Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë

MBRETI HA BAR

Thuhet në Bibël, se mbreti Nebukadnetsar i kërkoi këshilltarit të vet, Danielit, që t’i shpjegonte një ëndërr që kish parë; dhe Danieli iu përgjigj kështu:

ti do të dëbohesh nga njerëzia dhe banesa jote do të jetë bashkë me kafshët e fushave; do të të japin të hash bar si qetë dhe do të lagesh nga vesa e qiellit; do të kalojnë mbi ty shtatë kohë, deri sa të pranosh që Shumë i Larti sundon mbi mbretërinë e njerëzve dhe ia jep atij që ai dëshiron.

Dhe pas një viti ndodhi që mbreti vërtet u dëbua nga njerëzia, hëngri bar si qetë dhe trupi i tij u lag nga vesa e qiellit, deri sa flokët e tij u rritën si pendët e shqiponjave dhe thonjtë e tij si kthetrat e shpendëve.

Këtë që i ndodhi Nebukadnetsar-it e kanë interpretuar si një nga pasazhet e shumta në Bibël, që ilustrojnë si e ndëshkon Perëndia krenarinë dhe si ia mëson njeriut të jetë i përvuejtun.

Mjekët, që nuk lënë gjë pa diagnostikuar (pagëzuar), e kanë një emër edhe për këtë që i ndodhi Nebukadnetsarit: boantropia – një çrregullim psikologjik gjatë të cilit personi i prekur beson se është shndërruar në lopë ose në ka; një lloj regresioni total, sipas Jungut.

Imazhi i mbretit Nebukadnetsar që shndërrohet në kafshë barngrënëse dhe jeton larg njerëzve, si ndëshkim nga Perëndia, më kujtoi – mes të tjerash – edhe metaforën e të ngrënit bar, e cila kohët e fundit ka nxjerrë krye në diskursin politik shqip.

Dhe jo për t’iu referuar metaforës autarkike të Hoxhës: “ne shqiptarët do të hamë edhe bar, por parimet nuk shkelim”, por në lidhje me një deklaratë të ambasadores së SHBA në Tiranë, Yuri Kim, e cila duke iu drejtuar Bashës, i pat thënë që ta nxjerrë Berishën nga PD-ja, sepse një parti “s’mund të hajë bar për hir të një deputeti.”

Shumëkush, mes tyre edhe unë, e lidhën këtë imazh të ngrënies së barit me izolimin politik përballë rrethimit (këtë herë, nga nevoja për drejtësi); edhe pse mua m’u duk pak e çuditshme, që Kim-i të përdorte një metaforë kaq specifike, si ajo e paranojës së rrethimit.

Në fakt, përtej diskursit hoxhian, këtë “do të hamë edhe bar”, për të shënjuar vendosmërinë e rezistencës, e pata hasur te një deklaratë e ish kryeministrit pakistanez, Zulfikar Ali Bhutto, i cili pa thënë se, në qoftë se India arrinte ta prodhonte bombën e vet atomike, “ne pakistanezët do të hamë bar, madje edhe do të durojmë urinë, por do ta kemi (bombën atomike) tonën…”. Ali Bhutto-ja ia deklaroi këtë gazetës Manchester Guardian, në 1965.

Në atë kohë Shqipëria dhe Pakistani kishin marrëdhënie të mira, madje kishte edhe një fluturim të PIA (Pakistan International Airlines) që lidhte Tiranën me Karaçin, e gjithë kjo nën këshillat e mira të Pekinit.

Mbase Hoxha e pat dëgjuar këtë punën e të ngrënit bar nga Bhutto-ja; mbase e kundërta.[1]

Në të dy herët, bari si ushqim simbolizon jo robërinë, por qëndresën; edhe pse kjo është qëndresa e një njeriu të lirë, që refuzon t’i bindet një diktati, duke hequr dorë edhe nga komforti elementar i qytetërimit.

Përkundrazi, ajo çfarë i ndodh mbretit Nebukadnetsar në Bibël është një lloj rrëgjimi a degradimi nga njeriu në kafshë; dhe ashtu edhe ngrënia e barit merr atributet e një kure a purifikimi, që do ta kthejë mbretin e dikurshëm në vete, duke e shëruar nga mëkati i madh i Krenarisë.

Incidentalisht, diku në Bibël na thuhet edhe se vetë Danieli, kur në shërbim të mbretit, pat vendosur të refuzonte mishin dhe verën dhe të kthehej në vegjetarian, për t’u pastruar.

Atëherë Danieli i tha Meltsarit, që kreu i eunukëve kishte caktuar si të parë mbi Danielin, Hananiahun, Mishaelin dhe Azarian: të lutem, vëri në provë shërbëtorët e tu për dhjetë ditë, dhe të na jepen perime për të ngrënë dhe ujë për të pirë (Danieli 1:12).

Prandaj, te fati i Nebukadnetsar-it sikur konvergojnë parabola e regresit të njeriut në kafshë barngrënëse, si pasojë e marrëzisë së Krenarisë (megalomanisë), por edhe ideja e purifikimit fizik dhe shpirtëror, nëpërmjet ngrënies së një ushqimi të caktuar – edhe kjo e shpeshtë në shkrimet e shenjta.

Dy metaforat – ajo e Danielit në Bibël dhe kjo modernia e “edhe bar do të hamë” kanë të përbashkët kalitjen e virtytit, nëpërmjet privacionit: shqiptarët e Hoxhës do të pranonin të jetonin në varfëri, por kokën nuk do ta ulnin; dhe kjo përvojë e vuajtjes (e agjërimit simbolik) do t’u sillte shëlbimin – socializmin; nga ana tjetër, mbreti Nebukadnetsar, i shndërruar në bovin, do të çlirohej më në fund nga megalomania.

Ambasadorja Kim mund ta ketë menduar ajo vetë metaforën e barit, por mund edhe t’ia kenë sugjeruar këshilltarët; e megjithatë, unë nuk arrij ta shoh SHBA-në, brenda kësaj metafore, as në rolin e rrethuesit (imagjinar) të Hoxhës, as në rolin e Perëndisë ndëshkues të librit të Danielit.

Sikurse nuk e kuptoj mirë imazhin e evokuar, të një partie – të PDsë – që ha bar, ngaqë refuzon të pranojë të vërtetën dhe të vendosë drejtësinë.

Paçka se, nga konteksti i çfarë ka thënë Kim, i bie që ajo t’i jetë referuar pikërisht imazherisë autarkike, të sjellë në ligjërim nga Hoxha:

PD ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm për ta nxjerrë këtë vend nga komunizmi. Ironike që një parti të hante bar për hatër të një deputeti të saj.

Pranëvënia me rolin e PD-së për ta nxjerrë Shqipërinë nga totalitarizmi (“komunizmi” siç e quan Kim) lë të kuptohet se ajo periudhë, prej së cilës e largoi vendin PD-ja, ishte periudha kur qytetarët shqiptarë ishin të detyruar deri edhe të hanin bar, siç ua kish kërkuar lideri i tyre Hoxha.

Prandaj edhe ajo e quan “ironike” rezistencën e tanishme të PD-së, përballë provave se Berisha nuk e meriton të jetë pjesë e saj dhe aq më pak përfaqësues i saj i lartë.

Berisha, me fjalë të tjera, mund të mburret se e ka udhëhequr kalimin nga epoka e bar-ngrënies në epokën e NATOS, ose në anën tjetër të “rrethimit”; por tani po tregon të njëjtën kokëfortësi paranoide si Hoxha dikur, në mbrojtje të pushtetit të vet.

Por këtu më bëhet i pashmangshëm vazhdimi me historinë biblike të Danielit: megalomania e Berishës, krenaria e tij për rolin absolut që ka luajtur në përmbysjen e “komunizmit” në Shqipëri, bindja e tij që historia e Shqipërisë i ka borxh respektin total, po e shtyn atë politikan drejt fatit të Nebukadnetsar-it dikur – shtatë vjet në mal, duke ngrënë bar me berrat, për t’u kthyer në vete.

Përndryshe, do t’i duhet PD-së vetë që vegjetarianizohet, duke kullotur në mal, si të jetë larguar nga qyteti dhe qytetërimi.

Natyrisht Kim nuk ka thënë asgjë nga këto, përtej frazës “ironike që një parti të hante bar”, e cila rimerr copëza kuptimplote të historisë së afërt dhe të largët.

Por disa imazhe e sjellin edhe kuptimin edhe domethënien me vete, madje edhe pavarësisht dëshirës së atij që i evokon, duke i nxjerrë me pirun nga kazani values i gjuhës. Çështja tani është një dhe e vetme: çfarë bari do të përdoret për purifikimin?

 

© 2021, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Imazhi në kopertinë: Nebuchadnezzar, nga William Blake.


[1] Kam përshtypjen, por nuk e verifikoj dot, se shprehjet “ne ta dimë edhe bar të hamë”, “sikur edhe bar të hamë” janë vernakulare në qytetin e Gjirokastrës, nga e ka origjinën Hoxha; i kam dëgjuar të përdoren, edhe pse kjo nuk përbën vetvetiu provë. Kështu me intuitë, do të thoja se të ngrënët e barit është metaforë për dikë që është arratisur në mal, jo që është rrethuar në shtëpi; dhe se i përket një kulture pastorale, ku njerëzit jetojnë në afërsi dhe kontakt me kafshët barngrënëse.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin