nga Visar Zhiti
“Invictus” – nga latinishtja “I pamposhtur” – është dhe titulli i një poezie që kujtohet në botë, për forcën, për kumtin e saj, më saktë, ka një kushtrim të brendshëm, përbashkues, që të përballesh të keqen me dinjitet. Duket si e derdhur në bronz, si një medaljon për këdo.
E rimora ndër duar, ndoshta nga që në vendin tim po flasin për poezinë këto ditë, në media, pa poezi, jo duke u bashkuar, – sa fjalë ideale duket kjo, e largët, – por duke u grindur e ndarë, një realitet i prekshëm, i rëndomtë yni.
Poezia “Invictus” nuk duhet harruar, thashë me vete, kur, në fakt po harrohet poezia, jo thjesht ajo e shkruara, por poezia e jetës si një mirëkuptim hyjnor.
“Invictus” ka frymëzuar shumë në jetë. Prandaj iu riktheva. Ka dhe një metaforë tjetër që del prej saj dhe merr tjetër domethënie, – do ta tregoj, – duke u bërë pjesë veprimtarish në realitete të ndryshme duke rihyrë sërish në art. Risjell copa bisedash, rrëfime, gjetje të miat për këtë poezi. Në një film të hershëm të kohës së luftës, Casablanca, citoheshin dy vargjet e fundit të poezisë. Dëgjo, në një film tjetër, ku luan dhe Ronald Reagani, që do të bëhej president i SHBA-së, recitohen dy strofat e para të poezisë. Vërtet? Po, po… Po edhe Presidenti Franklin D. Roosevelt thoshte se ishte një nga poezitë që donte më shumë…
Mandela ua recitonte të burgosurve në burgun Robben Island, ku ishte dhe vetë i burgosur.
Po edhe grupe muzikore amerikane heavy metal si Virgin Steele e të tjerë e kanë bërë këngë: “Invictus”, ka dhe albume, tani në vitin 2000 e më pas. Kanadezi Leonard Cohen, këngëtar, poet, kompozitor e ka si hyrje në veprën e tij “Darkness”, ka patur një turne nëpër botë në 2010, edhe në Kremlin shkoi…
Del në shumë filma e libra të tjerë kjo poezi… e ka në roman dhe Jeffrey Archer. Edhe birmanezja Aung San Suu Kyi, ka marrë çmimin Nobel për paqe ajo, thotë se kjo poezi ka frymëzuar të atin e saj dhe gjithë brezin që luftoi për pavarësinë e vendit.
Po Musine Kokalari jona, shkrimtarja e parë grua, disidentja e parë në të gjithë perandorinë komuniste, që e burgosën dhe vdiq internimeve, e kishte parë këtë poezi gjersa veproi siç porosit poezia, e pamposhtur?
“Invictus” e kanë dashur dhe përdorur si terapi shpirtërore mësues, sportistë, të sëmurë rëndë, organizata, edhe në Greqi, në Britaninë e Madhe e kanë stampuar në kanoçe pijesh të forta energjike, etj.
Po ç’ishte ajo ashtu, lutje e shenjtë, himn a marsh shtetëror, liturgji, elegji kolektive, kushtrim i brendshëm, betim a tufan?
MANDELA MË SHUMË:
Lidhjen më domethënëse në botë kjo poezi, sipas meje më shumë se sa me të tjerë, e ka me njeriun Nelson Mandela, me emrin e tij të disafishtë, ku bashkohen emocioni i poezisë me qëndrimet dhe mendësitë, duke tejkaluar konfliktet racore dhe gjenocidin dhe përndjekjet, mbart dhe një si bilokacion, që ta siguron poezia, pa njëkohësinë, po kështu dhe dykohësinë në vende skajshmërisht të kundërta.
Nelson Mandela e recitonte shpesh këtë poezi, edhe kur ishte në burg si i burgosur politik, edhe pas burgut, kur u bë President i vendit të tij, në Afrikën e Jugut.
Një poezi, ashtu si në shumë të tjerë dhe brenda një njeriu, në dy vetvete, po aq e njëjta, tejet të ndryshme, si gjendje e punë e përkushtime, në atë të të prangosurit, që i duhet të mbijetojë i mbyllur pas hekurave, që zbaton urdhra të thata, të pakta dhe egërshane dhe atë të udhëheqësit, për të cilën zgjidhet, që të sigurojë dhe të mbrojë liritë, t’i zgjerojë ato për një mirëqenie sa më të begatë, ashtu si ekonomike edhe mentale e spirituale dhe lidh vendin me vende të tjera dhe botën…
Dhe një poezi në mes. “Invictus”. Që jepte forcë dhe guxim dhe siguri në parajsë dhe në ferr. Me ritëm jete, kumtin e qëndresës dhe të hovit prijatar, me një lloj madhështie, që është e fshehur tek ty kur je i burgosur politik, dhe e hapur kur je president, madje në rastin e parë është më e dhimbshme, në të dytin më festive, në të dy rastet e qarkuar me roje, policë, në rastin e parë për të mbrojtur botën jashtë nga rreziku yt si i burgosur dhe në rastin e dytë për të të mbrojtur si president nga rreziku jashtë, se mos të dëmtojnë, deri dhe të një atentati të mundshëm, dëm dhe për autoritetin e shtetit. Pra, me roje e policë, në të dy rastet, kur duheshe ruajtur se “mos u ikën”…
Dhe prapë në thelb është një poezi.
Ka dhe një film po me këtë titull “Invictus”, kushtuar Mandelës, një pjese të jetës së tij, rolin e të cilit e interpretoi aktori amerikan, Morgan Freeman, dhe me atë zërin e thellë që sikur vinte nga nëntoka, nga terret dhe zjarri i saj: I am the master of my fate,/ I am the captain of my soul. Madje Mandela-president ia mësoi vargjet edhe kapitenit të skuadrës së rugby-t të Afrikës së Jugut, tifoz i së cilës ishte dhe ata dalin kampionë bote dhe shkak ishte dhe ajo, poezia, etj, etj.
Kur Mandela mbylli sytë përgjithmonë dhe njerëzia përulej para veprës së tij, misionit të lartë, të përmbushur, duke kujtuar ndërkaq dhe burgun e tij të gjatë, luftën kundër apartejdit, porositë për mirëkuptim e vëllazërim, kur qytetarët e atdheut të tij, në 12 ditët e zisë kombëtare, bashkë me personalitete nga e gjithë bota si Obama, Merkel, Cameron, Hollande, Napolitano, George Bush, Mihail Gorbaçov, Jimmy Carter, Xi Jingping, Dilma Rousseff, etj, Ban Ki-moon (OKB), Herman Van Rompuy dhe Manuel Barroso (BE), Christine Lagard (FMN) etj, e udhëheqësit shpirtërorë të Krishterimit e të Budizmit, Papa Françesku dhe Dalai Lama, etj, etj, shprehën hidhërimin më të thellë, teksa bëheshin homazhe përreth arkëmortit, ku ai prehej për herë të parë i qetë, me atë gjendjen sublime që të jep vdekja, ndërkaq dhe me një si largësi të tejme, nëpërmëndej dhe poezia “Invictus”, si të ishte pjesë e testamentit a personazh i ndjeshëm.
NË BURGUN TIM
Është intriguese, madje më duket e pabesueshme, sikur ka një si mister, se si pikërisht dhe kjo poezi kishte hyrë në burgjet tona në Shqipëri. Dhe kur, në kohën e diktaturës, kur vendi vërtet bënte pjesë në perandorinë komuniste, por ishte shteti më i vetmuar dhe populli më i mbyllur, i vetizoluar nga bota. Sundonte Realizmi Socialist, letërsia ishte në shërbim të socializmit dhe herë pas here dënohej metafora. Pra dënoheshin dhe libra. Burgoseshin dhe autorë, edhe vriteshin. E pësonte dhe lexuesi, dënohej dhe ai. Dhe në burg kishte libra, natyrisht, madje dhe një qoshe, që quhej bibliotekë, që më shumë shërbente për të vëzhguar, por në sirtarë kishte me shumicë libra të diktatorit Enver Hoxha, ca Stalin e Lenin, Marks pak fare, Engels më duket jo dhe realizëm socialist shqiptar, që më mirë të të fusnin në birucë se sa të lexoje ato.
Po si i kishte kaptuar telat me gjemba poezia “Invictus”, madje anglisht, kur anglishtja shihej si gjuhë e imperializmit më agresiv, kur dhe në burg qarkullonte dhe na lexohej me dhunë libri i Enverit “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë”? Anglishtja, edhe kur u fut nëpër shkolla, pasi u la rusishtja, shihej me dyshim, që pse do të doje ta mësoje atë gjuhë, prandaj dhe përzgjidheshin ata që caktoheshin për të nxënë anglisht.
Diktatori nuk dinte. Kryeministri po. Dhe do të vritej a vetëvritej, njëlloj ishte…
Poezia “Invictus” ishte në burg. Aty e gjeta. Ia kalonin dorë më dorë njëri-tjetrit. Anglisht. Natyrisht mes atyre që ende vazhdonin të lexonin, nga më të vjetrit tek të rinjtë, jo si moshë, por si kohë ardhjeje në burg, që mësonin, aq sa mundej, fshehurazi, ndonjë gjuhë tjetër, pas punës rraskapitëse në minierë. Nuk dihej si dhe qysh gjendej ajo poezi aty, kur kishte ardhur, nga cili, si e solli, ku e gjeti dhe ku e la, etj, etj? Poezia ishte aty. As autori i saj s’dihej, kush e kishte shkruar? Megjithëse kujtoj që autori s’kishte aq shumë interes në burg. Le të ishte kush të donte, rëndësi kishte kumti, poezia dhe në burg. Madje burgu ka aftësinë t’i anonimizojë krijimet e pakta në qarkullim ose t’i konsiderojë kolektive, të të gjithë të dënuarve.
Po poezinë “Invictus” e kishim anglisht, të ishte ky origjinali? Në burg ka dhe të çmendur që shkruajnë në anglisht. Njëri, afër shtratit tim, e kishte fshehur në kashtën e dyshekut poezinë. Një tjetër – te thesi ku ruante ndonjë ushqim. E mbanin dhe në xhep. E kopjonin prapë në fletën e parë të fletores së re, me shkronja gotike këtë radhë… Por po pyes për autorin prapë? Amerikan duhet të jetë… Duhet ta kenë sjellë ata nga burgu i Burrelit… U lumtë atyre, kanë kohë për këto!… Ne ngordhëm në punë, me turne, as të dielën s’ka pushim. Pse thua ngordhëm dhe jo vdiqëm?… Por si kafshë na mbajnë këtu ata që janë më kafshë… Shiko, shiko poezinë “Invictus”?… E ç’domethënë?… I pamposhtur, latinisht. Kam shumë fjalë që s’i di, s’i ka fjalori anglisht… Ai që ke kopjuar ti, që të është nxirë nga piriti… ohu, sa duar e kanë prekur…
Poezinë “Invictus” e kopjuan nga shokët e mi më të afërt në burg dhe Maks R., ish kapiten vapori, e ngazëllente fjala captain në vargun e fundit, H. Bajo e pëlqente për eksklamacionin, Ron Ç. donte anglishten e saj oratorike, Jorgo M. e kopjoi prapë, ndoshta për ndonjë shok. Na ngjante si poezi burgu.
Teksa shtyja vagonët me Nure S. poezinë e mësova anglisht përmendësh, fletën e fusja në leckat e trupit, te pecet e pista të këmbëve dhe pastaj brenda në minierë, në frontin e punës, e ngulja te ndonjë gozhdë në trupat e drunjtë plot lagështi acidesh, që mbanin galerinë, i afroja në terr kandilin me karbit, shikoja një varg, i ktheheshim punës, shtynim vagonë dhe thosha me zë vargun e parë: Out of the night that covers me, të dytin, i përsërisja bashkë, të tretin, harroja të parin… u bë strofa e parë… e dyta, harroja të parën… djersë në fytyrë e në trup, djersë e zezë, nga që përzihej me pluhur piriti, bëheshim pis, vagoni binte, dilte nga shinat, s’e ngrinim dot dy veta, prisnim ndonjë tjetër skllav, i vinim hurin në parakolpin e hekurt, i vinim kurrizin… si Zhan Valzhani… vazhdonte puna, ikte dhe polici me shpurën në fronte të tjera për kontroll… vargu i parë i strofës së tretë, mjaft sot, nuk mundem, u lodha, nesër… po ma thuaj, ma thuaj edhe një herë, më thoshte Nurja…
Dhe nuk e dinim se diku në një burg larg, në një tjetër kontinent, në Afrikën e Jugut, një tjetër i burgosur, me emrin Nelson Mandela donte pikërisht këtë poezi, e kishte credon e vet dhe mbase edhe ai po e recitonte po në atë çaste që po e bërtisnim dhe ne në terr, fshehurazi. Poezia bashkon, edhe pa e ditur, jep atë emocion që i duhet mbijetesës, krijon një si përbetim të fshehtë, komplot kundër rrënimit, errësirës, braktisjes. Është fillim lirie, mëkat i ndaluar kundër mëkatarëve, kështu më dukej, aq më tepër mua që isha dënuar me burg vetëm për poezitë e mia. Jo janë pesimiste, më thanë në gjyq, kundër realizmit socialist, dekadente, etj. Po do isha i lumtur, një lumturi e zezë, vetëm po të ishin poezi.
PËRKTHIMI NË FERR
Invictus. Dhe nisën ethet e përkthimit. Në shqip. Si të mundnim, duke i ngërthyer nga fati ynë, mjedisi infernal, pa çarë kokë për autorin real, ku dreqin mund të ishte, nëse ekzistonte vërtet… anonim, i përndjekur… as që bëhej fjalë për të drejta autori, kur i shkelte me të dy këmbët shteti vetë, me çizme ushtarake, me njolla gjaku…
Fletores time, ku kisha shkruar poezitë anglisht, të padëmshme, klasike, ca sonete të Shekspirit… kush përkthen ato, di anglisht, thoshte këngëtari Sherif Merdani… Alfred Tennyson, Christina Rosseti, Shelley… pra asaj fletoreje i ishte ngjitur në ballinë pamja e shtëpisë së njohur ku qe themeluar PKSH-ja, ishte hequr nga një revistë, që po të ma gjenin fletoren në kontrolle, të mos ma merrnin a grisnin. E zezë si partia… mund të thuhet?
Secilit nga ne i dukej se kishte bërë përkthimin më të arrirë, eh, më të mirin e kam bërë vetë, jam i bindur. Po ti e ke pa rima. Më mirë pa to se sa rima me folje a fjalë të zakonshme, rima të konsumuara. Po ku t’i gjesh, se mos i lënë të futen në burg…
Pata fat që fletoret e mia ia dola t’i nxjerr nga burgu, edhe sot i kam, edhe këtë me poezi anglisht e shqip…
Po kush e kishte shkruar “Invictus”-in? Jo si autor, por cili i burgosur? Nga e mori, cili e kopjoi? E si erdhi? Të thashë, nga burgu i Burrelit do ketë ardhur. Atje mundej… Ndonjëri nga ata që i shpërngulën prej andej, në thesin e tij, mes ndërresave të pakta e ndonjë ushqimi, cope të thatë buke e fletoreve a ndonjë libri pis, do të ketë fshehur dhe poezinë. Shpesh shkrimet tona shpëtonin prej kthetrave të policëve nga që nuk u dukeshin gjë, copa letre koti, shkarravina nga ca të shkalur dhe të cofur. Dhe ne zakonisht nuk e tregonim zanafillën e shumë gjërave të këtij lloji, përkthime, shkrime poezish, tregime, kapituj romanesh, shpesh të shkruara dhe në copa thasësh çimentoje dhe as donim që të dinim nga vinin, se, s’i do që të ndodhte, në rast ridënimesh, në hetuesi a tortura, të mos kishim mundësi ta tregonim, as përçart, të mbrojtur nga mosdija, në fund të fund që të mos dyshoheshim nga bashkëvuajtësit.
Në Burrel gjen libra e dorëshkrime, prej andej do ketë ardhur… Aty janë Mandelat e Shqipërisë, Osman Kazazi, Pjetër Arbnori, që shkruante romane dhe u vinte emër të huaj mbi fletore, mundësisht me një “W” si të ishin përkthime… po u afrohen të 30-ve ata, jo si moshë, jo, por afërsisht 30 vjet burg kanë bërë deri më tani… po dhe Adem Demaçi mandelë shqiptar është atje në burgjet e Jugosllavisë… në Burrel kanë qenë Et’hem Haxhiademi, tragjediani i parë shqiptar, Mirash Ivanaj, ministri i arsimit më i kulturuari në Ballkan, aty kanë vdekur, i kanë helmuar, thuaj… Po përkthyesit e mëdhenj, homerikë e danteskë? Gjon Shllaku, Pashko Gjeçi? Vexhi Buharaja-Firdus? Mandelat e tjerë shqiptarë, Dema, Radi, Dakli, Velaj, Kolgjini, Filipeu, etj, etj.
Nelson Mandelës i thoshin: ndërro idetë, hiq dorë nga ideali yt, nga lufta jote që të të lirojmë dhe ai nuk pranonte. Invictus. Dhoma e burgut të tij ishte më e mirë se shtëpitë tona, më komode, kurse Haveli kishte makinë shkrimi në burg. Tek ne vetëm shkrimtarëve profesionistë u lejohej, ua jepte shteti, partia, por të regjistruara në Sigurim… Profesor Arshi Pipa doli nga burgu dhe u arratis, ky është fat, ç’mrekulli! Edhe profesor Sami Repishti, edhe…
Invictus-i është te të gjithë këta emra. Donim ta ndjenim në shqip, në shqipen e burgut, ta bënim tonën… Në vargun e dytë, fjalët black as the pit (e zezë si gropa) i përshtatnim si të na pëlqente, secili sipas, jo shijes, jo, por sipas goditjes që kishte marrë dikur nga antijeta, thuaj, e zezë si pusi e vinte ndokush, ndoshta kishte mall për pusin në fshat a i kishte ndodhur diçka në pus, si varri – një tjetër, kurse unë në fillim e bëra: e zezë si miniera a galeria, H. Bajos nuk i pëlqeu, e donte të tejme, si humnera, i zi si burgu, si dimri, si e tashmja, si plaga, si…
Si do ta kenë përkthyer bashkëvuajtësit e mi miq, se sigurisht të gjithë jemi rrekur? Na dukej si detyrë. Maks Rakipaj: e zezë sterrë, thotë, kurse fjalën kapiten në fund do ta ketë pëlqyer shumë se dhe vetë ka qenë kapiten vapori, kurse Dine Dinia: e zezë si pabesia, Gëzim Medolli: e zezë si ridënimi, mbase… Po Pëllumb Lamaj: e zezë si komunizmi, e Islam Spahiu: e zezë si zija, po Zyd Morava: e zezë si seksi, shpotisnim, po… ç’bëni kështu, ej, është e zezë si gropa, nxehej Ron Ç, të paktën mos i bini ju më qafë origjinalit… si ferr, ej.
Në dy vargjet e fundit, të famshmit: I am the master of my fate; /I am the captain of my soul. – nuk po më bëhej që foljen ta vija në kohën e tashme, por në të ardhmen: Do jem unë zot i fatit tim,/ Do jem unë kapiten i shpirtit tim. A t’i vë një “?”. Por ndill mirë, i thosha vetes.
Them se mund të bëhet një antologji me to, motërzimet tona ose të përzgjidheshin fjalë e vargje prej tyre, më të mirat e të derdheshin veç tek njëra. Të caktohej njëri… Po ç‘thua, s’bëhet. Po rimat që s’janë gjetur njëlloj, janë të ndryshme, pavarësisht se u ngjajnë telave me gjemba, nyjave të tyre… ju jeni të magjepsur keq, lërini këto se do ju ridënojnë, shikoni burgun tani… prandaj invictus…
GJETJA E AUTORIT…
Po a ka autor? Patjetër që po. Cili është? Anonim, kolektiv, biblik? Tamam si në një skenë teatri më bëhej errësira, kur bie perdja dhe mes duartrokitjeve të shumta kërkohet të dalë autori e ai vonon.
Invictus! Si e gdhendur në mermer. Bardhësia e përfytyruar e mermerit, shkëlqimi i tij i kalonte ajrit dhe poezia tretej kështu në ditë, në dritën e saj… Nuk e harruam as pas burgut dhe pas rënies së diktaturës dhe të gjithë perandorisë komuniste.
Doja autorin, t’i shprehnim mirënjohjen tonë, le të ishte veç emër a shpirt në qiell.
E gjeta, ishte ngazëllim, por kisha dhe një si ndjenjë mbarimi që ta jep mbërritja, zgjidhja e enigmës. Për mua e ata si unë se bota e dinte. Në burg ai kishte qenë për ne i paemër, me një si përhapje misterioze gjithandej, kudo, por kur unë dola, tani ai do të burgosej brenda një emri e një CV-je.
Me gëzim të dëshpëruar apo me dëshpërim të gëzuar ai, më në fund, quhej, e gjeta: WILLIAM ERNEST HENLEY, anglez, poet, shkrimtar, edhe kritik, edhe botues, më duket… Ja, ka lindur vërtet, në 23 gusht 1849 në Gloucester, shoh se paska qenë më i madhi i gjashtë fëmijëve në familje e tij, 5 djem dhe një vajzë, ku babai i tij, William dhe ai, ishte librashitës, ndërsa nëna, Maria, ishte bijë poeti. Qysh fëmijë vuante nga tuberkulozi në kocka, kreu dhe një amputim në këmbën e majtë, nën gju. Ja, vuajtja paska qenë shkaku, një prerje siç na ndërprenë dhe ne jetët tona.
Një shkrimtar tjetër, Stevenson quhet, e përshkruan kështu Henley-n: “…i madh… masiv, shpatullgjerë e me mjekër të kuqërremtë, i qeshur… i zgjuar, vital…”, sëmurej shpesh, i detyruar të ndërpriste shkollën ndonjëherë, por dhe nga biznesi i babait, që veç shtonte borxhlinjtë.
Henley kalon në Londër në vitin 1867, në Oxford, i pëlqen të bëjë gazetarin, prapë tuberkulozi, amputim prapë në këmbën tjetër. 3 vjet në spital, në atë mbyllje të bardhë (…si në burg?…) mes sëmundjes dhe dhembjes dhe prapë shkruan, boton poezi…
Ja, “Invictus”… E zbulova! Nga që i është dashur të kundërshtonte prerjen e pashmangshme në këmbë, shpiku flatrat kështu, nëpërmjet poezisë.
Në vitin 1878 ai u martua me Anna Johnson Boyle. Në moshën 6 vjeçare u vdes vajza, Margareta. Dhimbje që ia kalon çdo spitali e burgu, kur vetja bëhet e tepërt dhe do qiellin, të ikësh andej si shpirt, teksa mes reve dëgjon të buçasë përzishëm: in-vic-tuuus… Pikërisht kjo vogëlushe do të përjetësohej në veprën e famshme, klasike për fëmijë “Peter Pan” nga J. M. Barrie, miku i dikurshëm.
Henley bëhet redaktor në revistën e artit “Scots Observer” të Edinburgut, me ndikim në jetën kulturore, ku grumbulloheshin shumë shkrimtarë e kishte mjaft lexues. Autori i Invictus-it po merrte famë. Më 1890 boton vëllim me kritika, që mirëpritet. Mbas poezive të spitalit nxjerr librin e dytë me poezi, “Kënga e Shpatës”, entuziazmon lexuesit. Boton tre drama, bashkautor me Stevenson, etj, etj.
Por tuberkulozi do t’i merrte jetën. Henley vdiq në vitin 1903, në kulmin e burrërisë, kur ishte 53 vjeç. Hiri i tij u vendos në varrin e bijës së tij… Gjithmonë do të përvëlojë ai hi, e djeg çdo dorë që i afrohet, qoftë si ngushëllim a nderim a kujtim tronditës…
Kjo poemë e shkurtër viktoriane u botua për herë të parë në vitin 1875 në “Libri i Vargjeve” të Henley-t, tek cikli “Jeta dhe Vdekja”. S’kishte titull, vetëm një përkushtimin: To RTHB, shkronjat nistore të emrit të një tregtari të suksesshëm, mecenat i letërsisë dhe i autorëve.
Out of the night that covers me,Black as the pit from pole to pole,I thank whatever gods may beFor my unconquerable soul.In the fell clutch of circumstanceI have not winced nor cried aloud.Under the bludgeonings of chanceMy head is bloody, but unbowed.Beyond this place of wrath and tearsLooms but the Horror of the shade,And yet the menace of the yearsFinds and shall find me unafraid.It matters not how strait the gate,How charged with punishments the scroll,I am the master of my fate,I am the captain of my soul.
Titullin latinisht “Invictus” e shtoi botuesi Arthur Quiller-Couch, kur poezia u përfshi në Librin e Oksfordit të vargjeve anglisht. Dhe ashtu mbeti. 4 strofa. 16 vargje, 8 rrokësh secili. Asnjë komplikacion në strukturë, vërejnë kritikët. Është tema e vullnetit, e forcës për të përballuar fatkeqësitë, gangrenën, prerjet, burgun shtoj unë, vdekjet, tragjeditë.
“Invictus” shihet si një nga poezitë më frymëzuese të shkruara në gjuhën angleze të të gjitha kohërave, për të cilën komentet dhe interpretimet nuk rreshtin as sot e kësaj dite. Dhe, edhe pa qenë në burg, janë të shumtë nëpër botë ata që i dinë vargjet e saj dhe që nuk e dinë autorin.
Në strofën e dytë gjejmë nga fati i autorit, tuberkuloz në fëmini, kur kjo sëmundje ishte e pashërueshme atëherë. Në strofën e katërt fati është nën juridiksionin e vetes, më shumë se e të tjerëve dhe e botës jashtë. Po diktatura them unë, djajtë e saj?
Në vargjet e parë të poezisë ka referenca me ferrin. Pa e ditur, sa mirë që unë fjalën “gropë” e kisha përkthyer “ferr”. Në strofën e katërt aludohet me një frazë nga Ungjilli sipas Mateut, për portën e ngushtë të jetës.
Vetë jeta dhe vdekja janë shkaqe për ta rimarrë ndër duar këtë poezi, që përndizet si një flakadan.
Pra, e gjeta Autorin. E mbaj ndër duar si një guackë që e solli një dallgë e madhe, e turbullt. Nuk paskësh qenë në burg ai, thashë me vete dhe pata një si keqardhje lehtësuese, më mirë. Por mund të jesh dhe pa qenë dhe edhe e kundërta, që duke qenë në burg, mund të jesh i lirë, invictus. Falë poezisë, kemi më shumë qëndresë brenda vetes për të qenë sa më të lirë. Jo aq shumë heronj, por më shumë njerëz. Botova dhe një artikull te “Poeteka”.
Kjo të kërkohet, kur qëndruam, kur na thyen flatrat e donin të na prisnin këmbët… Ishte një pandemi më e rrezikshme se kjo tani e Covid-19, një tmerr, pandemia ideologjike e totalitarizmit vrastar. Dhe është krijuar një korale e madhe në botë që këndon stuhishëm: I-n-v-i-c-t-u-s, ku përzihen dhe zërat e plagosur shqiptarë, ka dhe heshtje folëse në mes, më pas, ka dhe zhurma, zëra mashtrues, revanshistë, keqkuptime, mungesa e kërkesës së faljes, padrejtësi, urrejtje, po atje ku është poezia, duhet të jetë dashuria. Dhe për poezinë mund të flitet vetëm me gjuhën e poezisë. Pa atë s’ka qëndresë njerëzore, invictus të vetë jetës.
Poezia e kopjuar me dorë në burgun e Qafë-Barit, të cilën e ruaj ende (Visar Zhiti)
INVICTUS
(përkthimi im në burg)
Jashtë natës që më mbulon mua,
E zezë si ferri deri në polet,
Zotat, cilëndo, t’i falënderoj dua
Për shpirtin tim që nuk mposhtet.
Nën kthetrat-tmerr të rrethanave
S’u drodha dhe nuk klitha, oh!
Fati me rënie të çomangave
M’i përgjaku kryet, s’i ula, jo.
Kudo na ndjek ankth’ i hijeve
Në baltë lotësh, ashtu të shembur.
Por mua kërcënim i viteve
Gjithnjë më gjen të pa trembur.
I rëndë qoftë çdo dënim
Dhe le t’mos hapet porta dot,
Zotërues jam i fatit tim,
I shpirtit tim jam unë Zot.
(c) 2020, Visar Zhiti. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet riprodhimi pa lejen eksplicite të autorit.