Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Art / Histori

RRETH BARIUT TË ONUFRIT

Bariu i Onufrit në Skenën e Lindjes së Krishtit në Kishën e Shën Kollit në Shelcan dhe Mbetjet Komuniste në Historinë tonë të Artit dhe Edukimin Kulturor

nga Konstantinos Giakoumis[1] & Arjan Prifti[2]

Një video mësimore e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit (2021) nga koha e pandemisë, prezantuar nga mësuese Vjollca Vladi Musha, të synuar për nxënësit e klasës IV të shkollës fillore, në lëndën e gjuhës shqipe, përmbledh disa nga pikat që do të shtjelloj më pas. Video përshkruan një takim imagjinar midis piktorit “elbasanas” Onufrit dhe një bariu në gërxhet e fshatit Shelcan, ku kishte dalë piktori për të mbledhur rrënjë bimësh të nevojshme për përgatitjen e pigmenteve. Sipas tekstit përkatës shkollor, bariu dhe piktori njiheshin prej kohe. Bariu plak jetonte vetë në stan dhe s’kishte njeri tjetër, pasi i ati i kishte vdekur në betejë duke luftuar me Skënderbeun. Përshkruhet si njeri erudit, i cili e ndihmonte piktorin në gjetjen e rrënjëve të bimëve që i duheshin Onufrit. I joshur nga fyelli që bariu kishte trashëguar nga i ati që i binte atij para dhe pas betejave, si edhe nga muhabeti i ëmbël i bariut, Onufri qëndroi një natë në stan. Të nesërmen, bariu i dha një susak me qumësht të porsamjelë dhe e përcolli. Tregimi mbaron kur, disa ditë më vonë, Onufri pikturonte skenën e Lindjes së Krishtit në kishën e Shën Kollit dhe i erdhi në mendje portreti i bariut, të cilin e pikturoi në skenë, por skenën nuk e cilësoi të përfunduar para se të pikturonte edhe susakun, që ndjeu i mungonte (Fig. 1-2). Edhe pse tregimi-bazë të mësimit, i shkruar nga i ndjeri Mojkom Zeqo (1998), ka veti letrare dhe nuk ngre pretendime shkencore të historisë së artit, mësimi pretendon karakter ndërlëndor duke përfshirë edhe artet pamore në të.

Fig. 1: Onufri, Lindja e Krishtit, afresk, 1547-1550, muri jugor, Shën Kolli në Shelcan.

Përqendrimi te bariu në tregimin që përmblodhëm në fillim është mbetje nga koha e komunizmit. Sikleti i pajtimit të artit ikonografik me ideologjinë komuniste për studiuesit e kohës ka qenë i madh, siç vetë ata pohonin pas viteve 1990. Rrjedhimisht, për të mos përjashtuar tërësisht këtë pjesë të trashëgimisë nga vëmendja e publikut, përkujdesja shtetërore dhe studimet albanologjike duheshin gjetur elemente që e lidhnin këtë pjesë të trashëgimisë me ideologjinë komuniste. Prandaj edhe në ekspozime popullarizuese të artit të Onufrit studiues të asaj kohe përpoqën të shfrytëzonin elemente realistë të këtij arti (siç u bë edhe me farëhedhësin e piktorit David nga Selenica në kishën e Shën Kollit në Voskopojë), në mënyrë që të pretendonin se fillesat e ‘realizmit’ në artin ‘shqiptar’ gjendeshin para socializmit tek ata piktorë, si Onufri, të cilët i përdornin në artin e tyre gjoja kundër kufizimeve të Kishës ndaj piktorëve (krhs. Zeqo 1980 dhe te tjerë). Ideologjema këtu qe se një art i tillë hapi rrugën për artin e realizmit socialist. Prandaj, disa detaje dytësore realiste, trajta të veçanta stilistike, një ndjeshmëri e caktuar koloristike dhe disa zgjidhje estetike u shkëputën nga konteksti i tyre dhe u interpretuan veçmas, nën prizmin e ideologjisë së kohës.

Në murin jugor të Kishës së Shën Kollit në Shelcan, Shpat, Elbasan, paraqitet një shfaqje e bukur e Krishtlindjeve me një detaj tepër interesant. Kisha është pikturuar për herë të parë nga Onufri më 1547-50 dhe e mbipikturuar pjesërisht në të paktën dy faza të mëvonshme, në shek. XVII dhe XVIII. Paraqitja e Krishtlindjeve ndodhet brenda në hieroren dhe përmban episode të standardizuara prej periudhës së fundit të Paleologëve, disa prej të cilave ishin të preferuara në artin Italian të Trecento-s, Quattrocento-s dhe Cinquecento-s, të praktikuar prej piktorëve të mëdhenj të asaj kohe, si Bonaventura Belingheri, Cimabue, Giotto di Bondone, Giovanni Bellini, Antonio Vivarini, etj. Në Ballkanin perëndimor gjatë periudhës së parë osmane arti italian i fundit të mesjetës pati ndikim të qëndrueshëm. Në grupin e artistëve me ndikime të tilla përfshihet edhe piktori ikonograf Onufri, ndikim i cili çoi në zhvillimin e një stili personal në frymën e sinkretizmit të artit venecian me pikturën në frymën e traditës bizantine. Por në veprën e tij gjejmë të gjitha cilësitë e artit paleolog të kombinuara me preferencat eklektike të Shkollës Kretase të fundit të shek. XV deri në mesin e shek. XVI.

Skena e Lindjes së Krishtit, që do të trajtojmë këtu, është pjesë e tregimeve biblike, dhe bazohet te rrëfimi i Ungjillit, sipas Mat. 2; 1-20 dhe Luk. 2; 1-17. Në shtesë të rrëfimit që bëhet nga Ungjilli, ky tregim ka edhe detaje të marra nga tradita apokrife, në veçanti nga Protoungjilli i Jakovit. Kompozimi i Lindjes së Krishtit është rreth pikës qendrore të djepit, ndriçuar nga drita nga qielli dhe ylli, në një seri prej gati gjashtë episodesh, të pavarur, por të lidhur së bashku në bazë të formave dhe ngjyrave të alternuara të shkëmbinjve në malin e Bethlehemit. Në hyrjen tepër të errët të shpellës, në pjesën mbi të cilën bashkohen shkëmbinjtë e pjerrët, prezantohet Jezusi foshnje i mbështjellë në një djep të endur, që të jepe idenë e një shporte. Ndërsa mbas grazhdit, rrethuar nga tonet e errëta që japin thellësinë (perspektivën) e shpellës (megjithëse piktura këtu është tepër e dëmtuar), evidentohet prezenca e dy kafshëve (të një kau dhe një gomari), referenca e të cilave është profecia e Isaiut: “Kau e njeh pronarin e tij, edhe gomari grazhdin e pronarit të tij. Por, Izraeli nuk do ta kuptojë se kujt i takon”. Grupi qendror përbëhet prej shpellës, grazhdit me Krishtin e vogël, me kafshët që ngrohin Krishtin e vogël me frymën e tyre (Apokrif).

Në një zonë më të sheshtë shkëmbore, Virgjëresha rri e shtrirë mbi një kuvertë të kuqe në formë ovale me kokën e anuar në të djathtë nga fëmija dhe të mbështetur në njërën dorë. Në të njëjtën kohë, preferencat e marra nga modelet paleologe dhe perëndimore, të tilla si djepi shportë e endur dhe teknika e ekzekutuar në grisaille, një teknikë e preferuar e piktorit, një përfaqësim i një ushtrie qiellore që lavdëron Perëndinë, që gjenden në të majtë në pjesën e sipërme (ku skena është tepër e dëmtuar), dhe që gjithashtu shfaqen dhe në vepra të tjera të këtij piktori eklektik, konfirmojnë njohuritë e tij për më herët dhe modele bashkëkohore. Në pjesën e sipërme të ikonës gati në bordurat e saj lineare është pikturuar një gjysmë-ylli i cili zbret drejtpërdrejt nga qielli në qendër të shpellës drejt figurës së Foshnjës Hyjnore. Ndërsa në të djathtë, mbi shpellë, një engjëll me krahë të ngritur, një shenjë e mbërritjes, i sjell lajmin e gëzuar bariut të ri, të ulur në një shkëmb të ulët me një fyell në duar…? Në të njëjtën kohë, grupi i mbretërve (Magët), të cilët vijnë nga Orienti i largët, mbërritën në Jerusalem me shpurën e tyre madhështore dhe kërkuan të shikonin mbretin që po lindte për ta nderuar. Të mësuar nga orakujt dhe profetët e vjetër, magët u kujtuan atëherë për profecinë e thënë dikur për Izraelin nga mbreti Moab, Balakut:  “Unë shikoj, por jo tani” – thoshte ai – “unë e lavdëroj, po jo nga afër: një yll po ngrihet nga Jakovi dhe një njeri (një skeptër mbretëror) ngrihet nga populli i Izraelit” (Numrat 24: 17).

Grupi e mbretërve mjeshtër Onufri e paraqet të tërin me ngjyra të theksuara: mantelet janë pikturuar me cinabër ose me bordo të zbutur me theksime të bardha. Ata mbajnë në duar dhurata: kutia me temjan, mirë dhe ar, krejt të praruara. Fermanët dhe çallmat apo shallet në kokën e të gjithëve janë punuar nën tonalitetet e një cinabri të theksuar. Ky është grupi më i bukur nga shprehja dhe eleganca e punimit, fytyrat, lëvizjet e kokëve, pozicioni i kokës në qafë janë punuar me shumë art. Përdorimi i së kuqes prej cinabri në të gjithë skenën si dhe në fytyrat e personazheve është tepër i theksuar në ikonë, ndërsa dritat janë bërë me ngjyrë të derdhur, tepër të theksuar. Figurat e dobëta, me ngjyrë të errët, kujdesi dhe kompetenca e madhe e treguar në ekzekutim, përbërja e pjekur dhe tonet e pasura me ngjyra tradhtojnë dorën e piktorit Onufri.

Në regjistrin e poshtëm të freskut është paraqitur me mjeshtëri figura shprehëse e Josifit: ai qëndron i zhytur në mendime të thella; ai është i vrenjtur dhe madje mund të themi i mërzitur; sipas apokrifit atë e mundon dyshimi mbi fajësinë e Shën Mërisë. Figura e tij është plastike, e paraqitur në reliev, e gjallë. Rasti i bariut me susak pranë Josifit në paraqitjen e Lindjes së Krishtit nga Onufri është karakteristik. Asnjë nga manualet e njohura të pikturës kishtare nuk përmban detaje për paraqitjen e Lindjes së Krishtit (Dionysios 1900, 89; cf. Vapheiadis 2017), rrjedhimisht as për paraqitjen, veshjen dhe sendet që mbartte bariu. E dykuptimshme është edhe vetë simbolika e bariut që nga periudha paleologe dhe shek. XIV (Vokotopoulos 1962, 190), e mirë apo e keqe. Bariu i kishës e Shën Kollit në Shelcan (1547-50) paraqitet në pjesën e poshtme dhe djathtas të skenës, para Josifit të vrenjtur dhe të hutuar, të ulur me kurriz nga Shën Mëria (Fig. 3 dhe 4).

Fig. 3: Onufri, Lindja e Krishtit, afresk, 1547-1550, muri jugor, Shën Kolli në Shelcan (detaje).

Si Josifi, ashtu edhe bariu mbart një bastun, i cili në pjesën e sipërme paraqitet me degë dhe gjethe të vogla. Bastuni i bariut i referohet qartazi traditës së vjetër, mbase nga pjesët e humbura të ungjijve apokrifale (të fshehtë), sipas së cilës para Josifit u paraqit djalli në formë bariu Tirsus (gq. Thyrsos); Tirsus-i ishte emri i shkopit të Dionisus-it, i cili, me simbolikën e tij fallike, përdorej nga satire dhe bakhusantë (Lanzi & Lanzi 2003, 40).

Fig. 4: Onufri, Lindja e Krishtit, skicë e afreskut i viteve 1547-1550, muri jugor, Shën Kolli në Shelcan (detaje) nga Arjan Prifti, 2021.

Sipas së njëjtës traditë, Josifi, në mëdyshjet e veta, kishte pyetur, sipas himnit të Sofronit, patrikut të Jerusalemit (lindur 580 p.Kr.), që këndohet në Orën I të shërbesës së Krishtlindjeve:

“Kështu i thotë Josifi Virgjëreshës:

Maria, ç’është kjo dramë që po shikoj te ty? Kam pyetje dhe habitem dhe çuditem në trutë. Largohu shpejt tani prej meje. Maria, ç’është kjo dramë që po shikoj te ty? Në vend të nderit [më solle] turp; në vend të gëzimit [më solle] trishtim; në vend të vlerësimit më solle akuza. Nuk mbaj më përçmimin e njerëzve. Se të mora të paprekur nga priftërinjtë e tempullit dhe ç’është kjo që po shoh? (krhs. Ligji i përtërirë, 20:3)

Prania e djallit në ngjarjen e lindjes së Krishtit dëshmohet edhe te burime kishtare. Te Zbulesat (12:1-5), ku djalli paraqitet si dragua i madh i kuq që kishte shtatë kokë dhe dhjetë brirë, ndërsa në një fali të tij mbi Lindjen e Krishtit, Shën Joan Gojarti thekson se “Sot Krishti [u lind] te grazhdi, ndërsa djalli u mashtrua.” Bariu-djall mundohet të ngacmojë Josifin duke i thënë se sa është e mundur për një plak si ai të bëjë fëmijë dhe një e virgjër mund të lindë, aq e mundur është edhe që bastuni i tij të nxjerrë lule, fjalë që justifikonin “turbullim mendimesh” (Stanza VI i Himnit Akathist). Sipas traditës, në momentin që i tha kështu, shkopi i thatë çeli gjethe dhe lule (Evdokimov 1989), duke përmbushur me këtë mënyrë himnin që cilëson Krishtin si “shkop nga rrënja e Jesseut” (Zbritësorja IV e Krishtlindjeve). Me siguri Josifi e dinte që paraardhësi i tij i Dhjatës së Vjetër e shmangu djallin e kurvërisë përmes largimit (Gregori i Nisës 1858, 436), gjë që i shtonte dyshimin. Bastuni i bariut me degë dhe gjethe përmban pikërisht gjithë këtë sfond teologjik dhe njerëzor, pa të cilin është e pamundur të kuptohet absurditeti i bastunit të një bariu me degë dhe gjethe. Te kisha e Shën Premtes në Valësh, 1553/4 (Fig. 2) figura e bariut nuk është më figura djallëzore e bariut të mëparshëm, por merr formën e profetit Isaija me shkopin si simbol të Krishtit (Mikea 7:14, Isaia 11:4, Hebr. 1:8).

Fig. 2: Onufri, Lindja e Krishtit, afresk, 1553-1554, muri jugor, Shën Parashqevi në Valësh.

Është e kuptueshme për se interpretime të tilla, edhe po të diheshin, nuk mund të liheshin nga censura e regjimit komunist, mirëpo tridhjetë vjet më pas situata po vazhdon dhe tashmë kalon edhe te edukimi kulturor i fëmijëve. Për arsye të mungesës së formimit të shëndoshë dhe shumëfaqësh, sot e kësaj dite historiografia shqiptare e artit të krishterë mbetet më së shumti përshkruese dhe pothuajse aspak interpretuese. Prandaj, sot shumë se kurrë ndihet mungesa e një shkolle të mirëfilltë studimesh të pikturës mesjetare kishtare në Shqipëri, e cila do të trajnojë historianë të artit kishtar në të ardhmen.

(c) 2021 autorët, Konstantinos Giakoumis & Arjan Prifti. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


LITERATURA

Dionysios nga Furna. 1900. Ερμηνεία της Ζωγραφικής Τέχνης. Shën Peterburg: Sinodi i Shenjtë.

Evdokimov, Paul. 1989. The Art of the Icon. Theology of Beauty, trans. Fr. Steven Bigham. Pasadena, CA: Oakwood.

Gregor i Nisës. 1858. “Ὁ δὲ πορνεύων εἰς τὸ ἴδιον σῶμα ἀμαρτάνει.” In Patrologia Graeca (S.P.N. Gregorii Episcopi Nysseni Opera Quae Reperiri Potuerunt Omnia), red. J.P. Migne, vol. 46. Paris: Imprimerie Catholique.

Lanzi, Fernando & Lanzi, Gioia. 2003. Saints and Their Symbols. Recognizing Saints in Art and in Popular Images, trans. Matthew J. O’Connell. Collegeville, Minnesota: Liturgical Press.

Ministria e Arsimit dhe Sportit. 2021. “Gjuhë shqipe 4 – “Onufri dhe bariu” – Pëshkruajmë ndjenjat e Onufrit natën, që qëndroi në stan.” Video URL: http://www.hashcut.com/v/x66mt3Z

Vapheiadis, Konstantinos. 2017. Εγχειρίδια Ζωγραφικής στο Βυζάντιο. Athinë: Andy’s.

Vokotopoulos, Panagiotis. 1962. “Αἱ τοιχογραφίαι τοῦ Ἁγ. Ἀντωνίου Ἀνάφης”. Δελτίον της Χριστιανικής Αρχαιολογικής Εταιρείας, 4 (2), 183-94.

Zeqo Mojkom. 1980b. “Piktura e piktorët shqiptarë në shekuj”. Pionieri, viti XXI, Nr. 5, 26i-iii.

Zeqo Mojkom. 1998. Onufri. Tiranë: Medaur.


[1] Konstantinos Giakoumis është Profesor i Asociuar i Historisë, Arteve Pamore dhe Metodikë pranë Kolegjit Universitar LOGOS.

[2] Arjan Prifti është drejtor i Muzeut Kombëtar ‘ONUFRI’ në Berat.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin