nga Alen Bejko
E kremtja tani rishtas e çeljes së negociatave të anëtarësimit, kaluar lehtshëm si festë me popullin në shesh, na detyron të reflektojmë pak për domethënien e perspektivës europiane që ka përbërë udhën e Shqipërisë këto tri dekadat e fundit, si dhe ndikimin konkret që ka për të pasur te ne si individë e si komunitete.
Lipset të fillojmë nga mjegullimi – e pamundur të thuhet nëse i qëllimshëm a jo, por gjithsesi total – i koncepteve që lidhen me përfshirjen e vendit në Europë. Bie fjala, fakti që “integrimi europian” është kthyer në thuajse sinonim të “anëtarësimit në Bashkimin Europian” rrëfen shumë për të dyja palët. Nga njëra anë, institucioneve politike të BE-së i intereson sfumimi i një realiteti politik të vobektë e të kufizuar (fjalë për fjalë, për sa i takon zgjerimit) brenda suazës shumë më të gjerë e të papërcaktuar të Europës, qoftë edhe sikur për të mbajtur në këmbë rrangallën e gjithëpërfshirjes.
Nga ana tjetër, po aq e çmuar është shtirja e politikanëve vendës se e njëjta Europë e papërcaktuar është zgjidhja e çdo problemi që rëndon tani për tani kombin. Në këtë optikë, Europa nuk është më synimi i një projekti politik shumëvjeçar, por panacea e tabula rasa e njëkohshme: mundësia e shumëpritur për Shqipërinë 2.0. Ka diçka prekëse, prej vitit ’90, e padijes së përgjithshme në fillim të demokracisë në shpresën e këtij optimizmi përndryshe krejt egoist e hilacak.
Imazhi i rremë, i krijuar me bashkëpunimin e të dyja palëve – mëtuesve për integrim dhe integruesve në tentativë – sendërton kështu një ideal të ri të paarritshëm. Jo se nuk mund të përmbushet një ditë integrimi në BE, paçka pengesave që kemi dëshmuar, por se nuk mund t’i realizojë kurrë ëndrrat që do t’i jenë mveshur ndërkaq. Ekuacioni i kësaj Europë, që barazon konceptin e vetë kontinentit me institucionet e BE-së, me një mundësi të re për ta nisur Shqipërinë nga e para, është veçse një rrejshmëri e rrezikshme.
Barazimi i koncepteve që kryhet sot e gjithë ditën jo vetëm që thjeshton së tepërmi, por u hedh hi syve njerëzve, siç e ilustron shkurtimisht ky postim i Aurel Plasarit:
«Tridhjetë vjet u bënë, sot u mbushën tridhjetenjë, që paska politikanë që nuk e dinë dallimin thelbësor mes dy koncepteve “Europë” dhe “Bashkim Europian”.
Nuk e dinë pra që Shqipëria, qysh kur është Shqipëri dhe qysh kur ka qenë Arbëri etj., ka bërë dhe bën pjesë në “Europë”. Në Europën si koncept gjeo-historik. Edhe kur ka qenë nën turkokracinë, po në “Turqinë Europiane” e llogariste pjesa tjetër e kontinentit. Si edhe kur ka qenë nën diktaturën e socializmit real, atij në ndërtim e sipër 😉 po në Europë ndodhej, as në Azi dhe as në Afrikë.
Sepse të jemi në Europë nuk do të thotë as edhe të jemi “burra të mirë”. Gjermania ka qenë në Europë edhe kur ishte naziste. Italia ka qenë në Europë edhe kur ishte fashiste. Madje polakët, fjala vjen, kanë qenë në Europë edhe kur u qëlloi të mos kishin shtet etj. Shqipëria dhe i ashtuquajturi “kamp i demokracive lindore” qenë në Europë edhe kur ishin socialistë ose, në daçi, “komunistë”. Fenomen europian është dhe komunizmi.»[1]
Ndaj, na duhet të kalojmë nga një këndvështrim që e ngre Europën në piedestalin krejt mashtrues të zgjidhjes universale, në atë shumë më relativ se ajo çka jemi – me gjithçka të papëlqyeshme përshirë – është tashmë Europë dhe veç sa pasuron kulturën tonë të përbashkët kontinentale. Rrjedhimisht, cenet tona, po nuk u trajtuan siç duhet, kanë për të ndikuar Europën si politike e kulturore, në mënyrë të krahasueshme me ndikimin e kësaj të fundit te ne.
Dalim kështu në përfundimin disi shqetësues se, për aq sa Europa përbën për shumëkënd mundësi konkrete e dëshpërimisht të nevojshme përparimi ekonomik, shkollor, kulturor e shoqëror, shumica e asaj çka na përfaqëson i përket më tepër lëmit të mitologjisë bashkëkohore sesa asaj të realitetit. Gënjim kolektiv ky, që, paçka arsyeve që e krijuan ndër dekada e shekuj, përdoret në mënyrë cinike për projekte e interesa privatë të status quo-së nën teshat e europianizimit.
Kjo hapësirë – a hon – mes kërkesave konkrete prej integrimit në BE dhe vegimeve tona të ideales së mundshme, që mund të rrjedhë prej saj, është e papajtueshme, për arsye se mbështetet në dallimin mes koncepteve të Europës të ngritura në mënyra fare të ndryshme. Koncepti realist ndërtohet mbi një përkufizim pozitiv të vlerave dhe përparësive të demokracisë parlamentare në Europën e pasluftës, përfshirë këtu konsensusin politik kundër ekstremizmit, ekonominë e tregut, shtetin social, lëvizjen e lirë, pluralitetin kulturor e kështu me radhë.
Ndërsa koncepti i imagjinarit tonë kolektiv ndërtohet pikërisht mbi mosnjohjen e realitetit europian, i cili spikati qysh me thirrjen parake për “Shqipërinë si gjithë Europa”, e që është i pranishëm ende sot, në një mënyrë a një tjetër, te shumica e paprivilegjuar e shoqërisë shqiptare. Shprehur në formë fare të trashë, ai krijon një model më së shumti kulturor të Europës, i cili ishte skajshmërisht i pangjashëm apo i kundërt me realitetin shqiptar – asokohe totalitar e sot transitor.
Sa i takon këtij të fundit, është me vlerë të marrët parasysh edhe interpretimi i Shqipërisë si hapësirë liminale. Vendosja në skajin e perandorive, ku distanca nga qendra gërshetohet me afërsinë e tjetrit për të prodhuar një truall të ndërmjetëm, ku vizione konkurruese të së ardhmes ballafaqohen me njëri-tjetrin e japin shpirt pa lënë ndonjë mbresë të qenësishme te vendësit, është kyç për raportin e shqiptarëve me botën e jashtme.
Nuk është vendi të trajtohet, por nuk mund të lihet pa përmendur fakti që shoqërimi – sado që në të vërtetë, varësia – i shqiptarëve me fuqi të mëdha ka qenë një ndër mënyrat kryesore të shprehjes dhe projektimit të kombit në rrafshin modern. Bie fjala: pjesëmarrja me detyrim në fantazitë neo-perandorake të Romës, pastaj intermezzo-ja hitleriane, çartjet për Federatën Ballkanike të kohës së luftës, tentativa e dështuar për bashkim me Jugosllavinë menjëherë pas paqes dhe, sigurisht, aderimi në KNER, “parodinë e Bashkimit Sovjetik të një marrëveshjeje ndërkombëtare.”[2]
Të gjitha këto përpjekje të dështuara integrimi apo asimilimi – pa përmendur këtu peshën pakrahasimisht më të madhe të shekujve të moçëm perandorakë të Arbërisë së atëhershme – lënë të kuptohet elementin e përsëritjes që përmban dhe tentativa e re për anëtarësim në më të fundmen fuqi të madhe rajonale, Bashkimin Europian. Subjektivisht, shpresoj dhe pres që ky projekt të realizohet dikur; veçse është e pamundur të mos dyshosh se pritshmëritë e pamata të shqiptarëve prej tij kanë për të përfunduar në zhgënjim.
Çka na rikthen te hapësira liminale, e cila, mes të tjerash, është joshëse për arsye “të kornizimit dhe mungesës së pranisë njerëzore, që asgjëson kontekstin dhe e fton shikuesen ta popullojë imazhin me kujtimet e saj …, [e që është] një hibrid mes kujtesës e projektimit, mes diçkaje të shkuar e diçkaje të mundshme.”[3] Më e lehtë, në këtë suazë, është t’i gjesh vend integrimit europian, si synim i idealizuar, ashtu dhe si vegël politike që zgjat tranzicionin e elitave të sotme.
Eleganca e thektë, thuajse dashakeqe, e kronologjisë që e vendos lajmin e përfshirjes së fondeve bujqësore shqiptaro-europiane në aferën e pambarimtë të inceneratorëve pas lëvdatave publike për reformat rrënjësore që mundësuan negociatat, e ilustron më së mirë morinë e leximeve bashkëkohore shqiptare të idesë së Europës. Ka vend aty për gjithçka nga idealizmi më i sinqertë pro-europian te llogaritja e ftohtë e përfitimeve të BE-së krahasuar me projektet integruese rivale në rajon, si dhe loja që mund të luhet duke u hedhur sa nga njëra te tjetra.
Parë të gjitha këto dhe veçanërisht potencialin dëmtues e autoritar të shtetit modern shqiptar, mbetja e integrimit në suazën e procesit politik dhe propagandës publike, e dënon shoqërinë shqiptare me pandryshim. Për të mos përfunduar në situatën ku anëtarësimi në BE të shndërrohet thjesht në lojën për pushtet të radhës e të mos përkthehet në ndryshime të qenësishme për shoqërinë në tërësi – fundja, regresi i Hungarisë dhe Polonisë kanë ndodhur brenda një konteksti krejtësisht europian – nevojitet organizimi e bashkërenditja më e plotë e të gjitha klasave shoqërore për këtë integrim.
Thënë ndryshe, tërësia e masave që janë ndërmarrë e do të ndërmerren për ta realizuar këtë hap fundor drejt identitetit shqiptar, duhet të brendësohet si pjesë e përvojës së integrimit e jo si parapërgatitje e përkohshme dhe e shpërfillshme jashtë saj. Të gjitha zgjedhjet që lidhen me procesin e hyrjes në BE do të ndikojnë, së paku sistemikisht, në ekzistencën tonë brenda saj dhe dritëshkurtësia aktuale lidhur me këtë çështje ka për të rezultuar pa dyshim në vazhdimin e këtij sistemi të komprometuar politik, veçse kësaj radhe në një kontekst të ri.
Sa më lart, nuk nënkupton përsosmërinë e sistemit të ndërtuar nga Bashkimi Europian në gjashtë dekadat e fundit. Përkundrazi, cenet e të metat gjithnjë e më të dukshme të tij përbëjnë dhe një arsye më shumë për të kërkuar që Shqipëria, ashtu si çdo anëtar i ri, të kontribuojë mirëfilli për mbarëvajtjen e bashkimit. Shkëmbimi i dyanshëm dhe përforcimi i njëri-tjetrit, i cili duhet të qëndrojë në themel të kësaj marrëdhënieje, kërkon që të dyja palët ta kryejnë këtë proces në mirëbesim e në interesin e përbashkët; ndryshe BE ka për t’iu bashkuar radhës së gjatë të shumëkombëshve që nuk arritën ta përfshijnë Shqipërinë.
© 2022 Alen Bejko. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet riprodhimi pa lejen e autorit.
[1] Aurel Plasari, “EUROPË & BE”, postim në Facebook, 7 korrik 2021.
[2] Christopher Hitchens, “Is the Euro Doomed?”, Slate, 26 prill 2010.
[3] Madelyne Xiao, “The Pleasant Head Trip of Liminal Spaces”, The New Yorker, 16 prill 2021.