigmës albanologjike si një kuadër filozofik në të cilin është zhvilluar kërkimi shkencor në studimet shqiptare sipas disiplinave përkatëse në periudha të ndryshme historike. Për krahasim edhe antropologjia ka lindur dhe është zhvilluar në kuadrin ideologjik të imperial-kolonializmit, ashtu si një pjesë e mirë e saj është molepsur edhe sot nga ideologjitë e post-modernizmit. Sepse jo vetëm imperial-kolonializmi, orientalizmi, nacionalizmi, nazi-fashizmi, komunizmi, fundamentalizmi, por edhe post-modernizmi, nuk janë gjë tjetër veçse sisteme të caktuara ideore e botëkuptimore që shërbejnë si kuadër ideologjik përkatës për zhvillimin e traditave të caktuara, dhe jo të tjerave, në kërkimet dhe studimet shkencore.

Gjatë komunizmit, përpunimi ideologjik i paradigmës albanologjike drejtohej nga partia në pushtet dhe reflektohej nga albanologët në studimet e tyre. Ndërsa në kushtet e sotme kulturore dhe ideologjike, prapa argumenteve shkencore, qofshin arkeologjike, filologjike, historike, kulturore apo shoqërore, motivime të caktuara strukturohen e rregullohen në mënyrë të pavetëdijshme brenda një rrjeti marrëdhëniesh ndërmjet aktorëve të ndryshëm shoqërorë, të cilët shprehin apo vënë në lëvizje një agjenci të caktuar, që në kushte të caktuara dhe në një situatë të caktuar i shërben këtij apo atij qëllimi shoqëror, kulturor dhe ideologjik.

Ashtu si dhe në rastin e rrëfimit dhe qarkullimit të miteve, dashur padashur, çdo aktor, qoftë individ, grupim shoqëror apo institucion, përpiqet në mënyrë të pavetëdijshme të imponojë idenë e vet, me ku më shumë e ku më pak sukses, se si duhet të jenë dhe çfarë duhet të përfaqësojnë studimet shqiptare. Në këtë mënyrë, institucione të specializuara brenda apo jashtë Shqipërisë, studiues vendas apo të huaj, studiues zyrtarë apo të rrugës, studiues të përkrahur e të pa përkrahur institucionalisht apo publikisht, përkrahës apo kundërshtarë të këtyre apo atyre teorive në veçanti, përkrahës apo kundërshtarë të studimeve shqiptare në përgjithësi, studimet e tyre të botuara e të pabotuara, për këto apo ato tematika, në botime prestigjioze apo margjinale, ashtu si dhe këto apo ato vlerësime të tyre brenda dhe jashtë vendit në mjediset e ndryshme sociale dhe kulturore ku konsumohet dhe ku qarkullon kjo traditë kërkimore, në çdo rast shfaqin një variant apo një tjetër të paradigmës albanologjike në studimet shqiptare.

Të gjitha këto variante në të cilat manifestohen studimet shqiptare, të marra së bashku si një grup transformimesh, bëjnë të mundur të rroket morfodinamika e kuadrit botëkuptimor e metodologjik apo filozofia e kërkimit shkencor në studimet shqiptare. Nëse është kështu, atëherë debati duhet zhvendosur nga qasjet dhe prurjet shkencore tek elementet agjenciale që ato kërkohet të përcjellin në shërbim të kuadrit filozofik e metodologjik përkatës.

Studimi i çështjeve shqiptare dhe “ndikimet” ideologjike

Një punë e ngjashme është bërë me kohë dhe vazhdon të bëhet me shumë sukses në antropologji kundër trashëgimisë ideologjike të imperial-kolonializmit dhe deri diku edhe kundër molepsjes ideologjike prej post-modernizmit. Ndërsa shqetësime të ngjashme lidhur me paradigmën albanologjike, ashtu si e kemi trashëguar që nga shek XIX, ende nuk janë shfaqur për të vlerësuar qasjet dhe prurjet shkencore në fushën e studimeve shqiptare gjatë tridhjetë viteve të shek. XX-XXI.

Shpesh mëtohet se duhet luftuar për më shumë prurje të sakta e rezultate të prekshme prej albanologjisë, ndonëse me të drejtë mund të mburremi me arritjet shkencore pothuajse në të gjitha fushat kërkimore të studimeve shqiptare, ku kemi shumë rezultate të kënaqshme dhe premtuese. Këtu nuk është vendi të ndalem për të shtjelluar vendin dhe rëndësinë e studimeve të tilla. Vetë punimet e këtij Kuvendi të madh të studimeve shqiptare janë dëshmia më e mirë për këtë. Megjithatë, si këtu edhe me nisma të tjera të ngjashme, theksi vihet mbi planet e reja për studimet gjuhësore-letrare, mbi perspektivat dhe sfidat e studimeve historike, mbi piketat e kërkimeve arkeologjike, e kështu me radhë mbi arritjet, sfidat dhe akset kërkimore sipas ndarjes tematike-institucionale të punës shkencore.

Ka edhe mendime se çështjet shqiptare të trashëguara pa ndryshim që nga shekulli XIV duhen reduktuar, ashtu si në shekullin XIX, vetëm tek prejardhja, territori, gjuha, besimet, mënyra e jetesës dhe trashëgimia kulturore-historike e shqiptarëve, madje edhe vetëm tek mbrojtja e tezës ilirike apo e tezës pellazgjike! Edhe pse njohuritë historike mund të jenë të mjaftueshme kryesisht vetëm për shekujt XIX-XX, duket qartë dhe nuk mund të thuhet se studimet shqiptare janë trajtuar nga një periudhë në tjetrën pa ndërprerje dhe pa ndryshime prej brezave të njëpasnjëshëm të albanologëve përmes shekujve. Gjatë shekujve XIV-XVI, interesi për çështjet shqiptare ka çuar domosdoshmërisht në regjistrimin e dokumentimeve të para. Gjatë shekujve XVII-XVIII, fillon interesimi ekzotik-sensacionalist për zbulimin e realiteteve shqiptare. Ndërsa gjatë shekujve XIX-XX, studimet shqiptare marrin hov prej përpjekjeve të vullnetshme me qëllime të caktuara imperial-kolonialiste dhe nacional-komuniste, apo vetë-kolonizuese dhe vetë-izoluese. Këtyre u duhet shtuar periudha e tridhjetë viteve të fundit gjatë shekujve XX-XXI kur ndodhemi përpara zgjedhjeve që janë marrë apo duhet të merren për të zhvilluar studimet shqiptare në të ardhmen.

Pa dyshim, tipare të caktuara si karakteri ekzotik-sensacionalist apo imperial-kolonialist janë përcjellë nga një periudhë në tjetrën dhe ndoshta vazhdojnë edhe sot në forma të ndryshme neokolonialiste apo vetë-kolonizuese. Megjithatë, studimet shqiptare kanë përdorur metoda dhe teknika të caktuara të grumbullimit, regjistrimit, evidentimit, përshkrimit, shqyrtimit, analizës, shpjegimit dhe promovimit të dëshmive faktike, në përputhje me një kuadër të caktuar metodologjik brenda secilës periudhë në ndryshim nga një periudhë tjetër.

Në diskutime të ndryshme ngrihet pa dyshim edhe çështja e ideologjisë që qëndron në bazamentet e një regjimi të caktuar politik dhe që shihet shpesh si një ndikim i jashtëm që thuhet se ka shtrembëruar metodat dhe rezultatet shkencore në albanologji. Kjo bën që ndokush të besojë se tani që jemi shkëputur nga ideologjitë e së kaluarës atëherë edhe studimet shqiptare kanë hyrë detyrimisht në rrugën e duhur.

Gjatë shekujve XIX-XX, çështjet shqiptare zunë vend edhe në programet e njëpasnjëshme kulturore-ideologjike me karakter imperial-kolonialist dhe nacional-komunist të propagandës shtetërore që ushqehej në fillim nga rivaliteti influencues i fuqive të huaja dhe më vonë nga vullnetet afirmuese të regjimeve shtetërore kombëtare në Shqipëri. Pikërisht në këtë periudhë, studimet shqiptare janë kapluar dora-dorazi nga deliret e antikuarizmit, autoktonisë, autenticitetit, prejardhjes, përparësisë dhe veçantisë ekskluzive, si dhe kanë përpunuar një sërë teorish mbi historinë, gjuhën, kulturën dhe shoqërinë shqiptare. Nga mesi i shekullit XX u përpunuan teori të reja mbi transformimet socialiste, revolucionarizimin e jetës dhe arritjet teknologjike e shkencore, përfshi edhe “arritjen” e zhvendosjes së qendrës së albanologjisë nga albanologët e huaj tek studiuesit vendës në Tiranë, që në fakt nuk ishte veçse kapitalizim i albanologjisë imperial-kolonialiste për ta shndërruar në albanologji nacional-komuniste.

Një numër i konsiderueshëm çështjesh, si preferenca e tezës ilirike apo pellazgjike të prejardhjes së popullit shqiptar, kodifikimi i normave zakonore, apo standardizimi dhe njësimi i drejtshkrimit të gjuhës letrare shqipe, nuk janë vetëm çështje shkencore, por para së gjithash çështje politike, të kushtëzuara nga pikësynimet imperial-kolonialiste austriake ose nacional-komuniste vendase. Të tilla janë padyshim edhe racionalizimet shkencore të transformimeve socialiste gjatë komunizmit.

Teoria pellazgjike është përkrahur fillimisht gjatë shekullit XIX nga politika greke dhe italiane. Në kushtet e rivalitetit të Austro-Hungarisë me Italinë në dhjetëvjeçarët e fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX, albanologët austriakë shpikën teorinë ilirike për t’i shërbyer politikës koloniale dhe ekspansioniste austriake që kërkonte të fitojë epërsi mbi Italinë dhe t’i kundërvihej depërtimit sllav në Ballkan. Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, pushteti komunist në Shqipëri u bind për supremacinë e teorisë ilirike dhe nuk mundi të imponojë teorinë pellazgjike. Siç mëtohet shpesh, ishin pikërisht “prurjet koherente-rezultative” të elitës albanologjike që imponuan qysh në fillim tezën ilirike. Por me sa duket, si në rastin e mbështetjes politike imperial-austriake edhe në rastin e promovimit nacional-komunist, përparësia shkencore e teorisë ilirike ndaj teorisë pellazgjike nuk bazohej domosdoshmërisht në kritere shkencore. Parë në retrospektivë, albanologët shqiptarë të edukuar në traditën austriake duket se janë shtrënguar të vazhdojnë përkrahjen e tezës ilirike ndoshta thjesht nga nevoja të domosdoshme të pragmatizmit material e politik, sepse përndryshe ose do kishin mbetur pa punë, ose mund të dilnin të panevojshëm për interesat publike të kohës.

Edhe kontributi shkencor i kodifikimit kishtar-katolik të normave kanunore prej Shtjefen Gjeçovit dhe rikodifikimi i tyre nacional-komunist në fund të regjimit totalitar, ashtu si dhe njësimi dhe standardizimi i gjuhës shqipe kishin qëllime të qarta politike. Me fillimet e lëvizjes kombëtare, Rilindësit u përpoqën për njësimin e gjuhës e të alfabetit, në luftë me administratën otomane që përpiqej me çdo mjet ta pengonte këtë proces, ndërsa përpjekjet e para shtetërore dhe administrative për njësimin e gjuhës shqipe u kryen nga rrjeti diplomatik dhe administrata ushtarake austriake. Ashtu si lëvizja politike e Rilindjes kombëtare apo rrjeti diplomatik dhe administrata ushtarake austriake, edhe fushata e fuqishme e aparatit të propagandës shtetërore nacional-komuniste krijoi kushtet për një standardizim të gjuhës si një domosdoshmëri politike. Por asnjë lloj pushteti shtetëror apo administrativ nuk mundej të imponojë kriteret shkencore dhe të përcaktojë se si duhej të ishte dhe as se si u bë standardi i gjuhës letrare.

Nëse përdorim termat e zhurmshëm që u bënë pjesë e kulturës popullore të asaj kohe, çështja kryesore që shtrohej për zgjidhje ishte ndërtimi i socializmit dhe transformimet socialiste. Pikërisht, pikësynimet ideologjike nacional-komuniste kanë acaruar edhe fiksimin e trashëguar me gjetjet që duhej të provojnë antikuarizmin dhe ekskluzivizmin e autoktonisë, autenticitetit dhe përparësisë kulturore me të cilat duhej të krenohemi. Por kjo qasje duhej edhe të transformohej për të luftuar dhe për të shkulur nga rrënjët primitivizmin dhe mbeturinat e prapambetjes kulturore së bashku me bartësit e tyre. Kjo nënkuptonte formimin e njeriut të ri nacional-komunist dhe të shoqërisë së re “kombëtare në formë dhe socialiste në përmbajtje” (sipas formulës staliniste), spastrimin e historisë, imponimin e një gjuhe të standardizuar, luftën kundër zakoneve prapanike dhe mbeturinave fetare, si dhe zhdukjen e kundërshtarëve që konsiderohen armiq të popullit apo të prapambetur nga pikëpamja ideologjike e shoqërore, si dhe kulturore e gjuhësore. Këto dhe të tjera çështje të ngjashme nuk mundej të realizohen veçse prej një populli që është krenar për prejardhjen e tij, që ka çarë rrugën e historisë me shpatë në dorë dhe që është shkencërisht i bindur për përparësinë dhe për domosdoshmërinë e rrugës që ka zgjedhur.

Nëse në kushtet e sotme këto procese politike janë moralisht të dënueshme apo shkencërisht të papranueshme, për këtë janë përgjegjës edhe albanologët dhe hierarkia politike-shkencore e asaj kohe, që kanë ofruar rikodifikimin e traditave zakonore, standardizimin e gjuhës shqipe, si dhe përligjjen shkencore të fushatave të transformimeve socialiste. Me kontributin e tyre teorik e metodologjik, albanologët dhe hierarkia politike-shkencore e asaj kohe u treguan më të zotët për t’iu imponuar qysh në fillim aparatit shtetëror të propagandës ideologjike-nacionaliste dhe kanë konkretizuar ato prurje rezultative-koherente që i kanë shërbyer më mirë politikës nacional-komuniste. Madje merita më e madhe e atyre studiuesve është se kanë ditur të përshtatin me shumë mjeshtëri studimet e tyre ndaj ideologjisë që kërkonte koha e tyre. Kjo i ka shndërruar ata dhe jo të tjerët në një rreth të ngushtë elitar të përkrahur nga pushteti komunist.

Megjithatë, nuk mund të flitet për “shkëputje” të studimeve shqiptare nga ky apo ai kuadër ideologjik e filozofik, sepse qasjet dhe prurjet shkencore në këto fusha nuk janë të ideologjizuara nga jashtë, apo nuk janë të ideologjizuara domosdoshmërisht nga ideologjia shtetërore e një regjimi të caktuar politik. Shteti komunist imponoi kushtet për trajtimin shkencor të çështjeve shqiptare, por cilat teori dhe metoda duhej të përdoren dhe çfarë prurjesh rezultative-koherente ishin të domosdoshme në përputhje me ideologjinë nacional-komuniste, kjo nuk mund të imponohej nga pushteti komunist. Studimet shqiptare kanë arritur majat më të larta pikërisht sepse problemet shkencore që ato kanë trajtuar u përputhën plotësisht me paradigmën e tyre shkencore. Në këtë kuptim, prurjet e studimeve albanologjike nuk mund të jenë veçse koherente-rezultative për atë kuadër metodologjik e ideologjik të trajtimit të tyre, që përcaktohet nga kushtet politike dhe shtetërore të kohës apo të vendit kur u lindën, u praktikuan dhe u zhvilluan.

Përputhja dhe mospërputhja kërkimore me paradigmën shkencore

Nga pikëpamja e epistemologjisë kritike, studimet shqiptare nuk kritikohen për cilësinë e rezultateve të tyre, por nga zgjedhjet teorike dhe metodologjike që diktohen domosdoshmërisht nga premisat e ndryshme politike dhe ideologjike. Studiues të nderuar vendas e të huaj gjatë shekujve XIX-XX nuk kanë qenë aspak kolonialistë, as kolaboracionistë dhe as komunistë, por zgjedhjet e tyre metodologjike janë diktuar domosdoshmërisht ose nga premisat imperial-kolonialiste apo nazi-fashiste ose nga premisat nacional-komuniste. Pikërisht, këto lloj premisash kanë kufizuar problematikat shkencore për verifikimin e disa teorive të gatshme dhe jo të tjerave, që lidhen sipas rastit ose me antikuarizmin esencialist të prejardhjes, autoktonisë, autenticitetit dhe përparësisë, ose me transformimet socialiste të historisë, kulturës dhe shoqërisë shqiptare, ose me të gjitha së bashku. Fiksimi me verifikimin apo kundërshtimin e këtyre teorive ka kufizuar edhe metodat e përdorura, kryesisht për grumbullimin, evidentimin dhe sistematizimin pa fund të dëshmive empirike, faktike dhe teknike. Në këtë kuadër, imagjinata shkencore krahasuese dhe qasjet kritike analitike që mundësojnë shpjegime shkencore teorike sipas disiplinave përkatëse nuk janë të nevojshme. Prandaj, studimet shqiptare janë karakterizuar nga tipare të tilla si empiricizmi, teknicizmi, historicizmi, folkloricizmi, etj.

Në studimin e shprehjeve të ndryshme të sjelljes shoqërore e të kulturës materiale, artistike, gojore apo letrare, ka një ndryshim të madh kur synojmë të japim një përshkrim sado të hollësishëm e shterues të tipareve karakterizuese dhe të huazimeve të mundshme për të përcaktuar origjinën dhe variantin burimor e më të hershëm, apo përkundrazi nëse synojmë të zbulojmë qëllimin e aktorëve dhe mesazhin që komunikojnë produktet kulturore, për të shpjeguar përse njerëzit krijojnë këto apo ato produkte kulturore dhe jo të tjera. Po kështu në studimet historike, ka një ndryshim të madh nëse nisemi nga dëshmitë e supozuara të origjinës, qenësisë dhe veçorive të identitetit shqiptar për të ekspozuar proceset historike, gjuhësore, kulturore dhe shoqërore që lidhen me këtë identitet, apo përkundrazi nisemi nga ato procese që shpjegojnë formimin e identitetit shqiptar.

Po kështu, me sa kuptoj nga diskutimet me kolegët gjuhëtarë, ka një ndryshim të madh nëse për trajtimin shkencor të të njëjtit problem gjuhësor nisemi nga kritere morfologjike apo nga kritere semantike, si dhe nëse mbështetemi mbi qasjet filologjike apo mbi qasjet sintaksore. Në rastin e parë, parimi morfologjik apo filologjik mjaftohet me qasjet deskriptiviste, sado gjithëpërfshirës të jetë përshkrimi i lëndës gjuhësore, ndërsa në rastin e dytë, parimet semantike apo sintaksore mund të jetë më të vështirë, por japin më shumë dorë për imagjinatë shkencore dhe qasje analitike të materialit gjuhësor. Afërmendsh, edhe për vlerësimin e studimeve shqiptare në përgjithësi, ka ndryshim nëse nisemi nga evidentimi i qasjeve, prurjeve apo tematikave shkencore sipas disiplinave përkatëse, apo përpiqemi t’i rrokim ato në mënyrë sintetizuese nga pikëpamja e artikulimit të tyre në përputhje me paradigmën shkencore dhe kuadrin e tyre metodologjik e filozofik.

Pra nëse ka një problem me studimet shqiptare, ky nuk ka të bëjë aspak me qasjet dhe prurjet shkencore në fushat disiplinore përkatëse, por me paradigmën albanologjike që konsiderohet shpesh në mënyrë ahistorike si e pandryshueshme dhe e amshuar, me sa duket nga që çështjet e autoktonisë apo identitetit të bashkësisë kombëtare dhe shtetërore shqiptare janë të rëndësishme dhe të përhershme. Karakteri i përkohshëm i paradigmës shkencore dhe kuadrit ideologjik e metodologjik të studimeve shqiptare dhe mospërputhja e herëpashershme me kushtet e kohës duhet të ketë shkaktuar në mënyrë të përsëritur edhe vënien në pikëpyetje të çështjeve shqiptare.

Kështu duket se po ndodh në kushtet e sotme, për shembull, me trashëgiminë kulturore të normave kanunore, kur shpesh hidhet poshtë si kodifikimi kishtar-katolik i këtyre normave prej Gjeçovit, ashtu edhe rikodifikimi nacional-komunist i tyre prej albanologëve të mëvonshëm, duke mëtuar hera-herazi risjelljen e origjinës burimore islamike-otomane, justifikimin instrumental të veprimtarive kriminale, apo trajtimin pluralist në kushtet e sotme ideologjike-juridike. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për orvatjet shkencore me synimin po aq naiv të përmirësimit duke zhbërë procesin politik të standardizimit nacional-komunist të gjuhës letrare. Sado shkencore qofshin, ka gjasa që këto lloj orvatjesh afrohen me përpjekjet otomaniste për të penguar njësimin e alfabetit dhe mësimin e gjuhës shqipe që përkrahej nga lëvizja politike e Rilindjes kombëtare.

Procese të tilla ndodhin edhe gjetiu, si për shembull në Francë, ku në kushtet e shkërmoqjes së padallueshme të shtetit dhe nën presionin e vazhdueshëm të ideologjive gjinore radikale ka filluar shkatërrimi i drejtshkrimit të gjuhës frëngjishte nëpërmjet një lloj shkrimi të quajtur inkluziv. Në rastin tonë, këto lloj hamendësime duhet të jenë ekzagjerime të papranueshme, thjesht sepse nuk jemi në gjendje të shohim ndonjë agjenci politike apo ideologjike prapa orvatjeve të tilla. Por procese të tilla tregojnë se deri në çfarë mase studimet shqiptare janë çoroditur sa herë u është dashur ta fillojnë nga e para trajtimin e problemeve të tyre shkencore. Konkretisht kjo ka ndodhur sa herë që ka ndryshuar kuadri botëkuptimor për të kaluar nga ideologjia imperial-kolonialiste tek ideologjia nazi-fashiste dhe tek ideologjia nacional-komuniste.

Imperializmi metodologjik

Në kushtet e sotme, paradigma shkencore e studimeve shqiptare kërkon para së gjithash një kritikë gjenealogjike radikale, si hap i domosdoshëm në rrugën e vetme për t’u shkëputur plotësisht e përfundimisht nga trashëgimia ideologjike që vjen nga përfaqësuesit e vjetër e të rinj të mënyrave të vjetëruara të shkencërimit. Por ndërgjegjësimi i një kuadri të ri ideologjik dhe filozofie të kërkimit shkencor kthehet në domosdoshmëri për studimet shqiptare, sidomos në kushtet kur në tregun botëror të ideologjive ka një mori modelesh të gatshme paradigmatike.

Në kushtet e çoroditjes së përgjithshme botëkuptimore që ka pësuar shoqëria shqiptare në këto 30 vitet e fundit, kuadrin e zbrazët ideologjik e kanë zënë ideologjitë tranzitologjike, post-moderniste apo fundamentaliste. Një sërë studiuesish të rinj kanë përqafuar edhe paradigmat majtiste-ekstremiste të dekolonializmit, dekonstruksionizmit, çmitizimit, multikulturalizmit, ultraliberalizmit, neo-feminizmit, neo-ekologjizmit, apo pseudo-progresizmit, si dhe ekstremizma të tjera edhe më absurde që shfajësojnë dhe risjellin ideologjitë komuniste, apo promovojnë ideologjitë antikombëtare, së bashku me krahinorizmat, fetarizmin, islamizmin dhe otomanizmin. Veçmas apo të kombinuara, këto lloj ideologjish janë ndoshta edhe më të rrezikshme. Nëse kuadri i mëparshëm ideologjik i nënshtrohej interesave të caktuara të pushtetit dhe të qeverisjes imperial-kolonialiste apo nacional-komuniste, ideologjitë e reja nuk përpiqen të studiojnë, as të analizojnë dhe as të shpjegojnë, por të shkërmoqin gjuhën, kulturën dhe historinë shqiptare, me synimin të çmishërojnë dhe të anulojnë identitetin shqiptar dhe përfundimisht të shkatërrojnë shoqërinë shqiptare.

Akoma më i rëndësishëm dhe më i domosdoshëm bëhet përpunimi i vetëdijshëm i një paradigme shkencore dhe kuadri metodologjik e filozofik për studimet shqiptare në kushtet e imperializmit metodologjik të rrjetit të marrëdhënieve midis agjencive shtetërore e joshtetërore dhe aktorëve institucionalë e individualë të shkollarisë ndërkombëtare që ndikojnë në mënyra të ndryshme mbi drejtimet e praktikës dhe zhvillimit të studimeve shqiptare. Në këtë kontekst, format e reja të topografive post-kolonialiste dhe post-socialiste të pushtetit dhe të ekspertizës shkencore mbështeten nga regjime të reja trans-nacionale, organizatave humanitare dhe institucioneve ndërkombëtare, që përfshijnë edhe segmente të caktuara të hierarkive vendase politike-mediatike-shoqatore. Këto transferohen në fushën politike të pushtetit dhe veprojnë në rrjete që përhapen në të gjithë sferat private dhe publike, duke u maskuar prapa fjalimeve të europianizimit, modernizimit, liberalizimit dhe demokratizimit, që janë tipike për retorikën tranzitologjike globale. Edhe fjalimet mbi anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian riprodhojnë një terren që tradicionalisht kuptohet si periferi e Europës, që ka nevojë për mbikëqyrje, udhëzime dhe trajnime prej Perëndimit, por edhe shërben si kosh plehrash për emigrantët e padëshiruar të Europës. Ky kontekst ri-aktualizon modelet e njohura imperial-kolonialiste që mundësojnë një hierarki të re politike-shkencore, nga jashtë brenda vendit, që artikulon hapur dhe përvetëson një traditë të re të primitivizmit neo-kolonialist.

Në këtë kushte, studimet shqiptare rigjallërojnë ato atraksione kulturore të një vendi dhe një populli të harruar që tani, pas përmbysjes së komunizmit, paska hequr qafe obskurantizmin e dikurshëm ideologjik. Një qasje e tillë e rivendos Shqipërinë, ashtu si mbarë Ballkanin, në një zonë tampon midis Perëndimit dhe të tjerëve. Post-komunizmi shoqërohet me një të kaluar të largët dhe ekzotike, ashtu si dhe me lloje të ndryshme të konservatorizmit politik, kulturor e shoqëror, të tradicionalizmit estetik dhe të nacionalizmit romantik, gjithnjë jo-evropiane dhe jo-moderne, por tipike për një post-kolonialitet të ri. Në këtë kontekst, studiuesit e huaj e mbajnë veten të lidhur me progresin civilizues dhe qendrat metropolitane të Perëndimit, ndërsa studiuesit vendas dashur-padashur marrin pjesë në mënyrë të pavetëdijshme në përforcimin e ekzoticizimit vetë-kolonizues.

Kështu, shqiptarët bëhen objekt i ekzoticizmit sensacional dhe primitivizmit poshtërues, madje studiuesit vendas mund të trajtohen në mënyrë përçmuese edhe si “virgjëresha në bordello”, për të thënë metaforikisht se puna kërkimore në institucionet vendase nuk përputhet me studimet që kryhen në institucionet perëndimore. Gjithashtu, keqinterpretime të shpeshta krijohen për mitet krijuese si për shembull me figurën e Skënderbeut, për historinë kombëtare siç ka ndodhur me karakterizimin e lindjes së një kombi mysliman në mes të Europës, për strukturat shoqërore siç është rasti me përgjithësimin e tipareve të familjes patriarkale, apo për sjelljen kulturore siç ndodh me normat zakonore arkaike. Gjithnjë, çështjet shqiptare trajtohen mbi bazën e paragjykimeve dhe kundërshtimit të tyre, çka parapërcakton që në krye të herës si qasjet edhe prurjet shkencore. Reagimi kundërshtues i studimeve vendase ndaj studimeve të paragjykuara artikulohet shpesh nën maskën e një kulture kombëtare që kërkon në mënyrë agresive t’u përshtatet vlerave të Europës Perëndimore, por dashur padashur, shumë studiues vendas përjetësojnë vazhdimisht thelbin folklorik të filologjisë historike dhe antikuarizmin e prejardhjes, autoktonisë, autenticitetit, përparësisë dhe veçantisë, që janë tipike të paradigmës së vjetëruar albanologjike.

Këtu nuk kemi të bëjmë me një situatë të thjeshtë kripto-koloniale, sepse si krenaria kombëtare e esencializmit kulturor në studimet vendase, ashtu edhe dekonstruktivizmi stereotipizues i trashëgimisë historike dhe kulturore shqiptare nga disa studiues perëndimorë, janë një shenjë e domosdoshmërisë politike dhe ideologjike. Kjo vërtetohet dukshëm nga retorika tranzitologjike e proceseve modernizuese dhe europianizuese në fjalimet dhe praktikën e aktorëve ndërkombëtarë ndaj Shqipërisë dhe studimeve shqiptare. Me këtë nuk dua të them që studiuesit perëndimorë mbështetin në mënyrë të vetëdijshme politikat shtetërore, por disa prej prurjeve shkencore perëndimore kanë ngjashmëri me rrëfimet që kanë riprodhuar standardin historik të studimeve imperial-kolonialiste apo kanë shërbyer për të përligjur ndërhyrjet e politikës ndërkombëtare në Ballkan. Tek e fundit, disa prej tyre mund të jenë një vazhdim i hierarkive të vjetra shkencore, si dhe pjesë e të njëjtit spektër të diskutimeve, praktikave dhe instrumenteve të ndërhyrjes, që përdoren në emër të standardeve ideologjike demokratike dhe akademike, të cilat u shërbejnë interesave primare të aktorëve perëndimorë për ruajtjen e hegjemonisë shkencore dhe politike.

Përfundime

Në këto kushte më duket e papranueshme që forcat më të përgatitura shkencore janë të gozhduara nga paradigma antikuariste e shek. XIX dhe merren akoma me verifikimin e prejardhjes, autoktonisë, autenticitetit, përparësisë dhe veçantisë së një historie, kulture dhe shoqërie të imagjinuar, që i ka vetë-izoluar dhe vazhdon t’i vetë-izolojë studimet shqiptare në ideologjitë e vjetëruara albanologjike, si një shkence përjashtueshmërisht shqiptare vetëm për të përkëdhelur sedrën e shqiptarëve. Për më tepër, rimarrja pa fund e çështjeve të tilla, si për verifikimin ashtu edhe për kundërshtimin e teorive të njohura, vë në pikëpyetje dhe diskrediton vetë qenësinë dhe dobinë e studimit të tyre.

Ndërkohë, mund t’i hapet rrugë deprovincializimit dhe integrimit të studimeve shqiptare në shkencën ndërkombëtare nëpërmjet imagjinatës shkencore krahasuese dhe një kontributi të dallueshëm kritik, teorik e analitik në disiplinat përkatëse. Studimet shqiptare mund të dallohen, jo vetëm thjesht për trajtimin dhe evidentimin, por edhe për shpjegimin analitik e kritik të formimit të identitetit të bashkësisë shqiptare, duke u riorientuar nga problemet dhe sfidat e historisë, kulturës dhe shoqërisë reale. Konkretisht, imagjinata shkencore krahasuese për trajtimin kritik e analitik të implikimeve politike e ideologjike mundëson të kuptohen dhe të shpjegohen traditat kulturore dhe dukuritë e shoqërisë shqiptare në kohët e sotme, si dhe të mënjanohen gjithfarë partizanizmash krahinoriste, dialektaliste e fetariste, që lulëzojnë në dëm të konsolidimit si të shtetit edhe të gjuhës e të kulturës kombëtare.

Për këtë qëllim, grumbullimi i të dhënave empirike sipas disiplinave shkencore përkatëse duhet disiplinuar me filozofinë e shkencës dhe me logjikën e kërkimit shkencor në përgjithësi. Këtu nuk është fjala për ndonjë viktimizim nacionalist as për të hedhur poshtë filozofinë kombëtare në studimet shqiptare, por përkundrazi për një strategji të vullnetshme që të vihen në plan të parë zgjedhjet teorike dhe metodologjike, imagjinata shkencore dhe vizioni botëkuptimor se si duhet t’i zhvillojmë studimet shqiptare në përputhje me përfytyrimet për shoqërinë shqiptare në të ardhmen. Kjo duhet të krijojë kushte edhe për mobilizimin e shqiptarëve brenda vendit dhe në diasporë rreth një projekti politik, shoqëror, kombëtar e qytetërimor, në mënyrë që t’i bashkojë dhe t’u japë kuptim e vendosmëri në kërkim të interesave të përbashkëta.

Besoj, më shumë se për këdo tjetër, ky pikësynim është detyrë dhe përgjegjësi e aktorëve të studimeve shqiptare.

© 2021 Albert Doja. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin