Flitet shumë, nga institucionet përkatëse, për përkrahjen e shkrimtarëve të rinj – nuk kalon ditë, pa dëgjuar për ndonjë nismë dhe pa u lajmëruar për ndonjë aktivitet. Qartazi, shkrimtarët e rinj kanë zënë vend në fokusin e politikave publike të librit.
Se çfarë janë këta shkrimtarë të rinj, kjo mbetet e paqartë – aq më tepër që mbiemri vetë, i ri, ka dy kuptime dramatikisht të ndryshme në shqipe: një shkrimtar mund të jetë relativisht i ri në moshë, p.sh. 18 vjeç; por mund edhe të jetë shfaqur rishtas në firmamentin letrar, p.sh. të ketë botuar librin e parë në moshën 66-vjeçare. Nuk ka arsye të supozohet se një shkrimtar i ri, në kuptimin që sapo ka botuar, duhet të jetë edhe i ri në moshë.
Kërkesa për të mbështetur shkrimtarët e rinj – me promovime, çmime, bursa dhe fonde – parakupton edhe një vështirësi të tyre për të çarë në xhunglën e botimeve dhe për t’iu afruar lexuesit; dhe meqë theksi vihet te shkrimtarët e rinj, vetvetiu të shkon mendja se penguesit e këtyre janë shkrimtarët e vjetër, në kuptimin që institucionet publike duan të ndërhyjnë në një luftë brezash brenda llojit.
Edhe këtu ka një rrejshmëri. Të vjetër mund të jenë shkrimtarët e moshuar, por mund të jenë edhe shkrimtarët e kalcifikuar, që pengojnë zhvillimin letrar për shkak të konservatorizmit të tyre, ose kapjes së establishmentit letrar. Vetëm se për një shkrimtar të moshuar nuk thua dot se duhet të dalë në pension; ose të paktën duhet të argumentosh se ka filluar të fotokopjojë vetveten dhe i duhet ndalur hovi.
Po cilët janë këta të vjetër, që rreken të pengojnë të rinjtë? Unë nuk shoh të tillë – përkundrazi. Shoh një brez autorësh që, për shkaqe lëvizjesh sizmike në raportet mes institucioneve publike dhe kulturës dhe refuzimit për t’u lëpirë, janë lënë mënjanë. Nëse me të rinj duam të cilësojmë të gjithë ata që nuk e kanë përjetuar totalitarizmin, atëherë do të themi edhe se brezi i mëparshëm, që totalitarizmin e përjetoi, ka ende shumë për të rrëfyer, madje as që ka filluar mirë. Nga ana tjetër, disa prej të rinjve në moshë, për nga mënyra si shkruajnë dhe për nga idetë që kanë si duhet shkruar, nuk po sjellin ndonjë gjë të re në letrat, veç emrave që vënë në kopertinat.
Vetëm se për disa, shkrimtarët e vjetër nuk janë veçse shkrimtarë të vjetruar, që duhet t’u hapin rrugën të rinjve – të thuash se letërsia (produksioni letrar) duhet gjykuar si të ishte fjala për ndonjë sport masash si futbolli, ku lojtarëve të rinj t’u jepet dora dhe t’u bëhet vend në formacionet titullare, për të siguruar vijueshmëri dhe për të shmangur varfërinë e vlerave në fushë. E megjithatë, letërsia shqipe nuk vuan ngaqë i ka lojtarët e vet të mëdhenj në moshë; dhe as rrezikon që të mbetet një ditë pa shkrimtarë të konsoliduar. Përkundrazi, rreziku vjen ngaqë – për mungesë edhe të shërbimeve kulturore për të cilat ka nevojë vepra letrare, të tilla si kritika – shumë autorë produktivë nuk arrijnë dot që t’i japin një konsistencë krijimtarisë së tyre, dhe as një trajektore ngjitëse. Prandaj duket ndonjëherë sikur institucionet publike përkatëse nuk e kanë aq mendjen te vlerat letrare bashkëkohore, sa ç’e kanë mendjen të evidentojnë angazhimin e tyre publik.
Por, edhe më e rëndësishme është të vërehet se konflikti sot, mes autorëve (si kritere organizimi veprash), nuk është ai mes të vjetërve dhe të rinjve, se ai tjetri, mes të gjallëve dhe të vdekurve; mes atyre që ende marrin frymë, dhe të tjerëve që institucionet i duan të pietrifikuar dhe të shndërruar në monumente. Kjo nuk ka të bëjë aq me trajektoret individuale të atyre që shkruajnë, ose që duan të shkruajnë; por me konceptin institucional që i ka rrënjët në idhujtari. Edhe kërkesa ose politika për të mbështetur të rinjtë duket sikur vjen nga një establishment letrar që ua ka ngjitur tashmë të ndenjurat eshtrore idhujve të vet dordolecë në poltronat e presidiumeve.
Dhe një establishment i tillë, që ka dy politika kulturore prej të cilave njërën praktikisht të fshehtë dhe tjetrën për konsum publik, kërkon t’i nxitë të rinjtë për t’ua kundërvënë të vjetërve; ose për t’i neutralizuar të gjithë ata autorë që, me artin e tyre, profilin e tyre dhe fjalën e tyre mund të rrezikojnë sado pak hegjemoninë e idhujve në kulturë.
Siç ka dy politika kulturore për librin shqip, ashtu ka edhe dy kultura: e para është ajo e mundimit të përditshëm të autorëve – të vjetër e të rinj – që duan të arrijnë lexuesin; e dyta është ajo e kultivimit ritual të një establishmenti qoftë edhe virtual, nëpërmjet ngrirjes së vlerave. Kështu do të mund të shpjegohej pse përkrahja plateale e të rinjve duket sikur nuk e merr në konsideratë nevojën e transmetimit të vlerave letrare ekzistuese, nëpërmjet kontaktit edhe të brezave. Pa çka se të rinjtë kanë nevojë për pluralitete modelesh, shumë më tepër se ç’kanë nevojë për indoktrinime dhe disiplinime shijesh.
Të besosh se letërsia duhet të ndjekë modën, do të thotë t’i dorëzohesh letërsisë pop dhe imazhit të autorit si performues të vetes në publik; hierarkitë letrare nuk kushtëzohen nga rrjedha e kohës, siç mund të kushtëzohet, bie fjala, teknologjia. Megjithatë, ka qasje dhe stile të shkruari të cilat i favorizon bashkëkohësia, dhe të tjera që janë tashmë anakronike: Lahutën e Malsisë shumë e mbajnë për kryevepër të letërsisë shqipe, por vështirë se ndonjë autor i sotëm do të guxonte të provonte dorën me poema epike. E njëjta konsideratë vlen edhe për poezinë, edhe për romanin; një “i ri” (në të dyja kuptimet) duhet ta dijë se orvatjet për të shkruar romane shumëplanëshe, si ato të Dostojevskit a të Emile Zola-së, do të japin sot rezultate, në thelb, të trishtuara. Institucionet publike mund të luanin një rol, në modelimin e marrëdhënieve të brezit të ri të krijuesve me modelet e tyre – sikur kjo të mos binte ndesh me diktatin e establishmentit letrar dhe të kalendarit (kalendarizmit).
Dashur pa dashur, politikat institucionale manipulative po u mësojnë “të rinjve” se letërsia e sotme nuk ka nevojë për tekstin; do të mjaftojnë bisedat, tubimet, vetë-promovimet, grupimet, investimet në busulla, zukatjet obsesive në Facebook, çmimet, përkthimet në gjuhë të mëdha, asocimet me autoritete dhe familjarizimi me arkivat dhe varrezat. Në vend që të edukohen si vazhdues, përçues ose qoftë edhe sfidues e shkatërrues të traditës, “të rinjtë” rrezikojnë të përfundojnë në ekspertë të public relations të vetvetes, gigolo të muzës së shkëlqimit, në shkrimtarë që mësohen ta performojnë rolin e tyre pa pasur ndonjë nevojë të shkruajnë. Sërish, kjo njëlloj i shërben edhe filozofisë ultra-konservative të establishmentit kulturor, i cili gjykon – në thelb – se letërsia shqipe i ka tashmë tekstet e veta të shenjta, njëlloj sikurse i ka edhe institucionet e veta të amshuara; dhe se roli i letërsisë, tash e tutje, është që të prodhojë jo tekste të reja, as të kontekstualizojë të vjetrat, por të prodhojë shkrimtarë të rinj.
© 2021, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.