Kush i ndjek produksionet e sotme të show business-it, por edhe apasionohet pas imazheve të vajzave (dhe grave) celebrities në faqet e tabloidëve, pa folur për kulturën e imazhit gjysmë-lakuriq të çuar përpara në rrjetet sociale dhe praktikat seksuale të ndërmjetësuara nga një medium dhe as për modën që i ndjek hap pas hapi këto trende, do ta ketë vënë re qasjen asimptotike ndaj trupit lakuriq, zakonisht femëror; që asnjëherë nuk shfaqet i plotë, por që gjithnjë e nënkupton lakuriqësinë totale. Në kontekste të tjera, zhveshjen – të gruas por jo vetëm – e kanë parë edhe si dëshmi të emancipimit, ose të paktën të refuzimit ndaj preceptit “për t’u mbuluar”; ndërsa sot këtij interpretimi tradicional i është shtuar edhe një tjetër, që e ndan imazhin e trupit nga komunikimi me natyrë drejtpërdrejt seksuale; në kuptimin që lëkura e zbuluar (rishtas) nuk është detyrimisht ftesë, as licencë për agresion erotik dhe aq më pak seksual.
Mund të diskutohet edhe roli që luan principi pornografik në këtë mes, veçanërisht atëherë kur trupi femëror përdoret – në mass media – për të shitur programe dhe produkte, duke e trajtuar publikun si një masë voyeurësh, madje duke e përftuar të tillë. Megjithatë, nuk është e thënë që atraksioni i imazhit të një vajze a gruaje të zhveshur në ekran të lidhet detyrimisht me seksualitetin; madje mund të argumentohet se, më fort edhe se për trupin femëror lakuriq, publiku voyeur interesohet për aktin e zhveshjes, të përfaqësuar si strip-tease; dhe frymëzohet nga shtresa se ky akt i “zbulimit” të trupit do ta arrijë, më në fund… të vërtetën (origjinën).
Byung-Chul Han (te La scomparsa dei riti, Una topologia del presente) vëren se sot deri edhe leximi i një teksti letrar ka marrë formë pornografike, duke u modeluar sipas një strip-tease-i heuristik, sa kohë që narracioni artikulohet në trajtën e një zbulimi progresiv, gradual, të së vërtetës. Prandaj edhe nuk lexojmë më poezi, shkruan ai; sepse poezitë nuk përcjellin ndonjë të vërtetë finale dhe nuk e lejojnë leximin “pornografik”, ose të paktën fokusimin pornografik. Dhe nuk është rastësi që zhanri letrar karakteristik për modernitetin është romani i verdhë (policor), ku kënaqësia e leximit buron sa nga katharsis-i i vendosjes së drejtësisë a të paktën i shpagimit, aq edhe nga aventura intelektuale e zbulimit të vrasësit (kriminelit), nëpërmjet zhveshjes së fakteve.
Romani policor nuk ia detyron suksesin vetëm aftësisë për ta mbajtur lexuesin të ngjitur pas tekstit, falë një teknike narrative që e lejon autorin t’ia mbajë këtij lexuesi disa gjëra të fshehta aq gjatë sa e gjykon të arsyeshme, por edhe vetë mendësisë moderne, e cila na shtyn të besojmë se të vërtetën mund ta arrijmë duke u zhvendosur nga dukja drejt thelbit, ose nëpërmjet zhveshjes së realitetit sipërfaqësor. Kjo përkon edhe me metodën shkencore të qasjes ndaj realitetit, e cila themelohet mbi besimin se njohja është e mundshme dhe se mendja njerëzore mund ta rrokë të vërtetën, nëpërmjet arsyes. Pikërisht ky botëkuptim na bën që të tërhiqemi ndaj një misteri, por vetëm me kusht që të duam ta anulojmë si të tillë.
Edhe një roman post-modern tipik, si Il nome della rosa i Eco-s, organizohet narrativisht si një rrëfim policor, ku personazhi qendror, murgu Guglielmo de Baskerville, kërkon të ndriçojë një numër krimesh të pashpjegueshme që ndodhin në manastirin ku bun si mysafir. Metoda hetimore që ndjek Guglielmo-ja është absolutisht racionale, por ai nuk arrin, megjithatë, ta ndalë vazhdën e krimeve dhe as të parandalojë katastrofën finale. Në atë vepër Eco-ja e përdor arketipin e romanit policor edhe për të ilustruar krizën e modernitetit dhe të vetë racionalizmit. Ndërkohë dhe praktikisht në po ato vite, nga ana tjetër e Adriatikut, edhe Kush e solli Doruntinën e Ismail Kadaresë adoptoi të njëjtën strukturë narrative të romanit policor, për të “racionalizuar” një legjendë mesjetare.
Veprat “policore” klasike, nga tregimet e Edgar Poe-s që e përuruan zhanrin, te Sherlock Holmes-i i Conan Doyle-it dhe romanet e Agatha Christie-s, themelohen të gjitha mbi presupozimin se autori i krimit do t’i zbulohet lexuesit në fund të romanit; dhe mbi presupozimin tjetër se protagonisti – që mund të jetë një oficer policie, një detektiv privat, por edhe një amator çfarëdo, zakonisht me profil të lartë intelektual (hero i arsyes) – i ka mundësitë për ta arritur të vërtetën “lakuriqe”. Mënyra si operon Sherlock Holmes-i e shëmbëllon mirë atë zhveshje për të cilën flet Byung-Chul Han-i, pa çka se aftësitë deduktive të qiraxhiut të Baker Street janë ndonjëherë të ekzagjeruara. Lexuesit, kur arrin fundin e rrëfimit dhe shijon “zgjidhjen”, nuk i lejohet të dyshojë nëse krimi është zbardhur dhe autori është identifikuar, meqë këtë e implikon vetë struktura racionale narrative e zhanrit; madje edhe në atë rast kur autori luan me pritjet e lexuesit dhe bën që – bie fjala – krimin ta ketë kryer vetë narratori (si te The Murder of Roger Ackroyd, nga Agatha Christie).
Një shkrimtar francez, Pierre Bayard, e kthen tani kokëposhtë zhanrin policor, duke i “rihapur dosjet” e disa prej krimeve më të njohura të letërsisë së verdhë: që nga L’Affaire du chien des Baskerville, te Qui a tué Roger Ackroyd?, për të “provuar” se heronjtë e zhanrit, si Holmes dhe Poirot, gabuan në zgjidhjen e enigmës; çfarë do të thotë se romanet në fjalë, nga më të famshmet, janë rrëfime “gabimesh”. Suksesi intelektual i eksperimenteve interpretative të Bayard-it (që nuk e prekin rrafshin narrativ të tekstit) varet nga ajo që lexuesi e ka pranuar zgjidhjen ekzistuese si të vërtetë absolute, madje si edhe më absolute se një e vërtetë e sanksionuar nga një hetim policor dhe proces gjyqësor. Duke vepruar kështu, Bayard sikur i thotë lexuesit: po sikur ajo që ke parë, kur përfundove së zhveshuri tekstin, të mos jetë trupi lakuriq i “femrës” narrative, por një konstruksion, një simulakër, një manekin prej allçie?
Kur e pata lexuar Kush e solli Doruntinën, të botuar atëbotë si novelë brenda një vëllimi me proza të tjera, kisha kujtuar për një çast se enigma ish lënë prej autorit e pazgjidhur, dhe racionaliteti i Stresit nuk e kish depërtuar dot murin irracional të legjendës. Kjo, sepse më kishin shpëtuar disa indicie, në rrëfim, se Doruntinën e paskësh sjellë vetë Stresi; i cili qenkësh dyzuar pastaj mes rolit të hetuesit të ngarkuar nga autoritetet me zbardhjen e një “krimi”, dhe rolit tjetër të autorit të po atij “krimi” – si një lojtar që luan shah kundër vetes. Ashtu edhe kisha menduar se misteret e një legjende nuk mund të dekonstruktohen me arsye ose pa rënë në paradoks; dhe se ishte koha edhe për ne në Shqipëri që një shkrimtar ta rrëfente këtë. Por ky lexim nuk ishte veçse efekti i saturimit dhe i lodhjes sime, me optimizmin dhe pozitivizmin e kulturës realist-socialiste në vitet 1980; përndryshe, zhbirimet e Kadaresë, të zbatuara ndaj legjendave folklorike por pastaj edhe ndaj disa kryeveprave të letërsisë botërore – nga Iliada te teatri i Eskilit, Dantja dhe Shekspiri – e vendosnin atë me të dy këmbët në racionalitet; dhe në fund të “zhveshjeve” të tij interpretative do të gjendej gjithnjë një trup lakuriq i pareduktueshëm, e Vërteta me V të madhe.
© 2022-2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.