Thonë: shqipes po i rrëgjohen dialektet. E vërtetë. Thonë: dialektet janë pasuri e madhe, nuk duhen lënë të humbasin. Janë vërtet pasuri, e pashembullt, e pazëvendësueshme: por sa mund ta pengojmë venitjen dhe perëndimin e tyre? Fjalën e kam për dialektet gjeografike[1], natyrisht: socialeve, përkundrazi, nuk duket se po u kanoset gjë, përkundrazi. Thonë: t’i ruajmë dialektet. Dakord, t’i ruajmë, por si? Një dialekt gjeografik, për shembull e folmja e Dushmanit, është produkt i një ekosistemi unik – që kombinon ligjërimin, oralitetin, komunitetin përkatës dhe një mënyrë jetese specifike. Ti mund të dërgosh specialistë që ta “regjistrojnë” dhe ta “arkivojnë” dialektin – por kaq nuk mjafton: regjistrimet, sado multimediale, janë si fotografitë e një vepre arti a të një kafshe të rrallë, që shërbejnë si dëshmi e si ilustrim, por që nuk mjaftojnë për ta mbajtur gjallë. Ruajnë diçka, por jo-esenciale, ndërsa lënë jashtë esencën. Që të kërkosh të ruash një dialekt, ta mbrosh nga “zhdukja”, duhet të pyesësh më parë arsyet e zhdukjes – të cilat kanë të bëjnë me shpërbërjen e oralitetit, de-lokalizimin, lëvizjet e popullsisë, prishjen e komuniteteve, bjerrjen e traditave, humbjen e folklorit, shkollimin, mass mediat, kulturën e shkrimit, rrjetet sociale: si mund t’i ndalësh këto e t’i neutralizosh? Edhe kur dialektit ia regjistron strukturën fonologjike dhe gramatikore, ia depoziton dhe skedon leksikun, ia mbledh një pjesë të folklorit përkatës, sërish nuk e ke ruajtur: është si të ruash një specie nga zhdukja, duke ia mirëmbajtur specimenët e balsamosur.
Janë disa rrejshmëri, që nuk na lënë të mendojmë qartë, për dialektin. E para, është ngatërresa e dialektit me një variant letrar – ose bindja se, për shembull, duke kthyer e mbajtur në vëmendje Fishtën dhe Mjedën dhe Koliqin dhe Camajn, do të ndihmohet edhe dialekti përkatës që “të mbijetojë”. Por një variant letrar është gjithnjë krijim i shkrimtarëve dhe i gjuhës së shkrimit, konstruksion artificial, detyrimisht i standardizuar; dhe, sidomos, është i fiksuar në shkrim; por dialekti i shkruar nuk është më dialekt. E dyta rrejshmëri, ka të bëjë me ngatërresën mes studimit dialektologjik dhe mbijetesës së dialektit: dialektologjia, si pjesë e gjuhësisë, kërkon të përshkruajë dialektet, zakonisht në sinkroni; por përshkrimi nuk është ruajtje. Dialektologu, edhe ai më i miri, i qaset dialektit nga jashtë, me një metodë fotografike: nuk është rastësi, që shumica e pasurive që sjellin me vete ekspeditat janë nomenklatura (p.sh. emra bimësh ose bagëtish ose poçesh ose teknikash dhe veglash artizanale që sot nuk di t’i përdorë kush më) ose regjistrime foklorike; foklori mund të jetë i rrënjosur në dialekt, por e vërteta është se foklori shkon përtej dialektit, mishëron fillesat e një synimi post-dialektor, e një lëvizjeje nga brenda jashtë komunitetit. Rrejshmëria e tretë është shpresa (iluzioni) se dialekti mund të ruhet duke ia ruajtur “akcentin”, qokat, shenjat e jashtme, të cilat perceptohen si një lloj homazhi multi-kulturor; siç mund të ishte, bie fjala, shartimi i një paskajoreje të tipit me shkue në trungun e standardit, ose ngatërrimi i elementeve dialekt-gjeografike të integruara tashmë në një dialekt social, me vetë dialektin gjeografik (ose veshja e këngëtarëve me kostum popullor në skenën e një festivali folklorik). Shembull: shumë në Tiranë ose në Prishtinë përdorin forma të caktuara të së folmeve qytetare përkatëse (madje edhe në rrjetet sociale); por kjo bëhet në emër të konstituimit të një komuniteti të ri, nëpërmjet adoptimit dhe mirëmbajtjes së një dialekti social, i cili është si kërpudha që mbin e freskët dhe mishtore, mbi një trung të rrëzuar përdhe. Në fakt, një nga shenjat se dialektit gjeografik po i vjen fundi, është iluzioni i përfaqësimit simbolik; si të duash, bie fjala, të flasësh dialektin e Gjirokastrës duke i zëvendësuar y-të me i, ose ll-të dhe dh.
Një mënyrë për ta ruajtur dialektin, është konvertimi në letërsi ose, akoma më mirë, në teatër dialektor; sepse vetëm letërsia ose teatri mund ta shpëtojë të paktën një pjesë të atij arti, që përfaqëson këndvështrimi unik i dialektit ndaj botës. Natyrisht, këtë konvertim mund ta bëjë vetëm dikush që është mëkuar që fëmijë me dialektin dhe e ka përdorur, në rrethana ku riprodhohej komuniteti përkatës, kultura dhe mendësia lokale. Sepse ky është edhe thelbi: dialekti, më tepër se mënyrë shqiptimi ose një lloj morfologjie ose nomenklaturë, është një teknikë për të riprodhuar dhe sistemuar botën. Një qytetar nuk e rrok dot dialektin e një komuniteti malësor, sepse jeton në një botë tjetër, të qeverisur nga ligje të tjera. Dhe kështu vjen puna që çfarë na duket neve ekzotike, është në fakt për Tjetrin esenciale.
Nuk di si mund të ruhet dialekti gjeografik, në rrethanat e modernitetit (ku izolimi artificial i një komuniteti pjell patologji sociale). E shumta, mund të mbijetojë iluzioni i dialektit, i përkthyer në identitet lokal, që shpesh është i imagjinuar. Kush e ka përjetuar rrëgjimin e dialektit në vetë të parë, për shembull gjatë kalimit nga oraliteti në kulturë të shkruar ose transferimit nga fshati në qytet a nga provinca në qendër, e ka të qartë se çfarë pasurie kulturore dhe kapitali njerëzor rrezikohet të humbasë përgjithmonë – por kjo është kostoja që i paguajmë shekullit. Për të fituar diçka, duhet të humbim diçka. Edhe një artist i madh, në moshë të shtyrë, përbën pasuri të paçmuar; por nuk lufton kush për t’ia siguruar pavdekësinë fizike. Jetojmë në kohë të cilat madje përkufizohen nga vdekshmëria e dialektit (gjeografik). Njerëzit nuk i mban më lidhur pas truallit as prona, as familja, as komuniteti – demografitë e reja krijojnë kushte për diferencime të reja, të tilla si dialektet sociale. Kur dëgjojmë një plakë që flet në dialekt te tregu fshatar, na vjen çudi edhe kur nuk na vjen për të qeshur; edhe pse dialekti, si shtjellim në përmasën e folur, ka sot tingullin e dëshpërimit.
© 2021, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
[1] Këtu e më poshtë nuk po bëj dallim mes dialektit dhe të folmes – shpresoj se lexuesi do të më mirëkuptojë.