Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi

FJALË TË NGATËRRUESHME (IV)

nga Adrian Beshaj

Minimal dhe minimalist

Ia vlen të sqarohet edhe kuptimi dhe mënyra e përdorimit të këtyre dy mbiemrave që kanë hyrë në shqipe nga gjuhët neolatine. Rrënja e këtyre dy mbiemrave është fjala latine minus (më pak) prej nga rrjedh edhe minimu(m) (shumë i vogël).

Minimal shenjon më të voglin a më të ulëtin ndër të tjerët në një shkallëzim të caktuar, sidomos në kundërvënie me maksimal. Si emër, minimalja, tregon cakun më të ulët të diçka, kufirin më të poshtëm. Mund të sjellim disa shembuj të përdorimit të tij si: temperaturë, kërkesa, paga minimale për të cilët do të mund të përdornim shumë mirë shqipen duke thënë apo shkruar: më të ulëtat, më të voglat.

Por vërehet se në vend të mbiemrit minimal përdoret shpesh minimalist, si për shembull kërkesa minimaliste, ndoshta për t’i dhënë ngjyra më të ndezura ligjërimit apo për t’i bërë një reklamë të vogël kulturës personale.

Ndërsa minimalist, që nuk gjendet në Fjalorin e Shqipes së Sotme, shenjon ndjekësin e minimalizmit apo që ka të bëjë me minimalizmin. Minimalizmi është prirje për të zbatuar një program shumë të vogël në fushën politike dhe në përgjithësi prirje për t’i përqendruar përpjekjet në objektiva shumë të vegjël dhe realistë. Minimalizmi është gjithashtu një rrymë e letërsisë amerikane të afirmuar në vitet ’80 të Nëntëqindës, që sidomos në tregimet e shkurtra dhe novelat përdor një stil konciz dhe sipas gjuhës së folur për të përshkruar realitetin e përditshëm. Mund të flasim për art minimalist që realizohet me pak mjete të thjeshta dhe të përkora.

Në këtë familje fjalësh në shqipe bëjnë pjesë edhe emri minimum-i (p.sh. minimumi jetik) dhe folja minimizoj (paraqes si shumë të vogël diçka; zvogëloj shumë masën apo rëndësinë e diçkaje).

Maksimalizoj apo maksimizoj?

Na ndodh shpesh të dëgjojmë folës të ndryshëm të përdorin si foljen maksimizoj ashtu edhe atë maksimalizoj për të treguar çuarjen në maksimum të diçkaje, bërjen shumë të madhe të diçkaje.

Duhet thënë që në fillim që të dyja format kanë hyrë në shqipe nga gjuha e huaj dhe kanë prejardhje latine. Rrënja e këtyre foljeve është maximu(m) që në latinisht është sipërorja e magnus (i madh).

Në gjuhën italiane prej nga e kemi huazuar këtë folje ekzistojnë mbiemri massimo që do të thotë “shumë i madh, shumë i lartë, i skajshëm” dhe mbiemri massimale që do të thotë “kufiri më i lartë”, por folja formohet me prapashtesë nga mbiemri massimo dhe është massimizzare që do të thotë “çoj në maksimum”.

Në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe gjejmë emrin maksimum me këta shembuj përdorimi: Maksimumi i shpejtësisë. Dha maksimumin. Gjejmë gjithashtu edhe mbiemrin maksimal që do të thotë “më i madhi, më i larti, i shkallës më të sipërme apo cakut më të tejmë” dhe jepen disa shembuj si: lartësia maksimale, kufiri maksimal, kërkesat maksimale. Prej tij formohet edhe ndajfolja “maksimalisht”, pra në mënyrë maksimale. Folja që rrjedh prej emrit maksimum nuk është regjistruar.

Në shqipe kanë hyrë edhe emrat maksimalizëm (rrymë në lëvizjen socialiste që luftonte për programin maksimal për të përmbysur sistemin kapitalist) dhe maksimalist (ndjekës i maksimalizmit).

Unë mendoj se në shqip folja duhet të jetë maksimizoj dhe jo maksimalizoj duke ndjekur shembullin e italianes massimizzare dhe anglezes maximise (çoj në maksimum, ngre në nivelin më të lartë).

Një shembull në shqip do të ishte ky: Ata u përpoqën të maksimizonin përfitimet.

Nga folja maksimizoj rrjedhin emri maksimizim dhe mbiemri maksimizues.

E kundërta e foljes maksimizoj në shqip është minimizoj me fjalët e tjera që formojnë këtë familje si: minimal, minimalisht, minimizim, minimizues.

 

(c) 2021 Adrian Beshaj. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin