Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

DY TRADHTITË

nga Castigat

Unë që i shkruaj këto rreshta, i përkas një klisheje narrative nga filmat e Kinostudios me temë nga Lufta; skenës ku heroi, i rënë rob në duart e armikut, merret në pyetje nga oficeri italian a gjerman. Skenë e destinuar të prodhojë heroizëm dhe zemëratë.

Unë jam përkthyesi, që skenën e mundësoj dhe ia amplifikoj efektin.

Marrja në pyetje kërkon ndërmjetësimin tim. Heroi mund ta njohë gjuhën e armikut, por zgjedh të flasë shqip – sepse ashtu i drejtohet edhe publikut në sallë; heroi ndonjëherë edhe thjesht hesht.

Nuk ka nevojë të hapë gojën, për ta sfiduar armikun. Përkundrazi, armikut i duhet të flasë, edhe thjesht për t’u përftuar si armik, pa çka se fjala e tij e konstituon sakaq si Tjetër, si të huaj.

Unë jam ai në mes, që ndërmjetëson. Shqiptar si heroi, kam kaluar tashmë në anën e të ligjve, sepse punoj për ta. Me të drejtë, më konsiderojnë të shitur. Rroga që marr, ylefeja, shpërblimi, haku, honorari, qesja me tridhjetë aspra, më shënjon me damkën e Judës; i vetmi ngushëllim i zbehtë, për mua, është që nuk se po tradhtoj Jesuin.

Thjesht, duke i shërbyer pushtuesit, mishëroj rolin e tradhtarit, për çfarë edhe paguhem; po ç’vlerë ka që kjo nuk më bën detyrimisht tradhtar para Jesuit vetë?

Si i treti që jam, flas edhe shqip, edhe gjuhën e Tjetrit armik. Sa kohë që tokën e heroit dhe ndoshta timen e ka shkelur i huaji, unë bashkoj në vetvete të pabashkueshmet: mundësinë e një bote ku zaptuesi dhe i zaptuari nuk po kacafyten.

Duke u shitur tek Tjetri, duke u bërë Tjetri, shfaqem si abominacion.

Armiku komunikon – me dikë që për të, armikun, është po aq i huaj sa ai për ne – nëpërmjet dhunës, shtrëngimit, kërcënimit. Është versioni i përbindshëm i prindit, kujdestarit, ekzorcistit, policit, bajraktarit, boss-it, gardianit të burgut, xhelatit, inkuizitorit. Si njeri, ka formë çizmeje. Unë, nga ana ime, komunikoj edhe duke riderdhur në gjuhën time fjalët e armikut, edhe thjesht me praninë time, si alternativë e rreme, si element quasi njerëzor në një situatë demoniake, ku vetë logjika e komunikimit kthehet përmbys. Nuk mjafton që të shqipëroj fjalët e punëdhënësit tim, duhet edhe të përcjell fuqinë e tij rrafshuese, dominuese. Por sfidën e heroit dhe epërsinë e tij të brendshme s’e kundërpërkthej dot, sepse nuk dua ta humb vendin e punës – kam familje për të mbajtur, borxhe për të shlyer, këste për të paguar; kam bërë dhe rrëfyer faje që nuk m’i kanë fshirë akoma nga defteri; kam hedhur firma në dokumente të fshehta; kam gëlltitur lugë të një çorbe të prishur. Si çizme, kam formë njeriu.

Funksioni im narrativ është të mbaj gjallë përbuzjen te publiku i filmit.

Vegël e Tjetrit, rrekem ta bind heroin që të gjunjëzohet. Me dhemshuri herë të mirëfilltë herë të shtirur, e lut që “të tregojë shokët”, nëse shpreson të shpëtojë lëkurën. Të pranojë se ka gabuar, qoftë edhe sa për sy e faqe. Të kuptojë se e kanë gënjyer. Të bëjë kthesë sa nuk është vonë. Të mendojë për atë të shkretë nënë. Të hedhë një firmë. Të thotë “po”.  Të jetojë edhe një ditë tjetër. Duke qenë unë tradhtar me profesion, mëkati im mortal është potencialisht transitiv. Profesionalisht, unë arrij suksesin në momentin kur heroi dorëzohet dhe fillon të japë emra shokësh pseudonime noms de guerre adresa bazash ilegale parulla kundërparulla kode të fshehta plane për atentate lëvizje forcash partizane, paçka se në filmat e Kinostudios ky moment nuk vjen kurrë. Misioni im është të shpërndaj dhe të normalizoj tradhtinë, prandaj edhe unë hyj në ekran me bindjen se do të dështoj dhe me ndjesinë e pashqitshme të pështymës së publikut në faqe.

Në filma unë jam gjithnjë burrë; por edhe njëkohësisht i paburrshëm (unmännlich). Ndryshe nga bossi im, që konstituohet si haptazi çnjerëzor (unmenschlich), unë përkthyesi kësaj dhune çnjerëzore thjesht i shërbej, duke e përligjur ose, edhe më shpesh, duke e pezulluar gjykimin e brendshëm. Tek e fundit, arsyet e Judës nuk i duhen kujt.

Duke folur gjuhën e të huajit, unë përfush afrim dhe afinitet kulturor me Armikun, kolonizim të mendjes, korrupsion të shpirtit, seksualitet pasiv, rrëgjim dhe tkurrje të shqiptarisë, qelbëzim të gjakut, domestikim prej kafshe shtëpiake. Në gojën time, shqipja e heroit bashkëjeton dhe alternohet me “idiomën” toksike të Tjetrit. Madje gjuha e huaj, e ligjëruar prej meje, kthehet në faktor zhburrërimi. Kur unë them diçka vetë, kur guxoj të mos rimarr fjalët e atyre por t’i kujtoj publikut se edhe unë jam të paktën faktor, fjala ime tingëllon blegërimë nga të thertores.

Si rob i vdekatarisë sime që jam, kam ngecur mes dy botëve dhe ashtu përfundoj i përçmuar prej të gjithëve: heroi më përçmon, sepse më sheh si shërbëtor të së huajit, ergo si Efialt; i huaji më përçmon, sepse më sheh si version të përçudshëm të vetes, si imitim të keq, si vegël sa të domosdoshme, aq edhe të përbuzshme.

Drama ime e brendshme e rimerr, por në miniaturë, dramën që konsumohet në ekran, mes protagonistit dhe antagonistit.

Në skenën primordiale të marrjes në pyetje, punëdhënësi im i kërkon heroit informacion, përkundrejt zbutjes së dënimit. Ai njëkohësisht kërcënon dhe premton, duke u manifestuar në skenë si kombinim aktesh performative, falë edhe autoritetit që ia jep grada dhe uniforma. Shpesh premtimi i tij është sa-aq edhe kërcënim, për integritetin moral të heroit.

Por efekti i këtyre akteve varet nga talenti im për të interpretuar, në të dy kuptimet e kësaj foljeje – si përkthim gojor dhe si aktrim. Dhe mua nuk më hyn drejtpërdrejt në punë informacioni që mund të japë heroi; thjesht më intereson t’i shërbej padronit. Prandaj jam dyfish aktor – brenda skenës së filmit, ku më duhet të këmbehem mes rolit të marrësit në pyetje dhe të burgosurit prej të cilit priten përgjigje; dhe jashtë asaj skene, përballë publikut në sallë.

Heroi më përçmon, sa kohë që i shfaqem në trajtën e një ndërmjetësuesi të butë, duke i premtuar ndihmë me cilësinë madje bashkëfajësinë e bashkatdhetarit. Xhaketa ime me kuadrate, që ende ruan kutërbimin e aktorëve që e kanë veshur në role kolegësh të mi, para meje, i ngjall vetvetiu gërdinë që përjeton ushtaraku, përballë civilit morracak. Parfumi i brilantinës sime i sjell zorrët në grykë. Vetë ideja e të qenit në të njëjtën barkë me mua e neverit. I huaji më përçmon, sepse sheh tek unë një kufizim të plotfuqishmërisë së vet – meqë nuk mund të jetë kurrë i sigurt si ia përçoj fjalët, dhe forcën ilokutive të fjalëve, drejt heroit. Edhe atë njëlloj e neverit ideja e të qenit në të njëjtën barkë me mua.

Unë ndërthur në vete mosbesimin dhe përbuzjen e të dy palëve. Pa çka se barkat e imagjinuara nuk janë tre, as dy, por një e vetme – sikurse është një i vetëm deti që do të na mbytë.

Në rrethana të tjera, heroi dhe pushtuesi do të komunikonin me njëri-tjetrin duke shkëmbyer vdekjen: njëri do ta vriste tjetrin, për t’u realizuar deri në fund si rol. Megjithatë, heroi i arrestuar i kallur në birucë i lidhur në vargonj është zhveshur nga agjencia e plotë prej luftëtari – nuk i mbetet ta shprehë antagonizmin e vet, veçse nëpërmjet fjalëve ose të mosfolurit.

Në interpretimin tim edhe heshtja e heroit shndërrohet në heshtje tjetërlloj.

Te skena e marrjes në pyetje, unë jam sa vegël komunikimi, aq edhe konfirmim se me armikun nuk mund të komunikohet drejtpërdrejt, nëpërmjet gjuhës.

Kjo skenë vjen kështu si hapësira ku zhvillohet një dialog imagjinar, ku secila nga palët antagoniste ndërron vend, herë pas here, nga një avatar. Avatari i heroit flet gjuhën e armikut, avatari i armikut flet gjuhën e heroit.

Prandaj edhe unë e shpreh veten në mënyrën si e përkthej edhe pyetjen edhe përgjigjen. Interesi im është që komunikimi mes palëve të vazhdojë, sepse vetëm ashtu përligjet edhe ekzistenca ime si rol. Kjo edhe kur efekti zbutës është më shumë inskenim.

Si tre aktantët e skenës primordiale të marrjes në pyetje, ne performojmë në ekran sa për njëri-tjetrin, aq edhe për publikun. Në kuptimin që rolet tona i duhen dhënë publikut nëpërmjet interpretimit para kamerës dhe mikrofonit, përfshi këtu edhe fjalët që shkëmbejmë dhe mënyra si i shkëmbejmë.

Çdo film “i mirë” i këtij zhanri, i prodhuar nga Kinostudioja, riprodhon edhe stereotipat e heroit, të huajit pushtues që merr në pyetje dhe timin si përkthyes, që e ndërmjetëson dhe e mundëson skenën. Heroi nuk mund të konstituohet si hero para publikut, po të mos komunikojë me oficerin hetues, çfarë e bën të domosdoshme praninë time. Brenda meje riprodhohet, në trajta të padukshme, esenca e konfliktit dhe tragjikomedia e kujt ende shpreson se komunikimi ndërnjerëzor mund të vlejë diçka, përtej përçimit të pushtetit.

Duke përkthyer ligjërimin e armikut, unë i shërbej edhe publikut, i cili ka nevojë të dijë se çfarë po kërcënon dhe çfarë po premton “i ligu”. Por meqë publiku i filmit shqip nuk ka nevojë që përkthyesi t’ia përkthejë fjalët e heroit, atëherë personazhi i përkthyesit perceptohet në mënyrë asimetrike.

I përçudnuar.

Gjymtyrë sado e cungët e dhunës me të cilën komunikon Tjetri, i huaji, çfarë edhe më bën mua përkthyesin të përfaqësoj, para publikut të filmit, edhe kolaboracionistin, ose atë shqiptar që vihet në shërbim të pushtuesit.

Ky do të ishte edhe përkthimi ynë realist socialist i thënies traduttore traditore, gjithë me vetëdijen se dy tradhti nuk përftojnë gjë heroizëm.

© 2021, Castigat™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


Shënim: fotoja në kopertinë është për ilustrim vetëm.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin