Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Filologji / Gjuhësi / Libri Shqip

RRËNJËT DREJTSHKRIMORE TË SHTETIT

nga Gjeto Bashari

Marrëdhëniet mes shtetit, burokracisë dhe shkrimit njihen dhe janë përshkruar mirë, por teza e Manuel Zrinzo Caruana-s, antropolog, politolog dhe burrë shteti, guxon të arrijë atje ku askush nuk ka guxuar deri më sot, duke qëmtuar lidhjet mes drejtshkrimit – ose kodifikimit të gjuhës zyrtare të shkruar – dhe shtetit. Caruana, që ka përfaqësuar Partinë Industriale të Maltës në dy legjislatura të Parlamentit Europian, rreket të provojë se nga të gjithë treguesit e shëndetit të një shteti, drejtshkrimi i dokumentacionit zyrtar është më i besueshmi, për të diagnostikuar saktë patologjitë shtetërore dhe për të parashikuar efektshmërinë dhe efikasitetin e aparatit burokratik.

Rezultatet e studimeve të tij shumëvjeçare, që shtrihen në shumë shtete të Europës, të Azisë dhe të Afrikës, Caruana i përmbledh tani në monografinë Shteti dhe drejtshkrimi (Botime Uqbar, Prizren 2022), të përkthyer mjeshtërisht nga Teana Tafili dhe të botuar me mbështetjen e Zyrës Dokumentare Kontinentale të OSBE-së. Me gjasë, ky studim do të ndikojë edhe në politikat gjuhësore të shteteve tona, Shqipërisë dhe Kosovës, sa i përket cilësisë drejtshkrimore të komunikimeve zyrtare.

Shtetet që kanë arritur të ruajnë dhe të riprodhojnë drejtshkrimin solid të dokumentacionit, shpjegon Caruana, janë edhe më të suksesshmet në klasifikimet botërore; nga ana tjetër, shtetet e suksesshme ia dalin më mirë se të tjerat që t’ua mësojnë brezave të rinj drejtshkrimin dhe t’u ngulitin bindjen e rëndësisë së zbatimit të tij. Përkundrazi, rritja e numrit të gabimeve drejtshkrimore për njëqind mijë fjalë të shkruara shkon paralelisht me dobësimin e shtetit dhe rënien e të gjithë parametrave kryesorë në funksionim.

Caruana e sqaron se, brenda kapakëve të librit të tij, me drejtshkrim (ortografi) ka parasysh jo vetëm kodifikimin e të shkruarit të fjalëve, por edhe rregulla të bashkëlidhura, si ato të përdorimit të shkronjës së madhe, të shkrimit të emrave të huaj, të transliterimit; por edhe rregullat e pikësimit dhe sidomos të gramatikës dhe konvencionet tipografike. Të gjitha këto rregulla përftojnë një sistem koerciv organik, thotë ai, nëpërmjet të cilit shteti jo vetëm mishërohet në ligjërimin e shkruar, por edhe riprodhohet nëpërmjet këtij ligjërimi.

Nuk mungojnë, në këtë libër, ekskursionet ilustrative në fenomenologjinë e burokracisë së shteteve më të suksesshme – që nga perandoritë shumere, hitite, asiriane dhe romake, tek ajo kineze e cila literalisht themelohej mbi njëjtësinë e të shkruarit; ku stabiliteti i njësive të tilla mijëvjeçare, si Egjipti, kushtëzohet nga riprodhueshmëria e kastës së skribëve (çfarë edhe provohet, tërthorazi, nga paralelizmi mes muzgut të Perandorisë Egjiptiane dhe shthurjes së sistemit hieroglifik). Edhe brenda Kishës Katolike, vëren Caruana, ishte qëndrueshmëria drejtshkrimore e latinishtes që garantoi jetëgjatësinë, duke mundësuar transmetimin e saktë jo thjesht të dijes, por edhe të disiplinës shkrimore, si kusht të dijes.

Studiuesi maltez ndalet pastaj në qasjet e adoptuara, nga shtete të ndryshme në kohë dhe në hapësirë, ndaj shkeljes së rregullave drejtshkrimore; duke vërejtur se dënimi me vdekje i kopistëve, për edhe një gabim drejtshkrimor të vetëm, që është dëshmuar mes të tjerash në Perandorinë Sassanide, mund të na duket i tepruar ne sot, por edhe duhet parë si një nga faktorët e suksesit të asaj perandorie; ndërkohë, ka autorë që shohin një ndikim të politikave drejtshkrimore të asaj perandorie – e famshme edhe për faktin që arkivistët atje njiheshin me ligj si depozitarët e shenjtërisë së fronit perandorak – dhe rolit që do t’i njihej skriptit arabisht nga feja Islame, për t’u shfaqur pak kohë më pas.

Ndëshkimi penal i shkelësve të rregullave drejtshkrimore nuk ka qenë vetëm karakteristikë e shteteve despotike të së ashtuquajturës “Lindje” (“Orient”); Caruana sjell shembuj të shumtë, nga Bizanti, perandoria e Frankëve dhe Shtetet Papale, për t’u ndalur te rasti i mirënjohur i Étienne Aubert, një nga papët e Avignon-it (i pesti), i njohur si Papa Inocent VI, që desh e humbi papatin, kur i kapën një gabim drejtshkrimor në një letër pontifikale autografe; i detyruar të mbrojë pafajësinë e vet para gjykatës ortografike të kapelanëve, shpëtoi nga turpi vetëm ngaqë tre prej gjyqtarëve kanonikë vdiqën nga murtaja, që bënte aso kohe kërdinë në Avignon. Për t’u përmendur edhe fati i trishtë i murgut Makarios, në Athos, që e pagoi shtrenjtë mosmarrëveshjen me Patrikanën e shenjtë lidhur me drejtshkrimin e një fjale të vetme në Codex Sinaiticus; ose rasti tjetër, i heretikut italian Massa Carpone, që e dogjën në turrën e druve, me akuzën se kish hartuar drejtshkrimin e një libri formulash të riteve nekromantike (më kot u mbrojt viktima, thotë Caruana, me argumentin se drejtshkrimi i sugjeruar prej tij do të zbatohej ndaj citimit të këtyre formulave në praktikat procesuale të Inkuizicionit, jo në praktikat e evokacionit të shpirtrave, sa kohë që këto praktika mbeten detyrimisht gojore; autoritetet ndëshkuese i sollën sakaq kundër-argumentin – aq neoplatonik – se nuk ka ortografi që të mos e parakuptojë ortoepinë).

Caruana e pranon se rregullat e drejtshkrimit – të çdo gjuhe – janë produkt i kontingjencës dhe i konvencionit; por shton se edhe shteti, në krye, njëlloj i detyrohet rastësisë dhe arbitraritetit. Çfarë duhet kuptuar më mirë, shton ai, është se duke u zbatuar dora-dorës, në dokumentet themeltare dhe më pak themeltare të shtetit, drejtshkrimi fillon të konstituohet si matematika që mban në këmbë shtetin; ose e vetmja disiplinë së cilës duhet t’i nënshtrohet edhe teksti, edhe shkruesi i tekstit; dhe ashtu shtetasi (përkatësisht nënshtetasi) materializohet në masën që i mishëron këto rregulla, në produksionin e vet linguistik në marrëdhënie me autoritetin.

Dhe kjo ndodh, argumenton Caruana, sa kohë që shkruesi i një dokumenti nuk i drejtohet ndonjë marrësi të individualizuar të mesazhit, por një marrësi abstrakt, për të cilin dihet vetëm se do të zotërojë edhe ai kodin drejtshkrimor; dhe do ta interpretojë dokumentin saktë vetëm e vetëm sa kohë që do ta përfytyrojë autorin e atij dokumenti si avatar të shtetit vetë. Duke u hapur ai marrës ndaj dokumentit, do të bëhet e mundur që ligjërimi në dokument të përçojë kodin e vet drejtshkrimor në idiolektin e marrësit. Çfarë edhe do ta përjashtonte edhe vetë mundësinë teorike të gabimit drejtshkrimor në një tekst të integruar në kodin total të shtetit.

Një kapitull i librit u kushtohet reformave drejtshkrimore dhe kostos së tyre për makinën e shtetit. Këto reforma, thotë Caruana, kanë shkaktuar – në analizë të fundit – më shumë dëme dhe viktima se reforma të tjera më të bujshme, madje edhe se revolucione të tilla si ai francez ose rus. Ai sjell për krahasim displazinë në proceset qelizore dhe marrëdhëniet e saj me neoplazinë; duke spekuluar se një reformë drejtshkrimore e lënë përgjysmë ka sjellë zakonisht rritje kanceroze në burokraci, ka shkaktuar kompartmentalizim të arkivit dhe e ka futur shtetin përkatës në krizë imunitare. Nga ana tjetër, vëren ai autor, njëlloj pernicioze është dekadenca burokratike e shteteve të vjetra, të cilat prodhojnë dokumente ortografikisht perfekte, por që dëshmojnë moskuptim të filozofisë së drejtshkrimit: duke shërbyer si dëshmi të një situate ku drejtshkrimi zbatohet saktë, por ndaj një ligjërimi që e ka humbur forcën ilokutive dhe, në thelb, aftësinë për ta mbajtur gjallë shtetin. Janë qimet që rriten në trup të të vdekurit, thotë ai.

Gjuhëtarët, mësuesit, edukatorët, akademikët, politikanët, arkivistët dhe të gjithë hartuesit e dokumentacionit shtetëror do të kenë shumë ç’të mësojnë nga libri i Manuel Zrinzo Caruana-s, por edhe më dobi do t’u sjellë reflektimi ndaj çështjeve që libri i lë haptazi të pazgjidhura. Në një kohë kur shtetet i janë ekspozuar jo vetëm indiferencës drejtshkrimore të qytetarëve, por edhe laissez-faire në dokumentacion të frymëzuar nga politikat neoliberale, është rritur rreziku për një korruptim të mekanizmave të thellë të shtetit, nëpërmjet infektimit të sistemeve drejtshkrimore – çfarë do të shpinte në një anomi të tillë, ku shteti të komunikonte me qytetarët me një gjuhë që këta të mos e kuptonin mirë. I vetmi avantazh që kanë shtetet tona, të Shqipërisë dhe të Kosovës, në këtë sfidë të vështirë, është se disa defekte serioze të drejtshkrimit nuk arrijnë të shkaktojnë dëme të mëdha dhe të pariparueshme, për shkak të natyrës rudimentare të shteteve vetë.

Shteti dhe drejtshkrimi është tani në shitje në libraritë kryesore të Ballkanit Perëndimor dhe në format elektronik (MOBI) drejtpërdrejt nga sajti i Botimeve Uqbar.

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin