nga Artan R. Hoxha, Ph.D.
Perde të rënda klasike me tone të arta. Të njëjtën rrëzëllimë të florinjtë, vetëm disi më të mbytur kanë edhe muret. Për një çast të duket sikur je në katin më të sipërm të Kullës Trump në Fifth Avenue, vetëm se ajo ka më shumë shkëlqim e më tepër nga ai bollëk i lakmuar nga pashallarët e rinj të Shqipërisë – besoj edhe nga ata të vjetrit që i kishin marrë titujt e gradat me gjak e intriga, të cilëve do t’u shkonin jargët litar nga begatia verbuese e miliarderit përçarës nju jorkez. Ndoshta e teprova me këtë krahasim. Kur fola me një mikun tim dhe i përshkrova imazhin e tavanit të ambientit për të cilën po shkruaj, ai tha: “Tavani i zyrës së kryetarit qenka një kitsch i paparë. Një gjë e mesme, ku gjen brenda pak Kamzë e Bathore dhe pak Stephan Platz”, e më tej vijoi – Lacan shprehej se sa hyjmë në gjuhë menjëherë kemi të bëjmë me ideologji. Unë them që sa hyn tek zyra e kryetarit, kemi të bëjmë me aristokraci.”
Bëhet fjalë për zyrën e kryetarit të Akademisë së Shkencave. Të mos keqkuptohemi. Kur miku im fliste për aristokraci nuk nënkuptonte shtresën e të ndriturve, pushtetin e më të mirëve për të cilin fliste Platoni dhe Aristoteli. Fakti që flitet për Akademinë e Shkencave nuk nënkupton aspak se këtu kemi të bëjmë me dijetarë si ata që kishin në mendje filozofët e mëdhenj të Greqisë së kohës klasike. Në këtë rast me aristokraci nënkuptohen thjesht feudalë, timarlinj që zyrën e shtetit e kthejnë në një çiflig të tyrin dhe që synojnë ta mbushin me çifçinj që u rrinë gati për gjithçka.
Krahasimi i përdorur prej mikut tim ishte mjaft i goditur. Pikërisht aty, nën çatinë e pallatit mbretëror të ngritur në truallin e Toptanasve, sot punon drejtuesi i panteonit të akademisë shqiptare. Punon nuk është fjala e duhur. Ajo zyrë shërben si qendra ku e ashtuquajtura pari e mendjes instrumentalizon fjalën shkencë dhe e përdor atë si mjet të pushtetit personal. Ndryshojnë njerëzit por jo tavani. Ideologjia e parisë shprehet përmes një simbolike që edhe pse në formën e antikuarit, lidh fillin e vijimësisë së përmbajtjes së atij pushteti patriarkal që ende lulëzon edhe sot thuajse i paprekur. Dekorimet kitsch dhe perdet e florinjta janë si nishanet e dikurshme të bejlerëve e bajraktarëve: ato përcaktojnë statusin dhe shtypin fukarenjtë e akademisë që bëjnë punën e argatit, gjysmatarë që i shlyejnë detyrimet e tyre në zyra pa ngrohje dhe ftohje, dhe jo rrallë edhe pa kompjuter. Sikur të mos mjaftonte, sikundër ndodh në rastin e historianëve, çifçinjve që punojnë në heshtje për lavdinë e parisë u duhet edhe të blejnë me lekët e nxjerra nga xhepi i tyre dokumentet arkivore.
Se për çfarë shkence bëhet fjalë mjafton të dëgjosh diskutimet për tekstin e Historisë së Shqipërisë. Sa herë organizohen mbledhje për hartimin e këtij teksti, rreth tryezës qendrore të zyrës së kryetarit krijohet një përqendrim i jashtëzakonshëm ish ministrash, ish deputetësh, ish ambasadorësh e ish kryetarë partish. Kuptohet se shumica dërrmuese e këtyre të pushtetshmëve përbëhet nga meshkuj të një moshe relativisht të shtyrë. Me fytyra të rruara dhe të qëruara, me duart që i mbajnë të lidhura përpara, teksa shohin diku thellë atje ku syri i vdekatarëve të tjerë nuk mund të depërtojë, ata theksojnë se vepra e Akademisë së Shkencave do të jetë fjala përfundimtare e historisë së Shqipërisë. Kjo do të jetë një vepër studimore shqiptare, e shkruar nga shqiptarët, e jo nga të huajt. Domethënë, të huajt nuk e bëjnë historinë si ne dhe na takon ne shqiptarëve, ta shkruajmë atë për veten tonë, ta gatuajmë vetë bukën, e ta hamë po vetë. Nuk e di pse, por këto fjalë më duken si të dala nga fjalimet e Byrosë Politike. Ndarjet ndërmjet Nesh dhe Atyre që më pas vijon me ndarjen të Rinjtë dhe të Vjetrit brenda akademisë shqiptare, ngrenë ato lloj muresh që këta historianë mëtojnë se janë duke shembur. Këngën vençe e vijoi një tjetër historian që arsyetonte se “ne do e bëjmë historinë me fakte”. Uau! Me të vërtetë??!! Domethënë të “tjerët” e shkruajnë historinë pa fakte, jo të vërtetë, kurse vepra e Akademisë së Shkencave do të tregojë të shkuarën se si ka qenë, mbështetur me fakte, ndaj do të jetë edhe përfundimtare. Këtu mbaron shkrimi i historisë së Shqipërisë. Ndërkaq, teksa historianë të njohur shqiptarë lavdëronin punën e tyre, pra edhe veten, si dhe përcaktonin rëndësinë e veprës që ata do të shkruanin, kryetari i Akademisë zgjaste dorën drejt qendrës së tryezës ku ndodhej një vazo e vogël e mbushur me çokollata Baci Perugina dhe i konsumonte ato njëra pas tjetrës. As zhurma e butë e zhvoshkjes së ambalazhit me ngjyrë të alumintë të mbushur me yje të vegjël të katërt dhe as era e çokollatës nuk e lehtësonte dhe as e ëmbëlsonte ajrin mbytës të atij mjedisi të rënduar nga pesha e pushtetit dhe e dogmës. Si mund të flitet për shkencë e njëkohësisht për një studim që i mbyll dyert cilitdo punim të ardhshëm? Kjo mbetet një enigmë që vetëm teologët e ekzegjezës nacionaliste shqiptare mund ta kuptojnë.
A është thjesht rastësi që nën çatinë e pallatit mbretëror sot dëftojnë e japin urdhra mbretërit e rinj taumaturgë të dijes zyrtare që legjitimojnë pushtetin përmes prekjes së mantelit të tyre nga misteri i shkencës? Përdor këtu oksimoronin “mister i shkencës” pasi vetëm prej një kundërthënie të tillë termash mund të çelë e të lulëzojë zambaku i absurdit “tekst përfundimtar”. Në fakt, “shkenca” është për shumë prej tyre, përfshi këtu edhe çifçinjtë e jeniçerët e mbretit dhe enturazhit kalorsiak të akademisë, një trampolinë drejt pushtetit. “Shkencëtarët”, pavarësisht se ku janë të vendosur në piramidën e strukturës së dijes, janë të përfshirë nga ethet e të bërit deputet, e ata më ambiciozët ia kanë vënë syrin ndonjë karrigeje ministri. Ndër historianë nacionalizmi, rrëfenja nacionaliste me gjithë eskatologjinë e kombit shërben si mënyra më e mirë për të bërë bujë, për t’u bërë të dukshëm. Si ithtarët e antikomunizmit, për të cilët vendosja e fashizmit në Shqipëri nuk do të ishte problem por komunizmi ishte i keq se na futi në orbitën sllave dhe na shkëputi nga Europa, si apologjetët e PPSh-së që kërkojnë të gjejnë argumente se gjatë kësaj periudhe pati edhe arritje, i mbështesin argumentet e tyre mbi të njëjtin themel – nacionalizmin. Në të gjitha rastet, këta e vendosin veten në karakollin e rojës së kombit. Shpesh kjo është edhe një strategji, një rrugë që historianët nacionalistë zgjedhin me vetëdije për të përmbushur me sukses qëllimet e tyre vetjake, pasi një gjë e tillë lejon vënien e emrit dhe hap më mirë rrugën drejt pushtetit. Me një gjuhë të tillë të hapen dyert e emisioneve televizive më të ndjekura, shndërrohesh në personazh mediatik, ose sikundër u pëlqejnë të shprehen, “vendos veten në hartë”. Të farkëtuar – aspak të formuar – në kudhrën e një sistemi të rrëzuar këtu e tridhjetë e një vjet më parë, pashallarët e sotëm të dijes u ngritën nga origjina e tyre plebejase drejt majës dhe përvetësuan gjithë bagazhin e privilegjeve në një regjim që predikonte barazinë dhe që në fakt e riprodhoi atë në një mënyrë tjetër – Milovan Gjilasi do ta pagëzonte si “shoqëri e papërsosur” pikërisht për të treguar se si në fakt komunistët ndërtuan të kundërtën e shoqërive që ata mëtonin se do të ndërtonin. Përvetësimi prej kupolës së shkencës shqiptare, të simboleve, të pabarazisë dhe të gjithë arrogancës që ajo mbart, shprehin dështimin e kësaj ëndrre për zbatimin e së cilës janë shkaktuar aq tragjedi – tragjedi që vijojnë të përjetohen edhe sot. Jo rrallë rojet e nacionalizmit çojnë fëmijët e tyre për të studiuar në shkolla shumë të mira të huaja dhe, në biseda private, me shumë sinqeritet rrëfehen, jo pa njëfarë mburrjeje, se djali apo vajza nuk duan të kthehen më në Shqipëri, kurse kolegët e tyre urojnë “ishallah gjen ndonjë gjë andej”. Si mund të jenë rojtarë të nacionalizmit këta njerëz që përbuzin vendin e tyre?
Prej kohësh është theksuar se në Europën Juglindore historianët janë një forcë politike. Shqipëria nuk bën përjashtim. E megjithatë, teksa shikon nga brenda gjithë ekonominë e historishkrimit – po, ekonominë – kupton se përtej nacionalizmit të dëlirë, të ndjerë, ky, pra nacionalizmi, është edhe një as në dorën e një grupi jo të vogël historianësh për të konsoliduar pozitën e tyre dhe për të përfituar politikisht dhe ekonomikisht prej tij. Është e vërtetë se nacionalizmi edhe pse i kuptuar në mënyrë rudimentare dhe i pasistemuar, teorikisht ofron një gjuhë, një kornizë përmes të cilës shumica dërrmuese e historianëve shqiptarë, kuptojnë ngjarjet, arrijnë t’i organizojnë, lidhin dhe rrëfejnë ato. Vlerësimi pozitiv apo negativ i një figurë të rëndësishme historike, ose e thënë më shkoqur e një udhëheqësi, varet me hapat që ai ka ndërmarrë në shërbim të përmbushjes së programit nacionalist shqiptar – që shpesh është vështirë të identifikohet se cili dhe çfarë është.
Përtej retorikës së tyre, popullin për të cilën shkruajnë dhe ideologë të të cilit mëtojnë se janë, historianët nacionalistë e shohin nga lart, me përbuzje; në frymën Hobsiane – dhe natyrisht pa e njohur Hobsin – populli për ta është një turmë që ka nevojë për drejtim; dhe në frymën e Rankes – edhe një herë, pa e njohur veprën e historianit gjerman të fillimit të shekullit XIX – historinë e bëjnë personazhet e mëdhenj që shprehin shpirtin e kombit. Populli, i paaftë të artikulojë interesat e tij, i gjen këto të shprehura te interesat dhe politikat e udhëheqësve që i japin trajtë masës pa formë. Pra, historia rrëgjohet në vlerësimin, ose më mirë, në gjykimin e veprave dhe bëmave të udhëheqësve politikë. Në të njëjtën mënyrë, vetë këta historianë e akademikë heqin një vijë ndarëse mes vetes dhe atij që ata mëtojnë se i përfaqësojnë interesat, pra kombit. Por kufiri mes subjektivitetit të historianit që shkëput veten nga objekti që ai/ajo studion është arbitrar dhe në botën reale ai është i mjegullt, për të mos thënë se mbi të gjitha është një artific intelektual. Ndarja elitiste ndërmjet subjektit dhe objektit, ndërmjet parisë së mendjes dhe masës, shpreh pikërisht prirjen për status dhe privilegj, për përfitime që rrjedhin nga funksioni i tyre pastërtish politik.
E këtu, tek të shndërruarit të vetes në gjykatës dhe aktorë politikë shohim të shpaloset edhe vetë pushteti që ata kërkojnë. Duke folur një gjuhë që edhe audienca, falë njëqind vjetësh shtet kombëtar, e kupton, këta historianë nuk bëjnë gjë tjetër veçse fitojnë kapital simbolik dhe politik për veten, e bashkë me ta edhe projekte të majme si vepra “përfundimtare” e historisë së Shqipërisë që do të nxjerri Akademia e Shkencave, apo projekte të tjera të financuara nga aktorë shtetërorë që paguhen me shuma të majme – gojë të liga thonë deri në 65 deri në 100 euro faqja. E kur shkruhen tekste të tilla prej qindra faqesh që përsërisin ad infinitum të njëjtin refren, në xhepat e nacionalistëve derdhen fonde të mjaftueshme që lejojnë pushime në resorte luksoze, blerjen e apartamenteve anës detit, financimin e studimeve të fëmijëve, e të tjera shpenzime që në kushte të tjera nuk do t’i kishin përmbushur dot.
E duke kërkuar pushtet, këta historianë shkruajnë për pushtetin, që në gjuhën e tyre e përkufizojnë si “histori politike”. Të shkruajnë për ata që janë të pushtetshëm, qoftë ky Enver Hoxha apo Zogu, Noli apo Konica, Esat pashë Toptani apo Ismail bej Qemali kjo është për ta histori politike. Duke shkruar për të pushtetshmit, ata janë duke shkruar edhe për veten, për aspiratën e tyre për të qenë të pushtetshëm. Përtej paaftësisë për t’i rrokur e shtjelluar, ata refuzojnë dhe përbuzin tematika të tjera “hiç më pak politike”, sikundër janë ato mbi kulturën apo shoqërinë, për njerëzit e pambuluar me petkun e pushtetit të plotfuqishëm, pasi këto defunksionalizojnë rolin e tyre si gardianë të jetës politike të kombit. Heqja dorë prej funksionit të gjykatësit që përcakton të mirin dhe të keqin në drejtimin që merr historia e Shqipërisë, i lë ata jashtë vëmendjes së vetë politikës, i bën ata qytetarë të thjeshtë, profesionist të së shkuarës që si synim kanë të shkruajnë e të marrin pjesë në debate akademike që kanë për qëllim të kuptojnë realitetin dhe jo të vishen me privilegje dhe benefite. Gjithë kjo mënyrë e të qasurit ndaj të shkuarës shoqërohet nga mungesa e debatit të hapur, gjithëpërfshirës dhe të barabartë mes kolegësh. Në fakt, vetë debati vendos barazinë ndërmjet drejtuesve të akademisë – këtu nuk e kam fjalën vetëm për Akademinë e Shkencave por për atë grup që bën ligjin brenda strukturave akademike përmes mekanizmave informalë – dhe studiuesve të tjerë që “udhëheqja” i cilëson si çifçinj të tyre. Një gjë e tillë është vështirë të ndodhi atje ku historia si profesion nuk shihet si trampolinë për pushtet, deputetllëk, drejtorllëk, apo shefllëk.
Për rrjedhim, njerëzit që flasin në emër të shkencës dhe që e cilësojnë veten e tyre si shkencëtarë qarkullojnë rëndom teza për komplote sllavo-ortodokse, vllaho-ortodokse, greko-ortodokse, turkofile të ngritura kundër Shqipërisë – teza këto me karakter fashist dhe të ngjashme me gjuhën e antisemitizmit të së djathtës ekstreme. Objektivi është të identifikohet armiku i kombit, të hiqen kufijtë mes Nesh dhe Atyre, ku Ne dhe Ata mbesin deri në fund kategori të vagullta që riqarkullojnë si klishe dhe pa asnjë domethënie të thellë, e që nuk arrijnë aspak të ndriçojnë realitetin. Nëse parulla e historianëve është se “gjërat janë më të ndërlikuara”, për këta historinë “gjërat janë të thjeshta”; thjeshtëzimi i së shkuarës dhe futjes së saj brenda kallëpeve të caktuara është ajo që u intereson hierarkëve të akademisë dhe atyre të përfshirë në shkrimin e historisë etnocentrike, të cilët duan të rrethohen nga ngjyra e florinjtë, të punojnë nën tavane kitsch dhe të sillen si mbretërit apo pashallarët që në varësi të kahes politike ata i gjykojnë si atdhetarë të mbaruar apo tradhtarë. Në fund të fundit, rëndësi ka të sigurojnë ato privilegje që u ngrohin atyre xhepat dhe u japin pushtet.
(c) 2022 Artan R. Hoxha, Ph.D. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Ndalohet rreptë ribotimi i shkrimit pa lejen e autorit.
Shënim: E vetëdijshme për natyrën e ashpër kritike dhe polemizuese të këtij shkrimi, redaksia mirëpret përgjigje dhe diskutime nga cilado palë që ndihet se mund të sjellë diçka në debat.