Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi / Histori

STATUSI I HUAZIMIT

Në vijim, do të nisem nga një analizë e thjeshtë e prejardhjes së fjalës kantier në shqipen e sotme, për të vazhduar me një përsiatje rreth diskursit të sotëm jo-teknik për “huazimet” dhe “fjalët e huaja” në gjuhën shqipe dhe gjasave që obsesioni me historinë në gjakimet tona folk-linguistike përfton mistifikim.

+++

Fjalën KANTIER Fjalori i gjuhës së sotme shqipe e përkufizon si:

“Vend a shesh zakonisht i rrethuar, ku janë grumbulluar materiale e pajisje të ndryshme dhe ku punohet për ndërtimin e një fabrike, të një hidrocentrali etj.; qendër e përkohshme pune e banimi për ndërtues, montues etj.”

Pra, një term në thelb teknik-inxhinierik, që ka përfunduar në përdorim të gjerë, si vendi ku po ndërtohet diçka substanciale.

Historiani i kulturës do të vërente këtu edhe dendurinë e kësaj fjale në tekstet me natyrë publicistike, letrare dhe poetike të viteve të ndërtimit të socializmit në Shqipëri, ku mbarë vendi ishte shndërruar – idealisht – në kantier (kantier ndërtimi); deri aq sa kantieri u kthye në toposin ku ndërtohej dhe riprodhohej edhe vetë njeriu i ri socialist. Një këngë e njohur e atyre viteve, “Në njërën dorë kazmën, në tjetrën pushkën”, nga Prenk Jakova me tekst të Llazar Siliqit, fillonte kështu:

Ndër ara, fabrika, kantiere
Vlon puna dhe kënga ushton

Dy vargje që bashkojnë, i pari, bujqësinë me industrinë dhe ndërtimin, ndërsa i dyti punën me këngën korale (operetën). Si truall i klasës punëtore, por edhe si hapësirë kalimtare ku fshatari bëhej dora-dorës punëtor, KANTIERI shfaqej dendur në poezinë dhe në prozën e realizmit socialist, edhe si vend që prodhonte të ardhmen; por edhe si model i kolektivizmit në punë dhe në jetë – meqë në kantier edhe jetohej, madje bëheshin edhe dasma.

Ndryshe nga ara, ku natyra veç vihet në zgjedhë; dhe nga fabrika, ku materia transformohet në mënyrë mekanike, kantieri e ruan një esencë krijuese (ndërtuese), që e afron me artin. Aq sa sot e kësaj dite, politikanët vazhdojnë të flasin jo pa një farë mburrjeje për kantieret që sheh në qytetet kryesore, duke filluar nga Tirana.

Një përkufizim abstrakt i KANTIERIT do të përfshinte këto karakteristika: një vend të mbyllur (me mur, me gardh) ose të veçuar; një vend ku ndërtohet (ku ngrihet) një diçka, një pallat a një vepër tjetër çfarëdo; një vend të përkohshëm, tranzicional.

+++

Historikisht fjala ka hyrë në shqipe relativisht vonë, nga italishtja cantiere, me të njëjtin kuptim; edhe pse në gjuhën burimore ka një histori komplekse. Etimologët e italishtes e nxjerrin nga latinishtja canthērius, që ka pasur kuptimin “kalë i tredhur”, huazim nga greqishtja κανϑήλιος, “gomar ngarkese”; por kalimi – kaq i pagjasë – nga kali i tredhur te një vend ku ndërtohet, është ndërmjetësuar nga fakti që shumë vegla dhe struktura mbështetëse në ndërtimtari e kanë marrë emrin nga kjo kafshë barre: të krahasohet për shembull italishtja cavalletto, me kuptimin “kavalec, mbajtëse, stativ; qepratë” sipas fjalorit të Leka-Simonit); në fakt në latinishtjen vulgare cantárium ishte një dërrasë ku vendoseshin qypa dhe bute me verë; që këtej edhe cantiere me kuptimin “kantier detar”, fjalë që në origjinë i referohej strukturës prej druri mbi të cilën ndërtohej anija, dhe që njëfarësoj i ngjante shpinës së kalit. Të krahasohet edhe, në kontekste dhe kuptime të tjera, shqipja kaluç, si term i gjimnastikës sportive.

Studiuesi këtu ka të drejtë të pyesë nëse ka akoma ndonjë lidhje, përtej iluzionit të një lidhjeje, mes fjalës KANTIER ashtu siç është përdorur dhe përdoret në shqipen e sotme, bashkë me konotacionet që ka pasur në të shkuarën e afërt të Shqipërisë socialiste dhe të shqipes publike të asaj kohe; dhe etimologjisë së kësaj fjale nga latinishtja klasike canthērius, me kuptimin “kalë i tredhur”. Kjo lidhje – nëse ekziston – mbështetet mbi supozimin se KANTIER në shqipen e sotme, por edhe në italishten e sotme CANTIERE dhe në gjuhë të tjera ku përdoret, është e njëjta fjalë me atë të latinishtes të para dy mijë vjetëve; ose edhe që e vazhdon atë fjalë, me transformimet fonetike dhe kuptimore përkatëse. Sepse, përndryshe, si për folësin e sotëm të shqipes, ashtu edhe për folësin e sotëm të italishtes, fjala KANTIER (ose e barasvlershmja CANTIERE) nuk i referohet gjë kalit të tredhur dhe as ndonjë kafshe tjetër të barrës dhe as i shkon kujt mendja ta përfytyrojë një marrëdhënie të tillë kuptimore. Për më tepër, prejardhja e fjalës italishte, CANTIERE si vazhdim i një fjale latine, etj., nuk duhet ngatërruar me prejardhjen e fjalës shqipe KANTIER nga italishtja; dhe historia e fjalës shqipe, përfshi këtu edhe rekrutimin e saj nga publicistika dhe retorika socialiste-totalitare, nuk kanë lidhje as me prejardhjen e saj nga italishtja, dhe aq më pak me prejardhjen e fjalës italishte vetë.

+++

Në gjuhësinë e shekullit XIX, që ishte kryesisht historike-krahasuese, një fjalë konsiderohej “e shpjeguar”, kur ishte sqaruar historia e saj përfshi këtu edhe origjinën; një shekull më pas, një fjalë konsiderohet “e shpjeguar” kur janë renditur dhe organizuar përdorimet e saj në bashkëkohësi (sinkroni); dhe me Saussure-in, jemi mësuar të mendojmë se historia e një fjale, dhe e çdo elementi tjetër gjuhësor, nuk luan rol në funksionin e fjalës a të elementit brenda sistemit. Kjo vlen, sado që përsiatjet për përdorimet e fjalës KANTIER në publicistikën dhe letërsinë shqipe janë edhe ato njëfarësoj “historike”, sa kohë që i ndjekin përdorimet e fjalës në rrjedhë të viteve; por ky historicitet i fjalës shqipe edhe në marrëdhëniet e saj intertekstuale është gjithsesi i ndryshëm, nga ai që kërkon origjinën e saj (“shqipja e ka marrë nga italishtja”) dhe aq më shumë etimologjinë e saj. Brenda këtij problematizimi, vetë koncepti i huazimit kërkon të shqyrtohet më nga afër dhe të shihet nëse ka ndonjë vlerë, si të thuash, heuristike jashtë diskursit gjuhësor-historik dhe gjuhësor-krahasues.

Është thënë dhe përsëritur se procesi kur një gjuhë “huazon” një fjalë nga një gjuhë tjetër nuk parakupton ndonjë hua – sepse gjuha dhënëse nuk është se e humbet fjalën, dhe gjuha marrëse nuk ka ndonjë detyrim për “ta kthyer” dikur: metafora është aq e dobët, sa të ngatërrojë. Më e përshtatshme duket të jetë metafora e replikimit: një fjalë fillon të replikohet jashtë sistemit që i përket, nëpërmjet imitimit, ose ngjitjes (contagion), duke u integruar, dora-dorës, në një sistem tjetër (p.sh., duke iu përshtatur një morfologjie dhe një sintakse tjetër). Por që të ndodhë kjo, duhet që fjala të perceptohet si të paktën e shkëputshme nga sistemi, si njësi autonome, si “emër” (name jo noun).

Ka një periudhë, gjatë replikimit, kur fjala e futur rishtazi në gjuhën pritëse ndihet prej folësve si “e huaj” – ata që e përdorin, e dinë se ajo nuk ka “të njëjtën” përkatësi gjuhësore si fjalët e tjera. Këto lloj fjalësh, në gjermanishte Fremdwörter, filozofi Teodor Adorno i pat quajtur “hebrenjtë e gjuhës” (die Juden der Sprache) në veprën e vet Minima Moralia: një Fremdwort ende nuk është bërë Lehnwort (“huazim”), ende nuk është asimiluar, ende e shfaq hapur tëhuajsinë e vet (shih edhe këtu). Paradoksalisht, në çdo gjuhë, i brishtë nuk është aq statusi përkatësor i këtyre Fremdwörter sa statusi i simotrave të tyre Lehnwörter, ose i fjalëve që nuk ndihen si të huaja, por që mund t’u gjurmohet prejardhja te një gjuhë tjetër. Pra, studiuesi është në të drejtën e vet të pyesë nëse ka mirëfilli ndonjë kuptim të flitet për “huazime” si Lehnwörter, jashtë kontekstit të ligjërimit historik-gjuhësor.

Dilema nuk prek vetëm fjalë të vjetra: si nder, që e ka origjinën te latinishtja honōrem (një e dhënë që i hyn në punë historianit të gjuhës ose kujtdo tjetër që e sheh gjuhën të evoluojë në kohë); por edhe fjalë më “të reja”, si kantier, e cila është integruar megjithatë mirë në strukturën e shqipes – p.sh. duke e bjerrë e-në fundore të italishtes, por jo si pasojë e ndonjë procesi mirëfilli fonetik. Edhe kulturorisht, nuk ka asgjë “italiane” te koncepti i kantierit (siç mund të argumentohet se ka, p.sh. te fjala makarona). A mund të nxjerrim kështu përfundimin se identifikimi i fjalës kantier si italianizëm, në shqipen e sotme, nuk është tjetër veçse mistifikim? Njëlloj siç mund të jetë mistifikim vetëdija aktive e lidhjes së kësaj fjale të italishtes me fjalën latine canthērius, me kuptimin “kalë i tredhur”, jashtë kontekstit të ligjërimit historiko-gjuhësor, ose të fjalorit etimologjik?

Është lehtë të vihet re, në këtë kontekst, se italishtja cantiere lidhet shumë më fort me shqipen kantier, se me fjalën latine për gomarin e barrës; sikurse është lehtë të kuptohet pse, për dikë që merret aktivisht me raportet leksikore ndërgjuhësore, ka shumë më tepër relevancë të dijë që shqipja kantier do të përkthehet anglisht si worksite, se që shqipja kantier vjen nga një fjalë e italishtes, cantiere, që e ka origjinën te një fjalë latine, e cila nga ana e vet… etj.

Që metafora e “huazimit”, për të përshkruar shtegtimin e fjalëve përmes kufijve konvencionalë mes gjuhëve, nuk i përgjigjet realitetit dhe nuk ndihmon shumë për të kuptuar statusin e një njësie leksikore brenda njërës gjuhë dhe tjetrës, këtë duket sikur e mbështet tërthorazi edhe një analizë e Ferdinand de Saussure-it, botuar në Écrits de linguistique générale, Éditions Gallimard, 2002 (të mos ngatërrohet me Le Course), kur ky vë në dukje si kolegu i tij Gaston Paris, ai që e quan “le premier romaniste de notre temps”, u pat shpallur luftë disa klisheve të zhargonit linguistik në dukje të pafajshme, duke filluar me le français vient du latin dhe chanter vient du latin cantare, duke vërejtur se frëngjishtja nuk vjen nga latinishtja, por është latinishtja, sikurse “chanter” është latinishtja “cantare”. Duke ia përshtatur këtë lloj arsyetimi dhe këtë lloj metodologjie rrethanave të shqipes, do të thoshim, p.sh., se shqipja nder nuk vjen nga latinishtja honōrem, por është latinishtja honōrem, e replikuar (e kopjuar) përmes kufijve konvencionalë mes latinishtes dhe shqipes. Objeksioni se latinishtja dhe shqipja janë (kanë qenë) dy gjuhë të ndryshme dhe në raport të ndryshëm mes tyre, krahasuar me frëngjishten që është vazhdim i pandërprerë i latinishtes nuk vlen, sa kohë që fjalë të tilla shqipe – me qindra në mos me mijëra – nuk e kanë pasur të vështirë të replikohen (të kopjohen) nga njëra gjuhë në tjetrën.

+++

Te Fjalori etimologjik i Topallit, kantier cilësohet si “huazim i ri”, e megjithatë, e ka kapërcyer tashmë barrierën që e ndan fjalën e huaj (Fremdwort) nga “huazimi” (Lehnwort): nuk ka asgjë, në formën dhe kuptimin e saj, që ta klasifikojë si “të ardhur” ose “mysafire” nga një gjuhë tjetër. Që origjina e fjalës është italishtja, kjo mund të ndihmojë për të kuptuar disa dinamika të marrëdhënieve kulturore të shqipfolësve me italisht-folësit, por nuk ka asgjë në esencën funksionale dhe statusin mirëfilli gjuhësor të fjalës kantier në shqipe, që ta lidhë këtë funksionalisht me italishten dhe kulturën italiane.

Vërejtja e Saussure-it më lart, të cilën shpresoj ta plotësoj së shpejti me një shkrim tjetër, ndihmon për të sqaruar se nga pikëpamja sinkronike, ose e mënyrës si e përdorim gjuhën, origjina e fjalëve – që shpesh mund të ndiqet madje të datohet – është zakonisht jorelevante; dhe diskursi për prejardhjet dhe origjinat, i cili është normal në kontekstin historik-gjuhësor dhe historik-krahasues, nuk ka ndonjë vlerë heuristike jashtë atyre konteksteve; madje përkundrazi, është po aq mistifikator, sa edhe nevoja e perceptuar, prej bartësve të kulturës së sotme shqip, për ta përfshirë përmasën diakronike (historike) në gjykimet e vlerës dhe politikat a pikëpamjet (folk)-linguistike.

© 2021, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin