Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori / Jurisprudencë

INTERVISTË PËR DETIN JON

nga Agron Alibali

Verën që shkoi më vjen një mëngjes një mesazh:

– “Zoti A.” – thuhej aty. “Jam gazetarja B. C. nga televizioni Ç. D. Do të donim një intervistë me ju për problemet e delimitimit në Detin Jon pas deklarimeve të fundit të kryeministrit grek DH. E. në Parlament. A mund të na ndihmoni?”

– “Pa tjetër” – u gjegja. “Ju lutem më dërgoni pyetjet paraprake dhe bisedojmë për kohën dhe të tjerat”.

Pasi u morëm vesh për këto, nuk m’u durua dhe e bëra edhe unë një pyetje:

– “Po mirë, po numrin tim nga e gjetët”?

– “E po, si gazetare që jemi, këto janë të zanatit…” – më erdhi pak a shumë përgjigja.

Të nesërmen në mëngjes me orën e Bregut Lindor filluam.

Andej nga mesi i intervistës gazetarja futi aty për aty edhe një pyetje shtesë, që lidhej me një deklarim tangjencial për detin të shtetarit shqiptar Ë. F. të bërë atë mëngjes në një veprimtari për autorin G. GJ., e cila natyrisht më kishte shpëtuar krejt.

– “Falemnderit shumë. Intervistën do ta transmetojmë nesër”, më tha në fund gazetarja.

Të nesërmen hyra në faqen e televizionit. Pashë se intervista prej 10 minutash e ca ishte qethur në një prononcim prej rreth 30 sekondash, ndërkohë që një intervistë tjetër të ekspertit grek H.I. televizioni në fjalë e kishte transmetuar të plotë.

“Nejse”, thashë me vete. “Liria e fjalës, e mendimit dhe e shtypit përfshijnë pa dyshim edhe lirinë redaksionale për të dhënë atë çka dëshiron vetë gazetari intervistues apo redaksia përkatëse”. Dhe nuk mendova më tej për këtë gjë.

Ndërkohë, zhvillimet më të fundit në rajonin e Jonit Verior, dhe kakofonia në shtyp dhe mediat sociale për një dekret presidencial grek që – sipas njoftimeve zyrtare [1] lidhet me “mbylljen e gjireve dhe caktimin e vijave të drejta bazë në hapësirat detare në Jon dhe ishujt jonianë”, më bënë që t’i kthehesha intervistës në fjalë. Duke respektuar të drejtën e të tjerëve për ta krasitur, mendova se edhe unë e gëzoja të drejtën e ruajtjes së tekstit dhe madje, të botimit tek revista Peizazhet e Fjalës, sipas tejshkrimit më poshtë. Duke vërejtur se tema mbetet relevante, shpresoj që intervista do të shihet me interes. Për lehtësi praktike është bërë ndonjë redaktim i vogël, kurse nistoret e disa emrave të përveçëm në tekstin shoqërues janë zëvendësuar me germat e alfabetit.

Ja edhe teksti i tejshkruar:

Pyetje 1: Një ditë më parë Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis, deklaroi në parlament se vendi i tij po përgatitet të shtrijë kufirin detar 12 milje në Detin Jon, kjo siç tha ai, në përmbushje të të gjitha konventave nderkombetare mbi këtë çështje. E para, si e lexoni këtë deklaratë të kreut të qeverisë së Athinës?

Përgjigje: Natyrisht Greqia është në të drejtën e vet të zgjerojë Detin Territorial në Detin Jon në përputhje me Konventën UNCLOS. Por nga ana tjetër, edhe Shqipëria ka të drejtën, dhe madje edhe detyrimin të shpallë zyrtarisht kundërshtimin e vet në rast se interesat dhe të drejtat e saj si shtet bregdetar në bazë të Konventës cenohen. Vetëkuptohet se ky hap nuk do të prekte aspak frymën e miqësisë dhe mirëkuptimit që ekziston midis dy vendeve. Jo rrallë ka mosmarrëveshje edhe midis miqsh, që zgjidhen ose me negociata, ose përmes një forumi gjyqësor ndërkombëtar, të parashikuar nga Konventa.

Pyetje 2: Si njohës i së drejtës ndërkombëtare publike, çfarë duhet të nënkuptojmë me “shtrirje deri ne 12 milje”, cenim të asaj çka i përket territorit shqiptar? Nëse po, çfarë humb Shqipëria në këtë ripërcaktim të kufirit detar me Greqinë?

Përgjigje: Shqipëria është shtet bregdetar në Jonin Verior. Ashtu si edhe Greqia e Italia. Rrjedhimisht, Shqipëria gëzon të gjitha tagret që burojnë nga Konventa, ku përfshihet Deti Territorial, ku sovraniteti shtetëror është i plotë, dhe shelfi kontinental dhe zona ekskluzive ekononike, që shtrihen përtej kufirit të Detit Territorial.

Në momentin që flasim Shqipëria e ka të deklaruar prej kohe dhe të njohur botërisht Detin Territorial në gjerësi 12 milje detare. Kurse Greqia, e ka të deklaruar botërisht në gjerësinë 6 milje. Pra, kufiri i Detit Territorial midis dy vendeve në vija të trasha ekziston, edhe pse jo i demarkuar me koordinata të sakta gjeografike. Deti territorial shqiptar, po të kundrohet në kahjen Veri Jug, hyn në Detin Jon nga Kanali i Otrantos dhe vijon në gjatësinë e bregdetit shqiptar deri sa puqet me Detin Territorial grek, që në momentin që flasim, është 6 milje. Mandej Deti Territorial shqiptar rudhet gradualisht në varësi të efektit të Ngushticës së Korfuzit, dhe zvogëlohet deri në 6 milje gjerësi deri sa distanca midis dy brigjeve arrin 12 milje. Në këtë pikë fillon zbatimi i barazlargësisë, sipas rrethanave të posaçme të parashikuara nga Konventa. Tani, nëse Greqia, vepron në përputhje me të drejtën e vet sovrane dhe zgjeron Detin e vet Territorial në 12 milje, lind pyetja a cenon ky veprim të drejtat dhe interesat e Shqipërisë si shtet bregdetar?

Kujtojmë se bregdeti shqiptar në Jonin Verior fillon në Gjirin e Ftelias në jugë deri në Kepin e Gjuhëzës në Veri. Nëse vendosim një vijë gjeodezike imagjinare në paralelin gjeografik që fillon nga Ftelia[2], unë do të thoja se këto interesa nuk cenohen aspak në jugë të kësaj vije.

Mirëpo pyetja thelbësore është kjo: a preket projeksioni detar i bregdetit shqiptar në veri të kësaj vije nga dy veprimet më të fundit që janë ose do të kryhen në Jonin Verior, përkatësisht Marrëveshja ZEE Itali – Greqi dhe hapat e Greqisë për zgjerimin e Detit të vet Territorial?

Pyetje 3: Cili duhet të jetë qëndrimi i palës shqiptare, dhe këtu i referohem jo vetëm atij politik, por edhe në nivel ekspertësh?  Me cilat kushte apo kritere Shqipëria duhet të hyjë në negociata?

Përgjigje:  Neni 121 i Konventës përcakton se ishujt gëzojnë të njëjtat të drejta si edhe dheu kontinental (land territory). Askush nuk vë në pikëpyetje të drejtat e ishujve kur këto nuk cenojnë ato të shtetit bregdetar përballë tyre. Por ç’ndodh kur ishujt pengojnë projeksionin detar të shtetit bregdetar përkundruall? Pra, thelbi i mosmarrëveshjes së mundshme, e shprehur fare thjeshtë, është se çfarë u takon ishujve grekë dhe çfarë i takon bregdetit shqiptar, ose dheut kontinental shqiptar, kur të drejtat e tyre respektive mbivendosen? Kam mendimin se, prirja e përgjithshme sipas së drejtës ndërkombëtare, është se në raste të tilla, dheu kontinental prevalon.

Problematika duhet parë me qetësi dhe gjakftohtësi.  Shqipëria është shtet i pavarur qysh prej 108 vjetësh, dhe kam mendimin se në vend ka ekspertë shumë të mirë e të aftë që mund të analizojnë me kompetencë të drejtat dhe tagret e Shqipërisë si vend bregdetar në bazë të Konventës, dhe nëse këto të drejta në Jonin Verior preken a cenohen nga aktet që përmenda më parë. Në rrafsh politik kam mendimin që duhet të ketë qartësi dhe qëndrim të unifikuar të instancave të shtetit shqiptar, qoftë nga Presidenca, Kryeministri, Kryetari i Parlamentit dhe Kryetari i Opozitës.

Nëse veprimet e palëve të tjera në Jonin Verior prekin interesat e Shqipërisë, atëherë Ministria e Jashtme shumë mirë mund të paraqesë qëndrimin zyrtar. Deklarata e fundit e Ministrit Cakaj ishte, për mendimin tim, e pjekur dhe e qartë. Mësojmë se kolegu i tij grek, Dendias, mund të vijë së afërmi në Shqipëri. Z. Dendias, që është edhe nga Korfuzi, është jurist i njohur, dhe mik i Shqipërisë. Natyrisht ai mbron interesat e vendit të vet. Por do të dëshironim që z. Dendias të sillte me vete në Tiranë Dekretin e Presidentes Sakellariou për shfuqizimin apo abrogimin ex tunc, d.m.th. sikur të mos ketë ekzistuar ndonjëherë dhe pa patur efekt asnjëherë, të Dekretit Mbretëror 2636/1940 për Gjendjen e Luftës me Shqipërinë. Lufta e II Botërore ka 75 vjet që ka përfunduar; Shqipëria dhe Greqia ishin në të njëjtën anë në atë Luftë, dhe sot janë vende miq e aleate. Nuk ka kurrfarë kuptimi, madje është absurde që ky Dekret të jetë ende i vlefshëm e në fuqi. Abrogimi ex tunc i Dekretit të vitit1940 është për mendimin tim kusht thelbësor për ndërmarrjen e negociatave midis dy vendeve.

Pyetje 3.1:  Sot Kryeministri Rama ka kritikuar zërat për transparencë në negociatat dypalëshe. Cili është mendimi tuaj?

Përgjigje: Këtu Z. Rama ka të drejtë në qëndrimin e vet. Negociatat nuk duhet të zhvillohen në publik. Ato zhvillohen midis ekspertësh, ato zhvillohen në nivel diplomatik dhe kusht thelbësor, i domosdoshëm, është ruajtja e mirëbesimit, e barazisë, dhe konfidencialitetit. Konfidencialiteti është thelbësor sidomos në bisedimet për delimitimin detar. Pa konfidencialitet nuk ka negociata të besueshme, për shumë arsye, përfshirë dinamikat e brendshme.

Pyetje 4: Ju si ekspert dhe njohës i kësaj çështjeje që zhvillohet prej vitesh mes Tiranës dhe Athinës zyrtare, dhe kur ende nuk është finalizuar me një dokument, çfarë sugjeroni.

Përgjigje: Mendimi tim është se negociatat mund të sjellin një marrëveshje të mirë e të pranueshme nga të dy palët. Mbajmë parasysh se demarkimi dhe delimitimi në Jonin Verior – edhe pse në dukje i thjeshtë – është proces shumë i komplikuar, për shkak të shumëllojshmërisë dhe ndërveprimit të shumë faktorëve e rrethanave të ndryshme e të posaçme. Palët mund të dalin me mendimin, për shembull, që të përcaktojnë zona me jurisdiksion të përbashkët, ku edhe Greqia e Shqipëria të ndajnë bashkërisht burimet dhe pasuritë që mund të ekzistojnë atje. Nëse nuk arrihet marrëveshje, gjë që nuk është fundi i botës, atëherë shumë mirë kjo mund të përcillej bashkërisht për t’u zgjidhur para Tribunalit Ndërkombëtar të së Drejtës së Detit [ITLOS] në Hamburg.

Ndërkaq, Shqipëria nuk duhet të ngurrojë që të paraqesë dhe t’i regjistrojë qëndrimet e saj në Sekretariatin e Kombeve të Bashkuara, më saktë në Divizionin e Çështjeve të Oqeaneve dhe të së Drejtës së Detit, siç parashikon Konventa e OKB-së për të Drejtën e Detit. Të gjitha shtetet bregdetare, me pak përjashtime, i deklarojnë dhe i regjistrojnë atje qëndrimet e tyre. P.sh. aty mund të paraqiten rezervat e palës shqiptare për Marrëveshjen e fundit Itali – Greqi, si dhe eventualisht, edhe kundërshtimet ndaj hapave greke për zgjerimin e Detit Territorial në Jonin Verior.

Në këtë drejtim, do të doja të theksoja se në Shqipëri ka ekspertë shumë të aftë të së drejtës së detit. Emrat nuk mund t’i përmend të gjithë, por do të veçoja këtu si jurist profesorët Ksenofon Krisafin dhe Xhezair Zaganjori. Megjithatë, ka ardhur koha që Ministria e Jashtme të ketë një Drejtori të specializuar e të posaçme të së Drejtës Ndërkombëtare të Detit, që të funksionojë si qendër e mendimit të specializuar dhe e formulimit të qëndrimeve të shtetit shqiptar, ku të përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e tij si shtet bregdetar në përputhje me Konventën e OKB-së për të Drejtën e Detit dhe ku, pse jo, të ftohen si ekspertë me kohë të pjesshme edhe profesorët e lartpërmendur.

Shënim: Intervista është e datës 28 gusht 2020.

(c) 2020, Agron Alibali. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Imazhi në kopertinë:

HIMARE. 25 October 1848. (184), 1848.. Edward Lear landscape drawings, MS Typ 55.11, MS Typ 55.26, TypDr 805.L513, 620. Houghton Library, Harvard College Library. https://id.lib.harvard.edu/ead/c/hou01475c01579/catalog Accessed December 28, 2020

[1] Ministry of Foreign Affairs Announcement on the entry into force of the Presidential Decree on the closing of bays and drawing of straight baselines in the maritime area of the Ionian and the Ionian islands up to Cape Tainaro in the Peloponnese

[2] Drejtëza në paralelen imagjinare do të vijonte në drejtim perëndimor përtej Korfuzit, më saktë përtej kufirit të Detit Territorial grek, deri në mesoren në Jonit Verior që ndan gadishullin apenin nga ai ballkanik.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin