Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë / Letërsi

I RIU NË LETËRSI

nga Alen Bejko 

Tek hyjmë në muajin e dytë të aplikimeve për Fondin e Krijimtarisë Letrare për të Rinj 2021, organizuar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, kemi dëshmuar një breshëri veprimtarish që lidhen me ta: më 20 prill, takimin me shkrimtarët e rinj dhe njoftimin e krijimit të Këshillit të të rinjve, që organizoi Qendra[1]; më datë 24 prill, lajmërimi i një antologjie poetike të “20 poetëve të rinj,” me nismën e një prej pjesëmarrësve të takimit të të rinjve me mbështetjen e së njëjtës Qendër[2]; dhe, së fundi, në 27 prill, çeljen e Festivalit Letra për të Rinj “Tirana Gate 2021” – Edicioni VII, me bashkëpunimin e praninë e pamungueshme të Qendrës.[3]

Parë ky shpërthim i vërtetë aktivitetesh letraro-rinore dhe duke marrë shkas nga shkrimi “Të rinjtë kundër vjetërsirave,” i cili i kushtohet kësaj teme me rëndësi të beftë dhe të freskët, m’u duk me vend hulumtimi i mëtejshëm i politikave letrare që lidhen me shkrimtarët e rinj.

Në mënyrë që të shkojmë më tej qetë, më duhet të them paraprakisht se e pranoj interpretimin e parashtruar nga A. Vehbiu, se mbështetja për të rinjtë nuk ka për qëllim zhvillimin e kulturës librore shqip, por vënien e saj në funksion të ruajtjes së një hierarkie vlerash letrare të konsoliduara. Rrjedhimisht, ky funksionalizim i letërsisë sonë bashkëkohore kontribuon në varfërimin kulturor në dy mënyra.

Fillimisht, kjo ndodh nëpërmjet pengimit të zhvillimit ‘natyral’ të letrave shqipe bashkëkohore, me gjithçka nënkuptohet – braktisja e ndarjeve klasike në zhanre, largimin nga purizmi artificial gjuhësor i së shkuarës, kalimi nga letërsia e shtypur në atë klasike, etj. Më tej e në mënyrë dashakeqe, përcaktimi i funksionit që duhet të përmbushë letërsia mban në këmbë modele e hierarki letrare të konsoliduara e tashmë të padiskutueshme. Gjallimi i vijuar i tyre ndërpret lidhjen organike të letërsisë bashkëkohore me lexuesin, të cilit i drejtohet dhe i cili është jetik për lëvrimin e saj, në favor të mumifikimit – prodhim kulturor për ‘elitat,’ pa kurrfarë jehone në shoqërinë e gjerë.

Por ta lëmë interpretimin mënjanë e të përqendrohemi te ajo çka bën konkretisht QKLL dhe sa e si e ndihmon sferën kulturore veprimtaria e saj.

Elementi më i rëndësishëm i strategjisë së QKLL në këtë drejtim është Fondi i Krijimtarisë Letrare për të Rinj, i cili u jep “përparësi krijuesve të rinj, duke marrë parasysh vështirësitë që hasin për t’u evidentuar dhe promovuar në fushën e letrave,” specifikisht duke nxitur dhe mbështetur financiarisht “procesin krijues të autorëve të rinj të letërsisë bashkëkohore shqipe”.[4] Fondi financon botimin e tri veprave të autorëve të rinj në vit, me një mbështetje maksimale prej 150.000 lekësh për vepër, çka jep një shumë vjetore prej 450.000 lekësh kushtuar ekskluzivisht autorëve të pabotuar.

Duke bërë një llogari të shpejtë, sipas së cilës diçka më shumë se gjysma e shumës shkon për shpenzimet e faqosjes e shtypit (me një tirazh standard prej 500 kopjesh) dhe duke përjashtuar kostot e punimit grafik, të cilin po e quajmë të kryer vullnetarisht për një vepër të parë, pjesa e mbetur prej rreth 60-70.000 lekësh mund të shërbejë për honorarin fillestar autorit, të cilët do t’i shtohet dhe përqindja që ka për të marrë në mënyrë të rregullt nga shitjet. Në kushtet e tregut të librit shqip, këto shifra janë pothuaj të mjaftueshme për t’i lejuar krijuesit të ri të marrë seriozisht në konsideratë lëvrimin e mëtejshëm të lëmës letrare. Si politikë publike, duhet pranuar se fondi është në gjendje ta realizojë qëllimin që ka dhe se botimi i tri veprave të reja në vit nuk është i papërfillshëm, ndaj meriton të vlerësohet.

Problemi nis te formulari i aplikimit. Specialistët e QKLL — të cilët për respekt ndaj mandarinëve të mirëfilltë të administratave publike anembanë botës do t’i quaj kumquatë – kanë vendosur se shkrimtarët e rinj duhet t’i përkasin moshës 18 deri në 35 vjeç, përcaktim arbitrar dhe jo veçanërisht letrar. Kam arsye të dyshoj se arsyetimi pas këtij vendimi i përket më shumë lëmës politike dhe public relations se asaj letrare.

Mendja ta do që motivimi që nxit nxjerrjen në pah të autorëve të rinj ta ketë burimin tjetërkund. Siç ndodh shpesh në botën shqiptare, i dyshuari i parë është edhe ai më i zhurmshmi: politika. Vitet e fundit dhe veçanërisht gjatë fushatës zgjedhore të sivjetshme, është vërejtur një lëvdim e lartësim i pamatë i rinisë, e cila dalëngadalë po shndërrohet në Shën Graalin e jetës publike shqiptare. Nëse opozita lëshon alarmin për largimin me ritme të frikshme të rinisë drejt emigrimit, pozita njofton aty për aty sukseset më të fundit në rekrutimin e të rinjve të dalluar në funksione të larta shtetërore e partiake. Të gjitha palët kanë krijuar tashmë fetish-in e seteve fotografike dhe videove propagandistike me prani të spikatur të të rinjve.

Simpatia rinore që ka zënë vend në QKLL është e njëjta me atë që ka kapluar politikën shqiptare – adoptimi i zellshëm i rinisë si panacea shoqërore, pa iu vënë veshin overtone-ve totalitare të kësaj zgjedhjeje. Ironia e pashmangshme qëndron në faktin se, ashtu siç janë kooptuar në struktura partiake me qëllim mbajtjen në këmbë dhe riprodhimin e klasës drejtuese aktuale, gjithë duke dhënë pamjen e ndryshimit dhe reformës, të rinjve po mundohen t’u caktojnë të njëjtin rol në kulturë.

Në formular gjejmë kërkesën që aplikimet të bëhen vetëm nga botuesi, çka nënkupton se shkrimtari i ri duhet ta ketë gjetur njëherë botuesin, para se të mund t’i trokasë në derë QKLL. Nuk është pengesë aq serioze sa ç’mund të duket në pamje të parë. Kjo nisur nga fakti se në takimin me të rinjtë të Qendrës merrnin pjesë së paku katër autorë të botuar, viz. Liridon Mulaj, Andreas Dushi, Flogerta Krypi dhe Suad Arilla. Rrjedhimisht, mund të dalim në përfundimin se ka shtëpi botuese të mëdha, të cilat janë të gatshme të marrin përsipër rrezikun dhe shpenzimet e promovimit të autorëve të rinj.

Në kronikën televizive të takimit, ankesat e shkrimtarëve të rinj – të cilët, meqë ra fjala, nuk mund të aplikojnë vetë në fondin kushtuar atyre – ishin të qarta. Mulaj deklaronte se “na inkurajon takimi me lexuesin dhe ky takim është paksa i vështirë,” ndërsa Krypi që “mënyra se si kanalizohet vetë letërsia shqiptare është për t’u vënë në diskutim,” duke i mëshuar faktit që më tepër jehonë merr fitimi i një çmimi prej një autori shqiptar se sa botimi i veprës së tij.[5] Kuptohet qartazi se, ndryshe nga ç’mund të mendohet, vështirësinë kryesore për ta nuk e përbën botimi, por promovimi dhe shpërndarja e veprës.

Atëherë përse zgjidhet të ndërhyhet dhe të shtohet hallka e QKLL pikërisht në botim?

Ka dy shpjegime të mundshme për këtë. I pari është të qenit pjesë e një qasjeje të mirëmenduar të krijimit të imazhit të zgjidhjes së problemit, pa e zgjidhur faktikisht dhe madje duke e rënduar edhe më pasigurinë financiare të autorit për të siguruar më tepër kontroll, siç u parashtrua më lart. Në qoftë e vërtetë, është më tepër frymë e përgjithshme se qasje konkrete, ndaj nuk më duket shumë i besueshëm. Ndërsa i dyti është se praktika e deritanishme e mbështetjes së projekteve kulturore në fushën e botimit ka qenë mbështetja financiare e botuesve. Duke qenë model i provuar dhe i njohur, do të ishte edhe zgjedhja e parë nga ana e një institucioni jo fort inovativ për të adresuar problemin, çka ka më shumë të ngjarë.

I vetmi shqetësim është se problemi i librit shqip nuk qëndron te botimi, çka vërtetohet edhe nga fakti se për vit botohen libra të rinj të shumtë, madje në atë masë sa lexuesi nuk di ç’të zgjedhë më parë dhe përfundon dashur-pa-dashur te autorët që njeh paraprakisht. Këtë varietet të botimeve shqip e nxit dhe prania e rëndësishme dhe afatgjatë e financimeve private të huaja e vendase për botimet, të cilat pavarësisht shpenzimit të shumave të mëdha për mbështetjen e projekteve të botimit, nuk ia kanë dalë të bëjnë gjë tjetër veç mbajtjes gjallë të librit shqip me injeksione. Dobia e një fondi të ri, i cili sjell më shumë para publike për mbështetjen e botimeve të reja, është detyrimisht e kufizuar për sa kohë nuk shoqërohet më një politikë më të gjerë e më afatgjatë për zgjidhjen e problemit të autorëve (jo vetëm) të rinj shqiptarë – shitshmërinë.

Në vend zgjidhjeve konkrete, QKLL zgjedh të krijojë një entitet krejt të ri vartës, Këshillin e Autorëve të Rinj, që ndoshta ka për të dhënë ndihmesën e tij në trajtimin e problematikave të autorëve të rinj. Për fat të keq, dy rreshtat përkatës të njoftimit për shtyp të QKLL na thonë vetëm se ai “do të mblidhet me synimin të këshillojë strategji për promovimin dhe motivimin e mëtejshëm për autorët shkqiptar dhe të leximin e tyre [sic!],”[6] fjali që ka vetinë klasike e të qenit njëkohësisht e drunjtë dhe gati analfabete, por pa arritur të tejçojë kurrfarë informacioni.

Njoftimi pasqyron një mungesë transparence tanimë tipike për institucionet publike, të cilat i ofrojnë publikut veçse fragmente të dhënash, duke krijuar kështu një asimetri informacioni që u jep pushtet edhe më të madh institucioneve publike. Në rastin konkret, shurdhon heshtja për: numrin e anëtarëve të Këshillit; mënyrën dhe kohëzgjatjen e mandatit të tyre dhe të kryetarit; fushën e veprimtarisë e organizimin e tij; si dhe funksionet e buxhetin, nëse ka. Sa më sipër i jep QKLL carte blanche në krijimin dhe përdorimin e Këshillit të të Rinjve, sipas nevojës dhe dëshirës, çka faktikisht përbën një mësymje të mbikëqyrjes shtetërore në lëmin libror. Ndoshta nuk është vendi, por duhet shënuar se është i qëllimshëm përdorimi i emërtesës së gabuar – Këshilli i të Rinjve dhe jo Këshilli i Autorëve të Rinj – për shkak të akronimit vërtet fatkeq të emrit zyrtar, çka dëshmon kujdesin e QKLL në krijimin e Këshillit.

Në këto kushte të mungesës së informacionit, duhet qëmtuar më në thellësi për të zbuluar një deklaratë të drejtores së QKLL znj. Alda Bardhyli, të dhënë ad lib gjatë takimit me të rinjtë, e cila duhet trajtuar si shteruese sa i takon temës në fjalë:

Dhe e shoh të nevojshme që këtu, pranë Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, të funksionojë dhe një Këshill i të rinjve, një Këshill i cili të përfaqësojë pikërisht zërin tuaj, interesat tuaja, për të na e bërë edhe ne më të qartë tablonë në të cilën ju jeni.[7]

Kështu, zbulojmë që Këshilli i të Rinjve, përtej përmbushjes së mandatit të tij këshillimor për të “promovuar dhe motivuar,” autorë e lexues bashkë – a nuk tejçon diçka prej përzierjeje mes sponsored ads rrjetesh sociale me fletëlavdërimet ky formulim? – gjithashtu do t’u parashtrojë kumquatëve tablonë e problemeve të rinisë letrare.

Duke marrë në konsideratë të vërtetën se problemet e autorëve shqiptarë janë tepër të ngjashme e nuk kanë të njëjtën ndjeshmëri ndaj moshës si QKLL, por lidhen me probleme të mirënjohura të vështirësive në shitje, promovim dhe shpërndarje, për të cilat QKLL ka krijuar tanimë një Këshill të Botuesve, i cili ka përvojën dhe ekspertizën e duhur për trajtimin e tyre, funksioni praktik i Këshillit të të Rinjve nuk kuptohet qartë. Ka plot mundësi që dy këshillat të kenë mbivendosje detyrash me njëri-tjetrin, pa patur ndonjë shtim të konsiderueshëm në ngarkesën e punës, ndaj le t’ia mveshim krijimin e atij të të Rinjve dëshirës sipërfaqësore të QKLL për të qenë në hap me zeitgeist-in aktual të paraqitjes së pushtetit si rinor, energjik dhe deri diku hipster.

Mëtimi se QKLL paska nevojë për një Këshill të posaçëm të rinisë, pasi ndryshe e ka të pamundur të informohet për problemet e autorëve të rinj, thua se selia e QKLL është ndonjë fshat të thellë e pa linjë telefonike, e jo në Tiranë, ku vogëlsia e botës së librit kushtëzon njohjen e përditshme të autorëve, botuesve, librarëve e shpërndarësve, veçse tregon arrogancë e shpërfillje. Dëfton gjithashtu një prirje paternaliste, huazuar edhe ajo nga praktikat e institucioneve qendrore, që e vendos përfaqësuesin e pushtetit në pozitë mbizotërimi jo vetëm faktik, por edhe moral e shoqëror ndaj qytetarit – gati nuk ka nevojë të përmendet ‘babizmi’ i spikatur kryeministror e ai në rritje bashkiak. Në rastin konkret, shtrimi i nevojës për ndërfaqen ndërmjetësuese të autorëve të rinj, mes ‘popullit’ dhe politikëbërësve kulturorë është qesharak, përveçse i pakuptim.

Duhet të dalim në përfundimin se asnjëra prej dy nismave të QKLL për të rinjtë që kemi trajtuar, nuk ka funksion real. Fondi ndihmon në botime, të cilat mund të kryheshin dhe janë kryer para çeljes së tij, ndërsa Këshilli është ushtrim sa për sy e faqe dhe veprimtaria e tij ka për të qenë më së pari prania në rrjetet sociale, aq sa për të përligjur nevojën për krijimin e tij me veprimtari publike ex post facto.

Për problemet e vërteta të librit shqip, të cilat prekin të rinjtë aq sa autorët më të mëdhenj në moshë, ku mund të përmenden: shitjet e pakta, mungesa e promovimit, vështirësitë e shpërndarjes, pamundësia për t’u pranuar nga establishment-i letrar (ku luan rol të rëndësishëm mospatja e kritikës së mirëfilltë e të besueshme letrare) dhe rrjedhimisht nga lexuesi i gjerë – të cilat janë hallkat e këputura të të njëjtit zinxhir jetësor të librit shqip prej vitesh në lëngatë – gjë prej gjëje.

Kësisoj, duke parë veprimtarinë të institucionit publik të librit, i cili kryesisht merret me takime letrare thuajse pa spektatorë, në formë qarje hallesh, e hera-herës (si për të rinjtë) harron të publikojë në rrjete sociale edhe videot për të cilat i organizon këto takime, që ngjan sikur nuk ia ka shumë ngenë të merret me ndonjë problem të qenësishëm të letërsisë shqip,  duket të vijë pas shtatit ky citat i Jean Dubuffet, i cili shkruan, “Kultura jonë është si xhaketë që na rri keq a së paku s’na bën më. Është sikundër një gjuhë e vdekur, që s’ka asgjë të përbashkët me të folmen e rrugës. I largohet gjithnjë e më shumë jetës sonë të përditshme. Është mbyllur në ca tarafe të pajeta, si të ishte kulturë mandarinësh. Nuk ka më rrënjë të gjalla”.[8]

 

© 2021, Alen Bejko. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptë riprodhimi pa lejen e autorit.

 


 

[1] Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, “Takim me shkrimtarët e rinj në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit,” faqja web, 20 prill 2021: https://qkll.gov.al/aktivitete/takim-me-shkrimtaret-e-rinj-ne-qendren-kombetare-e-librit-dhe-leximit/.

[2] Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, “Prezantim i antolologjisë së poetëve të rinj “Poezi dhe ajër” të mbështetur nga QKLL-ja,” faqja web, 24 prill 2021: https://qkll.gov.al/aktivitete/prezantimi-i-antologjise-se-poeteve-te-rinjpoezi-dhe-ajer-te-mbeshtetur-nga-qkll-ja/.

[3] Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, “Çelja e Festivalit për të Rinj “Tirana Gate”, 2021 – Edicioni VII,” faqja web, 27 prill 2021: https://qkll.gov.al/aktivitete/celja-e-festivalit-per-te-rinj-tirana-gate-2021-edicioni-vii/.

[4] Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, “QKLL shpall Fondin e Krijimtarisë Letrare për të Rinj,” faqja web, 6 prill 2021: https://qkll.gov.al/aktivitete/qkll-shpall-fondin-e-krijimtarise-letrare-per-te-rinj-2/.

[5] A2 CNN, “Shkrimtarët e rinj: Na mungon kritika, një filtër letrar dhe takimet me lexuesin,” 20 prill 2021: https://www.youtube.com/watch?v=A0NcIiWnnoY.

[6] Shih QKLL, “Takim me shkrimtarët e rinj”: https://qkll.gov.al/aktivitete/takim-me-shkrimtaret-e-rinj-ne-qendren-kombetare-e-librit-dhe-leximit/.

[7] Shih A2 CNN, “Shkrimtarët e rinj”: https://www.youtube.com/watch?v=A0NcIiWnnoY. Transkriptimi është i autorit.

[8] Jean Dubuffet, cituar nga Jonathan Jones, “Crude, obscene and extraordinary: Jean Dubuffet’s war against good taste,” The Guardian, 3 maj 2021, versioni web:  https://www.theguardian.com/artanddesign/2021/may/03/crude-obscene-extraordinary-jean-dubuffets-war-against-good-taste-barbican.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin