nga Adrian Beshaj
1. I depresuar, i depresionuar apo i deprimuar?
Në emisione të ndryshme televizive apo edhe në ligjërimin e përditshëm disa shqipfolës e cilësojnë si të depresuar apo të depresionuar personin që është prekur nga depresioni. Emri depresion vjen nga latinishtja e vonë “depressione”, dhe tregon në gjeografi një rajon që ka një lartësi më të ulët se rajonet përreth apo që ndodhet nën nivelin e detit. Në meteorologji shënon një zonë me presion atmosferik më të ulët se ai i zonave përreth. Në ekonomi është një fazë e ciklit ekonomik të karakterizuar nga një ngadalësim i ndjeshëm i prodhimit, ulje e nivelit të përgjithshëm të çmimeve, rritje e papunësisë, si për shembull Depresioni i madh, ai që u verifikua në Shtetet e Bashkuara në vitet 1929-33. Në psikiatri, gjendje shpirtërore patologjike e njeriut, që shfaqet me një lodhje të përgjithshme, me dobësimin e guximit dhe të vetëveprimit, me rënie shpirtërore.
Mbiemri i përdorur nga disa shqiptarë për të treguar një person të prekur nga depresioni vjen si pasojë e ndikimit të mbiemrit anglez “depressed” dhe atij italian “depresso”, ndërsa disa të tjerë e krijojnë vetë (i depresionuar). Por në italishte folja që tregon veprimin e të shtypurit apo të shtyrit poshtë është “deprimere” që vjen nga latinishtja “deprimere” dhe që pjesoren e së shkuarës e ka “depresso” dhe në të kryerën e thjeshtë bën “depressi, deprimesti etj.”. Në kuptimin figurativ në italishte kjo folje do të thotë ul, poshtëroj, ndrydh dhe në mjekësi ul, pakëson, dobëson (një veprimtari fiziologjike).
Nëse kur flasim shqip nuk duam të themi “i ndrydhur”, “zemërlëshuar” apo “zemërndrydhur”, mendoj se duke u nisur nga folja italiane “deprimere” duhet të themi “i deprimuar” dhe jo “i depresuar” apo “i depresionuar”, për shembull “ka një pamje të deprimuar” ose në ekonomi për të treguar një zonë të prapambetur ekonomikisht mund të themi “zonë e deprimuar” (khs. edhe frëngjishten déprimé, “i deprimuar”).
Fjalë të tjera të kësaj familjeje janë “depresiv” (gjendje depresioni; ilaç qetësues), “deprimues” (ndrydhës; qetësues), “i deprimueshëm”.
Në Fjalorin e Shqipes së Sotme të vitit 2002 është regjistruar vetëm emri “depresion”.
2. Konfuzoj apo konfondoj?
Emri “konfuzion” përdoret në ligjërimin e përditshëm nga shumë shqipfolës, e megjithatë nuk përfshihet në Fjalorin e Shqipes së Sotme. Ky emër ka hyrë në shqipe nga italishtja e cila nga ana e saj e ka trashëguar nga latinishtja “confusione-(m)”, që vjen nga “confusus” që është pjesorja e së shkuarës së foljes “confundere”. Konfuzion përdoret në shqipe për të treguar rrëmujë, pështjellim apo edhe ngatërrim. Në mjekësi tregon turbullim, si për shembull “konfuzion mendor”.
Por kur vjen puna për të përdorur foljen prej nga vjen “konfuzioni” disa shqipfolës gabojnë dhe të ndodh ta dëgjosh në televizion dhe ta hasësh shumë më pak në të shkruar. Në fakt, disa vetë për të treguar veprimin e të ngatërruarit, të të pështjelluarit, të të hutuarit, të të turbulluarit, thonë, mbase të ndikuar nga anglezja “confuse”, “konfuzoj apo konfuzohem”. Emri “confusione” në italishte, prej nga e kemi marrë, vjen prej foljes “confondere” dhe në shqip nëse duhet ta përdorim patjetër duhet të themi “konfondoj”. Fjalë të tjera të kësaj familjeje janë “i konfonduar”, “i konfondueshëm”, “konfondues”.
“Konfuzion” dhe “konfondoj” në shqipe janë të ngjashëm në përdorim me “konkluzion” dhe “konkludoj”, që kanë hyrë po nga italishtja.
© 2022 Adrian Beshaj. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Kam verejtje per sa me siper: “Konfuzion” dhe “konfondoj” në shqipe janë të ngjashëm në përdorim me “konkluzion” dhe “konkludoj”, që kanë hyrë po nga italishtja. Keni vendosur te preshtasni Italishten dhe te zevendesoni apo zhdukni fjalete Shqipe? Konkludoj = perfundoj Konfuzion =ngaterrese