Një shkrim i tanishëm i A. Riskës për këngën e Gjergj Elez Alisë dhe raportet e këtij personazhi me Shën Gjergjin më risolli në vëmendje rëndësinë që ka – ose që besohet se ka – kërkimi dhe sqarimi i origjinës në dije të tilla si studimi i folklorit ose i gjuhës, dhe jo vetëm në perspektivën albanologjike.
Fokusin tek origjina e ndesh rëndom në atë që do ta quaja albanologji “të rrugës”, sa kohë që për shumë njerëz jo-specialistë enigma e një artifakti ose dukurie nga e shkuara ka pikërisht të bëjë me atë se “nga vjen”; dhe këtë e ndesh si në nivelin makro, që mishërohet në pyetjen “nga vjen shqipja”, ose “nga vijnë shqiptarët”, ashtu edhe në nivelin mikro, që mishërohet në pyetjen “nga vjen” kjo apo ajo fjalë. Duket sikur për një kategori të gjerë të publikut, objekti dhe misioni i dijes historike – në kuptimin e gjerë të fjalës – është të shpjegojë se nga vjen kjo ose ajo.
Në rastin e baladave popullore, çështja e origjinës shpesh bëhet pjesë e përpjekjeve për të konfirmuar primatin etnik në një zonë gjeografike të caktuar, p.sh. në Ballkan – siç e tregojnë studimet e shumta, të krahut tonë, që mëtojnë të provojnë se balada e Rozafës ose ajo e Kostandinit e kështu me radhë, e kanë origjinën “këtu”. Kjo është provuar edhe me Ciklin e Kreshnikëve, të cilit nga disa origjina jo vetëm i është identifikuar, por edhe datuar.
Por origjina, në vetvete, nuk duket dhe aq interesante, të paktën për dijen; dhe sidomos nuk duket dhe aq interesante, në krahasim me atë çfarë ka ndodhur, me artifaktin ose dukurinë në fjalë. Edhe për një qytet antik, si Butrinti, pyetja se cilët e themeluan nuk ngre dhe aq peshë, në logjikën e historisë së bregdetit të Jonit në lashtësi, sa pyetja se çfarë ndodhi me atë qytet në rrjedhë të shekujve, ose pyetja se kush banonte atje, cila fuqi politike e kontrollonte e kështu me radhë.
Në gjuhësi, sot është pranuar – me bindje a me konvencion – se gjuhët indoeuropiane kanë origjinë të përbashkët (në mos qoftë kjo thjesht tautologji); por specifika e secilës gjuhë, përfshi këtu edhe shqipen, nuk ka të bëjë aq me “origjinën” e saj, sa ç’ka me mënyrën si ka ndryshuar në kohë, kontaktet që ka pasur me gjuhë të tjera, e kështu me radhë. Hipoteza indoeuropiane ofron një platformë efikase, për ta ndjekur këtë histori specifike – por jo shumë më tepër.
Edhe fjalorët etimologjikë, duke filluar nga shekulli XIX, morën shpesh trajtën e listave ku fjalët e gjuhës objekt viheshin në korrespondencë me fjalë nga gjuhë të tjera (ose rrënjë indoeuropiane). Këtë formë e gjen ndonjëherë edhe në fjalorë modernë, si ai Orelit për shqipen. Por fjalorë të tillë nuk janë “interesantë”, sepse të thuash që shqipja gjel vjen nga latinishtja gallum është, në thelb, banale. Edhe për shqipen ndëshkoj të thonë se vjen nga latinishtja dēspicārī (“përçmoj, përbuz”), por kjo “origjinë” e fjalës nuk thotë asgjë për aventurën semantike të kalimit nga kuptimi i dikurshëm latin tek ky tjetri në shqipen e sotme; prandaj shpjegimi etimologjik mbetet mekanik.
Në disa raste, kërkimi i origjinës kalon pandalshëm nga dija në ideologji (esencializmi), kur nuk kalon edhe ai në folklor; në raste të tjera, mund të mbetet pjesë e dijes, por gjithnjë me interes të diskutueshëm. Ashtu, mund të vendosen lidhje të mirëfillta mes një balade popullore dhe një ngjarjeje historike të regjistruar, por sa ndihmon kjo në sqarimin e baladës mbetet e paqartë. Edhe kur vjen puna te leksiku, që një fjalë si katallan, figurë e përrallave popullore, e ka “origjinën” nga bëmat e mercenarëve katalanë në Arbërinë mesjetare, kjo nuk shpjegon gjë për fenomenologjinë e personazhit katallan, brenda ekonomisë së përrallës – ndërsa krahasimi narratologjik me figura të ngjashme, gjigandë kërcënues dhe të dhunshëm, ndihmon. Vërtet, për të emërtuar këtë figurë, është përdorur një emër etnik, por kjo duket si diçka e rastit; në kuptimin që përralla ka përdorur atë material që ka gjetur gati.
Kërkimi i origjinave ndryshe është bërë në shekujt XVII-XVIII dhe ndryshe në shekullin XIX; por në të gjitha herët, mbetet i ndikuar nga botëkuptimi mitologjik (fetar), edhe pse ky, me kohë, përfundoi në narrativat e ideologjive kombëtariste dhe në olimpiadën folklorike komike të kundërvënieve rreth primateve. Ideja se identifikimi i origjinës “etnike” të një artifakti ose dukurie kulturore shpie vetvetiu në konfirmim të “pronësisë” i ngjan institucionit të atësisë (paternitetit, “i kujt je mor djalë”) dhe pertinencës së tij juridike, paçka se çon në rrjedhoja qesharake – kur nuk çon në konflikte ndëretnike ndonjëherë të dhunshme. Por kjo nuk ka penguar kurrë klishe të tilla si “kjo baladë është jona, sllavët (grekët) e morën prej nesh”, të cilat nga njëra anë esencializojnë identitetin etnik, nga ana tjetër e shtrijnë pronësinë edhe atje ku e humbet sakaq kuptimin.
Sërish, kërkimi i origjinës nuk është vetvetiu dhe gjithnjë punë e kotë, por gjithnjë ia vlen të pyetet se çfarë force shpjeguese ka identifikimi – qoftë edhe i plotë – i një origjine. Për një huazim latin të shqipes, origjina (“nga ka ardhur”) mund të shërbejë për të formuluar ose mbështetur një rregullsi të fonetikës historike të shqipes ose fundja edhe një statistikë të prejardhjes së fondit leksikor themeltar të kësaj gjuhe, por jo për të kuptuar vendin e fjalës përkatëse në leksik, dje dhe sot. Ka plot fjalë në shqip që ende nuk u njihet etimologjia, por kjo nuk i pengon që të përdoren lirisht, dhe as të zënë vendin që u takon, në strukturat gramatikore dhe leksikore të gjuhës.
E megjithatë, vëreni sa i fortë ka mbetur argumenti i origjinës, në debatet e sotme kulturore, përfshi edhe ato me natyrë historike-albanologjike; por edhe në politikat kulturore zyrtare dhe gjysmë-zyrtare, ku origjina “e mirë” ose “e keqe” shërben si kriter për pranimin ose përjashtimin e një artifakti ose dukurie; shembull flagrant do të ishte purizmi leksikor, që i vlerëson fjalët për nga prejardhja dhe i gjykon për nga shkalla e “pastërtisë”.
(c) 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.