Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi

FJALË TË NGATËRRUESHME (VIII)

nga Adrian Beshaj

Demokrat dhe demokratikas

Tashmë është bërë zakon në Shqipëri që demokratë të quhen vetëm anëtarët, simpatizantët apo votuesit e Partisë Demokratike apo të së djathtës në përgjithësi. Por a është e drejtë?

Në vitin 1991 shumica dërrmuese e popullit shqiptar e rrëzoi regjimin totalitar dhe vendosi të jetonte në demokraci. Demokracia është një regjim a sistem politik, ku pushteti ushtrohet nga populli drejtpërdrejt ose nëpërmjet organeve të zgjedhura, ku shtetasit gëzojnë liri dhe të drejta të barabarta. Më gjerësisht demokraci quhet një shtet ose vend që ka këtë regjim a këtë organizim politik: p.sh. demokracitë perëndimore.

Nga momenti që këtë regjim a organizim politik e kanë pranuar të gjithë shtetasit (ndoshta me përjashtim të ndonjë pakice të papërfillshme) ata janë demokratë. Në Fjalorin e Shqipes së Sotme emri demokrat përkufizohet kështu: përkrahës dhe ndjekës i parimeve të demokracisë: p.sh. patriotët demokratë. Demokrat quhet edhe një njeri i thjeshtë dhe popullor: p.sh. Është demokrat i madh.

Pra, siç mund të shihet dhe kuptohet lehtë demokratë nuk janë vetëm anëtarët e një partie qoftë kjo edhe e quajtur demokratike, por të gjithë shtetasit, anëtarët e organizatave apo partive, që jetojnë në një regjim demokratik dhe që kanë pranuar ekzistencën e shumë partive dhe respektimin e lirive dhe të drejtave të barabarta. Më specifikisht anëtarët dhe përkrahësit e Partisë Demokratike do të mund të quheshin edhe demokratikas apo demokratë të së djathtës dhe opozitarët e tyre (partia socialiste, socialdemokrate etj.) demokratë të qendrës apo të së majtës.

Përmbys: kthej përmbys dhe përmbyt

Folja përmbys në shqip do të thotë e kthej përmbys, me kokë poshtë a me rrota përpjetë; e rrëzoj përtokë me forcë; e rrëzoj me fytyrë përdhe; kthej mbrapsht a në të kundërt: p.sh. Përmbys gotën (arkën, etj). Dallgët përmbysën barkën. Kjo folje në bujqësi përdoret kur kthejmë tokën, i hedhim tokës plehun dhe e punojmë. E përdorim edhe kur duam të themi se bëjmë rrëmujë diku dhe e kthejmë gjithçka mbrapsht. Në mënyrë të figurshme “përmbys” do të thotë se bëjmë ndryshim rrënjësor të një gjendjeje, apo e prishim nga themelet diçka që ishte vendosur më parë.

Përmbys vjen nga folja mbys me parashtesën “për”. Prej përmbys formohen emrat përmbysës dhe përmbysje.

Përmbys është ndajfolje dhe do të thotë: me gjoks e fytyrë poshtë, dhe me bark përdhe , barkas; duke qenë i kërrusur mbi diçka, p.sh. Fle përmbys. Rri tërë ditën përmbys mbi libra.

Ndërsa përmbyt (ose përmbys) do të thotë t’i lëshosh tokës shumë ujë sa të mbulohet. E përdorim në vetën e tretë për të treguar vërshimin e lumit a të përroit që mbulon tokat përreth: p.sh. Përmbytin arat. Lumi përmbyste  fshatra të tëra. Mendoj se në vetën e tretë njëjës së të pakryerës së dëftores do të mund të përdorej edhe përmbytte. Në kuptimin e figurshëm themi përmbytim kur mbushim diçka me një sasi të madhe sendesh: p.sh. E përmbytën tregun me mallra.

Nga folja përmbyt formohet me prapashtesë emri përmbytje.

Evazor dhe evaziv

Evazor do të thotë mospagues taksash dhe në shqipe ka hyrë nga italishtja. Emri evasore në italishte ka rrjedhur nga folja evadere që nga ana e saj vjen nga latinishtja evadere – shkoj jashtë. Evadere në italishte do të thotë: iki, arratisem nga vendi i vuajtjes së dënimit, burgu; t’u shmangesh detyrimeve fiskale; të mbarosh, të kryesh një punë. Foljen evadoj e dëgjon të përdoret edhe në shqipe, si p.sh.: evadoj letërkëmbimin, domethënë u jap përgjigje letrave të marra. Nga evadere përveç emrit evazor rrjedh edhe emri evazion, pra mospagimi i taksave dhe tatimeve: evazion fiskal.

Ndërsa evaziv nuk ka të bëjë më me mospagimin e taksave, por tregon dikë që shmang trajtimin apo përballimin e një problemi, të përgjigjurit e drejtpërdrejtë. Do të thotë edhe i dykuptimtë, bishtnues: qëndrim evaziv. Sinonime të evaziv në shqipe janë i përanshëm, dredhues, bishtnues.

Ja një shembull ku i përdorim të dyja këto fjalë: Kur evazori pyetet nga organet tatimore, zakonisht jep përgjigje evazive.

Kancelaria: kryeministria dhe dyqani

Kancelar është titulli që mban kryeministri në Austri dhe Gjermani. Kancelaria është zyra e kryeministrit në këto vende apo e tillë është edhe një zyrë apo degë në një dikaster: p.sh. kancelaritë diplomatike.

Kancelar ka hyrë në shqipe nga italishtja cancelliere që nga ana e saj e ka marrë nga latinishtja e vonë cancellariu(m) – portier që rrinte pranë kangjellave që ndanin publikun nga vendi ku rrinin ulur princërit apo gjykatësit (fr. chancelier). Përveç shefit të zyrës së kancelarisë, kancelar tregon edhe zyrtarin publik që kryen veprimtari sidomos veprimtari plotësuese në lidhje me ato tipiket të zyrës gjykuese, por të nevojshme për organizimin dhe funksionimin e mekanizmit procesual.

Kancelaria është edhe zyra kompetente për përgatitjen, redaktimin, vërtetimin, regjistrimin dhe dërgimin e akteve dhe dokumenteve të autoriteteve publike dhe shef i zyrës është kancelari. Kemi kështu kancelar gjykate, universiteti, fakulteti, etj.

Por kancelaria tregon edhe tërësinë e materialeve që shërbejnë për të shkruar si stilolapsa, lapsa, letra, bojëra, goma dhe të tjera: p.sh. artikuj kancelarie. Gjithashtu dyqani ku tregtohen artikuj të tillë quhet kancelari, që disa shqipfolës, nën ndikimin e italishtes, e quajnë edhe kanceleri. Ja si do të ishte një fjali ku do t’i përdornim fjalët kancelar dhe kancelari në të dyja kuptimet: Nuk është parë ndonjë që një kancelar shteti apo fakulteti të punojë paralelisht apo pas dorëzimit të detyrës në një dyqan kancelarish.

© 2022 Adrian Beshaj. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Kopertina: Photo by Emmanuel Ikwuegbu on Unsplash.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin