Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Sociologji / Urbanistikë

RRUGAÇË NË DY KOHË

nga Edon Qesari

Në kujtesën time shquaj, mes katër cepash të vrugët, një skenë:

Jam çilimi, e me gjasë nuk duhet të kem shumë kohë që kam mësuar të shprehem në mënyrë, deri diku, të rrjedhshme. Im at më mban për dore, ndërsa gjendemi duke kaluar në një rrugë të lagjes së Ali Demit andej nga gjysma e zymtë (pardon! e dytë) e viteve 1980. Tek cepi i një pallati, ndalemi. Nën dritaret e një apartamenti të katit të parë – që, si shumë të tjera, nga fundi i socializmit hoxhaist edhe kjo ishte mbuluar me kangjella – m’u poshtë parmakëve të saj, kundërmon një spërkatje e freskët zifti. Një veprim i cili nuk ka lënë veçse një shenjë estetikisht rrënuese mbi pragun e godinës, por edhe zbrazëti.

Në të vërtetë, syri im ishte mësuar të shihte atje një grusht djemsh, të cilët, mua vocërrakut, kushedi sa të shtyrë në moshë më dukeshin. Ishin djemtë e mirënjohur që “dridhnin zinxhirin gjithë ditën e ditës” – një armatë e tërë adoleshentësh të vonë apo të rinjsh të hershëm, që të papunë siç ishin, krasisnin mërzinë dhe shtynin orët e pambarimta ashtu, gjithë ditën e ditës, në fundshpinat e pallateve. Shpesh deri natën vonë, gati përherë duke zgjuar ankesa dhe britma nga banorët.

Një pjesë e tyre kishin mbaruar shkollat profesionale, ndërsa një pjesë tjetër nuk shkonim më as në shkollë. Që ishin të papunë, edhe kjo gjë dihej botërisht, se ndryshe nuk do të pushtonin cepat e pallateve bashkë me shtëllungat e duhanit që u rrinin mbi krye si duhi të çakërdisura. Porse, ndonjëri prej tyre, në xhepat e pantallonave prej teritali, mbante palosur ndonjë fletë punësimi krejt fiktive. Gojëdhënat post-mortem të socializmit rrëfejnë se të gjithë – së pari ata djem – bënin sikur punonin dhe ndërmarrjet shtetërore hiqeshin sikur iu jepnin rrogë.

E që mos e zgjas shumë, zifti ende i papërtharë ka zënë vendin e djemve. “E kanë hedhur që të mos rrinë më këtu, se bëjnë zhurmë” – më shpjegon babai, i cili natyrisht nuk mund të presë prej meje, e shumta 5-vjeçar, që të kuptoj se socializmi autarkik i asaj dekade jo vetëm që nuk e njeh zyrtarisht papunësinë, porse as mund ta pranojë, duke i shtëllitur këta djem sa andej-këndej, larg syrit dhe larg vëmendjes; megjithëse prania e çetave të ngjashme me atë që po përshkruaj kishte pushtuar gjithë Tiranën.

E ashtu të xhindosur, të arnuar me rroba që tregonin veç derexhenë shoqërore që kishte kapluar shtresat e gjera popullatës – asaj pjese që nuk ishte shortlist-uar për t’i regjistruar bijtë në universitet – këta djem derdheshin ngado: mes ziftit të lagjes dhe bordurave të qytetit, me leshra tërë yndyrësi dhe mllef ndaj parullave, ku duke iu vardisur ndonjë vajze e ku duke i këputur ndonjë çokë djemve të përzgjedhur për të pasur një fat tjetër nga i tyri.

Ata djem dhe plogështia që dukej se u ecte krahas, ishin kthyer prej kohësh në kokëçarjen e zakonshme të autoriteteve policore; në mos në veprimtarinë kryesore të punës ditore të një polici, i cili, shpesh për arsye të prejardhjes së ngjashme, shpesh si përftesë e përvojës së grumbulluar, i njihte këta “tipa” së largu. Ndokush, pikërisht mbi këtë soj gjuetie, me përkushtim ndaj detyrës a duke u rënë në qafë “rrugaçëve”, kishte ngritur karrierën.

Kujtesa ka zotësinë e mamisë, e mua sapo më shkrepi një tjetër kuadraturë: Gjendem pranë kabinave buzë një plazhi në Vlorë, pak metra larg vendndodhjes së një zyrë policie. Dëgjohen goditje të rrëmujshme dhe të shara vulgare nga zëri i dy policëve të atij stacioni. Këta të fundit, të cilët njihen ndryshe si tejet të sjellshëm me pushuesit, kanë futur atje brenda ndonjë nga djemtë bjerraditës që, në një qytet detar si Vlora, bredhin me mërzinë e tyre – tok me fukarallëkun që i gërryen pranë plazheve. Atje ku herët a vonë paraqiten si me porosi plot raste ngacmimesh, epshesh, përplasjesh dhe çjerrjesh të paqes sociale që regjimi mban në fletëlëvdatat e veta.

Në fund të viteve 1980, “djemtë që dridhnin zinxhirin” nuk ishin vetëm mishërim i gangrenës në trupin e ekonomisë socialiste. Ishin edhe rezervuar i hapur, në zgjerim e sipër, ku depozitohej gjendja e vërtetë e konsensusit të zvjerdhur ndaj regjimit. Duke pasur një prejardhje popullore mandej, të rrënjosur në ato lagje a periferi të nginjura me punëtorë dhe përunjësi sociale, një masë e tillë të rinjsh ishte një goditje në syrin propagandistik të aparatit zyrtar.

Në fund, dukshmëria e tyre, me gjithë ziftin që autoritetet mund të shpenzonin për shpëlarje, ngjante çuditërisht shumë me të tilla pamje degradimi civil, mikrokriminaliteti rinor dhe mjerimi të hardallosur në tërë hapësirat urbane të Evropës Lindore; faqe të ngjashme kronikash qytetare ku shpalosej zymtësia, duart në xhepa, të një brezi të rinjsh të cilët pak kishin të bënin me atë çka regjimi u thosh se ishin: përjashtime.

Përjashtime mbeten ende sot në librat e historisë, të cilët nuk para i përfillin kur vjen puna për bëma përmbysjeje regjimi – e që zakonisht mbajnë vulë studentësh, intelektualësh dhe, pak më në sfond, pardesysh brenda rangjeve të aparatçikëve.

 

2. Prej disa ditësh, Tirana është përfshirë nga një valë demonstratash të cilat pasojnë një ngjarje që, në të tjera rrethana politike, mund të ishte murosur brenda ndonjë faqeje të kronikës së zezë.

Por nuk do të merrem me këtë. Më intereson më tepër një pohim, i dëgjuar nga shumë anë këto kohë, mbi pjesëmarrësit në demonstrata. Pasi thuhet se shumica dërrmuese e tyre është e përbërë nga të rinj (djem kryesisht, një pjesë e mirë nën moshën madhore) me prejardhje nga rrethinat e kryeqytetit. Sidoqoftë, nuk është kryer ndonjë matje statistikore për të vërtetuar këtë tezë – me përjashtim të ndonjë gjurmimi sipërfaqësor mbi look-un e demonstruesve dhe pak të dhënave të hulumtuara tutje-tëhu nga mediat.

Mbase shpjegimi i vetëm që përmbush kriteret e përcaktimit të atyre të rinjve si “periferikë” diktohet nga mllefi i tyre shkatërrues.

Mllef që e ka origjinën tek ndrydhja breznore e shkaktuar prej kushteve mizerabël të jetesës në rrethinat e Tiranës; e që i shtyu demonstruesit të godasin dhe djegin fillimisht makijazhin alla burlesque në bulevardin qendror dhe sheshin “Skënderbej” – e pastaj objekte publike (pra, “pa zot”) si semaforë, shtylla sinjalistike, xhama institucionesh, kazanë plehrash etj. Veprime që i dallojnë këta të rinj nga bashkëmoshatarët e “qendrës”, të cilët lustrën mbi publiken, me tërmet e pandemi nëpër këmbë, e kanë çorbë të përditshme tashmë.

Sidoqoftë është shumë pak, edhe kaq, për të shmangur rrëshqitjen në një terren spekulues. Ndryshe nga ata të viteve ‘80, “rrugaçët” sotëm nuk janë kaq të prerë me thikë nga pjesa tjetër e rinisë. Mund të jenë studentë universitarë, edhe kur vijnë nga periferitë – e të jenë njëkohësisht bredharakë lokalesh, dëfrimesh dhe sajdisjesh, krah vërsnikëve të tyre “qendrorë”. Plot nga të parët jetojnë në periferi dhe studiojnë e rriten në qendër; po aq nga të dytët jetojnë në qendër dhe përballojnë shpenzimet universitare si “periferikë”, përmes punësh të keqpaguara apo kredive të pajtuara nga prindërit me bankat.

Po njësoj, qendra dhe periferia, janë plot me të papunë. Por mund të jenë edhe me premtime punësimesh deri në grykë – premtime që bëjnë forumet partiake apo bizneset me shumë dritëhije, të cilat i presin krahëhapur të rinjtë, qofshin nga qendra apo periferitë.

Pa folur për look-un pastaj, që është shenjë e një homologimi të krupshëm mes tyre; ashtu si lloji i muzikës, trendet verore, rrjetet sociale, patriotizmi i stadiumeve dhe dëshira e ethshme për t’ia mbathur jashtë. Janë të gjithë njësoj! Pavarësisht shtresave dhe lagjeve nga vijnë, marrëdhënia që kanë me forcat e rendit, si dhe simpatitë e familjes përkatëse për këtë apo atë dinozaur të politikës shqiptare, në masën e tyre dërrmuese këta të rinj janë të gjithë njësoj.

Dhe ndryshe nga djemtë që “dridhnin zinxhirin”, këta të sotmit nuk janë më rezervuar ku depozitohen gjithë problemet socio-ekonomike, por burim tashmë. Dhuna e verbër dhe pamundësia për të shkoqitur ndonjë artikulim të qartë nga protestat e tyre – përveçse kur ky jepet i gatshëm – është tregues i i gjendjes në të cilën dergjen institucionet e arsimit dhe edukimit, nga qendra në periferi.

Jashtë apo brenda vijës së verdhë, të rinjtë ndjekin të njëjtët modele televizive; kanë të njëjtën marrëdhënie me influencers-at socialë; përtypin dhe mbllaçisin të njëjtët pallavra post-ideologjike, ku slogane dhe emoji i kanë zënë vendin mendimit dhe kritikës; pësojnë të njëjtat politika rrënuese të tregut, nëpër shkolla dhe ambiente para-punësimi; e janë sot prodhim dekadash të tëra çorganizimi dhe privatizimi. E mes qendrës dhe periferisë rriten me të njëjtin spektakël para syve: me kthimin e publikes në një përvetësim sipas fallit që do të hedhin zgjedhjet elektorale të radhës.

Vrulli i tyre në shesh nuk merret përsipër të organizohet për së mbari. Pakkush ka këllqe, ide apo dëshirë – përveç ndonjë showman-i me shpatulla të ngrohta, jo fort i ndryshëm në botëkuptim dhe cektësi nga çingijet e ansamblit shtetëror. Mjafton të këqyret lukunia e strukturave të llojit partiak që i rekruton dhe pretendon t’i vërë në rresht: të gjitha njësoj edhe ato, në ligjërime teorike dhe qasje praktike, deri në banalitet. Çka bën që edhe niveli i ndërgjegjësimit social e politik të të rinjve të jetë po njësoj, i mefshtë apo i mangët fare.

Kështu gjithçka përfundon në spontanitet gërvishtës, në thyerje dhe mllef: me rrezikun që këto të kalërohen dhe të kapitalizohen nga rreshtat e pasmë. Duke i lënë ashtu siç i gjetën këto turma, qofshin të përbëra nga “kokëpalarët” e djeshëm apo nga “halabakët” e sotëm – e të përballen me të vetmin aparat, policinë, që mund t’i marrë ato përsipër pasi shkollat dhe strukturat e tjera civile janë fundosur. Në pritje sigurisht të vulosjes së rezultatit nga pardesytë e bardha të radhës.

(c) 2020, Edon Qesari. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin