(RADHË DHE PRIVILEGJ V – shënime)
Ka diçka elementare, pothuajse freudiane, tek të priturit në radhë. Kur isha fëmijë dhe kërkoja të më blenin një lodër, im atë thoshte: “do të presësh”. Ose edhe më shkoqur: “do të presësh derisa të të vijë radha.” Lodra mund të ishte atje, në dyqan, e ekspozuar në raft; paratë për ta blerë i kish im atë në portofol; e megjithatë, duhej pritur derisa të më vinte radha. Duke ma vonuar lodrën, im atë ushtronte autoritetin si prind, i cili mua më shfaqej si pengesë midis meje dhe sendit të dëshiruar. Por ky autoritet më manifestohej tërthorazi – si nevojë për të pritur, ose për t’u nënshtruar nëpërmjet sakrificës së kohës.
Nuk ka prind që t’ia përmbushë fëmijës çdo dëshirë; madje për shumë prindër refuzimi i përmbushjes së çastit dhe vonimi janë pjesë e edukimit të fëmijës. Ndonjëherë këtij i kërkohet që “të sillet mirë për një javë”, para se t’ia blejnë atë që dëshiron; ose “të marrë nota të mira”, e kështu me radhë – për të parapaguar me dëshmi të virtytit. Ashtu edhe pritja shërben si provë se fëmija e meriton shpërblimin. Me Nastradinin, do të thoshim se pritja e fëmijës, tortura e pritjes, vlen si një lloj ndëshkimi profilaktik.
E sjell shembullin e fëmijës, sepse një regjim totalitar priret t’i trajtojë shtetasit e vet si fëmijë – të kujdeset për edukimin e tyre dhe t’u kultivojë ato virtyte që, për regjimin, janë shenja të qytetarisë së mirë; si aftësia për të ndenjur në radhë.
Dhe këtu nuk është fjala vetëm për të ruajtur rendin publik ose nevojën për të shmangur kaosin në dyert e dyqaneve, meqë pritja është edhe ajo periudhë kur pritësi, gjithë duke ndenjur në radhë, duhet të mësohet me praninë dhe forcën një autoriteti të verbër dhe ta pranojë këtë si të pashmangshëm.
Radhët e dyqaneve kanë qenë vetëm maja e ajsbergut e një sistemi të organizuar rreth pritjes[1]. Sistemi i triskëtimit edhe për mallrat e nevojave elementare, në fuqi gjatë viteve të hershme të Pasluftës, u zëvendësua dora-dorës nga një sistem që kombinonte listat e shpërndarjes mbi bazë lagjeje në dyqanet e ushqimit, me autorizimet për mallra dhe shërbime të tjera të lakmueshme, të kundërpeshuar nga sektori privat i shitjes me pakicë (bulmeti, mishi, zarzavatet) dhe i shërbimeve artizanale (këpucarët, rrobaqepësit, teneqexhinjtë). Shto këtu edhe që në vitet 1960-1970 u eliminuan edhe mbijetojat e sektorit privat në tregtinë me pakicë, çfarë e reduktoi ndjeshëm lirinë e të zgjedhurit në treg. Nga mishërim i lirisë, tregu u kthye në një lloj kazani ku u shërbehej e njëjta supë të gjithëve.
Në thelb, i njëjti kriter i radhës që zbatohej te dyqani i bulmetit do të organizonte edhe shpërndarjen e mallrave të tjera më të rënda, si pajisjet elektro-shtëpiake: televizorët, frigoriferët, makinat larëse, edhe pse për të siguruar të tilla duhej një autorizim. Teknika e shpërndarjes me autorizim i ngjan asaj të numrave që të japin te radha në bankë: dikush që ka siguruar autorizimin, do të presë deri sa t’i vijë radha. Nuk ka asgjë totalitare në këtë mes – në Perëndim radhë dhe pritje të tilla ndodhin rëndom, për mallra dhe shërbime tejet tërheqëse për konsumatorin, nga modelet e fundit të smartfonëve, tek apartamentet me qira të kontrolluar.
Në mënyrën e vet, autorizim është edhe bileta e avionit, e cila na lejon të presim radhët e ndryshme në aeroport: nga ajo te sporteli për check-in, tek ajo tjetra e kontrollit të sigurisë dhe më në fund te kontrolli i pasaportës në kufi. Por vitet e fundit, të paktën në SHBA, janë miratuar sisteme që i lejojnë udhëtarët të shmangin qëndrimin e gjatë në radhë, kundrejt një pagese (TSA PreCheck dhe Clear). Çfarë e bën të veçantë këtë shërbim, është se ai në thelb të fton të paguash, për ta hequr qafe radhën.
Në Shqipërinë e para-1990-ës lehtësi të tilla as që mund të mendoheshin; dhe aq më pak mund të shpresohej që të sigurohej një privilegj duke paguar më tepër; dhe kjo, sepse paraja nuk e kish as vlerën dhe as statusin që ka në një vend kapitalist standard. Natyrisht, gjithnjë mund të paguaje nën dorë një shitës, për të siguruar një mall të rrallë dhe të lakmueshëm; por edhe në këto situata, gjasat ishin që malli të ish vjedhur dhe shitësi ta jepte me çmim normal. Tregu i zi pati një farë lulëzimi në Shqipërinë e viteve 1980, sidomos me mallra që silleshin privatisht nga jashtë (orë dore, veshmbathje, teknologji) por pa arritur të konsolidohej në jetën e përditshme të qytetarëve.
Në vitet 1980, banorët e qyteteve të mëdha në vend zakonisht kishin para për të prishur, por nuk gjenin dot mallra. Mund të ndodhte edhe që një magnetofon portativ të shitej sa 2-3 rroga punëtori. E megjithatë, paraja vështirë se do të mund të vlente për të përshpejtuar radhëpritjen për një televizor ose frigorifer ose telefon, dhe aq më pak për një zgjerim banimi. Në masë të madhe, rryshfeti në para refuzohej haptazi dhe shihej si një lloj korrupsioni i papranueshëm: dhe kjo për shkak të statusit të ulët që kishte paraja, brenda rrjeteve sociale. Një person me pozitë ose status do ta shfrytëzonte këtë për të akumuluar kapital moral duke u bërë të tjerëve “ndere” (favore), jo duke mbledhur rryshfete – dhe të vërehet këtu diferenca, mes “nderit” si diçka që e jep ti, dhe rryshfetit që ta japin; të vërehet edhe se, brenda këtij sistemi favoresh të ndërsjellta, vjen e bëhet i padukshëm shkaku i fundmë – mangësitë, kufizimet dhe praktikat absurde të kryerjes së transaksioneve të përditshme, që ua nxinin jetën të gjithëve.
Le të marrim shembullin e biletave të stadiumit për një ndeshje të madhe ndërkombëtare, p.sh. me Gjermaninë Perëndimore, të cilën do të donte ta shihte në stadium gjysma e Shqipërisë. Biletat, për evente të tilla, nuk shiteshin në biletari – për të shmangur rrëmujën nëmos trazirat civile. Ata që kontrollonin shpërndarjen, ua jepnin miqve dhe të njohurve, por edhe institucioneve gjithfarësh. Një pjesë e vogël u dhuroheshin autoriteteve, që e gëzonin këtë privilegj vetvetiu – dhe që e ndiqnin ndeshjen nga “tribuna”, ata ose familjarët dhe të afërmit e tyre. Por pjesa më e madhe ndaheshin me mik. Dhe gjatë kësaj faze të shpërndarjes, çmimi i biletës nuk ndryshonte dhe mbetej po aq irrelevant sa ç’do të kish qenë në biletari. Kur ti i kërkoje një miku a një të njohuri, si nder a si favor, që të të gjente biletë, ai ta siguronte këtë përkundrejt premtimit tënd implicit, se ti dikur do t’ia shpërbleje me një favor të ngjashëm. E gjitha kjo ishte një lojë me shumë pozitive: ti siguroje biletën dhe eksperiencën e rrallë të një ndeshjeje të paharruar, ndërsa miku yt ndihej mirë, i përkëdhelur në ego, sepse të kish bërë ty një favor, duke investuar tek ti me interes “moral”. Që të realizohej ky lloj transaksioni, mjaftonte që ti të kishe kontaktet e duhura, rrjetin e duhur social, si një histori ndërthurjesh të favoreve dhe kundër-favoreve. Përkundrazi, ai që këtë rrjet nuk e kishte, për shembull ngaqë jetonte në një qytet tjetër, nuk do ta siguronte dot biletën “me mik”, dhe do të detyrohej të paguante disafish më shumë një matrapaz në tregun e zi.
Mungesat e mëdha dhe kronike në mallra dhe shërbime nuk mund të përballoheshin veçse nëpërmjet një rrjeti njohjesh dhe miqësish mes qytetarëve që ndihmonin njëri-tjetrin me favore të ndërsjellta. E njëjta dukuri që përftonte radhën në hapësirat publike, i shërbente edhe krijimit të këtyre sistemeve të solidaritetit që zbutnin impaktin e shtetit ndaj qytetarit, duke u përftuar si një lloj shoqërie civile difuze. Specifike për Shqipërinë, në krahasim me vende të mëdha si Bashkimi Sovjetik, ishte që rrjetet e njohjes dhe të miqësisë rregullisht përfshinin një komponente të fortë farefisnore dhe krahinore.
Për t’u kthyer tani te fëmija, të cilit i ati ia bën të qartë se duhet të presë, për ta hedhur në dorë lodrën e vet të lakmuar, duke shpresuar se frustrimi i pritjes do ta ndihmojë të voglin për të formuar idenë e botës si pengesë (rezistencë) ndaj vullnetit të lirë. Por edhe fëmija, teksa pret, gjithnjë do të përpiqet të rekrutojë në ndihmë të lirisë së vet një motër a një hallë dashamirëse, që të ndërmjetësojë për ta shkurtuar pritjen. Avantazhi i familjeve të mëdha…
© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
[1] Kjo dukuri i kapërcen kufijtë e tregut dhe të shpërndarjes. Më duket kuptimplote që edhe kontakti i drejtpërdrejtë i autoriteteve me qytetarët realizohej nëpërmjet një rituali me emrin pritja e popullit, ku fjala “pritje” vërtet ka kuptim të ndryshëm, por që njëlloj parakupton se autoritetin mund ta takosh (dhe t’i qash hallin) vetëm pasi të kesh pritur në radhë.