nga Arben Dedja
*
Stenoja: Epo, kjo a nuk është për të vënë duart në kokë?
Euriala: Për çfarë po flet, motër?
Stenoja: Ti e kupton që mua e ty nuk na begenis kush. Nuk na njeh kush. Jo më larg se djethi shëtisja nëpër Olimp dhe askush që të më thosh “Punë e mbarë!”; pastaj zbrita edhe në tokat e Oqeanit Perëndimor, për t’u bindur edhe më, por hiç ore hiç të më përshëndesë, vallë, dikush. Kurse atë; motrën tonë të vogël, atë e njohin të gjithë, në këtë botë dhe në tjetrën. E pra, njësoj jemi të treja: e bukur ajo, të bukura ne; krip me gjarpërinj ajo, krip me gjarpërinj ne; shikim që të ngurtëson ajo, shikim që të ngurtëson ne. Më thuaj kush ka ngurrosur e vrarë burra më shumë se unë? Po kush ta di, se. Bythë e plasur! Kësaj i duhet vënë vizë.
Euriala: Ke të drejtë, ç’të them unë e shkreta. Po si t’ia bëjmë punës?
Stenoja: Hm! Unë një ide edhe e kam.
Euriala: Po…
Stenoja: Pa mendohu një çikë? Ç’ka ndryshe ajo nga ne?
Euriala (mendohet; pastaj i ndrisin sytë): Hahaha! Është e vdekshme.
Stenoja: Mirë e the. Hm! Duhet t’i çojmë haber… Perseut.
*
Pacientja: Atëherë, doktor? Ju lutem, më thoni nga se vuaj?
Psikiatri: Desha t’ju qetësoj…
Pacientja: Vërtet? Por ndjenjat që unë provoj a nuk janë të tmerrshme?
Psikiatri: Zonjë, më lini t’ju shpjegohem. E gjitha sa përshkruat, me zhvillimet që ka bërë shkenca e mjekësisë, por edhe shoqëria jonë sot, nuk mund të konsiderohet aspak si sëmundje e as si çrregullim organik. Kemi të bëjmë thjesht me parapëlqime.
Pacientja: Nuk kuptoj.
Psikiatri: Zonjë, ndjenjat tuaja hyjnë në grupin e madh të parafilive.
Pacientja: Parafili? E kuptoj fjalën bajagi mirë, se greqisht qenka, por prapë nuk ia rrok kuptimin e thellë.
Psikiatri: Kemi parafili, zonjë, kur shprehim një interes seksual intensiv dhe të vazhdueshëm ndaj personash atipikë, ndaj objektesh të pashpirt apo gjallesash jonjerëzore.
Pacientja: Hm! Dhe kjo ju duket pak.
Psikiatri: Për sa kohë që nuk shkakton vuajtje, nënshtrim të tjetrit, përfshirje të miturish ose të rriturish pa pëlqimin e tyre, nuk përbën problem.
Pacientja: Prapë nuk kuptoj mirë. Mund të jeni me konkret?
Psikiatri: Sigurisht. Parafilitë janë me qindra. Dhe qitapët e psikiatrisë regjistrojnë çdo vit forma të reja.
Pacientja: Për shembull?
Psikiatri: Për shembull kemi akrotomofilinë – tërheqjen seksuale ndaj personave me amputime; apo agalmatofilinë – tërheqjen seksuale ndaj shtatoreve, dordolecëve, manikinëve; apo arpaksofilinë – kur dëshira seksuale rritet kur vidhesh…
Pacientja: Doktor, po më habisni!
Psikiatri: Ç’t’ju them. Parnerët e njerëzve me arpaksofili duhet të organizojnë vazhdimisht skena vjedhjesh në shtëpi dhe të shpresojnë që të mos hyjë asnjëherë në aksion ndonjë hajdut i vërtetë shtëpish. Doni të tjera? Autassassinofilia, për shembull, po ua përkthej, se ndoshta nuk e kapni, por do të thotë “dëshirë për t’u vrarë”, një parafili mazohiste pra, ku personi provon eksitim seksual deri në mbërritje të orgazmës kur rrezikon të vritet ose kur ndodhet në rrezik për jetën. Ose autoplushofilia: këtu kënaqësia mbërrihet kur personi e imagjinon veten si pellush dhe shpesh partnerit i takon të vishet posaçërisht si një kafshë e antropomorfizuar (sidomos si lepurush gjigand ose arush); në klizmafili pastaj kënaqësia arrihet nga përdorimi gjatë aktit seksual i klizmave të bollshme në anus dhe kolon; kronofilia është mbërritja e orgazmës vetëm me partnerë me diferencë sa më të madhe moshe, në një kohë kur dakrifilia bën (për ata që e vuajnë) që të mbërrihet kënaqësia seksuale duke parë (ose duke e bërë) parnerin të qajë (aktive) ose duke qarë ai/ajo vetë (pasive); furnifilia është kur vetë personi ose partneri bëhen tebdil si… orendi shtëpiake (karrige, dollap, komo), me vazo dekorative apo qëndisma përsipër; katoptronofilia, është mbërritja shpejt e orgazmës kur shihesh në pasqyrë, sidomos gjatë performancës seksuale të çdo lloji, zoofilia është mbërritja e kënaqësisë seksuale me kafshë nga më të ndryshmet…
Pacientja: Ah, doktor, e kuptova, e kuptova tani!
Psikiatri: Një minutë. Përmenda vetëm një numër të vogël praktikash, që nuk përbëjnë rrezik për të tjerët ose i fyejnë ata/ato, por mund të vazhdoj kështu gjithë ditën e natën e lume. Keni të drejtë për zoofilinë. Pak a shumë në këtë grup hyn edhe rasti juaj. Por në literaturën psikiatrike ka një term edhe më specifik, që ju përshtatet: avisofilia.
Pacientja: Avisofilia? Pjesën e parë të termit nuk e kuptoj ç’domethënë.
Psikiatri: E drejtë. Është në latinisht, ndaj nuk e kuptoni.
Pacientja: Latinisht? Gjuhë e re kjo! O zot, sa vulgare.
Psikiatri: Zonjë, gjithsesi, po ju lëshoj një recetë. Barnat që do t’ju jap nuk janë aspak të dëmshme; thjesht qetësues që ndihmojnë ta kaloni momentin dhe të ndërgjegjësoheni për gjendjen tuaj, që, e përsëris, nuk duhet t’ju shqetësojë. (Bëhet gati të shkruajë). Edhe njëherë emrin, ju lutem?
Pacientja: Leda, Mbretëreshë e Spartës.
(c) 2022 Arben Dedja, të gjitha të drejtat të rezervuara.
Kopertina: Leda dhe mjellma, nga Peter Paul Rubens (1601)