Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Ekonomi / Sociologji

RRJEDHJA…

Të dhënat e rrjedhura së fundmi mbi pagat nxorën edhe njëherë në pah rrezikun e përqendrimit të të dhënave. Sikur edhe administrata shtetërore, edhe partitë politike (partitë shtet), i kanë thjeshtuar paq këto punë. Por kanë vështirësuar sigurimin e të dhënave. Ndikimi i faktorit njerëzor është pika më e dobët e mjeteve të sofistikuara të mbrojtjes kibernetike.

Të agreguara, këto të dhëna konfirmojnë ato të INSTAT-it. Ato nuk përbëjnë ndonjë risi për strukturën e pagave apo të tregut të punës. Por për studiuesit, që merreshin me sondazhe problematike ose paguanin nën dorë nëpunës të INSTAT për mikro-data, këto janë një thesar. Një pjesë e të dhënave këtu janë marrë nga dataset-et e Prill 2021 (69.44 mijë observime) që ka më shumë të dhëna se ai i rrjedhuri për Janar 2021 (63.71 mijë observime). Të dyja dataset-et kanë mungesa ose zero për të ardhurat, dhe disa kanë hedhur dyshime mbi saktësinë, por në tërësi, pas disa verifikimeve personale, janë të besueshme e duken të sakta.

Për pak orë nxora këto të dhëna, duke i lidhur rekordet edhe me listat e tjera që kanë rrjedhur (çfarë tregon rrezikun mbi këtë lloj transparence të padëshiruar, edhe për vjedhjen e identiteteve. Duke qenë se me këto mund të zbërthehet algorithmi për gjenerimin rastësor të numrit të identifikimit – një katastrof për sistemin e gjendjes civile dhe të pasaportave – kjo përbën rrezik potencial për rritjen e numrit të shtetasve shqiptar më shumë se çka mundur ta bëjë krimi i organizuar deri tani).

Media: Edhe pse po diskutohet për gazetarë argatë biznesesh e partish, apo biznesmenë, të deklaruar si gazetarë me mbi 2 mijë pagë në muaj janë vetëm 20. Në total janë deklaruar rreth 1100 gazetarë të punësuar në 217 subjekte ne dataset. Pagesat e gazetarëve janë pra kryesisht të mjerueshme. Mediani i normalizuar është rreth 40 mijë ALL; vihet re bruto. Duke marrë parasysh numrin e gazetarëve, Agjencia Telegrafike Shqiptare paguan më mirë nga të gjitha mediat, pasuar nga G2 Media (A2 TV). Panorama dhe Ora News paguajnë më keq. Kjo vërteton se mediat cilësore i paguajnë relativisht mirë gazetarët, dhe e kundërta.

pagat e gazetareve

Koncesionet: Kompanitë koncesionare paguajnë rroga disa herë më të larta se tregu vendor. Duke e ditur se të ardhurat e shtetit nga kompanitë koncesionare për shfrytëzimin e burimeve janë të vogla, të dhënat janë një argument se këto industri synojnë plaçkitjen e aseteve nga drejtues e inxhinierë, të huaj e vendas.

   

Partitë politike: Pagat tregojnë se partitë politike u shërbejnë shtresave sociale të ndryshme. Partia Socialiste atyre të pasur kryesisht. Mediani është më i lartë për PS (rreth 40% me paga mbi 1 milion ALL).  Ky dataset është lidhur me atë të patronazhistëve, rrjedhur para ca kohësh.

Tregu i punës: Struktura e tregut të punës lexohet shumë lehtë. Numri i më i madh i profesioneve me rroga minimale janë në sektorin e shërbimeve, që është edhe sektori më i madh. Shitësit e dyqaneve kryesojnë këtu, duke u nisur se një pjesë janë të vetëpunësuar e deklarojnë rroga minimale (për shkak të evazionit). Strukturat e pagave mund të konfirmohen edhe nga statistikat e INSTAT-it. P.sh. për arsimin, paga mesatare në 2018 ka qenë rreth 61.7 mijë. Në këtë dataset del 70 mijë ALL.

Përkundër perceptimit publik, pjesa më e madhe e specialistëve në sektorin publik nuk janë të punësuar në vend tjetër.  P.sh. te pedagogët, nga 10 mijë, 5% janë dy ose më shumë të punësuar. Në gati 600 e kusur profesione apo pozicione të tjera për nga variacioni (për ta ilustruar, rreth 124 janë administratorë ndërmarrjesh). Nga mjekët, 17.3 mijë, 15% janë të shumë-punësuar, 2.6% janë në më shumë se në pesë subjekte.

 

Grupmoshat: Sikur edhe në vendet e Bashkimit Europian, rritja e konsiderueshme e pagës fillon te 30-tat. Por në dallim, numri i personave me paga minimale është relativisht i lartë dhe mediani ulet për moshat mbi 60 vjeç (p.sh., nga 43.5 mijë ALL për moshat 55 deri në 64 vjeç, në 34 mijë për 66-75). Kjo mund të shpjegohet nga niveli i arsimit, që është më i ulët ndër këta breza.

Dallimet gjinore: Ky dataset është i lidhur me atë të rrjedhurën para ca kohësh për të identifikuar gjininë në bazë të emrit. Nga dataseti mund të identifikohen thuajse të gjithë. Shpërndarja e pagave për dy kategoritë është më poshtë. Në nivelet e larta të menaxhimit apo teknike meshkujt fitojnë më shumë se femrat. Dallimet janë më të vogla në pagesat e specialistëve të lartë, ku mund të ndikojë punësimi në administratë.  Femrat këtu janë thuajse të barabarta për kategorinë e pagave nga 50 mijë në 100 mijë, dhe reduktohen në kategorinë e pagave mbi 300 mijë, ku gjithësesi këta janë vetëm 0.4% të grupit).

Në sektorin publik, sipas dataset në 2021 (31 mijë mësues të identifikuar këtu, 23.2 mijë femra, dhe 7.6 mijë meshkuj), dallimet gjinore janë të vogla (më të vogla se nga tabelat e INSTAT-it 2018).  Në sektorin privat të shërbimeve dallimet janë më të mëdha. Femrat në Call Center kuptohen janë më shumë, dy-fish të përfaqësuara, edhe pse paguhen mesatarisht 5000 ALL më pak.  Mediani i pagave pas heqjes së ekstremeve, është nga 44 mijë për femra, tek 48 mijë për meshkujt. Te mjekët femrat paguhen më mirë (57 mijë ALL, përkundër 51 mijë te meshkujt).

dallimet_gjinore

Natyrisht që dataset-i lejon analiza statistikore. Si p.sh. dallimet ndërmjet kategorive të pagave dhe gjinisë, që janë domethënëse, por nuk ka ndonjë lidhje të fortë ndërmjet pagës dhe gjinisë në tërësi (shih cramer V,  ose edhe regresion linear, diferenca 1000 ALL). Madje edhe kur krijohen grupe (cluster) me machine learning në bazë të disa parametrave, është profesioni që prevalon, dhe jo gjinia.

Bullshit jobs: Një ushtri nëpunësish punojnë në ato që nuk shquhen për produktivitet apo domosdoshmëri, si marketing apo këshilltar (kam qenë vetë në këtë kategori para ca kohësh, edhe është punë e rehatshme). Spikasin rrogat e këshilltarëve, çuditërisht edhe në kompanitë private, sikur shihet në tatimpaguesit e mëdhenj. Janë rreth 3.5 mijë punonjës të tillë, shtuar këtu edhe punonjësit e Call Center, rreth 320 kompani, mbi 14 mijë punonjës të identifikuar direkt, shifrat janë më të larta.  Bashkia e Tiranës kryeson në këtë sektor të Bullshit, pasi ka në bordero rreth 130 të tillë (hequr 10 drejtues drejtorish) që paguhen edhe me rroga të larta.

Filmi i rekomanduar: Përfundimisht, sugjerohet të shihet filmi i fundit i Sorrentinos, “È stata la mano di Dio”. Nuk ka lidhje me temën, por me idenë që njeriu nuk duhet të zgjedhë ndërmjet kinemasë si realitet i rremë dhe kinemasë si kritikë sociale. Njeriu në fakt as nuk ka aftësi e as mundësi të zgjedhë ndërmjet Bertolucci-t dhe Fellinit, apo homoerotizmit Pasolinian. Sidomos adoleshentët që rriten nëpërmjet realiteteve të mediatizuara. Ca më keq për ata të cilëve nuk u ka rënë rruga këndej (por nga Van Dami apo Chuck Norris). Robi nuk mund të shohë vetëm atë që i vendoset përpara (mund edhe të mos e lënë të shohë – kujt i intereson? .. prandaj është filmi). Jemi të ftuar, e nuk na pyesin. Rezultati është ai që është. Me realitetin e përcjellë nga kinemaja (referencat kalojnë nga Sergio Leone që ngeli pa parë, te Fellini që vetëm përmendet, apo Michel Nichols – The Graduate, që inskenohet). Ose me realitetin e përjetuar përreth (futbolli si një tjetër formë argëtimi e po aq shpërqëndruese). Nëse ka ndonjë dallim ndërmjet tyre.

(c) 2021 Arjan Shahini. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin