Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Komunikim

ZËRI NGA MATANË SHPELLËS

nga Alen Bejko

Një mbrëmje, teksa po pija me një gjysmë të panjohur, u gjenda në një bisedë për parashikimet e yjeve dhe hartat astrale. Nuk do të më kishte lënë mbresë sikur befas të mos ma rrokte mendja se astrologjia përbënte thelbin e spiritualizmit të bashkëbisedueses. Pra, që në vend të një sistemi vlerash etike apo religjioze, qe astrologjia ajo që përbënte ndërfaqjen e saj për të kuptuar dhe shpjeguar botën.

Ndodhia ishte me interes, pasi pasqyronte një të vërtetë dytësore, por gjithsesi gjithmonë e më të pranishme në shoqërinë tonë: ngritjen e astrologjisë. Ndërsa deri dikur parashikimi kufizohej në rubrikat e horoskopit në shtyp e televizion apo në hedhjen e fallit dhe leximin e filxhanëve, sot kemi të bëjmë me një industri mjaft të zhvilluar të astrologjisë e interpretimit të yjeve.

Mendja ta do që praktikat më të vjetra të jenë trashëgim shoqëror paramodern dhe paratotalitar, të cilat nuk kanë veç funksionin parashikues në kuptimin që i jepet këtu, por bëjnë pjesë integralisht në një rend më të gjerë të besëtytnive e së mbinatyrshmes që u zbërthente përditshmërinë paraardhësve tanë.

Ndërkaq, hartat astrale dhe parashikimi i yjeve kanë bërë një udhëtim më proliks për të mbërritur gjer në brigjet tona, i cili duhet ta ketë fillimin në ripopullarizimin e astrologjisë në shoqëritë perëndimore dekadën e fundit. Në leximin e zakonshëm, ky zhvillim lidhet me rritjen e pasigurisë dhe të paparashikueshmërisë – në thelb, të mungesës së stabilitetit – që ka shkaktuar zvetënimi i rendit ndërkombëtar dhe krizat, përfshirë pandeminë, e viteve të fundit[1]The Atlantic, 16 janar 2018, web: https://www.theatlantic.com/health/archive/2018/01/the-new-age-of-astrology/550034/.

Sidoqoftë, duke qenë se këto ngjarje dhe ndikimi i tyre është krahasimisht më i largët për shoqërinë shqiptare e se pasiguria është kusht i vijueshëm i kësaj të fundit, analiza e astrologjisë si simptomë e dyshimit për të ardhmen nuk qëndron plotësisht në këtë rast. Përkundrazi, do të priresha ta hidhja vështrimin nga varfëria e madhe shpirtërore e shoqërisë sonë për të gjetur një shpjegim.

Pas dietës së detyruar ateiste disadekadëshe, rikthimi i përmasës së besimit fetar në vend ka qenë, siç mund të pritej, disi kaotik dhe i pabarabartë. Bashkë me rivendosjen e feve të mëdha tradicionale mes shqiptarësh, kemi dëshmuar dhe përhapjen e një morie sektesh, tarikatesh, udhësh a degësh e nëndegësh të tjera, që e kanë ndërlikuar jo pak tablonë religjioze të vendit.

Përballë kësaj zgjedhjeje të shumëllojshme, shteti, si zakonisht, ka hequr dorë nga përgjegjësitë e veta dhe e ka kufizuar ndërveprimin me fetë në Shqipëri në nivel shkëmbimi vizitash protokollare në ditë të shënuar. Edhe më keq, nuk ka bërë asnjë përpjekje të dallueshme për t’u siguruar qytetarëve të vet një edukim, qoftë dhe sado të përciptë, në lëmën religjioze.

Pra, ndeshur me morinë e udhëve drejt realizimit të vetes, gjetjes së një domethënieje apo thjesht kuptimit të botës, pa qenë të pajisur me mjetet e formimin që do t’u lejonte të krijonin një përshtypje më të plotë e më të kujdesshme për religjionet, shqiptarët detyrohen të mbështeten në mprehtësinë instinktive dhe një lloj gjenie improvizimi.

Kësaj mungese formimi i përshtatet krejt rastësisht dhe për mrekulli një aspekt kureshtar i astrologjisë, funksionimi i saj si një lloj shkurtese a stenografie, që jep shpjegime të gatshme për zhvillime apo fenomene që mbeten të parrokshme për individin. Në vend të zbërthimeve të mëdha të pyetjeve ekzistenciale, parashikimi astral ofron shenja të gatshme e të ripërdorshme, duke shfrytëzuar shtratin kulturor ekzistues, për të krijuar ndjenjën e sigurisë dhe të kuptimit te praktikuesit. Dhe siguria, fundja, është ndjenja që lidhet më shumë me besimin për pjesën dërrmuese të besimtarëve.

Është pikërisht përdorimi i këtyre shenjave të gatshme, qarqe të shkurtra me një element implikimi brenda, i cili ndrydh arsyetimin kritik dhe qetëson dyshimin, që është kaq i gjetur. Kjo pasi komunikimi kulturor po përjeton një faze thjeshtimi dhe konceptet po vijnë duke u fragmentizuar, duke u dhënë një peshë të re nuancave dhe detajeve. Kjo e folme bashkëkohore nuk kursen vetëm kohë dhe mund, por gjithashtu nevojën për të ndërtuar një mendim të përveçëm rreth temës apo subjektit që trajtohet.

Në këtë suazë, lipset të përmendet marrëdhënia fort e frytshme mes kulturës së memes në rrjetet sociale e astrologjisë, e cila merr lloj-lloj formash, nga parashikimet e thjeshta, të krijimi i identikiteve të shenjave, te komentari ironizues – siç bën, për të dhënë një shembull vendës, Kasandra Dragobia. Ndaj, si rëndom, ka një përkim rrethesh në disa rrafshe, që mundëson zhvillimin e një fenomeni mjaft interesant lokal, i cili me gjithë pasqyrimet që gjen atje-këtu, ruan veçori krejt të tijat.

Kështu, pra, në zbrazëtirën ende të çorganizuar spirituale që ka lënë pas rënia e totalitarizmit, shqiptarët çelin udhët e tyre drejt gjetjes së një përgjigjeje a domethënieje të botës, duke përdor këto mediume relativisht të reja, që mbështeten gjerësisht në ripërdorimin e bagazhit kulturor ekzistues. Gjithnjë të zhdërvjellëta, ato lejojnë zgjedhjen e besimeve, vlerave a shpjegimeve që u vinë më për shtat rrethanave të gjithsecilit si në ndonjë meny restoranti.

Besimet që krijohen si rrjedhojë e kësaj qasjeje, përgjigje të drejtpërdrejta ndaj nevojave të thjeshta, por të rrënjosura për të ekzistuar e për t’u shprehur në një përmasë shpirtërore, fitojnë diçka prej gjenisë së zakonshme shqiptare për improvizim egërshan. Parë pak me shaka, ato kanë diçka prej ‘ndërtimi pa leje’, ndryshe, ajo çka rëndom emërtohet sinkretizëm religjioz.

Ekziston çdo mundësi që ky shartim idiosinkratik rrymash kulturore e besimesh – fetare e jo vetëm – të ketë patur kaq sukses pikërisht sepse u përshtatet më së miri nevojave të praktikuesve e të kontekstit shoqëror ku lëvrohet. Veçse, kam frikë që në rastin e bashkëbisedueses sime ish zgjedhur më tepër për arsye lehtësie e nevoje të atypëratyshme sesa prej ndonjë arsyetimi të pjekur mirë e të matur.

Më e lehtë një astrologe sesa një fe.

© 2022 Peizazhe të fjalës™ dhe Alen Bejko. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet riprodhimi pa leje. Kopjuesit do të përndiqen sipas ligjit.

References

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin