Në shkrimin e tyre të fundit te Gazeta shqiptare, me titull “Mitologjia shqiptare në dokumentet arkivore”, dr. Etleva Lala dhe dr. Musa Ahmeti analizojnë, siç shprehen edhe vetë:
[D]isa fjalë të leksikut shqiptar që çuditërisht nuk janë me rrënjë shqiptare, dhe nuk gjenden as në leksikun grek apo sllav. Këto fjalë, pra, nuk janë të huazuara, por janë të krijuara në truallin shqiptar si reflektim i fenomeneve të caktuara historike. Janë fenomenet historike ato, që kanë diktuar edhe kuptimin e këtyre fjalëve, pavarësisht se me kalimin e kohës këto kuptime kanë devijuar paksa nga origjinali i tyre.
Këto fjalë janë pikërisht lugat dhe lëngatë, të cilat, sipas dy autorëve, “dëshmojnë për autoritetin papnor dhe rrënjët e katolicizmit” në trojet shqiptare.
Të gjithë e dimë pak a shumë se çfarë është lugati – një figurë mitike, të cilën e afrojnë me vampirin; edhe pse karakteristika kryesore e lugatit është që ky është i vdekur që ngrihet nga varri për të bërë gjithfarë prapësish (që këtej shprehja u ngrit lugat); por që nuk u thith doemos gjakun viktimave të veta. Një përshkrim i përmbledhur të kuptimeve mitike të lugatit gjendet në Fjalorin e Elsie-t.
Po ç’lidhje të ketë midis lugatit tonë, dhe autoritetit papnor dhe rrënjëve të katolicizmit në trojet tona?
Sipas autorëve Lala dhe Ahmeti, fjala lugat rrjedh nga latinishtja legatus, duke iu referuar, në zanafillë, legatëve papnorë, të cilët, si mëkëmbës të Papës, gëzonin pushtet të konsiderueshëm në Mesjetë.
Shkruajnë autorët:
Edhe në territoret e Shqipërisë kemi pasur shpesh legatë papnorë, duke filluar që nga kohërat më të hershme. Kur serbët filluan të ishin shumë të dhunshëm ndaj shqiptarëve katolikë, papati ndërhyri në mënyrë të veçantë për të ndryshuar situatën, duke dërguar grupe legatësh. […]
Në grupin e dytë të legatëve të dërguar në vitet 1353-1354, në këto territore, ad Serviae, Rassiae et Albaniae regna et terras praefati regis subiectas, bënte pjesë njëri ndër personalitet më të fuqishme të gjysmës së dytë të shekullit të katërmbëdhjetë, Petrus Thomas (ASV, Reg. Vat. 227, ff. 4r-5v, ep. 10-15) i cili pas vdekjes do të shpallej edhe shenjtor, për shkak të aktivitetit dhe të veprave të tij.
Vijojnë, në artikull, faqe me të dhëna të hollësishme për aktivitetin e këtij Petrus Thomas-i, në Francë, në Spanjë, në Puglia, në Sicili, në Tokën e Shenjtë…
Më në fund:
Për shkak të përvojës dhe oratorisë, papa Inocent VI i besoi misionin e vështirë dhe delikat të konvertimit të grekëve në katolicizëm [dhe] e ngriti atë akoma më lart në përgjegjësi duke i caktuar misionin e legatit apostolik për të gjithë Lindjen, me një përgjegjësi trefishe: të predikonte dhe të propagandonte kryqëzatën kundër të pabesëve, të konvertonte skizmatikët në fenë katolike, dhe të zhdukte herezinë nga Kreta.
Më në fund thuhet, ashtu si kalimthi, se:
Jurisdiksioni i Pjetër Tomasit përfshinte jo vetëm mbretërinë e Qipros, por edhe kryeipeshkvinë e Kretës, Korfuzit, Durrësit, Lepantos (Neopaktensis), Ypati (Neopatratensis), dhe që prej konvertimit të Paleologut edhe patriarkanën e Konstandinopojës. Në të gjitha këto territore, ai përfaqësonte papën në çështjet normale kishtare që i takonin një legati dhe sidomos në çështjet e luftës kundër “të pabesëve”.
Që këtej, Lala dhe Ahmeti nxjerrin përfundimin:
Duhet të ketë qenë fundi i shekullit XIV, kur fjala legat – nga popullsia vendase e receptuar si lugat – është prezantuar për herë të parë në territoret shqiptare, dhe sidomos shekulli XV e më vonë kur ajo është përhapur gjerësisht në këto territore. Kuptimin e saj negativ duhet ta ketë marrë jo vetëm sepse reputacioni i shenjtorëve përhapej me shpejtësi të rrufeshme, por edhe sepse Peter Thomas-i, i cili në vitet 1353-1354 ishte dërguar si legat (përfaqësues, ambasador) papnor në këto territore, duhet të ketë luftuar me shumë brutalizëm herezinë dhe shtrembërimet dogmatike të ritit katolik, gjë që duhet të ketë bërë një përshtypje shumë të madhe te popullsia vendase tolerante ndaj formave të ndryshme të besimeve.
Po a qëndron ky argument?
A mund të vijë fjala lugat nga latinishtja mesjetare legatus, duke iu referuar, në thelb, një figure klerikale autoritare?
Në hyrje të artikullit, Lala dhe Ahmeti përmendin disa etimologji të ngjashme figurash të përrallave dhe të legjendave arbërore: si bajloz nga bailus/baiulus dhe katallan nga catalanus, të cilat tashmë janë pranuar. Këtu unë do të shtoja edhe etimologjinë (ende të diskutueshme) të fjalës perëndi nga latinishtja imperantem, e cila i referohej në krye perandorit romak. Në vetvete, modeli etimologjik-semantik ekziston, dhe etimologjia e Lala-Ahmetit, të cilën unë në të vërtetë e kam dëgjuar të përsiatet edhe më parë, nuk ka pse të hidhet poshtë menjëherë.
Edhe nga pikëpamja fonetike, kalimi legatus -> lugat nuk është i pamundur. Shkruajnë autorët:
Gjuhëtari i mirënjohur tashmë, Prof. Dr. Bardhyl Demiraj, pati mirësinë të na ndihmonte për të bërë lidhjen fonetiko-etimologjike të fjalëve lugat e legat, dhe arsyetimi është si vijon: Sipas rregullave etimologjike të gjuhës shqipe, zanorja [e] e patheksuar dobësohet në [?], sidomos kur kjo ndodhet në rrokje nistore. Duke qenë se [g] është bash[kë]tingëllore velare, zanorja [ë] e formuar para saj velarizohet dhe jep zanore [u].
[pikëpyetja në kllapa katrore gjendet në origjinal; mund t’i korrespondojë një ә-je, 2Xh]
Unë nuk besoj që gjuhëtari i mirënjohur tashmë Prof. Dr. Bardhyl Demiraj të jetë ngatërruar me etimologjinë e lugat -> legat; më tepër ka të ngjarë që të ketë shpjeguar si mund të ketë ndodhur, nga pikëpamja fonetike historike, kalimi nga legatus në lugat; ose të ketë ilustruar një dukuri me natyrë fonetike (velarizimi i një zanoreje të patheksuar para një bashkëtingëlloreje grykore).
Nga ana tjetër, përpjekjet për t’i dhënë një etimologji fjalës lugat nuk është se kanë munguar, pa çka se autorët tanë nuk i përmendin. Nga këto përpjekje, më e fundit më duket ajo e Vladimir Orel-it, i cili përmend mendimin e Joklit dhe të Miklosich se në rrokjen e parë të fjalës lu-gat gjendet gjurma e latinishtes lupus (“ujk”), dhe pastaj i referohet Polák, për ta nxjerrë fjalën tentativisht nga një latinishte ballkanike e rindërtuar si *lupus peccatus. Ky do t’i përgjigjej kuptimisht më tepër vurkollakut (italisht lupo mannaro, anglisht werewolf); por edhe lugati, së paku në përshkrimet e Elsie-t, i ka ruajtur disa lidhje edhe me Hënën e plotë, edhe me ujkun, çka ndodh gjithnjë me figura të tilla të cilat shkëmbejnë tipare mes tyre nga përralla në përrallë e nga legjenda në legjendë.
Nga ana e tyre, Lala dhe Ahmeti sjellin edhe ata material gjuhësor në mbështetje të hipotezës lugat < legat. Duke iu kthyer super-legatit të tyre Peter Thomas, ata vërejnë:
Reputacioni për aftësi të tilla shëruese të legatit papnor Peter Thomas ishte i njohur edhe ndër shqiptarë, kështu që lidhja e legatit shenjtor me konceptin e lëngatës, mund të bëhet në bazë të mrekullive që i atribuohen atij si gjatë jetës së tij ashtu edhe pas vdekjes.[…]
Kjo edhe pse, ndryshe nga lugat, fjala lëngatë është e sqaruar nga ana etimologjike, si derivat me prapashtesën –atë i foljes lëngoj, kjo vetë nga latinishtja languere (sikurse dërgatë nga dërgoj, zemëratë nga zemëroj, uratë nga uroj, etj.) .
Me fjalë të tjera, sipas dy autorëve tanë, arbërorët më një anë u tmerruan nga brutaliteti i veprimeve të legatit papnor dhe shkuan e përdorën emrin e tij për të pagëzuar një qenie mitologjike vampirike, më anë tjetër u prekën kaq shumë nga aftësitë e tij për të shëruar sëmundjet, veçanërisht murtajën, saqë shkuan dhe e quajtën sëmundjen vetë sipas shëruesit të saj.
Këtë kontradiktë, që lidhet me një ambivalencë të pareduktueshme në qëndrimin ndaj legatit, autorët përpiqen ta kapërcejnë me disa vërejtje për shpërndarjen gjeografike të fjalëve lugat dhe lëngatë (unë nuk arrij ta kuptoj pse fjala lugat “është më shumë e përhapur në ato zona që kanë qenë në kontakt më të shpeshtë apo më të drejtpërdrejtë me serbët”, siç thonë autorët; sepse po të ishte ashtu, fjala duhej të ndeshej në serbishte, jo në shqipe, meqë legat-lugati duhej t’u kish kallur tmerrin më shumë serbëve skizmatikë, sesa arbërorëve katolikë…).
Aq më pa kuptim më tingëllon pohimi tjetër se “Fjala lëngatë (lengatë nga legat) është më e përhapur në zonën jugore të Shqipërisë, ndoshta sepse lufta fetare atje nuk ishte kaq e mprehtë sa ç’ishte me serbët që kishin interesa të forta ek[s]pansioniste,” sepse duhet vërtet guxim që ta lidhësh edhe lëngatën me serbët.
Gjithsesi, semantizmi i supozuar i fjalës lugat si “armik i herezive” nuk më duket se i qëndron kritikës së arsyetuar; ndërsa ai i lëngatës si sëmundje e kuruar prej legatit duket sikur vjen drejtpërdrejt nga pena e famëmadhit Izidor të Seviljes.
Vazhdojnë Lala-Ahmeti:
Nëse fjala lugat është më shumë e përhapur në ato zona që kanë qenë në kontakt më të shpeshtë apo më të drejtpërdrejtë me serbët, siç ishin zonat verilindore, kjo me sa duket ka më shumë të bëjë me përpjekjet e Pjetër Tomasit për të luftuar skizmën (ndarjen, shqyerjen), siç quhej feja ortodokse e serbëve nga Selia e Shenjtë e nga katolikët. Nuk është rastësi që pikërisht në këto zona, serbët skizmatikë njihen edhe si shka, shkje nga popullsia shqiptare, që me fjalë të tjera do të thotë, njëri që ka rrëshqitur, që është shqyer e konkretisht që ishte larguar nga besimi katolik, të cilit i përkisnin shqiptarët e këtyre zonave.
Këtu, edhe pse pa bujë, na prezantohet një etimologji e re – ajo e fjalës shka, shkje si “njeri që ka rrëshqitur, që është shqyer”.
Me etimologjinë e lugat nga legatus, autorët tanë iu futën një aventure të guximshme; me etimologjinë e lëngatë përsëri nga legatus, nisën t’i shtrijnë këmbët përtej jorganit; me etimologjinë e tanishme të fjalës shka, shkje, nga folja shkaj, shkas/shqyej etj. (në kuptimin që ka rrëshqitur nga udha katolike, skizmatik), provuan se nuk e kanë përgatitjen e duhur për t’u marrë me histori fjalësh.
Çka habit edhe më tepër, është që Lala-Ahmeti nuk janë këshilluar këtu me mikun e tyre, gjuhëtarin tashmë të mirënjohur Prof. Dr. Bardhyl Demiraj, për etimologjinë e fjalës shqipe shka/shkje; meqë Demiraj kësaj etimologjie i ka kushtuar një artikull të tërë, me titullin “Shqa im Albanischen”; ku me të drejtë e nxjerr fjalën shqa nga latinishtja mesjetare sclavus, ndoshta edhe me ndërmjetësimin e greqishtes bizantine Σκλάβος. Natyrisht, kjo etimologji nuk është e Demirajt, meqë qarkullon prej kohësh në albanologji dhe është sanksionuar, ndër të tjera, prej Miklosich-it dhe Meyer-it; por Demiraj ka mbledhur disa të dhëna me interes të madh për përhapjen e fjalës dhe shndërrimet kuptimore që ka pësuar, veçanërisht ndër arbëreshët – artikulli i tij duhet lexuar i tëri.
Megjithë përpjekjet e dijetarëve, lugat mbetet nga ato fjalë të shqipes që nuk janë ndriçuar dot nga ana etimologjike; çka s’është për t’u habitur, meqë i përket një fushe semantike si miti, të prekur nga gjithfarë tabush, eufemizmash dhe metaforizimesh. Përpjekjet e Lalës dhe Ahmetit për ta shpjeguar këtë fjalë nëpërmjet latinishtes mesjetare legatus nuk tingëllojnë bindëse, për arsye kuptimore; në një kohë që e humbin edhe atë pak vlerë që mund të kishin në vetvete, kur vihen krah për krah me etimologjitë e tjera të po këtyre dy autorëve – të lëngatë përsëri nga legatus, dhe të shqa nga shqyej, shkas, etimologji të cilat nuk u kanë hije autorëve.
Shënim: jam i bindur që etimologjia e lugat nga legat nuk sillet për herë të parë nga Lala dhe Ahmeti; tërthorazi më rezulton që Lala ta ketë përsiatur këtë etimologji edhe më parë; po ashtu, e kam ndeshur te një recensë anonime të një artikullit tim botuar dikur në revistën Anash. Ndoshta dikush do të më ndihmojë me ndonjë referencë më konkrete.
Shkja/shkjau shumesi shkje/shkjete, kalimi njejes-shumes a-e, ne fakt flet vete per lidhjen me sklav-us, meqe s kalon ne sh dhe kl-kj ose sk ne shk e l-j. Nderkaq forma ‘sllav’ duket qarte te jete e vonshme ashtu si vete fjala skllav.
Duke kerkuar argumente ne mbeshtetje te tezes, rrezuan cu doli para.
Per lugat nga legat, meqe shqipja ‘leg’ te latinishtes e ka kthyer ne ‘ligj’, dmth e ne i apo tek lex-oj e ka mbajtur ‘e’, duhen shpjeguar ne radhe te pare shkaqet, pse kesaj radhe e duhet te kthehej ne u dhe te jepeshin fjale te tjera ku e->u.
Keto rregulla fonetike me duken te shpikura, meqe konkretisht nuk po shoh shembuj.
Nga ana tjeter ‘lug’ ka me shume gjasa te jete e lidhur me ‘lyg’ , nga ku lidhja me lyk-os, para se te jete me lup-us.
Ose ‘lug’,si e lidhur me latinishten luct-us, me greqishten lyg-ros,( sanskritishten rug-ti, lituanishten luz-ti), te gjitha me kuptim te perafert, shkaterroj,e eger, e dhimbshme ‘funesto’ ‘lugubre’.
Shqipja qe me ulk tregon preferienciale me greqishten e vjeter luk-os(lykos), tek kjo lug mund te shfaqe nje fjale me zanafille lyg, si tek greqishtja lyg-ros, lyg, qe mund te kete dhene lig, lig-esi, lig-esht/i dhe lug per lug-at.
-at nuk eshte latine, -at e kane te gjitha gjuhet indoeuropiane, ilirishtja te derrmon me prapashtesen -at.
Per mendimin tim, me e mundshme eshte lidhja e lugat me i liget, nepermjet nje forme zanafillore ‘lyg’.
Lidhet si fonetikisht ashtu edhe semantikisht dhe ka mjaft gjuhe indoeuropiane me te cilat mund te krahasohet.
Ky vershimi drejt mesjetes per te shpjeguar cdo gje, me duket shfaqja me ‘lugubre’ e albanologjise.
Vërejtjet qe u bëhen dy studiuesve të njohur (në mos gaboj janë po të njëjtët që folën për zbulimin në Vatikan të një libri që e shtynte edhe nja dy shekuj shkrimin e shqipes) pra objeksionet që u bëhen në këtë ndërhyrje të xha xhait janë interesante. Ka në botimin e tyre te GSH të një lloj diletantizmi ose te pakten pakujdesi te dukeshme.
Natyrisht e kuptoj se mbi të gjitha xhaxhai nuk do të dëshironte këtu që ne të lëshohemi të gjithë në ushtrime etimologjike. Shumë vite më parë një gjë e tillë më pëlqente pa masë, por më pas mu neverit në atë farë feje, që as desha të dëgjoj më për të.
Dhe gjithçka për shkak të asaj që një gjë e tillë u bë si sport popullor i nacionalizmit banal të të shumë vetëve. Diku kam folur për burra jo aq budallenj që u ishte mbushur mendja f.v.j. se emri i Budapest është me origjinë shqipe dhe përbëhet nga Buda= ujë dhe Pest= i pisët. Pra sipas shkencëtarëve popullore Budapest nuk është gjë tjetër veçse Ujë i pisët. Të mbetej puna vetëm vetëm me kaq do të ishte gjysma e së keqes, por miku në fjalë shtonte se deri sa emri i qytetit hungarez shpjegohet me gjuhën shqipe, kjo flet qartë se fiset ilire kanë qenë dikur pronarë të atyre trojeve. Dhe provo e kundërshto po deshe. Kaloje për njeri i dyshimtë politikisht e patriotikisht.
Shkurt kam një mijë arsye për të mos u livruar në ushtrime etimologjike, por nuk e fsheh tundimin që të shprehem se që prej shumë e shumë vitesh kam patuar një bindje (të themi me origjinë intuitive) se fala lugat vjen nga loup-garou (ndryshe nga sa shkruhet, ai lexohet njësh, i pandarë, lugaru), që nuk është gjë tjetër veçse sivëllai i italianit loupo mannaro. Përgjithësisht besohet se është fjala për një njeri që ne mesnatë transformohet në ujk.
Edhe në kërkimin më të vogël që mund të bësh mëson se më shumë se me origjinë latine, emri ka më shumë të ngjarë të jetë me origjinë greke lycanthrope (nga greqishtja λυκάνθρωπος: λύκος, lukos, “ujk”, dhe άνθρωπος, anthrōpos, njeri). Pra legjenda e tij pothuaj evropiane përputhet plotësisht me përshkrimin që i bëjnë atij besimet e vjetra shqiptare.
Del pyetja përse kjo fjalë ka ardhur te shqiptarët nga frëngjishtja dhe jo nga italishtja apo latinishtja (për nga greqishtja as që bëhet fjalë, se duket që kontaktet nuk kanë qenë aq të mëdha sa lë të kuptojë gjendja e sotme gjeografike). Duket thënë se prania e fjalëve të ndryshme frënge (edhe pse nganjëherë me origjinë latine) në gjuhën shqipe është shumë më e madhe se sa duket. Prof Çabej ka folur me kohë për izoglosa të ndryshme.
Në 80 vjet të sundimit anzhuin, pati një lloj simbioze frëngo shqiptare, nuk pati pothuaj fare luftë, gjithçka kaloi urtë e butë (me përjashtim të revoltës së Durrësit, e nxitur nga Bizanti), por një nga angazhimet e “Mbretërisë së Arbërit” ishte që shqiptarët të shoqëronin trupat e anzhuinë në fushatat ushtarake.
Pra duket se ka patur edhe një sërë ngulimesh (garnizonesh) ushtarake, nga pak në të gjithë vendin.
Terma të tillë si emri i fshatit Domje (afër Tiranës) mendohet të jetë i kësaj periudhe dhe nuk është pa lidhje me fjalën domain (zotërim) të frëngjishtes. Kësaj do të shtoja edhe fjalën goce (në frëngjisht gosse dhe që tregon fëmijë të të dy gjinive), fasule (cassoulet, një gjellë me groshë dhe mish) dhe rreth nja 30 fjalë të tjera krejt të njëllojta, por që tani nuk e di ku e kam bllokun e shënimeve, ku i kisha shënuar në rrjedhë të viteve.
Gjithsesi jam i mendimit se figura mitologjike e lugarus-ë (lugatit) do të ketë zëvendësuar e mbivënë një figurë ende më të vjetër që jetonte ndër vendasit, paraardhesit tane te supozuar.
Po sjell këtu më poshtë mendimin e Çabejt:
Së pari flet për lugatin në një tekst te hershëm, “Doke e zakone të Shqiptarëve”, botuar më 1935-36 në “Illyria”, ku ka një krye të shkurtër me titull “Demonologi primitive dhe bestytni”, të cilin e keni këtu më poshtë:
DEMONOLOGI PRIMITIVE DHE BESTYTNI
Me vdekjen jeta e njeriut nuk ka mbarue. Në Shqipni âsht i përhapun shum besimi në pávdeksín e shpirtit. N’Elbasan, bje fjala, besohet se shpirti i njeriut kthen në shtëpí në formë fluture; në Gjinokastrë në rasën e festës së Bajramit nuk guxojnë me u rá lodërtîjave të zakonshme afër vorrezave, pse të vdekunit mund t’i ndigjojnë dhe t’u vinte keq se nuk mund të marrin pjesë. Në rasë se në kët qytet vdes ndonji búrr dhe grueja e tij martohet mâ vonë, atëherë në natën e martesës derdhet új mbi vorrin e tij për me i shue zjarmin e zilís. N’Elbasan të vdekunit i mvishën këpucët, në mënyrë qi të mundet me e bâ rrugën e gjatë të jetës s’andejshme.
Kryetari i nji familjes së madhe jeton edhe mbas vdekjes si shpírt-mbrojtës i shtëpís. Ky besim e gjênë shpjegimin e vet symbolik n’at zakon, qi eksiston në Shqipni ashtû edhe në Greqín e vjetër edhe të rén, qi me i a ngjitë êmnin e gjyshit nipit mâ të parë, i cili edhe nderohet në tallje si i tillë.
Âsht nji besim i përgjithshëm i popujve të Balkanit, qi të vdekunit jetojnë mbas vdekjes si hije: prej kndej fjalët hije (shqip), qi ká kuptimin edhe të shpirtit, iskjotikos ose iskjos (greqisht) qi d.m.th. shpírt mbrojtës ase genius, sënishte ase sënka (bulgarisht), sjen (sërbohr.), aumbros (aromunisht) qi kanë të gjitha nji kuptim.
Në besimin e vampirave Shqiptarët dhe Grekët e rij janë t’influencuem prej slavëvet. Fjalët shqipe vurkollák, vurvollák, greke brikolakas, burbulakas, aromanisht vorkolak, virkulak, vurkolak, rumanisht vârcolac, rrjedhin të gjitha prej slavishtes vlëkodlak. Gjithashtu edhe êmni i vampirit qi përdoret në verín e Shqipnís e qi âsht lugati, rrjedh nga slavishtja. Vampiri pr’anë Shqiptarve dhe Grekvet âsht aji i vdekun i cili nuk kalbet. 40 ditë mbas vdekjes ngrihet nga vorri dhe del e siellet andej-kndej.
Lugati – pr’anë Sërbvet dhe Bulgarvet – shkon te e veja e vet dhe e bân me shtat-zânë. N’Elbasan quhet Luvgat: lugetnit janë kufoma turke d.m.th. muhamedane, me thoj shum të gjatë, të cilët, të mbuluem me çarçafin e vdekjes, dalin e shetisin dhe përpijnë çdogjâ qi gjêjnë; ashtu edhe mbysin njerz. Në verín e Shqipnís i a mveshin lugatit zânjen e hânës: lugetent e hanë hânën dhe prandej malcorët shtijnë pushkë në tê kúr ajo zêhet. Po ky besim gjindet edhe pr’anë Slavëvet të Balkanit, pr’ anë Rusvet dhe Germanvet të veriut, ku hâna sulmohet prej dy luajvet. Për me e shdukë lugatin, âsht zakon në Shqipní me e nxjerrë kufomën prej vorrit dhe me e djegë. Âsht për t’u shênue, se besimi në lugetën pr’anë Shqiptarvet të jugut âsht i njinjishëm me atê të Grekvet; gjithashtu edhe mënyra për t’a bâm me u shdukë âsht po ajo në të dy vendet. Përkundrazi Shqiptarët dhe Slavët kanë nji besim të përbashkët për sá i përket paraqitjes së lugatit, të cilin e bashkojnë me shpirtent e ajrit.
Në Shqipní dhe në kolonitë shqiptare të Kalabrís sillet trupi i Karakangjollit (Verwolf). Në Greqí quhet kalikancaros dhe bredh andej kndej në kohën e dymbëdhjetë netvet të shêjtnueme të Kshndellevet deri ke festa e Theophanís.
Rradha e formavet të bestytnivet shqiptare âsht e ndryshme ashtu edhe êmnat e tyne janë euphemistikë. Shka âsht éjlli i rojës për të krishtênin dhe për muhamedanin, ashtu âsht ora për malcorin e çdo besimi. Ora e përsjell dhe e mbron malcorin në çdo kohë të jetës së tij. Emnin e zânës së Shqiptarvet të veriut, qi âsht mbrojtësja e fatosavet në luftë, e gjêjmë edhe pr’anë Aromunvet me êmnin dzinele. Janë për t’u përmendun edhe shtojzovallet ashtu edhe gogoli, tmera e fëmijvet. Forma e të bukurave të nëndheut (e bukura e dheut) gjindet edhe në Greqí me êmnin hé pentamorfé, pr’anë Aromunvet me êmnin musata loklui, ashtu edhe pr’anë Tyrqve, Kyrdvet, Sirjanvet dhe n’Italí. Profesori i Universitetit të Vjenës Paul Kretschmer, tue bâm krahasimet gjuhsore, i bjen si t’ardhuna nga Arabija. Nji tjetër bestytní shqiptare âsht edhe besimi në Xhind: këta jetojnë nepër male, por naten zbresin nepër banesa të njerzvet, ku marrin vajza dhe djelm të bukur dhe kërcejnë me ’ta. Në rasë se trazohen në festimet e tyne, trazuesit i bjen pika.
Besimin në shtriga ashtu edhe êmnin e këtyne i kanë Shqiptarët të përbashkët me Arumunët dhe Grekët e rij: shqip shtrigë, arumunisht striglà dhe greqisht strigla. Në verín e Shqipnís shtrigat janë hije fêmnore, të cilat i mbysin njerzit tue u thithë gjakun ase tue u a hângër mushkënít. Shtriga, me êmnin Lubia, në Gjinokastër mëmë lubia han me ândje mishin e fmijvet të vegjël. Shpirti i keq i ujit i besimit populluer shqiptár âsht kulshedra. Kjo e trândë tokën, bân qi të shtrrasin burimet, shngulë me rrâjë pemët dhe u kërcnohet njerzvet. Vetëm drangojt, me fuqín e vet mbí-njerzore, munden me luftue kundër kulshedravet dhe me i mbytë. Stihí, stihjó për¬fy¬tyrohet si nji drangue qi vjell zjarm prej goje, me flatra e me fytyrzime njerzore. Pr’anë Shqiptarvet të Sicilís me fjalën stihí, sikurse mujta me konstatue unë vetë, kuptojnë drangonin, kurse pr’anë gegvet me fjalën stuhi kuptohet era me rrëmbim. Emni stuhí si mbas Jokl-it ká ardhë prej greqishtes stoiheia, i marrun prej Shqiptarvet të veriut, dhe prej këtyne u âsht dhânë sërbo-kroatvet (zduhovi, zduhaçi).
Mâ në fund edhe gjarpni lot nji rol të rândsishëm në besimin e popullit. Ky kundrohet në verín e Shqipnís si mprojtës i visarevet. Në Tiranë lëkura e gjarpnit vlen si mjet kundra punherës (ajo e tokës, épi¬lepsie). Për veç kësaj, çdo shtëpí shqiptare ká nji shpírt mprojtës të vetin nën trajtën e nji gjarpni të tra¬shë me lëkurë të shum-ngjyrëshme të quejtun vitore. Ky gjarpën i votrës shtëpijake largohet për gjith¬monë nga shtëpija kúr vdes mbrenda i zoti i shtëpís. Nderimi i gjarpnit shifet shpesh edhe pr’anë po¬pujvet të tjerë. Gjarpij shtëpijakë dhe pala gjarp¬nore ndodhen edhe në bestytnít germane, ashtú edhe pr’anë çifutënvet të Mesjetës. Në qytetin e vjetër Pompei (Italí) gjarpni kundrohej si genius patris familias (mprojtës i të zotit të shtëpís). Edhe në Valahín e vogël eksiston sherpi de casa. Bulgarët e quejnë gjarpnin shtëpijak zmij dhe Serbët e thrasin zmija.
Besimi në synin e keq âsht i përhapun në krejt Shqipnín ashtu edhe në jug-lindjen e Europës. Sidomos njerzit me sŷ të kaltërt kanë fuqín e synit të keq në nji masë të madhe në Shqipní e në Palestinë. Mbas besimit shqiptár dhe grek syni i keq bjen mbí njerzit, kualët e bukur dhe pelat. Prandej âsht zakoni qi në këto dy vênde të pshtyhen fëmijt e bukur për mos me i pá syni i keq; Shqiptari përveç kësaj pshtynë edhe thojt e gishtave. Gjithashtu âsht zakoni qi t’u mvaren fëmijve të vogjël në qafë kocka breshkash dhe në djep eshtna iriqi, kurse pr’anë Grekovllahvet rreth e për qark Monastirit u mvaren kâmbë urithi. Si mprojtje kundra synit të keq vlejnë edhe nuska trikândëshe, sikurse bâhet n’Orjent. Por mjeti mâ i miri kundra tij âsht hudra. Hudrën e kanë përdorë për kët qëllim të gjith popujt e Orjentit, Grekët dhe Romakët, si edhe Shqiptarët, Sërbët, Grekët, në Palestinë, n’Arabí dhe përgjithsisht krejt Orjenti. Kúr ndonjêni ká marrë më sŷsh, në Gjinokastër shërohet me ndihmën e nji rrashte (kafke) qêni dhe me fjalë magjistare.
Ja dhe në “Studime etimologjike”:
lugát m., në Shqipëri të Mesme luvgat “figurë e besimit popullor, edhe simbol i një grykësie të madhe”. Ka mbetur pa shpjegim te G. Meyeri 250, i cili ndërkaq e grupon me të drejtë te luvgji “stihi” e te lubi (sh. këtë fjalë). Khs. edhe Lambertzin, Alb. Märchen 21. Burimin e gjithë këtij grupi (bashkë me labiç) nga sll. ljubiti “me dashtë”, duke u quajtur këto figura të tmershme të besimit popullor “të dashurat”, për eufemizëm, e vërtetoi me shtjellime bindëse Jokli LKU 72vv. Veçanërisht luvgat lugat sipas tij rrjedh prej sll. ljub˙k˙ (skr. ljubak) “i dashur, i këndshëm, hirplot”. Te sufiksi -at ai gjen shenjën e shumësit, pra te lugat luvgat një shumës të singularizuar. Khs. për këtë dhe shënimet tona në LP VII 157. Ndërkaq te u-ja e lubi-së dhe e lugat luvgat-it nuk është e domosdoshme të shikojmë, bashkë me këtë dijetar, përfundimin e një procesi fonetik u : ë e me rrugë regresive përsëri ë : u. Më fort kemi të bëjmë me ruajtjen e u-së sllave, duke parë te këto fjalë huazime jo fort të moçme.
Gustav Meyer-i e la fjalën lugat pa shpjegim etimologjik; kaq mjafton, besoj unë, për të provuar se nuk është arrë e lehtë për t’u thyer.
Shpjegimin e Jokl-it, të cilin e bën të vetin edhe Çabej, unë nuk e përtyp dot drejtpërdrejt; më duhet të shoh si e ka arsyetuar Jokli pikërisht. Në komentin e Çabejt, nuk shoh si mund të kalohet nga ljubak në lugat; fonetika meriton vëmendje. Çabej i kthehet shumësit të singularizuar, që për lugat nuk më duket se qëndron, meqë kjo fjalë zakonisht përdoret në njëjës, për vetë semantikën e vet. Gjithsesi, kur etimologjitë janë të paqarta, njeriut i lejohet të zgjedhë, dhe unë anoj për lupus peccatus, të Polák-ut. Etimologjia që sugjeron tani Lyss, nga frëngjishtja e anjouins-ëve, më ngacmon; por përsëri duhet shpjeguar ajo t-ja fundore; deri edhe prejardhja nga λυκάνθρωπος më tingëllon më bindëse, meqë aty gjej edhe theksin në vendin e duhur, edhe një kandidat të mirë për t-në fundore. Sa për sonanten n, kjo edhe mund të ketë rënë dhe hundorësia që ka lënë pas të jetë zhdukur me kohë. Gjithsesi, janë diskutime që kanë më shumë vlerë në vetvete, sesa për të arritur ndonjë rezultat përfundimtar.
Tani afer kam pare nje film (“Goblin”) dhe mesova edhe nje fjale te re ne anglisht te panjohur me pare prej meje: goblin = gogol (shpirt i keq) qe me beri pershtypje per ngjashmerine (qofte edhe siperfaqesore – 2xh dhe te tjere profesioniste te gjuhes mund te habiten dhe te pyesin veten: “Ku dreqin e sheh ky ngjashmerine?!) me fjalen e njohur shqipe, e cila gjithaq i perket miteve, legjendave…
Ne te vertete ne etimologet e fundjaves (flas per veten) rendom bejme gabimin e perqasjes se fjaleve te vjetra a kerkojme te gjejme origjinen e fjaleve te vjetra duke i perqasur me fjale te diteve te sotme. Kjo ben qe mos marrim parasysh evolucione gjuhesore periudhash me se mije vjeçare.
Kete bera edhe une ne nderhyrjen e mepareshme kur fjalen lugat (qe ne disa qindravjeçare ka evoluar me ligjet e brendeshme te shqipes, e vura krahas fjales loupgarou (shqipto:lugaru) te frengjishtes, per te pare mundesine e ndonje lidhjeje me lugat-in e shqipes se sotme.
Ne te vertete loup-garou nuk ka qene gjithmone keshtu. Ne kohen e kontakteve te shqipes me frengjishten (800 vjet me pare) fjalen garou frengjishtja nuk e kishte ne kete trajte. Ajo sapo ia kishte huazuar provencialishtes, ne te cilen kjo fjale kishte trajten garoupa. Nga njohjet me provenciale (nje krahine e mrrekullueshme diku nga jugu i vendit) kam pershtypjen se mbi p-ne ka nje meshim te forte, shqiptohet dukshem.
Perfundimisht le te kthehemi ne kohe dhe me shume se te provojme se si mund te jete kaluar “u”-ja (e fundit) e loup- garou-së në “t”, eshte me vend qe te shohim sa shanse ka qe jo “u”-ja e fundit por “p”-ja (e fundit) e loup-garoupa-s te kaloje ne “t”, sepse siç thashe 800 vjet me pare nuk kemi pasur lugaru, por lugarup (shkruajta si shqiptohen) se edhe komunikimi ne ate kohe behej me goje e jo me shkrim (me falni per kete saktesim).
Paraprakisht mund te thuhet se me shume gjasa ka qe nje “p” te kaloje ne “t” (t-ja e fundit e lugat) se sa nje “u” në “t”.
Vampiri qe po flitej diku me lart si e lidhur me lugatin, eshte figure e sllaveve ‘ballkanike’, dmth e supozueshme si jo-sllave, sepse po te ish sllave do e kishin te gjithe sllavet.
Figurat qe ngrihen pas vdekjes, kane substrat pagan, sepse krishterimi nuk u pranon ekzistencen.
Vampiri dhe likantropi, jane 2 variante te lugatit, i cili eshte variant i ‘Hijes’, qe eshte mbareboterore, njeriu qe ka dicka pezull ne kete bote dhe nuk shkon dot ne boten e pertejme. Ndersa likantropi eshte i mocem, dmth pastertisht pagan me zanafille, Vampiri eshte figure mesjetare, thone ‘jugosllave’.
Keshtu duhet perjashtuar a priori lidhja zanafillore e lugatit me vampirin.
Lykaoni ishte i biri i Pellazgut sipas mitologjike greke apo pellazge dhe i pari qe u kthye ne lykantrop.
Problemi eshte se lykantropi, nuk ngrihet nga varri si lugati.
Ngritja nga varri eshte esenciale per lugatin, sepse lugati eshte esencialisht Hije, qe do te thote se cdo kuptim tjeter eshte i mbivendosur.
Tani per nje figure esenciale ne paganizem te lecitesh mesjeten do te thote te ngelesh me nje grusht me miza.
Keto shtrengimet e fjaleve jane sporti me i rrezikshem, meqe duke shtrenguar e bere kalime fonetike, une jam gati ta nxjerr kinezcen te ardhur nga kongolezcja.
Per ulk/ujk forma me e vjeter e pranuar eshte wl̥kʷós, me shqiptimin ne shqip ‘uulkos’. Kjo ‘u’ e theksuar, qe ne e kemi humbur, e qe paraqitet si ‘w’.
Mirepo kjo fjale ulk – luk, nuk mund te kete sherbyer si ‘ene’ per domethenien e lugatit, per faktin e thjeshte se lugati si figure ndodhet ne cdo folklor si ‘Hije’ prej koheve kur lindi paganizmi dhe ka te beje me ringjalljen.
Afersia fonetike mund te jete genjeshtare.
Por edhe mos te jete genjeshtare, ‘lug’, si le fare vend latinishtes, eshte qartesisht e lidhur me lyk.
Sa per ato moslidhjet me greqishten e vjeter, do doja te thoja se fjala lidhje nuk do te thote ‘ne huazojme nga te tjeret’, fjala lidhje ka shume kuptime, psh shqipja ka lidhje te ngushta me lituanishten ne disa aspekte.
Qe ulk-(us/os) eshte me afer greqishtes luk-os ( ne ate antiken shqiptohej me ‘u’) kjo duket qarte.
Me fjalen lidhje nuk nenkuptohet ne huazojme, por kemi lidhje indoeuropiane, kemi huazuar dhe kemi dhene.
Nje shembull lidhje me greqishten eshte fjala ‘pos’=pos-ht.
Ne greqishten e vjeter ishte per kemben ‘pous’ ne latinisht ‘pes’. Rrenja indoeuropiane ‘pods’
Nje tjeter pij, nga Proto-IE: *pōy- ( te pakten sipas Pokornit) qe lidhet me Old Greek: pī́nō’ shume me teper sesa me Latin: pōtāre.
Gjuhesia e krahasuar ne shqip, duket se vlen vetem per te nxjerre huazimet.
Kujdes – nuk duhet ngatërruar figura mitike me emrin e saj. Figura mund të jetë e vjetër, emri i ri; dhe anasjelltas. Veçanërisht personazhe si lugati, të cilët u ekspozohen natyrshëm tabuve linguistike, nuk duhet pritur që ta kenë të lashtë emrin.
Nuk e mohoj mbivendosjen e mundshme te fjales, kalimin e domethenies ne nje ‘ene’ tjeter, por ne rastin tone nje figure si lugati, nuk eshte e krahasueshme me nje figure si ‘katallani’ apo ‘Bajlozi’, te cilet perfaqesojne te huaj qe masakrojne e kerkojne harace (ku .
Krahasimi nuk i qendron nje ‘raporti’ por eshte pergjithesues.
Vlera e krahasimit qendron tek krahasimi i nje raporti, pastaj disa raporteve e perfundimisht shkon tek e gjitha.
Ndersa keshtu e nisim krahasimin nga e gjitha, por s’arrijme dot tek e vecanta, dmth kjo rruge eshte e gabuar.
Po ashtu metoda e gjuhesise se krahasuar, duhet te nise nga supozimi i nje fjale qe lidhet me fjalen ‘meme’ indoeuropiane nepermjet gjuheve ‘motra’.
Nese nuk arrihet, shikohet mos ka ndonje huazim dhe futen ne loje ligjet e huazimit.
Nderkaq tek ne ndiqet rruga e kundert, kush nuk duket e ngjashme me latinishten, greqishten dhe sllavishten, shikohet ne nivelin indoeuropian, por edhe kjo pasi jane bere te gjitha perpjekjet fonetike perfshire ato ‘ad hoc’, qe te ngjaje me ndonje fjale nga keto gjuhe.
Nga ana tjeter fjale si ulk, barr, pij, bule, pjek, etj, kane kaluar nja 4-5 mije vjet me ndryshime te paperfillshme. Psh ne keto raste bashketingelloret dhe vendosja e tyre ne fjale eshte e pandryshuar, kane ndryshuar vetem zanoret qe dihet se jane ‘te lehta’, aq sa ne shume gjuhe antike te shkruara si egjiptiancja, hebraishtja, aramaishtja etj nuk i vendosnin fare (ne te shkruar).
Se nga vjen kjo bindje se asgje nuk mund te gjendet ne forme mjaft te perafert me ate zanafillore, nuk e marr vesh, sidomos ne prani te shembujve te mesiperm qe mund te zgjerohen lehte.
Në studimet e historisë dhe të parahistorisë së shqipes metodën e dikton lënda; nuk është faji i studiuesve, që shqipja u shkrua për herë të parë në shekullin XVI, të paktën në nivel të mjaftueshëm për njohje.
Dhe meqenëse dija përparon nga e njohura drejt së panjohurës, vetëkuptohet që fazat e vjetra të shqipes do të rindërtohen në bazë të marrëdhënieve të saj me gjuhët fqinje – veçanërisht latinishten. Nuk ka rrugë tjetër.
Sa për zanoret, Hyllin, ki parasysh se disa nga ato gjuhët që ti përmend i përkasin grupit semitik, ku zanoret luajnë rol të ndryshëm nga ai që luajnë në indo-europianishte. Për këtë arsye, gjuhët semitike sot e kësaj dite (arabishtja, hebraishtja) i trajtojnë zanoret, në alfabetet e tyre, nga ç’i trajtojmë ne në alfabetet tona.
Shembulli i gjuheve semite dhe kamitishtja ne mos gaboj egjiptiane, i perkiste ‘lehtesise’ se zanoreve, edhe ne indoeuropianishtet zanoret jane ‘te lehta’ ne krahasim me bashketingelloret, ashtu si mishi qe vendoset mbi kocke.
Ndersa persa i perket metodes, gjithcka mund te thuhet pervecse ‘e sakte’. Kjo ‘e sakte’ mund te quhet nese kemi te bejme me nje gjuhe indoeuropiane dhe nje altaike apo semite, por ne rastin e 2 gjuheve te se njejtes familje le shume per te deshiruar.
Induktim pa nje deduktim ne zanafille nuk ka. Edhe kjo metode induktuese qe duket sikur nuk e ka nje deduktim, ne fakt e paraqet fshehurazi.
Deduktimi ne krye te metodes, duhet te ishte:
Shqipja vjen nga indoeuropianishtja, nepermjet grupit iliro-trak.
Deduktimi qe paraqitet fshehurazi, por qe udheheq me se shumti studimin, eshte:
Shqipja nuk dihet nga vjen, i drejtohemi indoeuropianishtes kur as perpjekjet ad hoc nuk na i nxjerrin fjalet e shqipes nga ndonje gjuhe fqinjesh.
Indoeuropianishtja perdoret si deus ex machina, asnjehere si themeli i shqipes.
Nuk eshte se nuk e njohim sot (proto)indoeuropianishten , eshte deduktimi ne krye te induktimit, qe na detyron ta injorojme.
Qe kjo metode 150 vjecare ka deshtuar e tregon fakti qe nuk ka arritur te shpjegoje dukuri thelbesore ne pikepamjen kohore, dmth pse shqipja eshte paradoksalisht satem i paperfunduar, pse shqipja kur humbeshin rasat, krijoi lakim te dyfishte, pse shqipja nuk ka nje histori fonetike, rrjedhimisht fjalor etimologjik te hajrit ?
Brenda fus edhe Hahn, Kretcmer e me radhe ata te ‘keqinjte’ apo ‘te miret’ sipas kendveshtrimeve.
Pershendetje dhe pergezime te gjithe kontribuesve ketu per shkrimet dhe argumentat qe kane sjelle, te cilat besoj se qendrojne shume me lart sesa vete shkrimi i dr. Ahmetit dhe dr. Lales tek G. Shqiptare.
Deshiroj te shtoj diçka mbi etimologjine e fjales “perendi”.
Ekziston nje zot kryesor tek disa popuj indo-europiane qe ka nje emer shume te afert me “perendine” tone. Quhet :
Perkwans per popujt balltike
Perun per Sllavet
Parjanya per indianet dhe iranianet e lashte
Pirva per hititet
dhe Perkon per Traket
Nga ana tjeter nuk eshte nje rastesi pse kete zot e kemi ne shqiptaret traket sllavet dhe baltet. Kush ka lexuar nje minimum mbi etimologjine e fjaleve Ilire dhe Trake e di se ato nuk jane te aferta vetem me Shqipen por edhe me gjuhet sllave e sidomos me ato Balte. Ekziston nje teori qe aludon per per nje te shkuar te perbashket te ketyre popujve dhe qe i fut keto gjuhe ne te njejten familje “macro Balte” apo “macro slavo – balte”.
ketu keni nje skice te kesaj familje :
http://homepage.mac.com/bsagot/indo-europeen/langues.html
Ja edhe diçka mbi zotin perkunas/perendi/perun nga wikipedia :
http://homepage.mac.com/bsagot/indo-europeen/langues.html
Pyetje: Pashë sot tej “SHQIP” një reportazh të Monika Shoshori-Stafës për një vizitë të sajën në Bonn.
Shkruan Shoshori-Stafa:
“Dhe mua në këtë çast më vjen ndërmend urimi i shqiptarëve të veriut: “rrnofsh”, që vjen nga një formë më e vjetër “ternofsh” (nga lat. “terra”), dhe që fjalë për fjalë do të thotë të jesh sa më gjatë mbi dhé, mbi këtë tokë.
Por sa janë mundësitë e njeriut për të jetuar, për “me ternue”, për të qenë mbi dhé?” [fundi i citimit].
Vallë a do të binte dakord Mayer-i, Çabej apo Vehbiu me këtë shpjegim?
Shoshori-Stafa nuk është etimologe dhe shpjegimet që mund të ofrojë për fjalë të tilla problematike kanë, praktikisht, po aq vlerë sa edhe citimet e burimeve (në rastin konkret – zero). Maks, kot je emocionuar. Sot pashë pak literaturë (Demiraj), dhe më duket se nuk ka arsye që rrnoj të ndahet nga rroj, nga pikëpamja etimologjike. Shpjegimi është i ndërlikuar dhe nuk mund të sillet këtu (ka lidhje me reflekset e të ashtuquajtura laringale), por ka mundësi që rroj (rrnoj) të lidhet edhe me rri dhe rris. Gjithsesi, një diskutim të cilit amatorët duhet t’i rrinë larg.
Zbulohet një tjetër xhevahir etimologjik i Monika Shoshori-Stafës.
Shkruan Monika Shoshori-Stafa sot në gazetën Shqip:
” Dhe jashtë çdo dyshimi që në Shqipëri ka korrupsion, që do të thotë ka vjedhje kolektive. Sepse fjalë për fjalë “corruption” do të thotë “të vjedhësh bashkërisht” (lat.: “co”, bashkë dhe “raptein” – vjedhje, grabitje, rrëmbim).”
….
“Hajde balet klasik, hajde” do të thoshte me të drejtë Lekë Dukagjini…
Ja edhe shpjegimi etimologjik i fjalës ME TERNUE;
ME TERNUE, folje e cila haset në shkodranishte qysh para pushtimit osman të vitit 1478 (shih kronikat e Ashik Pasha Zades), del edhe në të folmen e Kosovës në trajtën ME TARNUA, ku metonimia e-a pajtohet plotësisht me gjedhin e gegërishtes veriore.
Rrjedh, sikurse e thotë me të drejtë Shoshori-Stafa, nga latinishtja “TERRA”. Mendimi i Lambertz-it se rrënja e fjalës duhet kërkuar tek kolonitë latine të ngulura në viset e Danjës dhe Rrjollit në fund të periudhës së PAX ROMANA (fundi i Shekullit 3 E.J) mbështetet edhe nga Jokl, Meier dhe Leibnitz. Meier-i nuk e trajton si syth të veçantë tek Fjalori i tij Etimologjik. As Çabeu, megjithëse ky i fundit e prek etimologjinë e “ME TERNUE” tek monografia e tij për rotacizmin dhe dialektologjinë e Toskërisë.
Sipas Çabejt, trajta “ME TERNUE” është ndër hallkat e vetme të mbetura sot në shqipen, që lidh paskajoren e humbur të gegërishtes (ME TERNUE) me trajtën më moderne të lidhores toske të barazvlefshme me të parën, pasi kjo fjalë [TERNUE] përmban në vetvete pikërisht lidhoren toske që dikur duhet të ketë qenë në trajtën “Të rrnuesh”.
Sipas Çabejt, pasi u mboll në truallin e proto-shqipes nga kolonët romakë në rrethet e Shkodrës, fjala “TERRA” u mor në trajtën “ME TERNUE” dhe mandej, me shpërnguljet e popullsisë nga veriu në jugë, u shfaq në Toskërisht si “Të Rrnuesh”, dhe mandej u kthye sërisht në Gegëri për t’u paraqitur me trajtën më të fundit “ME RRNUE”.
Pra, sipas Çabejt, cikli i fjalës nga lashtësia deri më sot është i tillë:
TERRA – ME TERRNUE – Të Rrnosh – Me RRNUE – Të Rrosh.
Së fundi, me rëndësi paraqitet edhe dëshmia e udhëtarit anglez Pasqual von Hart, i cili gjeti në vitin 1789 në Kakavije një mbishkrim në latinisht me këtë përmbajtje: “HIC TERNUAM PYRRHIS ALEXANDRII”.
Me të drejtë, von Hart nuk e interpretoi këtë gjetje si varrin e Pirros së Epirit, sikurse pretenduan disa kombëtaristë heleno-shqiptarë, por u mjaftua të vërejë me mprehtësi se fjala “ME TERNUE” mund të ketë patur edhe kuptimin e “kalljes në dhe'”, që lidhej edhe me botëkuptimin judeo-kristian të”rrnojtjes” apo jetës së amshueme.
Hajde balet klasik hajde.
Une them qe rrnofsh vjen nga gjermanishtja ‘rune’, kemi kalimin e u pas n dhe u be ‘rnue’ e me tej qiellorezimi solli ‘rrnue’. Kuptimi, jetofsh sa ‘runet’.
Nje tjeter linguist komparativist e jep me latinishten ‘remane’ dhe e krahason me rumanishten ramane (rëmëne).
http://www.jstor.org/pss/409456
Fusim edhe pellazgjistet me ‘roi’ ne shkrimin e Lemnosit dhe them ta hedhim ne vote, kush fiton hallall …
I nderumi Lekë,
Ajo ideja e atij mikut per te kerkuar origjinen e foljes me rrnue te latinishtja remane, nuk eshte per t’u hedhur fare ne kosh. Te Ciceroni, po jo vetem te ai ajo folje del edhe me kuptimin “qendroj” ne jete etj, “zgjat” (ekzistenca e diçkaje), por edhe jetoj, mbijetoj.
Remane nuk duhet ngaterruar me remansio, qendroj, rri, buj.
Falenderoj diskutuesit për mendimet e tyre të vyera, por ju lutem, të qëndrojmë në temë. Po flasim për prejardhjen e foljes ME TERNUE, që sipas Shoshori-Stafës vjen nga latinishtja TERRA…
Maks, pyetja juaj mbase duhet riformuluar, se mesa po shoh me lart ( te nderhyrja interesante e Etimologut) Shoshori Stafa (cili eshte?) vetem se ka riprodhuar ate qe ka thene Çabej me pare.
Ne keto kushte pyetja juaj terthorazi kerkon nga ne nje gjykim per menyren si e ka shtruar vete Çabej kete problem.
Nuk te duket se po na vlerson shume?
ZGJIDHET MISTERI I PREJARDHJES SE FJALES “ME TERNUE”
Përfundimisht bëjmë me dije se misteri i prejardhjes së fjalës “ME TERNUE, të përcjellë prej studiueses dhe publicistes së njohur Monika Shoshori-Stafa si të buruar nga latinishtja “terra” mund të konsiderohet i zgjidhur.
Fjala “ME TERNUE” në fakt vjen nga anglishtja TERN, çka është një lloj fluturaku ujnor ose pulëbardhë e familjes LARIDAE dhe i nën-familjes STERNINAE, i cili shquhet si një ndër zogjtë shtegtarë që fluturon më hijshëm në dherat Euroaziatikë.
Gjurmët e fjalës TERN hasen dendur në raportet që Robert Guiscard-i dërgonte nga bregdeti i Jonit princave normanë fill para Betejës së Hastings-it, më 14 tetor 1066.
Raportet e Guiscardit, të gjetura në arkivat e Muzeumit Britanik, përmendin shpesh referencat që ai u bënte pulëbardhave të famshme, që me shtegtimet e tyre të rregullta VERI-JUG, krijonin një lidhje shpirtërore të veçantë midis normanëve të Mesdheut me ata të La Manshit.
Gjurmë të fjalës hasen edhe në Këngën e famshme të Rolandit, që iu këndua Vilhelm Ngadhnjimtarit pak para Betejës së Hastingsit.
Pasazhi i mëposhtëm, bashkë me ata ku përmenden vise arbërore, është mjaft domethënës:
Al matin, quant primes pert li albe,
Esveilles est li e[m]perere Carles
Sein Gabriel, ki de part Deu le guarde
Levet sa main, sur lui fait tern signacle.
Burimi tek: Laisse CCIII, 2845] Les Textes de la Chanson de Roland I, Manuscrit d’Oxford, Ed.: Raoul Mmortier, Paris, 1940.
Termi TERN del edhe në një letër që Peshkopi ortodok i Kaninës i dërgon Patriarkut të Konstandinopojës fill pas vrasjes tragjike të Filip Kinardit në kalanë e Kaninës nga gruaja e tij Maria Frëngu.
http://sq.wikipedia.org/wiki/Shqipëria_dhe_Mbretëria_e_Sicilisë_shek.XIII
Kuptimi i fjalës ME TERNUE, pra, përputhej me vazhdimësinë e jetës, të personifikuar nga shtegtimet periodike të pulëbardhave nga Normandia në brigjet e Arbërisë.
Kësisoj, shpjegimi i Monika Shoshori-Stafës dhe i Etimologut, nuk qëndron.
Eshtë me interes të theksohet se lidhja e hershme normano-shqiptare po del sërish në pak kohët e fundit, sidomos me përdorimin gjithnjë e më të dendur të fjalëve dhe frazave anglisht në shtypin e shkruar shqiptar.
Për shembull, vetë shkrimi i Monika Shoshori-Stafës në gazetën SHQIP titullohet TAKE THE HATE OFF ME.
Kjo pasohet me titullin e shkrimi tjetër Adi Krastës, në të njëjtën gazetë, WELCOME HOME, apo i Altin Hazizajt “FUCK ME, I AM FAMOUS” tek Panorama. Po tek Panorama, Mentor Nazarko, shkruan artikullin me temën “STOP BLERJES SE KOHES”, ku shprehja foljore “blej kohë” është përkthim i paster nga anglishtja “buy time”. E pra, shqipja përdor “fitoj kohë”.
E gjithë kjo lidhet, pa dyshim, me direktivën e qeverisë Berisha, në përputhje me traditën e lashtë dhe të shkëlqyer shqiptaro-normane, për të vendosur anglishten si gjuhë zyrtare në Republikën e Shqipërisë siç e shpjegon bukur Edmond Tupja tek shkrimi i tij tek Panorama “DO YOU FLISNI SHQIP” apo Mirela Kumbaro tek “Të dënuar me anglisht” në Universitet.
Sipas Gazetës Shqiptare, “vetëm pak ditë më parë, gjatë një ceremonie diplomimi në një universitet privat, kryeministri Berisha ka thënë se “nuk do të ishte keq sikur universitetet t’i zhvillonin të gjitha lëndët në anglisht”
çka solli edhe reagimin e Dekanit Rrokaj. [http://www.balkanweb.com/gazetav5/artikull.php?id=82182],
Së fundi, sipas një studiesi tjetër të njohur, martesa midis shqipes dhe anglishtes do të sjellë në dritë një gjuhë të re, të quajtur shqanglisht. Sigurisht, hyrja e anglishtes si gjuhë zyrtare në Shqipëri do të realizohet pas ndryshimeve të pritshme kushtetuese, që parashikohet të kryhen në shtatorin e ardhshëm nga dyshja Berisha-Rama, bashkë me ndryshimet e sistemit zgjedhor.
Lidhur me martesën e shqipes me anglishten (shqanglishten) apo diskutimin për përdorimin e anglishtes si gjuhë zyrtare në Shqipëri, ndofta ia vlen të mbahet parasysh shkrimi i Prof. Lera Boroditsky-t në gazetën The Wall Street Journal për studimet e reja krahasimore për gjuhët dhe ndikimin e tyre në formulimin dhe formësimin e mendimeve tona.
Shkruan Boroditsky:
“The structures that exist in our languages profoundly shape how we construct reality, and help make us as smart and sophisticated as we are.” [LOST IN TRANSLATION, Wall Street Journal, 24 korrik, 2010, Seksioni Life and Style].
Natyrisht që struktura gramatikore e shqipes ndryshon rrënjësisht nga ajo e anglishtes.
Sipas autorit, studimet kanë treguar se ndryshimet strukturore midis gjuhëve sjellin edhe dallime në perceptimin e natyrës si dhe në formimin dhe shprehjen e ideve.
A ndikojnë apo kanë ndikuar këto ndryshime gjuhësore në dallimet themelore në funksionimin e shtetit dhe shoqërisë shqiptare në krahasim me ato të bazuara në gjuhën anglo-saksone?
Kjo sigurisht është temë shumë e thellë dhe e ndërlikuar, por ajo çka nënkuptohet në studim është se asnjë gjuhë nuk gëzon përparësinë apo monopolin e perceptimit të mjedisit e natyrës përreth, si dhe të formulimit të reagimit njerëzor ndaj saj.
Pra, kam mendimin se shqipja i ka të gjitha mundësitë gramatikore dhe aftësinë e pasurinë fjalëformuese që të ndihmojë në funskionimin dhe përparimin e shtetit dhe shoqërisë shqiptare. Fajin nuk e ka gjuha, tha, por ata që e (keq)përdorin atë, d.m.th. politikanët dhe gazetarët shqiptarë…
Ja edhe origjinali i shkrimit të Prof. Lera Boroditsky-t.
http://www.edge.org/3rd_culture/boroditsky09/boroditsky09_index.html