Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Filozofi

BOTA ME TJETËRI DHE BOTA PA TJETËRI (I)

nga Eris Agolli

(ese krahasuese e personazheve Robinson të Daniel Defoe-s dhe Premti (Vendredi) të Michel Tournier-it)

Pjesa I: Bota me tjetëri[1]

Ngulmimi në banimin e të pabanueshmes me qëllimin e vetëm të ngritjes së botës.

“Vura re edhe se ishulli qe i pabanuar dhe nuk duhet të kishte bisha të egra, se nuk pashë asnjë fare; po vendi duhej të qe shumë i pasur në shpezë prej llojesh që unë nuk i njihja.”[2] Robinsonada e Defosë e parë në interesin e botës, tjetrit, në këtë frazë të lakuar nis duke e vendosur Robinson Kruzonë në kundrimin e disa planeve. Një ishull i pabanuar, i cili është një ujdhesë e tillë derisa përfundon fraza e rrëfimit, sepse sapo iniciohet fragmenti i ri Robinsoni nis ta banojë, pra toka e rrethuar nga të gjitha anët me ujë ishte e pabanueshme e jo e pabanuar dhe në kundra kohë, në mungesë të shpejtësisë së rrëfimit, të një gjuhe që s’mund të rrokë gjithçka, Robinsoni jo vetëm ka nisur rrugëtimin e tij për ta kthyer tokën në territor (riterritorializim), por edhe po mendon për tjetrin. Maçoku që e gëzon më shumë se hamendësimi i të egrit përparon një pre-ekzistencë të tjetrit. Banimi i nisur me njohjen e ishullit si shpëtimtar synon një trajtë të kushteve të njeriut, jo të egrit, por perëndimorit. Çdo akt i Robinsonit e bën banim një banim sepse ishulli nuk njeh banimin e një perëndimori, as krismën e një pushke. Një tokë e tërë për t’u banuar. Pyetja që mund të ngrihet: si do të arrijmë në përmbushjen e procesit të banimit?

Në rastin e perëndimorit, si perëndimor, hap pas hapi me të njëjtin projekt si ishte banimi në fshatin e tij të Anglisë. Gjesti i parë është gardhimi, edhe pse është i vetëm në ujdhesë Robinsoni i Defosë është njeriu që e ka njohur tjetrin, e di se mund të kërcënohet nga një tjetër si ai, dhe me të drejtë kërkon të partikularizojë edhe atë që për çdokënd duket universale. Duke e njohur veten si njeri i botës perëndimore, banimin nuk e realizon vetëm në përkujdesjen ndaj tokës, banesës, fabrikimit të veglave, por edhe në dimensione të tjera si ai i kohës dhe besimit. Mandej, shtrirja deri në organizimin e planifikuar të ditës. Një ishull që sa më shumë banohet aq më shumë zbehet konceptimi i tij si ujdhesë. Lipset të themi si janë mendimet e derivuara nga bota perëndimore, që po ngrenë së pari botën për vete më pas për tjetrin. Një i banuar që merr kuptim aty kur qenia njeri fillon e shpaloset, si në marrjen e çdo mase për jetëgjatësinë e banimit të tij, e bazuar kjo në ato çfarë ai ka ndërtuar. Efektiviteti i të ndërtuarit të gjitha kushteve për të jetuar arrihet për faktin se Robinsoni ka vendosur ta banojë ishullin. Shkrimi në letër në formën e një ditari është dëshmi sesi banohet ishulli dita-ditës edhe më shumë edhe më mirë. Situata e përjetuar në kufijtë e vdekjes, gjendja e rënduar që e kaploi, e afronte edhe më shumë me besimin ndaj zotit duke sjell krishterimin në anën tjetër të botës. Ky mikrokozmos i ndërtuar për t’u banuar kërkonte dhe sferën politike, drejtuesin, zotin e vendit me ligjet e tij. Edhe ky moment është rezonim i banimit që vinte nga bota perëndimore.

Tradita e të banuarit në dy shtëpi në Europë e shenjon Robinsonin edhe pse nevoja nuk ia kërkonte. “Atëherë përfytyrova se kisha dy shtëpi, një në fshat dhe një shtëpi buzë detit. Ndërtimit të shtëpisë së fshatit i kushtova tërë kohën, gjer në ditët e para të gushtit.”[3] Gradualiteti i të banuarit i imponon një ndarje (a)tipike në stinë me shira dhe në stinë të thata, për të siguruar kështu të mbjellat. Papagalli i parëndësishëm bëhet indicia e parë esenciale për figurën e tjetrit për dy arsye: së pari është ngritur një botë e banuar, dhe së dyti papagalli ka zë. Protagonist edhe për ndjeshmërinë e një shpendi që mund të artikulojë qoftë dhe në mënyrë ripërsëritëse fjalët e dëgjuara. Papagalli nuk është tjetri. Ndërtimi hap pas hapi, shkallë pas shkalle i banimit nuk mund të na çonte direkt tek një tjetër që do të ishte qenie njerëzore, por po niste me një maçok me idenë e miqësisë, dhe po vijonte me një papagall që ishte vetja e tij vokale e kulluar. Gjatë banimit perëndimor që po i bënte ishullit e kuptoi që në disa specifika të caktuara mund të cedojë. Në këtë ujdhesë kapitali i grumbulluar (kapitalizmi) nuk ka vlerë, monedhat po ashtu. Në mendimet e tij vazhdon të rezonojë jetën e banuar si në Europë, ndihet që të kuptuarit ka një element thjesht vëzhgues, pasi një europian është qenie e fabrikimit të veglave dhe kjo ndihet si tek ato të domosdoshmet një enë për të zier mishin, sikundërse dhe tek një çadër për t’u mbrojtur nga dielli.

Ishulli banohet vazhdimisht, “ekspeditat” e ndërmarra bëjnë që çdo gjurmë e shkelur e tokës të kthehet në territor. Toka që mbetet me emërtimin që ka, është toka që përdoret për të mbjellat, edhe pse punimi i tyre është një etapë tjetër e banimit. “Por në fillim duhej të lëroja një copë tokë më të gjerë, se kisha aq farë sa mund të mbillja një akër. Më parë se të filloja nga puna, kalova një javë të tërë për të sajuar një bel, bel i thënçin, po nejse, një bel ishte aq i rëndë, sa mezi punoja; megjithatë e mbolla farën në dy ara pranë shtëpisë dhe i rrethova me një gardhë të shëndoshë, hunjtë e të cilit i nxora nga pemët që kisha mbjellë më parë dhe që ishin rritur për bukuri.”[4] Një banim që niste me idenë e një banese, krijimin e orendive, grumbullimin dhe sistematizimin e ushqimeve, ndërtimin e orendive, vendosjen e rregullave, vetë emërimin mbret i ishullit, matja e kohës, ndarja në stinë, ngritja e fushës së blegtorisë dhe bujqësisë, bëjnë të shihet qartë që banimi është i tillë saqë ngrihet për t’u shquar si një botë e tërë që qëndronte në tokën, ajrin dhe detin përreth atij ishulli.

 Tjetri-vetja dhe prania e tjetërisë.

Në rrëfimin e Defosë tashmë me një botë të krijuar bëhet e detyrueshme plotësimi i mëtejshëm i saj, që koncepti të përmbushet në çdo molekulë. Për këtë ekzigjencë cilësore dhe jo sasiore duhet prania e tjetrit dhe gjithçka nis me një gjurmë. Gjurma është shenja po jo shenjuesi, gjysmëhija e një shpute që ngurtësohet. Një gjurmë që shpall mundësinë e tjetrit dhe tjetri mundësinë e botës. Edhe pse Robinsoni e pati banuar aq shumë ishullin sa e kthehu në botë, përsëri kjo botë nuk është e vlefshme, sepse u bë një botë e qëndisur për veten dhe jo për tjetrin. Një gjurmë që shpall mundësinë e botës të një tjetri dhe një tjetri që është botë e mundshme. Një gjurmë në botën më tjetrin është një gjurmëlënëse e rastësisë, ndërsa një gjurmë në botën vetëm me veten është një kërcënim. “Një ditë prej ditësh, aty nga dreka, tek shkoja të merrja barkën, vura re fare i habitur një gjurmë këmbe të zbathur, një gjurmë njeriu, që dukej qartas në mes të rërës. Aty për aty u gozhdova në vend, si të më binte rrufeja a të më shfaqej një vegim. Ashtu i tmerruar, mbajta frymën, zgjata veshët e vështrova rreth e rrotull po as dëgjohej, as shihej gjë e gjallë. Gjurma ishte shumë e qartë; me gishtërinj, me thembër e me të gjitha pjesët e këmbës.”[5]

Ligësia ndaj një tjetri bëhet aq e madhe sa tjetri barazohet me djallin. Gjithsesi Robinsoni i Defosë këtë reagim të parë e ka të përligjur, por nuk duhet të nxitohemi duke shprehur se bota e tij është pa tjetëri, përkundrazi bota e tij është një botë me tjetëri. Transformimi i botës është një emergjencë me praninë e tjetrit. Kishte ardhur koha që bota e ndërtuar vetëm për veten e tij të kthehej në një botë për tjetrin me të gjitha pështjellimet e para penguese. Frika nga diçka e përkthyer si frika nga tjetri. Robinsoni si i pari i ishullit, nuk e di më nëse do të jetë më i parë me tjetrin si ekzistencë. Robinsoni si i dytë i ishullit, nuk e di nëse do të jetë më i parë me tjetrin si ekzistencë. Pra, nuk e di nëse ka pozicionin e subjekti apo objektit ndaj tjetrit, i cili mund të shfaqë të njëjtin shqetësim. Hapet kështu linja e zëvendësimit të vazhdueshëm të roleve subjekt-objekt, objekt-subjekt, mes vetes dhe tjetrit, mes tjetrit dhe vetes. Tjetri për Robinsonin bëhet një problem që konsiston në zënien e vendit që ka zënë ai vetë. Frika që vetja si subjekt do të kthehet në objekt për tjetrin. Me tjetrin vendoset shumësia, e cila detyrimisht sjell tjetërinë. Ekziston, në një çast të dhënë, një botë e qetë dhe çlodhëse. Papritur shfaqet një fytyrë e tmerruar që vështron diçka jashtë fushës. Tjetëria shfaqet këtu jo si subjekt, as si objekt, por si diçka shumë e ndryshme, si një botë e mundshme, si mundësia e një bote të frikshme. Pra, robinsonada e Defosë pavarësisht tjetrit si i egër, tjetrit si kërcënim, e lë hapësirën e botës me tjetëri. Pas dëshirës për tjetrin, që duhet thënë e do tjetrin si vetja, shpreh dëshirën për një shërbëtor, pra për një tjetër që të perceptohet si objekt. Fytyra e të egrit është shprehja e tjetrit. Bota e mundshme, tjetëria, do të fillojë të marrë realitet. Ekzistenca e tjetërisë në fytyrën e tashmë të pagëzuar Premti, shpreh dhe mënyrën sesi do të kryhet, kur në mënyrë të çrregullt, Premti do të përdorë gjuhën angleze për të vendosur një urë komunikimi me Robinsonin. Fusha perceptuese luan një rol të rëndësishëm në kontaktin me tjetrin. Kruzoi e percepton Premtin si vetja, e vesh me rroba, e strehon, i jep njohuri fetare dhe në fund e pronëson.

Tjetëria prania e një pre-ekzistence së largu dhe më pas e konkretizuar, sillte në prani një ballafaqimi mes vetes (perëndimorit) dhe tjetrit (të egrit). Si fillim, Robinson Kruzoi do që Premti të jetë si ai dhe për këtë gjë kthehet në një asimilues në mënyrë të pavetëdijshme. Mungesa e perceptimit të Premtit si subjekt e bën të imponojë vlerat e tij. Në të njëjtën mënyrë, me një ngjashmëri të theksuar Robinson Kruzoi bën të kësisoj të njëjtat veprime si Kolombi. Ditari i këtij të fundit është i ngjashëm me ditarin e Kruzosë. Komunikimi që ka Kolombi me të egrin është vetëm për dijet mbi yjet, edhe komunikimi i Kruzosë me Premtin do të lindë po për interesin e këtij të fundit për ato çka ai di.[6] “Të zhveshur fizikisht, indianët janë, gjithmonë për sytë e Kolombit, të zhveshur edhe prej çdo cilësie kulturore: ata karakterizohen, në një farë mënyre, nga mungesa e zakoneve, riteve, fesë (e kjo ka brenda një fill logjike, sepse, për një njeri si Kolombi, qeniet njerëzore filluan të veshin rroba vetëm pas dëbimit të tyre nga parajsa tokësore, gjë e cila qëndron në themel të identitetit të tyre kulturor).”[7] I tërë ky pasazh shpreh identikisht mënyrën sesi ka menduar edhe Robinson Kruzoi në takimin me Premtin. Kruzoi ndihet superior dhe indirekt Premti është i egri i bërë inferior, dhe i bërë për t’u ndjerë i tillë. Premti shihet si shtazë për shkak të një kulture kanibaliste, e cila për kulturën perëndimore ishte gati në gradën e të papërfytyrueshmes.

Megjithatë përpjekjet e Premtit për të komunikuar duket sikur plotësojnë trajtën e një tjetri të pranueshëm si njohës i ndër njerëzores. Gjithashtu, pranimi që i bën besimit, edhe pse ngre shpesh pyetje të cilat vijnë për shkak të mungesës së konceptimit të një zoti të vetëm dhe raportit të tij me djallin. “Kur u kthye Premti, i thura një ligjëratë të madhe rreth çlirimit të njerëzve nga ana e shpëtimtarit të botës dhe rreth doktrinës së ungjillit, që është shpallur prej qiellit, domethënë rreth pendesës sonë ndaj zotit dhe besimit tonë te Jezu Krishti.”[8] Pavarësisht lëvrimi të shpeshtë mbi zotin përsëri ndihet dallimi mes të egrit dhe perëndimorit, sepse nuk vihet një barazitizëm i krishterimit i lidhur me universalizmin e tij. Robinson Kruzoi e sqaron Premtin se priftërinjtë janë një mashtrim dhe një përrallë e madhe, po nga ana tjetër ai sillet po si një prift. Gjatë gjithë kohës, Kruzoi ka një hezitim ndaj figurës së të egrit, po jo ndaj tjetrit, megjithëse qëndrimi i vetmuar për shumë kohë e ka tëhuajësuar nga bota. Po të mos harrojmë, ai ngriti një botë të tijën që rezononte një ngjashmëri me botën perëndimore, një botë që lejonte shfaqjen e tjetërisë, madje veprimet e tij ishin tipike për plotësimin e figurës së tjetërisë. Bota e mundshme e menduar prej tij duket qoftë si kërcënim ndaj idesë se të egrit do ta sulmonin, si në përballjen me Premtin, ashtu dhe në botën e mundshme të njerëzve me mjekër që ndodheshin matanë ishullit. Qëndrimi në bedencën më të lart të ishullit dhe vështrimi prej andej i çdo bote të mundshme tregon qartë se Robinsoni i Defosë është një botë me tjetëri. Rastet pasojnë njëra-tjetrën deri në takimin e një tjetri që ngjan me veten seniori spanjoll, po që dhe ai ishte së pari një botë e mundshme, një tjetëri që do të shndërrohet në realitet.

Tjetri që më ngjan nuk e shndërroj në trajtën e një sendi dhe me atë që jam i barabartë mbart identitet ndërsa me të pabarabartin prodhoj dallim. Në këtë situatë për Robinsonin, për luftimet që ai bën ndaj të egërve, vlen një lloj ligjësie e përmendur tek “ Konkuista e Amerikës.”

  1. Është e ligjshme të nënshtrohen me anën e forcës së armëve ata njerëz që ekzistenca e tyre natyrore i bën që duhet t’ju binden të tjerëve, pra, kur refuzojnë këtë bindje dhe nuk ka mbetur tjetër rrugëzgjidhje.
  2. Është e ligjshme të ndalohet krimi i llahtarshëm i ngrënies së mishit të njeriut, i cili është një fyerje e veçantë e natyrës, si dhe dhënia fund e kultit të demonëve, i cili, më shumë se asgjë tjetër shkakton zemërimin e Hyjit me ritet e përbindshme të flijimit njerëzor.
  3. Është e ligjshme të shpëtohen nga rreziku i madh vdekatarët e panumërt që këta barbarë flijojnë çdo vit, duke paqtuar zotat e tyre me zemra njerëzish.
  4. Lufta kundër të pafeve justifikohet, sepse i hap rrugën përhapjes së besimit të krishterë dhe lehtëson detyrën e misionarëve.[9]

Todorov ka ngritur një tipologji në marrëdhënie me tjetrin, që e sintetizuar mund të na ndihmojë edhe për figurën e tjetrit të Defosë. Së pari plani aksiologjik, pra tjetri është i mirë apo i keq, e dua a po nuk e dua, ose, siç thuhej në atë kohë i barabarti im, ose ai është më poshtë se unë. Kjo ndihet në raportin e Robinsonit me Premtin. Kruzoi mendon se ai është më i mirë, në fillim nuk e do, po më njohjen si tjetër do e kuptoj besnikërinë e tij. Barazia mbetet një çështje e pa mbyllur se nuk mund të vendos tjetrin në të njëjtën kondicion me veten, qoftë edhe kur ai është europian. Ndarja e dytë që bën Todorov është plani prakseologjik, që paraqitet si në pontencialitet identifikimi me tjetrin me kulturën e tij. Këtë e kryen Premti, përveçse mëson gjuhën i premton të zotit të tij se nuk do të konsumojë më kurrë mishin e njeriut. Së fundi, edhe në planin epistemologjik sesa njihet identiteti i tjetrit, marrëdhënie kjo që në romanin e Defosë paraqitet te raporti i Robinsonit me spanjollët, sesi ai respekton figurën e kapitenit dhe me pranimin e identitetit të njërit-tjetrit, arrijnë edhe pakte.[10] Një vështrim të fundit ndaj ujdhesës do të evidentojmë se ajo tashmë është bërë një territor i vërtet europian, në përmasat e një fshati, e populluar  jo vetëm nga tjetri po nga disa të tjetër. Kruzoi është bërë guvernator dhe organizimin e vendit e bën si në Angli, madje është ngritur edhe institucioni i dënimit. Largimi i tij nga ishulli me një flotë të tërë nuk i ngjan më shpëtimit të të humburit, por një largim për ekspeditë, për zbulimin e një toke të re.

(vijon)

© 2022 Eris Agolli. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Termin Autrui e kam lënë në përkthimin siç ka ardhur në shqip në veprat e mëparshme të përkthimeve të filozofisë franceze si tjetëri (që do të thotë tjetri si botë e mundshme, jo tjetri si fytyrë), kjo në kontekstin filozofik dhe e njëjtë me përdorimin në përkthimin e esesë të Gilles Deleuze “Michel Tournier dhe bota pa tjetëri” që ndodhet në fund të veprës së Tournier të përkthyer në shqip. Për një argumentim më të hollë të përkthimit të konceptit Autrui me termin tjetëri shih shënimin e përkthyesit A.Muho të esesë në fjalë te: Michel Tournier, Premti ose limbat e paqësorit, Zenit Editions, Tiranë, 2012, fq. 227.

[2] D.Defo, Robinson Kruzo, OMSCA, Tiranë, 1966, fq. 51.

[3] D.Defo, Robinson Kruzo, OMSCA, Tiranë, 1966, fq. 96.

[4] D.Defo, Robinson Kruzo, OMSCA, Tiranë, 1966, fq. 111.

[5] D.Defo, Robinson Kruzo, OMSCA, Tiranë, 1966, fq. 142.

[6] Për më tepër rreth kësaj ngjashmërie shih: T. Todorov, Konkuista e Amerikës, pika pa sipërfaqe, Tiranë, 2015, ff. 30-44.

[7] T. Todorov, Konkuista e Amerikës, pika pa sipërfaqe, Tiranë, 2015, fq. 49.

[8] D.Defo, Robinson Kruzo, OMSCA, Tiranë, 1966, fq.  203.

[9] T. Todorov, Konkuista e Amerikës, pika pa sipërfaqe, Tiranë, 2015, fq. 193.

[10] Për me tepër rreth tipologjisë së marrëdhënieve me tjetrin shih: T. Todorov, Konkuista e Amerikës, pika pa sipërfaqe, Tiranë, 2015, ff. 229-247.

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin