Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi / Lexim / Libri Shqip

VDIS, PA TË TË DUA

nga Sokol Çunga

Ditën e diel, dt. 14 nëntor 2021, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit (shkurt QKLL) njoftoi përmes faqes së vet në rrjetet sociale në Facebook dhe Instagram listën e shkurtër me 10 përkthyes, të cilët janë përzgjedhur për fazën përfundimtare të Çmimeve Kombëtare të Letërsisë. Mes 10 emrave, 9 prej përkthyeseve dhe përkthyesve janë aktivë dhe në gjallje. Kurse njëri syresh, imzot Ernest Çoba, ka ndërruar jetë i burgosur më 1980 në burgun e Tiranës, ndërsa puna e tij Keze të hueja (Antologji e poetëve italianë), është botuar post mortem më 2020. Siç kuptohet nga konteksti i njoftimit të QKLL-ësë, por jo nga ndonjë tekst i qartë dhe i gjetshëm, Çmimet Kombëtare të Letërsisë jepen për botimet e çdo viti të shkuar kalendarik, kësisoj, është gjithçka normale që juria përkatëse të shqyrtojë çdo botim të vitit të mëparshëm. Mirëpo, teksa lehtësisht bie në sy përkthyesi që ka ndërruar jetë mes të gjallëve, lind dhe pyetja e natyrshme: ç’kuptim ka të konkurrojë mes përkthyesve në jetë dikush që nuk jeton prej mbi 40 vitesh? Kur këtë pyetje e qarkullova në Facebook (meqë, tekefundit, edhe QKLL-ja në Facebook e Instagram e ka vendosur njoftimin, jo në faqen e vet zyrtare), dikush më tërhoqi vëmendjen se edhe një vit më parë kishte qenë pjesë e listës së shkurtër dhe fitues një përkthyes që nuk jetonte më në atë kohë, dhe vepra i ishte botuar pas vdekjes. Kësaj here faqja on-line e QKLL-ësë e kishte në arkivin e saj njoftimin e para 1 viti se Çmimi i Përkthimit më të mirë 2019 i ishte dhënë Llambro Rucit për përkthimin e veprës Iliada të Homerit [https://qkll.gov.al/aktivitete/ndarja-e-cmimeve-kombetare-te-letersise-2019/]. Ky konstatim nuk e shoi habinë, por e shtoi edhe më, bashkë me pyetjet për këtë dukuri aspak të re në fushën e çmimeve shtetërore.

Çmimet Kombëtare të Letërsisë duhet të jenë një konkurs për gjinitë letrare: roman, tregim, ese, poezi, përkthim dhe letërsi për fëmijë. Them “duhet”, sepse në faqen e QKLL-ësë nuk gjej ndonjë njoftim specifik për mënyrën me të cilën është themeluar ky Çmim, si përzgjidhet juria, me çfarë procedure funksionon juria, si kryhet përzgjedhja apo si funksionon mbledhja dhe vlerësimi i kandidatëve dhe fituesve. Në faqen e QKLL-së ekziston një menu e zërit “Legjislacion”, por deri më sot, 15 nëntor 2021, elementët e mësipërm informativë mungojnë. Po ashtu, mungon dhe njoftimi zyrtar për listën e shkurtër me 10 kandidatë për gjininë e përkthimit dhe të esesë, teksa një foto-poster me fotografitë dhe titujt e veprave të kandidatëve për Çmimet 2020 gjendet… në Facebook e Instagram, ku tjetër. Po ashtu, nuk gjendet në faqen e institucionit asnjë njoftim për kohën kur është çelur apo njoftuar fillimi i konkursit për Çmimet Kombëtare të Letërsisë 2019 apo 2020, dhe se kur do të shpallen fituesit. E kapërcejmë këtë dhe vazhdojmë.

Duke qenë se nuk është e mundur të informohemi në distancë për këto të dhëna, pavarësisht se në ligjin Nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, Neni 14 thuhet se informacioni jepet, ndër të tjera, nëpërmjet faqes zyrtare të autoritetit publik në internet, mbetet të hamendësojmë se rregullorja e Çmimeve Kombëtare të Letërsisë nuk bën dallim mes kandidatëve të gjallë ose jo, mjafton që vepra të jetë botuar në vitin paraardhës (gjithmonë, nëse ekziston kjo rregullore). E megjithatë, e kapërcejmë edhe këtë detaj, le të marrim të mirëqenë se rregullorja nuk parashikon dallim. Kështu që, mbetet të përfytyrojmë se përzgjedhja kryhet prej anëtarëve të jurisë. Mirëpo, me ç’arsyetim kandidojnë personat që janë dhe nuk janë në jetë dhe kush e propozon kandidaturën?

Çmimet letrare periodike, siç mund ta shohim në raste të ngjashme me çmimet më të mëdha të letërsisë nëpër botë, u jepen autorëve të gjallë. Sepse ka disa arsye krejt praktike dhënia e një çmimi të tillë. Në fillim, evidentohen, aq sa lejon objektiviteti i një jurie, autorët a përkthyesit që meritojnë të veçohen për shkak të punëve të tyre. Nga ana tjetër, në përfytyrimin tonë, synimi i jurisë nuk duhet të jetë thjesht zgjedhja e një individi, por prezantimi i gjithë listës së shkurtër të të veçuarve. E bashkë me emrat, e udhës është të paraqitet edhe ajo pjesë e veprimtarisë së autorit/përkthyesit që lidhet me arsyen e përzgjedhjes, jo thjesht 1 titull vepre. Se, tekefundit, ç’bëhet për ata/ato që kanë botuar më shumë se 1 vepër? Këto informacione mungojnë edhe në faqen web të QKLL-së, edhe në atë të Facebook-ut e Instagram-it. Në fund fare, kur juria dhe institucioni ia kanë dalë t’i sugjerojnë në mënyrë konstruktive publikut autorët/përkthyesit e përzgjedhur, kulmin e mbërrijnë me shpalljen e fituesve të çdo kategorie çmimi, duke zgjedhur këtu jo thjesht Maratonomakun e kategorisë, se letërsia nuk mund të jetë garë me fitues absolut, por individin që mishëron në të gjitha aspektet zbatimin e kritereve letrare, artistike e estetike që kërkon kategoria përkatëse, si dhe e nxisin këtë autor/përkthyes për të punuar edhe më fort, sepse, ja, puna e tij/saj nuk humbi, u shqua dhe u vlerësua, e në këtë botë pragmatiste kanë rëndësi edhe vlerat dhe cilësitë morale, intelektuale e shpirtërore që përçon ai/ajo. Mirëpo, si do të zbatohen këto ide tek personi që ka ndërruar jetë? Nëse është e pamundur të nxitet personi, ç’arsye ka që çmimi të kthehet në përkujtimore, kur mund t’i vlente shumë e më shumë një autori/përkthyesi të gjallë?

Teksa në plan të parë arsyeja e thjeshtë mund të diktojë se nuk ka shkak që të mos përfshihen autorët/përkthyesit e vdekur në konkurrim, në fakt është krejt e kundërta: autorët/përkthyesit që nuk jetojnë kthehen në nxitje që gjykimi si i jurisë, aq edhe i publikut, të mjegullohen e të mos funksionojnë kthjellët pikërisht për shkak të elementit që “i vë kapak gjithçkaje”, vdekjes. Aq më tepër në rastin e imzot Çobës, i cili ka vdekur mes mundimesh në burgun e Tiranës më 1980, pas një kalvari të gjatë torturash e poshtërimesh. Po të kisha qenë anëtar i jurisë së sivjetshme, do të më vinte turp sikur çmimin të mos e marrë imzot Çoba, pavarësisht në jam ose jo dakord me përfshirjen e tij në këtë konkurrim.

Nderimi i të vdekurve nuk kryhet duke e veçuar atë mes të gjallëve që gjykohen për kritere estetike e letrare barabar me të. Njëkohësisht, mes kohës në të cilën ka përkthyer imzot Çoba dhe çastit kur ndodh kandidimi kanë kaluar 50 a më shumë vite, çka do të thotë se letërsia, gjuha, koncepti i ndërtimit të një antologjie (pasi, e tillë është vepra e botuar postum) kanë ndryshuar. Kujtimi i të ndjerit imzot Çoba lypet të ketë tjetër përmasë, ku të evidentohet kontributi i tij i paçmuar, por edhe të përmbahet brenda ndjesa publike që duhet t’i drejtojë shteti dhe shoqëria për padrejtësitë e sistemit diktatorial në dëm të tij. Më 2020 imzot Çobës iu botua një libër që, në kushte të tjera, do t’i ishte botuar në gjallje të tij. Kemi një rast tipik të padrejtësisë së makinerisë diktatoriale në dëm të individit, por dhe klerikut njëkohësisht, çka i jep tjetër përmasë më të madhe padrejtësisë. Institucionet shtetërore që merren me kulturën në përgjithësi dhe me librin në veçanti nuk mund të zhbëjnë hendekun që ka krijuar klasa politike e Shqipërisë këto 30 e më shumë vite, Kuvendi dhe sistemi gjyqësor, organe që duhej të kishin funksionuar në mënyrë më aktive në rivënien e drejtësisë dhe në zbatimin e drejtësisë tranzitore. Konkursi letrar lidhet me kritere të mirëfillta letrare, dhe nuk duhet të identifikohet assesi me ndjesën publike ndaj të përndjekurit. Përndryshe, përbën padrejtësi për të gjallët[1].

Çmimi letrar nuk është dhe nuk duhet të funksionojë si dekoratë, që jepet edhe pas vdekjes për një meritë të mohuar a të panjohur në gjallje, por të konstatuar, të bërë publike dhe të pranuar pas vdekjes. Të ndjerit nuk ka kuptim t’i jepet çmimi i vitit krahas të gjallëve pas vdekjes, teksa s’e ka marrë në gjallje. Nuk vlen kjo hulli mendimi për imzot Çobën, por të ndjerin Llambro Ruci e kishte ende gjallë cilado juri shqyrtonte kandidatët për Çmimin Kombëtar para vitit 2018, kohë kur z. Ruci u nda nga jeta (duhet saktësuar se në kohën kur ishte gjallë z. Ruci, QKLL-ëja nuk ekzistonte). Më kujtohet shprehja “Vdis, pa të të dua”, që thotë gjyshja ime. Çmimi pas vdekjes sikur kërkon të thotë se i ndjeri nuk ishte bërë ende për rafmet dhe s’kishte si të krenoheshin institucionet me të para vdekjes, e kështu, pas vdekjes, tregojnë jo vetëm dëshirën për të korrigjuar gabimet e së shkuarës, por edhe për të shpalosur empatinë në sytë e gjithë shqipfolësve. E kush do ta diskutonte vendimin e jurisë, po të mos e kishte fituar çmimin z. Ruci? E kush do ta diskutojë vendimin, nëse çmimi nuk i jepet imzot Çobës, teksa vetë fituesi nuk është më në gjendje ta bëjë këtë? E nëse çmimi i jepet imzot Çobës, kush do të guxojë ta diskutojë, teksa respekti që imponon vdekja, vetvetiu, bën të mos nisë asnjë debat? Ndoshta për këtë arsye të fundit, më shumë se gjithçka tjetër, konkurset ku marrin pjesë të gjallë e të vdekur duhet të shmangen, sepse e dobishme, sidomos për kulturën e letërsinë, është të diskutohet, jo të heshtet me pahir.

 

© 2021 Sokol Çunga. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Parantezë: Kush ka konkurruar për t’u regjistruar në arsimin e lartë që prej vitit 1992 e deri para pothuaj një dekade, kujton se si për çdo degë studimesh kishte një numër të caktuar kuotash ku regjistroheshin pa konkurs pasardhësit e klasës së të përndjekurve politikë në Shqipëri. Më pak u shtuan dhe kuotat për shqiptarët e trojeve shqipfolëse. Në vend që zgjidhja të gjendej përmes një mekanizmi të paktën në dukje demokratik, shteti tregoi se vazhdonte të dështonte me sukses në punë demokracie, duke përballur të pa përndjekurit, me një padrejtësi për të cilën s’mund të ishte fajtor çdo konkurrent, dhe duke lënë ende në fuqi një “luftë klasash”, kësaj here të përmbysur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin