Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Media

TË GARANTOSH FJALËN E LIRË

Se si i përjeton dikush sfidat e lirisë së fjalës, kjo kushtëzohet edhe nga raporti që ka vendosur me fjalën – si dëgjues a lexues, si protagonist i fjalës publike, si autor, si botues a si administrator i forumeve ku mishërohet dhe realizohet kjo liri. Lista mund të zgjatet më tej, qoftë edhe thjesht për të treguar se fjalën e lirë nuk e ndan dot nga subjekti përkatës.

Shumë vjet më parë, në 2007, patëm vendosur – me një grup miqsh – që të themelonim një faqe online, ku të ndiheshim të lirë për të shkruar, parashtruar, sugjeruar dhe debatuar me njëri-tjetrin dhe me të tjerët: një utopi të fjalës së lirë. Vetë ky projekt kish arsyet e veta – deri atëherë, dëshirën dhe nevojën tonë për pjesëmarrje në fjalën publike e realizonim nëpërmjet një forumi kolektiv, Alb-Club-it, i cili ishte vjetruar tashmë dhe ku nuk ndiheshim më në elementin tonë, ose të lirë.

Alb-Club-i na kish zhgënjyer, por besimin tek Interneti, si e ardhmja e lirisë së fjalës, e kishim të patundur.

Faqja që themeluam, më parë si blog e më pas si revistë, ishte “Peizazhe të fjalës”, që sot është konsoliduar si prani e përhershme në hapësirën publike të fjalës shqip. Që nga korriku i vitit 2007, kur nxorëm shkrimin e parë, janë botuar atje mbi 5000 shkrime origjinale – kryesisht ese, analiza dhe përsiatje; dhe mbi 43 000 komente nga lexuesit.

Projekti fillestar i përfytyronte “Peizazhet” si një agora, një forum të hapur për këdo që kërkonte të angazhohej me fjalën e vet në publik; çfarë i bënte komentet e lexuesve pjesë integrale e debatit, në vijim edhe të një tradite tashmë të përpunuar nga Alb-Club-i dhe forume të tjera të ngjashme.

Mirëpo sot, 14 vjet më pas, shumëçka ka ndryshuar edhe në natyrën e revistës sonë; e cila nga njëra anë e ka zgjeruar ndjeshëm rrethin e autorëve të rregullt dhe të autorëve të ftuar, por nga ana tjetër ka humbur një gjymtyrë që dikur e kishim menduar si esenciale: hapësirën e komentimit.

Thashë “ka humbur”, edhe pse vendimin për t’i mbyllur komentet e morëm ne si redaksi e revistës, të ndodhur para një problemi të cilit nuk po i jepnim dot zgjidhje tjetër: degradimit të kësaj hapësire në një moçal, që po na mbyste me miazmën e vet.

Në konceptin tonë fillestar të dyerve të hapura, kushdo mund të vinte tek ne dhe të linte një koment poshtë një shkrimi – për të shtuar diçka, për të zgjeruar një ide, për të bërë një pyetje, për të kritikuar një argument, për ta hedhur poshtë shkrimin krejt. Tek e fundit, te kjo mundësi dialogu me çdo lexues na dukej se realizohej edhe liria e fjalës në shenjtërinë e vet, çfarë ishte një nga synimet e forumit vetë.

Vit pas viti, ne që kujdeseshim për faqen “nga brenda” – si administratorë, moderatorë dhe botues – filluam të konstatojmë, të zhgënjyer, se komentet nuk po shkonin ashtu siç e kishim përfytyruar, dhe se dora-dorës nuk po i shërbenin më revistës sonë dhe idealit të saj.

Që në krye, unë isha mësuar ta këqyrja këtë hapësirë të komenteve si hapësirë publike, të cilën duhej ta mirëmbanin përdoruesit; nëpërmjet një lloj vetë-rregullimi. Ashtu edhe nuk duhej të isha pezmatuar, kur të vija re se rrëgjimi i kësaj hapësire publike virtuale do t’i ngjante, deri në hollësi, rrëgjimit në përgjithësi të hapësirave publike në Shqipëri dhe në përgjithësi në botën shqiptare.

Ka një koncept në ekonominë politike, të njohur me emrin anglisht, si tragedy of the commons, të cilin mund ta përkthejmë edhe si “tragjedia e pasurisë së përbashkët”, dhe që përshkruan një situatë të tillë ku përdoruesit individualë të një pasurie të hapur për të gjithë, veprojnë në mënyrë të pavarur, duke ndjekur secili interesin e vet, dhe ashtu edhe e shkatërrojnë pasurinë. Metafora që e ilustron këtë, është ajo e kullotave të përbashkëta në një fermë: në qoftë se një bari vendos të rritë numrin e bagëtive që sjell aty për të kullotur, kjo mund të çojë në varfërim dhe shkatërrim të kullotës.

Tragjedia e pasurisë së përbashkët është ndoshta patologjia më karakteristike e bashkëjetesës shqiptare, këto 30 vjetët e fundit: mjaft të shohësh se çfarë ka ndodhur me mjedisin, natyrën dhe pasuritë natyrore në Shqipëri.

E përkthyer në problematikën e hapësirave të fjalës së lirë, të dialogut dhe të debatit, dukuria shfaqet si përpjekje – nga palët e interesuara – që t’i shfrytëzojnë këto hapësira të përbashkëta për të çuar përpara interesat e tyre partikulare.

Të vetëdijshëm se pasuria e tyre e përbashkët u rrezikohet nga tundimet grabitqare dhe shfrytëzuese të palëve private, qytetarët zakonisht mbështetin çdo përpjekje për mirëmbajtjen e asaj pasurie nëpërmjet rregullimit, ose imponimin e detyruar të rregullave mbrojtëse. Kështu, e drejta e qytetarëve për të shëtitur të patrazuar në park mbrohet nëpërmjet një rregulle e cila ndalon përdorimin e automjeteve, stërvitjen e qenve ose kullotjen e lopëve në hapësirat e parkut. Në thelb, çdo rregull e tillë themelohet mbi ndalimin e një veprimtarie të gjykuar – me ligj – si të dëmshme ose penguese për pasurinë ose hapësirën e përbashkët.

Por kjo politikë, e zbatuar në mjediset dhe hapësirat e përbashkëta virtuale, ku ushtrohet liria e fjalës, mund të shpjerë dhe në fakt shpie në paradoks: sa më të rregulluara të jenë këto hapësira, aq më fort do të pengohet liria e fjalës e disave nga ata që duan ta ushtrojnë.

E tillë ishte edhe situata që u krijua te “Peizazhe të fjalës”: si drejtues dhe administratorë të revistës, ishim të vetëdijshëm se komentet e lira nuk po i shërbenin më synimeve për të cilat ishte themeluar dhe ekzistonte revista: dialogut, debatit, rrahjes së mendimeve dhe krijimit të një atmosfere nxitëse të shkëmbimeve intelektuale. Muaj pas muaji, hapësira e lirë e komenteve ishte kapur nga aktorë që ose çonin përpara axhendat e tyre, ose pozicionoheshin si parimisht armiqësorë dhe dyshues me revistën, ose vinin thjesht për të bërë trollin.

Arsyet pse ndodhi kjo nuk janë ende të qarta. Mund të supozohet se, dora-dorës që “Peizazhe të fjalës” e rriti praninë e vet dhe peshën e fjalës së vet në hapësirën publike, filloi edhe të perceptohej – nga disa qarqe, palë dhe grupe interesash – si faktor për t’u penguar dhe antagonizuar; aq më tepër që ne vetë kemi qenë shpesh kritikë, polemikë dhe denoncues, ndaj jetës publike dhe protagonistëve të saj në hapësirën shqip. Një supozim tjetër, është se rrëgjimi i hapësirës së komenteve tek ne erdhi si pasojë e rrëgjimit të këtyre hapësirave në krejt kulturën mediatike të shqipes; duke krijuar dhe edukuar, vit pas viti, një lloj komentuesi publik – herë anonim herë të identifikuar – që aktivisht synonte çrregullimin e debatit, dialogut dhe këmbimit intelektual. Një supozim i tretë, më i hidhur, është se hapësirat publike të përbashkëta herët a vonë do të rrëgjohen detyrimisht, për shkak të predatorëve, cilëtdo qofshin këta dhe synimet e tyre.

Mjetet për t’i ndalur këto çrregullime njihen dhe mund të zbatohen lehtë – mjaft të përmendet këtu censura. Për një kohë të gjatë, moderatorët e komenteve të “Peizazhet” u përfshinë në një përpjekje sa optimiste, aq edhe donkishoteske, për t’i edukuar komentuesit me frymën e revistës dhe të projektit të saj, madje edhe nëpërmjet ndërhyrjeve të drejtpërdrejta dhe në mirëbesim. Komentet që shkelnin rregullat elementare të komentimit do të moderoheshin – çfarë është një eufemizëm për “do të hidheshin në koshin e plehrave.” Por këtu janë edhe rrënjët e paradoksit: a mund të luftosh për lirinë e fjalës dhe për një hapësirë ku të praktikohet kjo liri fjale, duke u mbyllur gojën (disa) të tjerëve?

Si moderatori kryesor i komenteve te “Peizazhe të fjalës”, e kam ndier absurditetin e kësaj dileme sa herë që vendosja ta hiqja një koment – ngaqë më dukej i papërshtatshëm. Dhe komenti mbase ishte vërtet i papërshtatshëm, jashtë teme, provokues, keqdashës, fyes, çrregullues, i trashë, grotesk; por pyetja që i bëja vetes ishte tjetërlloj: ç’të drejtë i paskësha dhënë kështu unë vetes, si administrator i hapësirës, për të vendosur se kush duhej të fliste dhe kush duhej ta mbante gojën të mbyllur? Çfarë dëmi po i bëja vetes, si ithtar i patundur i lirisë së fjalës, duke ua hequr këtë liri disa (sado pak) të tjerëve – pavarësisht si po e ushtronin këta?

Diskutimet, debatet dhe dialogët publikë nuk janë shpikje e Internetit dhe as e hapësirave virtuale. Përvoja dhe historia e kulturave që i kanë përsosur këto forma komunikimi tregojnë se edhe një tubim i thjeshtë në sheshin kryesor të qytetit ka nevojë të rregullohet, për të garantuar kushtet minimale të ushtrimit të lirisë së fjalës. Në një debat publik live, kush kërkon të marrë fjalën nga salla, duhet të presë radhën dhe të identifikohet, para se të bëjë një pyetje ose një kritikë. Një gazetë mund të jetë mishërim i lirisë së shtypit, e megjithatë kjo nuk parakupton që kushdo mund të botojë në faqet e saj. Të ftuarit për debat në një studio televizive janë gjithnjë të filtruar; dhe as që mund të mendohet që dikush të vijë nga rruga dhe të futet në studio, me kokë të vet, për të thënë një mendim.

Paradoksalisht, liria e fjalës nuk mund të garantohet, pa u penguar.

Shumë nga ata që e mbrojnë fjalën e lirë (free speech) si të pakufizuar dhe të pakufizueshme, e bazojnë argumentin e tyre në ekonominë e tregut dhe në aftësitë e asaj që ata e quajnë “tregu i ideve” (the marketplace of ideas) për t’u vetë-rregulluar, njëlloj siç vetërregullohet tregu. Argumenti është kompleks dhe nuk merr parasysh – më duket mua – që edhe tregu, si praktikë sociale elementare, ndryshon nga një kulturë në tjetrën dhe varet edhe nga etika e atyre që vijnë për të tregtuar. Tek e fundit, le të mos harrojmë edhe se nuk ka treg sot në botë, që të mos jetë i rregulluar në një mënyrë ose në tjetrën.

Të gjitha këto, si probleme teorike, meritojnë vëmendje. Paçka se debatet për lirinë e fjalës, sidomos në kontekste të jurisprudencës, të filozofisë dhe të së drejtave të njeriut, nuk ndihmojnë drejtpërdrejt ata që përballen drejtpërdrejt dhe çdo ditë me sfidat prej fjalës së Tjetrit, ose – si në rastin tonë të redaksisë së Peizazheve – të së drejtave të njërës palë për t’ia zhvlerësuar lirinë e fjalës palës tjetër. Për ne, imperativi për ta mirëmbajtur dhe mbrojtur projektin tonë ka pasur dhe ka gjithnjë përparësi; tek e fundit, vetë “Peizazhe të fjalës” kërkon t’i shërbejë – dhe me gjasë i ka shërbyer mirë – fjalës së lirë në hapësirën shqipe.

Vendimi që morëm ishte një lloj kompromisi: e mbyllëm krejt hapësirën e komenteve, me arsyetimin se “Peizazhe të fjalës” synonte të ishte hapësirë e fjalës së lirë për autorët e shkrimeve (dhe në përgjithësi për titullarët e faqes), jo për publikun e gjerë dhe aq më pak për persona të tretë të cilët ndonjëherë nuk i bashkon asgjë me ne; dhe se nuk ka qenë as është pjesë e misionit tonë kulturor, që t’i garantojmë lirinë e fjalës kujtdo që kërkon ta ushtrojë në hapësirat tona. Për t’u ngushëlluar, e përfytyruam veten si ai kopshtari, që kujdeset për bimët e kopshtit duke pastruar barërat “e këqija” dhe gjykuam se, për të qenë produktive, fjala e lirë ka nevojë për rregullim dhe se e ashtuquajtura fjalë e lirë e parregulluar (unregulated free speech) jo vetëm që çon pashmangshëm në paralizë të dialogut, por edhe mbase nuk është më speech.

Megjithatë, realiteti i hidhur i vendimit për të mbyllur komentet nuk mund të fshihet pas disa pak metaforave: fakt është që ne tashmë e rrethuam revistën tonë “Peizazhe të fjalës” me mur, për t’ia ruajtur natyrën dhe rolin dhe misionin. Nuk është hera e parë që një përpjekje kulturore e sheh të arsyeshme të fortifikohet me mure – kur ndihet e rrezikuar; dhe as jemi të vetmit që kemi reaguar kështu. Gazeta, revista dhe faqe të rëndësishme online, anembanë botës së qytetëruar, madje edhe nga ato që i kushtohen lirisë së fjalës dhe kultivojnë shenjtërinë e saj dhe që ende zotërojnë mjete të fuqishme financiare për t’ia kushtuar mirëmbajtjes së fjalës së lirë, i kanë mbyllur komentet. Nëse kjo do të precipitojë kalimin drejt një feudalizimi të hapësirës publike të dialogut, mbetet për t’u parë. Alternativa ose është shumë e kushtueshme – e tillë që të kërkojë një ushtri në thelb kërcënuese mbikëqyrësish dhe moderatorësh të paguar për të përballuar entropinë e Tjetrit; ose asgjësuese, ose e tillë që t’ua dorëzojë trollëve dhe interesave partikulare çelësat e pasurisë qytetare.

© 2021, Peizazhe të fjalës™ dhe Instituti Shqiptar i Medias. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

 

Shënim: Ky shkrim është pjesë e një projekti të Institutit Shqiptar të Medias dhe botohet njëkohësisht edhe në faqen e atij instituti.

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin