nga Klest Dubali
Tashmë u bënë disa ditë që kur u njoftua për angazhimin e vendit tonë në marrjen dhe dhënien strehë të refugjatëve afganë, të larguar prej vendit të tyre si rrjedhojë e rrezikut që iu kanosej pas marrjes së pushtetit nga Talibanët dhe rënies së Kabulit. Madje refugjatët e parë kanë ardhur në Shqipëri dhe i kanë strehuar në disa hotele dhe konvikte studentësh.
Dy ishin kuajt e betejës që u përdorën menjëherë nga qeveria shqiptare dhe zëra publikë pranë saj, për të përligjur vendimin e pranimit të refugjatëve. E para, evokimi i së kaluarës sonë si popull që emigroi masivisht pas viteve ’90 në Europë dhe vështirësitë e shumta që hasëm në këtë kalvar. Që këtej edhe kthimi i restos ndaj botës, si dikush që e di fort mirë se cfarë do të thotë të ikësh prej vendit tënd. E dyta, që u përmend edhe nga Znj. Xhaçka, Ministre e Mbrojtjes, por edhe më herët nga Kryeministri, ishte tradita jonë e mikpritjes, historia jonë dhe kultura që prej kohëve të së drejtës zakonore. Për të dyja këto arsye ka patur një qëndrim të argumentuar nga Ardian Vehbiu në hapësirën e Peizazheve, ndaj dua të ndalem në një tjetër këndvështrim.
Do ishte interesante të dihej paraprakisht nëse ekspertë të komunikimit publik në qeveri apo agjenci për llogari të saj, të kenë bërë sondazhe të opinionit publik lidhur me këtë çështje, pra të kenë matur pulsin nëse marrja e refugjatëve do kishte apo jo pranim tek qytetarët. Dyshoj se e kanë bërë, por edhe nëse po, dyshoj që të mos ketë patur një lloj pranimi në shumicë (ku futem edhe unë) për strehimin e tyre. Atëherë përse gjithë këto evokime të traditave, të historisë, të krahasimeve (që çalojnë)? Përse mos thuhet hapur që jemi një vend i NATO-s, që si çdo anëtar, kemi të drejta dhe detyrime, ku kemi zgjedhur vullnetarisht të jemi pjesë, ndaj edhe duhet t’i respektojmë detyrimet, siç pranojmë të mirat? Po mos t’i kishim traditat apo të mos kishim emigruar ndër vite, a do t’i kishim strehuar afganët?! Dikush mund të thotë, përse mos e përmendim traditën, nëse ka qenë e tillë?
Nëse ne e shtrojmë problemin në rrafshe të tilla që kështu duhet bërë se e dimë se çfarë kemi hequr, apo se shtëpia është e mikut dhe e Zotit, atëherë lind një problem. Në këtë formë shkurajohet çdo pyetje, çdo dhënie llogarie ndaj publikut, të tipit: si do veprohet në afatgjatë me këta njerëz? Çfarë plani ka qeveria? Po çështja e financimit dhe e të ardhurave? Si është bërë koordinimi me partnerët? Çfarë kapaciteti kemi ne për të kontrolluar të gjithë personat që vijnë?
Të gjitha këto janë pyetje që në përgjithësi qeveritë nuk i kanë qejf në situata të tilla, ndaj edhe zgjidhen strategji të komunikimit publik si ajo e përmendur me lart. E cila ka funksionuar, për hir të së vërtetës.
© 2021 Klest Dubali. Të gjitha të drejtat të rezervuara.