Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Filozofi / Letërsi

MENDIME TË PAKREHURA (LXV)

(nga Stanislaw Lec*)

Për të nuk mund të flasësh, veçse me superlativë negativë.

Arti ecën përpara, i ndjekur nga rojet.

Ah, sikur të mund ta klasifikonim ngushtësinë e shpirtit mes parehative të ekzistencës!

Në disa burime frymëzimi, Muzat lajnë këmbët.

Le t’ua vëmë kurorën vetëm atyre që kanë kokë.

Disa këngë fillonin jo me një çelës të solit, por me një shkronjë neni të kodit penal.

Do të na pëlqente që zëri i brendshëm të na vinte nga jashtë.

Kur fjala bëhet mish, nuk është më letërsi.

Nga njihen furtunat e historisë? Nga ajo që, edhe shumë kohë më pas, i ndien akoma në eshtra.

Kush ka gjetur jehonë, fillon të përsëritë veten.

Përdoreni këtë si tregues: numri i banorëve për kokë.

Për të qenë realist, artit iu desh në krye që ta deformonte njeriun.

Të mendosh është funksion social, apo funksion cerebral?

Veprave nganjëherë u duhet të zgjedhin: të bëhen ose vepra autori, ose vepra arti.

Edhe njeriu ndahet në zona influence. Të influencës së të tjerëve.

Duke iu afruar së vërtetës, i largohemi realitetit.

Do të duhej të ekzistonte një listë çmimesh e gjërave që duhen bërë me çdo çmim.

Si rregull, praparoja e pararojës së dikurshme është pararoja e praparojës së re.

Vdekja është deus ex machina e tragjedisë njerëzore.

Thuhej për të, jo pa njëfarë admirimi: “Ecën në gjurmët e gjenive!” Dhe unë pyesja: “Me ç’qëllim?”

Nga fjalët e tyre ti kupton çfarë donin ta kalonin në heshtje.

Arti jo-produktiv ka aftësitë më të mëdha për vetë-riprodhim.

Si burracak që ishte, i fshihte mendimet personale në kokat e të tjerëve.

Ngjiste nga të gjitha anët gjethe fiku, por përshkruante besnikërisht çfarë fshihej poshtë tyre.

Mos blasfemo, në qoftë se nuk je besimtar!

Gjithçka është zbuluar; vetëm në zonat e banalitetit kanë mbetur toka të virgjra.

A mund të bëhesh gjeni me zor? Po, mjafton ta kesh atë farë zori.

Të gjithnjë njerëzit janë aktorë: ku ta gjesh, pra, një repertor për gjithësecilin?

Edhe përjetësia dikur ka pasë zgjatur më shumë.

 


(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Nouvelles pensées échevelées (frëngjisht).

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin