“Duke dhënë e duke marrë, me këmbë e me duar, Sizifi e shtynte gurin përpjetë kodrës…” rrëfen Uliksi tek Odiseja, kur përshkruan çfarë pa gjatë vizitës në Hades. SHTYJ është folja sizifiane, e cila shënjon veprimin që këtë e patën dënuar zotat të përsëritë në amshim. Nga çfarë mund të bëjë njeriu me një gur të madh – ta ngrejë, ta groposë, ta tërheqë, ta rrokullisë, ta copëtojë – Sizifin e kanë vënë të shtyjë. Tani që lexova tekstin e Arben Dedes (Dy komedi), mendova sakaq se, nga gjuhët që njoh, shqipja e shprehka më mirë filozofinë e mundimit sizifian, tek ai kuptim i foljes SHTYJ që është “kaloj kohën njëfarësoj, jetoj në një farë mënyre me vështirësi a në vuajtje” – në shembujt (Si ia kalon?) Ja, ashtu, shtyje. Me të shtyrë. Nuk po e shtyj dot. Mezi po e shtyjmë… E shtymë si e shtymë (muajin). Ky përdorim e sjell jetën si vështirësi kronike, ose më mirë mbijetesën si përpjekje të metaforizuar në SHTYRJEN e diçkaje – duke qenë kjo diçka një pengesë, një gjë që të zë rrugën dhe nuk të lë të ecësh ndryshe, por edhe që nuk mënjanohet dot; prandaj njeriut nuk i mbetet veçse ta shtyjë, siç mund të shtyhet një trung i rrëzuar peme a një karrocë e ngecur në baltë; me TË SHTYRËT një nga format elementare, primordiale, të angazhimit fizik me botën, ose më mirë me rezistencën që ia bën materia vullnetit (krahas me TËRHEQJEN, NGRITJEN, BARTJEN), në thelb, një nga format primitive të punës. Kush thotë mezi po e shtyjmë, ka parasysh sa ditën e zakonshme, me vështirësitë e saj të pazgjidhshme, aq edhe të jetuarit vetë, i cili shestohet nëpërmjet një lloj pengese a rezistence; çfarë risjell bukur imazhin e Sizifit. TË SHTYRËT, në këtë kuptim specifik, afrohet kuptimisht me folje si duroj, por edhe me frazeologji si hiq e mos e këput, ku folja HEQ (në thelb, “tërheq”) i referohet përpjekjes me kah të kundërt, ku subjekti e lëviz diçka drejt vetes; mundet që kjo hiq e mos e këput të rrjedhë nga të tjerrët e leshit me furkë – por veprimi i HEQJES (TERHEQJES) qartazi lidhet me një lloj elementar pune, po aq elementar sa SHTYRJA, MBAJTJA (BARTJA), NGRITJA; çfarë sugjeron se gjuha na bën ta përfytyrojmë të jetuarit – ose më saktë, eksperiencën e të jetuarit – në trajtën e një pune sa ingrate, aq edhe pa alternativë. Anglishtja, në kontekste të ngjashme, thotë hang in there, shprehje që me gjasë ia detyron popullaritetin imazhit motivacional të një koteleje të kapur me thonj pas një dege bambuje; pavarësisht sa qëndron ky shpjegim, imazhi vetë e përcjell qartë mungesën e alternativës – për të mbijetuar (për të mos u rrëzuar), kotelja duhet ta lëshojë degën, edhe pse ashtu do të bjerë përdhé. Por të kacavaresh a të varesh nga diku nuk është PUNË, siç mund të jenë punë SHTYRJA, TËRHEQJA, BARTJA, NGRITJA; çfarë e bën frazeologjinë shqipe më abstrakte, nëmos edhe më filozofike. Metafora vetë, e të (mbi)jetuarit si diçka për t’u shtyrë, përjetim i një mundimi konstant dhe mërzie, evokon edhe imazhin tjetër, të vullnetin për të (mbi)jetuar si konflikt me inercinë e mjedisit; të thuash se njeriu, thjesht për t’u mbajtur gjallë, duhet t’i hapë vend vetes brenda masës inerte të ditëve; madje edhe vetë akrepat e orës duhen shtyrë, për të lëvizur. Por të shtyrët nënkupton edhe një vullnet për të vepruar, një agjenci, dhe ai që “e shtyn si e shtyn ditën” e kryen këtë duke marrë pjesë ai vetë, ndryshe nga të jetuarit që thjesht “ndodh”. Gramatikisht, folja shtyj është kalimtare, kërkon subjekt dhe objekt, madje edhe në ato kontekste ku objekti nuk del fare ose përfaqësohet nga një trajtë e shkurtër kallëzore pa referencë të qartë (si po e shtyni? Ja ashtu, shtyje); edhe Sizifi, sado i kapur në kurthin e përsëritjes, duhet ta shtyjë gurin ai vetë, në kuptimin që duhet të dojë ta shtyjë. Për Camus-në, që te Miti i Sizifit e quan “heroi absurd”, Sizifi që shtyn gurin në Hades e shquan vetveten jo në momentin e mundimit, por kur – si të jetë rrokullisur guri teposhtë – vihet të zbresë që pastaj ta shtyjë sërish; pse kjo zbritje është “ora e ndërgjegjes”, kur ai ndihet superior ndaj fatit të vet. Kjo “orë e ndërgjegjes” mishërohet edhe në momentin kur i pyeturi (“si po kaloni”) përgjigjet se po e shtyn disi (me të shtyrë, shtyje, shtyje ta shtyjmë); ligjërimi duke shërbyer si vegël vetëdijesimi. Duke e vështruar Sizifin si metaforë të punëtorit, Camus-ja thotë, për këtë të fundit, se “fati i tij nuk është tragjik, përveçse në ato momente të rralla kur bëhet i vetëdijshëm.” Duke parafrazuar, le të themi se ai që thotë “shtyje” edhe reflekton për ta njohur jetesën e vet (të mundimshme) në krejt shtrirjen e saj; dhe ashtu, çfarë kish qenë mundim, bëhet për të fitorja (“nuk ka fat që të mos tejkalohet nga përçmimi” thotë Camus-ja; dhe pastaj “njeriu absurd, kur sodit mundimin e vet, i bën të gjithë idhujt të heshtin.”). E përdorur me këtë kuptim, shqipja SHTYJ e lejon folësin të përvetësojë (të bëjë të vetin) torturën e të jetuarit si rezistencë ndaj rezistencës; duke e shndërruar absurdin në folje kalimtare.
© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.