Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Albanologji / Histori / Jurisprudencë

MES SË DREJTËS POZITIVE DHE ASAJ ZAKONORE

nga Pëllumb Xhufi

(parathënie e librit Statutet e Shkodrës. Nga gjysma e parë e shek. XIV, me shtesat deri më 1469. Me parathënie nga Lucia Nadin dhe Pëllumb Xhufi. Botimet IDK, Tiranë, 2017)

Përgjithësisht, në Evropë flitet për ekzistencën e dy sistemeve juridike: të sistemit juridik kontinental të bazuar mbi të drejtën pozitive, dhe të sistemit juridik anglo-sakson, të bazuar mbi të drejtën zakonore (common law). Sigurisht, nuk bëhet fjalë për një dikotomi të prerë, pasi të dyja këto forma interferojnë dhe ndikojnë dukshëm te njëra-tjetra dhe, në shumë raste, elemente të së drejtës zakonore janë bërë, me kohë, pjesë e së drejtës pozitive.

Në Shqipëri, përveç shenjave të dukshme të ndikimit të së drejtës pozitive bizantine, siç është rasti i “Ligjit agrar” (shek. VII), akte zyrtare të shek. XI-XIV nga qytete si Durrësi, Dibra, Kolonja, Ohri, Vlora, Berati dëshmojnë veprimin e ligjshmërisë bizantine në fushën e së drejtës civile e të asaj penale për çështje të tilla të rëndësishme, siç ishin ato të pronës, të trashëgimisë, të martesës, të fyerjes, të vrasjes, të tradhtisë etj. Kur Karli I Anzhu u bë zot i një pjese të mirë të Shqipërisë perëndimore, pas vitit 1270, këtu u imponua e drejta feudale anzhuine e aplikuar në Mbretërinë e Sicilisë. Në serinë e formave të së  drejtës pozitive që vepruan në Shqipërinë mesjetare, siç ishin e drejta bizantine, ajo anzhuine apo e drejta serbe e mishëruar në Zakonikun e Stefan Dushanit (1349), një vend sipëror zënë pa dyshim statutet e qyteteve-komuna.

Në fakt, në Evropën mesjetare, statutet e komunave qytetare mishërojnë  formën më të përpunuar të ligjshmërisë. Statutet ishin produkt i një shoqërie të organizuar në formën më të lartë, e cila vetëqeverisej nga ligjet dhe nga institucionet e veta, të zgjedhura në mënyrë demokratike nga asambleja e qytetarëve të lirë. Deri tani ne kishim njoftime për ekzistencën e tyre në një varg qytetesh, si Ulqini, Tivari, Drishti, Durrësi e natyrisht Shkodra. Prej çdonjërit prej këtyre statuteve kemi trashëguar edhe paragrafë e nene të veçanta të tyre. Deri tani përbëjnë një rast të lumtur statutet e Shkodrës, të cilët vetëm para pak vitesh u gjetën të plota në Bibliotekën veneciane të Muzeut Correr nga Prof. Lucia Nadin.

Statutet e Shkodrës, ashtu si gjithë shembujt e ngjashëm të qyteteve të pellgut dalmatino-shqiptar, reflektojnë një matricë të qartë veneciane, për sa kohë Venediku ishte edhe modeli social e kulturor i tyre. Kështu që, kur aty nga fundi i shek. XIV ai u bë zot i Shkodrës, Durrësit, Drishtit, Tivarit, Ulqinit, Senati venecian e lejoi veprimin e statuteve në fjalë për sa i përket organizimit politik, administrativ, territorial dhe administrimit të së drejtës. Në fund të fundit, ky ishte një kusht për të ndërtuar një marrëdhënie me popullsitë vendase dhe për të ruajtur rendin e paqen sociale në zotërimet e reja të Republikës. Por menjëherë venecianët u kujtuan se shumë norma të statuteve të Shkodrës e të qyteteve të tjera shqiptare binin ndesh me kërkesat e një regjimi kolonial, që Republika deshi të vendoste aty. Për këtë arsye, Senati ndërhyri në mënyrë drastike, siç bëri në vitin 1545, për të imponuar me çdo kusht, posaçërisht në fushën e së drejtës penale, ligjet e veta, duke injoruar paragrafët përkatëse të statuteve qytetëse (non obstante statuto aliquo).

Sigurisht, krahas së drejtës pozitive, që vepronte kryesisht në qendrat e mëdha qytetare e bregdetare, në viset e brendshme të vendit vepronte e patrazuar e drejta zakonore. Ekzistenca e kësaj të fundit dëshmohet në mënyrë eksplicite me rastin e ballafaqimit të shqiptarëve me Anzhuinët francezë të Mbretërisë së Sicilisë. Pas përpjekjeve të pasuksesshme, që zgjatën disa vjet, për të imponuar ligjin e tij e për t’i kthyer në vasalë krerët shqiptarë, më 1272 mbreti Karli I Anzhu u detyrua të cedojë e t’u premtojë se do t’i njihte e do t’i respektonte “praktikat e mira dhe zakonet e tyre” (bonos usus et consuetudines eorum).

Për “zakonet” dhe “praktikat” tradicionale, që rregullonin marrëdhëniet në zonat e thella malore të Shqipërisë do të flitet vazhdimisht në burimet historike të mesjetës, e jo vetëm. Problemi është, se paralelisht me forcimin e zotërve të hinterlandit shqiptar dhe me fluksin konstant të popullsive malësore drejt qyteteve, normat e së drejtës zakonore u infiltruan edhe në normativat statutore të qyteteve. Në fakt, ky nuk është aspak një fenomen shqiptar. Qysh në kodifikimin e së drejtës romake të bërë në shek. VI nga Justiniani, u mbajtën parasysh dhe u integruan edhe elementë të rëndësishëm të së drejtës zakonore. Për të ardhur më afër nesh, vlen të thuhet se Statutet e Budvës (shek. XIV) e nënvizojnë shkoqur bashkëjetesën e ligjit pozitiv dhe së drejtës zakonore, kur qysh në frazën e parë të tyre, i prezantohen lexuesit me fjalët domethënëse: “Këto janë zakonet dhe statutet e qytetit të Budvës” (Queste sono le usanze et li statuti della città di Budua). Nga ana e tyre, Statutet e Shkodrës parashikonin që, për figura krimi të një vështirësie të paparashikuar në paragrafet e Statuteve në fjalë, gjyqtarët nuk mund të merrnin vendim, veçse duke u konsultuar me 4 “burra fisnikë” (boni homeni) të qytetit, të cilët qartësisht do t’i jepnin zgjidhje rastit të vështirë duke iu referuar “traditës”, pra, së drejtës zakonore. Neni përkatës përcakton prerë, se vendimi i marrë në atë rast nga ky kolegj i përzier, do të kodifikohej e do bëhej pjesë integrale e Statuteve për t’u dhënë zgjidhje ligjore rasteve të ngjashme në të ardhmen.

Në rastin e Shqipërisë, dhe jo vetëm, e drejta pozitive dhe ajo zakonore kanë bashkëjetuar dhe deri në çastin e krijimit të shtetit modern secila ka patur zonën e vet të veprimit. E para vepronte kryesisht në qytetet dhe në zonat e begata bujqësore, kurse e dyta ishte mbizotëruese në viset e brendshme malore. Fqinjësia shekullore me popullsitë e këtyre viseve, si dhe procesi i vazhdueshëm i depërtimit të banorëve të tyre në qytetet e bregdetit, shoqërohej edhe nga një depërtim i normave zakonore, që ata sillnin me vete, në faqet e statuteve të qyteteve, duke shkrirë në një normat e së drejtës pozitive dhe ato të së drejtës zakonore. Ky dualizëm juridik i mbijetoi për shumë kohë edhe krijimit të shtetit modern dhe herë-herë normat e “Kanunit të Lekë Dukagjinit” mishërohen edhe sot në sjelljet e njerëzve, duke dëmtuar unicitetin e ligjshmërisë që rrjedh nga kushtetuta e nga ligjet e vendit. Duket krejtësisht jashtë vendit e kohës glorifikimi irracional që po i bëhet ndonjëherë Kanunit të Lekës, i cili, madje, ofrohet si model për rregullimin e marrëdhënieve njerëzore edhe në kushtet e sotme. Qëndrime të tilla kanë sjellë në rend të ditës sot, në shek. XXI, dilemën absurde: ligji apo zakoni? Është rasti të kujtojmë, që këtë dilemë, që sillet e risillet deri në ditët tona, Statutet e Drishtit (shek. XIV) e zgjidhin që në frazën hyrëse të tyre, ku në mënyrë lapidare thuhet “Asgjë nuk i sjell më shumë dobi njerëzve në këtë jetë, se sa qeverisja me ligj” (nihil prestantius in hoc evo mortalibus quam regi lege).

Statutet e Shkodrës dëshmojnë një shkallë të lartë autonomie të qytetit, ndonëse jo një pavarësi të plotë të tij. Kështu, nuk mund të jetë veçse një rudiment i pushtetit të mbretit serb Stefan Dushani mbi qytetin e Shkodrës prania në statutet e atij qyteti e një neni të veçantë mbi vrasjen. Ky nen qartazi është huazuar nga e drejta mesjetare serbe, që më 1349 u përfshi në Zakonikun e Stefan Dushanit. Në fakt, neni nr. 225 i Statuteve përcakton se për çështjet që lidheshin me vrasjen, mbreti kishte imponuar aplikimin e së drejtës sllave (quisto capitulo sia scripto ne lo capitulo sclavonescho che ne ha dato lo re). Në bazë të saj, administrimi i drejtësisë mbetej, ndonëse vetëm pjesërisht, prerogativë e sovranit feudal, përkatësisht e mbretit serb Stefan Dushani. Kështu, ndërsa përcaktonin se mbreti ishte i detyruar t’ua kalonte gjykatësve komunalë të drejtën e gjykimit për të gjitha çështjet që kishin të bënin me qytetarët e Shkodrës (misir lo re d’ognu caso che venissi in citade concedi a li zudesi de zudegar), statutet i rezervonin atij të drejtën për të gjykuar disa figura tradicionale krimi, që kishin të bënin me vrasjen. Përtej kësaj, mbretit vazhdonte t’i njihej roli i një lloj gjykate supreme, që jepte vendimin përfundimtar për ato procese kriminale, që gjyqtarët e komunës së Shkodrës nuk ishin në gjendje t’i mbyllnin vetë. Lidhur me atributet prej gjykatësi të zotërve feudalë, kujtojmë se qysh në vitin 1209, princi i Arbërit, Dhimitri, emërtohej nga Papa Innocenti III si “judex Albanorum” (gjykatës i shqiptarëve), duke nënvizuar me këtë rolin prej administratori të drejtësisë, që Dhimitri luante në territoret e veta. Kuptohet që pas gati një shekull e gjysmë, kur Shkodra si pjesa më e madhe e viseve shqiptare dhe atyre ballkanike kishte rënë nën sundimin e Stefan Dushanit, ky e kishte të pamundur të ishte i pranishëm në Shkodër për të gjykuar çështjet në kompetencë të tij. Nuk ka prova që të dëshmojnë se këtë punë e bënte konti i qytetit, që ishte mëkëmbësi i mbretit me qëndrim të përhershëm në Shkodër. Për rrjedhojë, edhe rastet e vrasjes praktikisht trajtoheshin nga gjykatësit e komunës. Njohja në letër e ekskluzivitetit të mbretit mbi çështjet në fjalë rezulton të ishte, para së gjithash, një mënyrë për të nënvizuar sovranitetin e tij, gjithnjë e më virtual, mbi Shkodrën. Mbi të gjitha, mbajtja në letër e kësaj prerogative i sillte sovranit të ardhura monetare, nga momenti që për çdo rast vrasjeje të gjykuar, mbretit i shkonte gjysma e shumës që vrasësi jepte për të shlyer krimin e tij. Përndryshe, pushteti i Dushanit mbi komunën e qytetarëve të Shkodrës qysh përpara vitit 1346 ishte i dobët, dhe kjo evidentohet qysh në kapitullin e parë të Statuteve, ku sanksionohet e drejta e bujqve të arratisur nga zotërimet e mbretit apo të një feudali çfarëdo, për të ardhur e për t’u vendosur me banim në Shkodër. Këtej e tutje këta kishin detyrim t’i shërbenin komunës së Shkodrës, dhe askujt tjetër (che non sia tenudo a servir a nesuno, solamente al nostro Comune). Duket qartë, që në këtë kapitull të parë të Statuteve të Shkodrës gjen mishërim parimi i njohur i komunave mesjetare të Evropës, ai i shprehur në fjalët “ajri i qytetit të bën të lirë”. Për shkallën e ulët të pushtetit efektiv të mbretit serb Dushan në Shkodrën e viteve 1340 flet edhe trajtimi jo edhe aq dinjitoz që i rezervohej aty figurës së kontit, që ishte përfaqësuesi in loco i mbretit serb. Statutet e Shkodrës parashikonin që, nëse ndokush sulmonte e vinte dorë mbi kontin në prani të gjykatësve, agresori thjesht gjobitej me shumën modeste të 8 perperëve.

Ky rast na jep shkas të ndalemi në disa penalitete të parashikuara në Statutet e Shkodrës për fyerje të personit. Kështu, prerja e mjekrës dënohej me një gjobë prej 50 perperësh, që është shumëfish më e lartë se akti i rëndë i dhunimit në publik të kontit, mëkëmbës i mbretit. Akoma më ashpër ndëshkohej fyerja në publik me fjalën “tradhtar”. Në këtë rast, kundërvajtësi gjobitej me shumën marramendëse të 500 perperëve. Prerja e mjekrës apo sharja me fjalën “tradhtar” të bëra në publik, e lëndonin rëndë nderin e dinjitetin e burrit shqiptar. Në kuptim të së drejtës zakonore shqiptare, ato përbënin një fyerje të rëndë, që shlyhej vetëm me gjak dhe që shpesh herë, në shoqërinë e maleve shqiptare, bëhej shkak për të çliruar mekanizmin e pandalshëm të gjakmarrjes. “Për një fyerje të nderit nuk paguhet gjobë”, thotë Kanuni i Lekës, duke lënë vetëm një shteg: atë të hakmarrjes nëpërmjet vrasjes, që ishte e vetmja mënyrë për të vënë në vend nderin e lënduar. Në këtë kuptim, nenet përkatëse të Statuteve të Shkodrës, që trajtojnë fyerjen nëpërmjet prerjes së mjekrës apo sharjen me fjalën “tradhtar”, pasqyrojnë ndikimin që kishte ushtruar në to e drejta zakonore. Nga ana tjetër, ata dëshmojnë një përpjekje për të disiplinuar në mënyrë civile, këto dy krime, të cilat gjetkë, në malësi, paguheshin me jetë. Gjobat tejet të larta kishin për qëllim që të parandalonin kalimin në vetëgjyqësi e në vrasje, duke inkurajuar shlyerjen me të holla të “turpit” të pësuar. Nëse ndaj jetës tregonin një shpërfillje të çuditshme, kur bëhej fjalë për para, shqiptarët mendoheshin dy herë.

Një tjetër tregues i presionit të ushtruar nga e drejta zakonore në Statutet e Shkodrës është pasqyrimi i institucionit të njohur të “besës”. Në fakt, në një dispozitë të 5 janarit 1391 të integruar në korpusin e statuteve, sanksionohet dënimi i gjithë atyre që shpifnin ndaj të tjerëve “duke bërë bé jo të vërtetë” (non da vera cum besare). Siç shihet, fjala “besë” jepet këtu në formën foljore “besare”, duke i përshtatur gjuhës së statuteve, italishtes, një fjalë krejtësisht të panjohur për gjuhën italiane, por prapa së cilës fshihej një institucion i shenjtë i së drejtës zakonore shqiptare.

Në këtë kuptim, interes të veçantë ngjallin dispozitat e Statuteve të Shkodrës që kanë të bëjnë me institucionin e gjakmarrjes. Siç dihet, ky përbën shtyllën vertebrore të së drejtës zakonore shqiptare, posaçërisht të Kanunit të Lekës. Por, këtu është rasti të kujtojmë se në mesjetë, gjakmarrja dëshmohet të ketë ekzistuar në gjithë botën shqiptare, nga veriu në jug. Në vitin 1632 familjarët e një shqiptari nga Çamëria, të vrarë gjatë një konflikti me armë, kërcënonin t’i merrnin jetën vrasësit të djalit të tyre, kurse më 1685, misionari bazilian Arcadio Stanila raportonte se në Himarë fenomeni i gjakmarrjes kishte zhdukur fise të tëra. Këtu, ashtu si në veri të Shqipërisë, gjakmarrja nuk shikonte ndarje klasore, në të përfshiheshin të gjithë, malësorë të varfër e dinjitarë e princër të fuqishëm. Ky është rasti i dëshmuar në vitin 1417, kur një fis i tërë, fisi i Hotëve, ishte në luftë me  princin Balsha III, pasi ky i fundit “kishte vënë dorë në gjakun e tyre” (quia manus posuit in sanguine eorum).

E pra, institucioni i gjakmarrjes ka depërtuar deri edhe në Statutet e Shkodrës nën lëvozhgën e institutit sllav të  vrazba-s, me të cilin kuptohej shlyerja me para e krimit të vrasjes (gjakut). Përpara Shkodrës, Statutet e Raguzës së vitit 1308 flasin për “antiqua consuetudo vrasbe” (zakoni i vjetër i vrazbës). Siç e tregon edhe vetë fjala sllave, instituti i pagesës së gjakut kishte depërtuar në statutet qytetëse të Dalmacisë e të Shqipërisë së Veriut nën presionin e së drejtës sllave. Në fakt, shlyerja e vrasjes me anë të pagesës së vrazbës, siç e gjejmë tek Statutet e Raguzës, të Budvës dhe të Shkodrës, parashikohet edhe në nenin 94 të Zakonikut të Stefan Dushanit, që u hodh në letër më 1349.  Instituti i vrasba-s, d.m.th. i pagesës së gjakut për rastet e vrasjes apo të plagosjes pasqyrohet në mënyrë pak a shumë të ngjashme edhe në nenet 224, 225 e 266 të Statuteve të Shkodrës (De pagar urasba over vendita).

“Pagesa e gjakut” parashikohet edhe në monumentin e së drejtës zakonore shqiptare, që është Kodi i Lekës. Ajo praktikohej gjithashtu në viset jugore shqiptare. Këtu, gjithashtu, ashtu si në Statutet e Shkodrës, pagesa e gjakut përfaqëson një tentativë për t’i dhënë fund spirales së gjakmarrjes, duke e trajtuar edhe vrasjen si një krim që shlyhej kundrejt pagesës.

Megjithatë, duhet thënë se kushtet e krijuara pas invazionit osman të shek. XV, mes të cilave është për t’u veçuar fluksi i banorëve të ardhur nga malësitë e të vendosur në qytete, sollën ndryshime në strukturën shoqërore e një “barbarizim” të jetës qytetare. Qytetet u mbushën me njerëz të ashpër që vinin nga hinterlandi malësor. Një zbrazje fatale pësoi qyteti i Shkodrës pas pushtimit të tij prej turqve osmanë, më 1479. Diçka e ngjashme ndodhi me Tivarin, ku nga 64 familje të hershme fisnike që kishte qyteti, në vitin 1553 kishin mbetur vetëm 12 të tilla. Atë kohë, nën presionin e të ardhurve të rinj, bashkia e qytetit i lutej Senatit të Venedikut të abrogohej norma statutore që sanksiononte “pagesën e gjakut”. Me sa duket, banorët e rinj të ardhur nga malësitë përreth, e kishin më të lehtë ta trajtonin krimin e vrasjes me metodat e vjetra të vendit të origjinës, d.m.th. duke marrë gjak, sesa duke e paguar atë me të holla.

Statutet e Shkodrës, që i paraqiten sot lexuesit shqiptar në një botim të ri, përbëjnë një material të rrallë për historinë e për kulturën mesjetare shqiptare. Në vitin 1873, kur zbuloi dhe botoi Kronikën e Gjon Muzakës, historiani gjerman Karl Hopf nuk ngurroi ta quajë atë “perlë e burimeve tona për Shqipërinë mesjetare”. Sot, falë kuriozitetit e pasionit shkencor për hershmëritë shqiptare të prof. Lucia Nadin, ne zotërojmë pa dyshim një tjetër perlë, po aq të çmuar sa e para. Nëse e para, Kronika e Gjon Muzakës, na njeh me jetën dhe shoqërinë feudale shqiptare të shek. XIV-XV, Statutet e Shkodrës na zbulojnë në mënyrë verbuese polin tjetër të qytetërimit mesjetar shqiptar, atë të qyteteve autonome, ku Shkodra zinte një vend të veçantë nderi në krejt arealin dalmato-shqiptar.

 

(c) 2017-2021 Pëllumb Xhufi. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Shënim: Falënderojmë Anila Omarin që na dërgoi këtë ese nga Pëllumb Xhufi, i cili përndryshe nuk gjendet online, dhe që shërben si kontribut thelbësor për njohjen e Statuteve të Shkodrës dhe për diskutimin rreth këtyre statuteve që kemi përcjellë në Peizazhe të fjalës këto javë. Titulli i origjinalit: STATUTET E SHKODRËS MES SË DREJTËS POZITIVE DHE SË DREJTËS ZAKONORE; e kemi shkurtuar për arsye teknike.


Bibliografi

  1. Ducellier, La façade maritime de l’Albanie au Moyen âge, Tessaloniki, 1981.
  2. V. Soloviev, “Eine Urkunde des Panhyprsebastos Demetrios, megas archon von Albanien”, Byzantinische Zeitschrift 34 (1934) 304-310.

Acta et Diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia [Acta Albaniae], përg. L. Thalloczy, C. Jireček, M. Šufflay, vëll. I, Adolph Holzhausen, Vjenë, 1913, nr. 268.

  1. Nopcsa, Fiset e malësisë së Shqipërisë Veriore dhe e drejta zakonore e tyre, Tiranë, Eneas, 2013.
  2. Ostrogorsky, Pour l’histoire de la féodalité byzantine, Bruxelles, 1954.
  3. B. Pitra, Analecta sacra et classica Spicilegio Solesmensi parata, vol. VI, Paris-Roma, 1891, col. 1-26, 47-49, 423-428,437, 517-521, 542.
  4. P. Migne, Patrologia Latina, vëll. 216.

Kanuni i Lekë Dukagjinit, http://www.vatrarberesh.it/biblioteca/ebooks/kanuni.pdf

Lisa Bénou, “Droit positif-Droit coutumier: une relation conflictuelle ou un dialogue continu?”, Byzance XIIIe -XVe siecles”, in: Actes du Xe Congres de l’Association Internationale du Sud-Est Européen, Paris, 24-26 septembre 2009: L’Homme et son environnement dans le Sud-Est Europeen, Paris, ed. Association Pierre 2011, f. 252.

  1. Šufflay, Qytetet dhe kështjellat e Shqipërisë kryesisht në Mesjetë, përg. L. Malltezi, Tiranë, Onufri, 2009.
  2. Jorga, Notes et extraits pour servir à l’histoire des Croisades au Moyen âge, vëll. I.

Statuta et Ordinationes Capituli Ecclesiae Cathedralis Drivastiensis, bot. M. Ahmeti-E. Lala, Tiranë, Ombra GVG, 2009.

Th. Haluscynskij, Acta Innocentii P. P. III (1198-1216), Vaticani, 1944.


 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin