nga Lindita Komani
Freunderlwirtschaft e cilësojnë në gjermanishten austriake ekonominë e bazuar te nepotizmi. Një mik këtu, një mik aty, pa gjë nuk mbetesh. Sa keq kur letërsia bëhet kështu. Sa mjerim kur çmimet letrare përdoren për kthim favoresh e thellim edhe më tej të kulisave që e mbajnë peng letërsinë shqiptare. Freunderlliteratur do t’ia vlente të cilësohej në gjermanisht kjo dukuri: letërsi me një mik këtu e një mik aty.
Një çmim i ri letrar u shfaq në mjediset tona të çuditshme ku çmimet dalin befas nga asgjëja dhe zhduken po ashtu kur vijnë qeveri të tjera. Një çmim i cili u kopjua pa asnjë kuptim nga një traditë britanike dhe më vonë amerikane që ka qëndruar për shekuj me radhë sepse ka pasur një qëllim: personi që zgjidhet është në funksion të shtetit, funksionon si i tillë. Ky çmim i kopjuar pa asnjë lloj kuptimi erdhi në Shqipëri dhe u bë publik rreth 1 muaj para se të shpallej. Përfytyroni shpejtësinë marramendëse me të cilën juria ka marrë në konsideratë gjithë kandidatët potencialë për të arritur tek i përzgjedhuri prej tyre si fitues. Në fund ai u shpall. Poeti laureat.Sa më shumë ditë kalojnë, aq më kureshtarë bëhemi për konceptin, cilësinë, procesin e punës për shpalljen e një çmimi të tillë dhe pyetje të shumta na lëvizin në mendje:
– Si është ndarë puna në juri, si i kanë lexuar anëtarët e jurisë gjithë prurjet poetike që kanë marrë në shqyrtim dhe pikësëpari cilat prurje kanë lexuar?
– Poeti laureat i Shqiperisë do të bëjë vjersha për qeverinë dhe për rastet kombëtare siç pritet të bëjnë poetët britanikë që mbajnë këtë titull?
– Sa ishte numri mesatar i librave që lexuan në ditë anëtarët e jurisë që të mbaronin me listën e gjithë poetëve? A pati një listë të tillë? Domethënë, lista fillestare cila është?
– 30 vjet pas rrëzimit të diktaturës, në një shtet në të cilin ka qenë shumë i paktë reflektimi dhe distancimi nga ajo që diktatura komuniste i bëri letërsisë – duke krijuar jo vetëm njeriun e ri në përgjithësi por edhe njeriun e ri letrar në veçanti – sa rëndësi ka pasur dhe ka që një çmim i ri për poezinë të fokusohet te figura që nuk janë të komprometuara shpirtërisht nga diktatura komuniste, tek brezi poetik që nisi me mesin/fundin e viteve ’80 e vijim? Nëse qëllimi vërtet është që të promovohet më shumë letërsia përmes poetit që mban titullin Poeti Laureat, përse të mos krijohet vetëdija më e madhe për poezinë nga ky brez poetësh që mund të konsiderohen si poetët e lirisë?
– A nuk i bën përshtypje njohësve të fushës fakti që një poete që e nisi veprimtarinë e saj në fund të viteve ’80 si Luljeta Lleshanaku dhe e cila nuk është e kompromentuar, dhe në të kundërt e ka tematizuar komunizmin dhe dramën e shkaktuar mbi të si njeri, mbi familjen e saj dhe shoqërinë shqiptare, është poetja që ka gjetur më shumë qasje në botën jo-shqipe. Nëse kjo nuk shërben si një busull orientuese për çmim-krijuesit dhe çmim-dhënësit, për t’i treguar botës letrare shqipe se çfarë duhet ende të përpunojë brenda vetes për të arritur në një botë që ka përpunuar letrarisht diktatura si fashizmi, nazizmi dhe komunizmi dhe dukshëm ka kaluar në sitë morale në raport me politikën figurat e saj, çfarë mundet? Për ta bërë edhe më konkrete, letërsia austriake e pasluftës së dytë botërore ishte pararojë për përpunimin letrar të periudhës naziste dhe ndihmoi në transformimin e botëkuptimit të austriakëve. Ata nuk mund të hiqeshin si viktima të nazizmit kur kishin qenë bashkëpunëtorë të tij.
Studiuesi Lisandri Kola gjatë gjithë procesit që prej kur u shpall që do të kishte një çmim të tillë së shpejti dhe më vonë pas shpalljes së tij, si dhe emisioni “Artes” i disa javëve më parë, qëmtuan të tematizonin këtë çmim. Por kjo gjë ka acaruar tej mase poetin laureat, i cili duke mos e njohur që mjedisi letrar shqiptar tashmë në “nëndheshmërinë” e tij është konsoliduar fort dhe ka njerëz që punojnë me pasion dhe nuk presin e nuk kanë ambicie të marrin çmime, si dhe të lakohen nëpër media, apo bëhen pjesë e kësaj Freundlliteratur, është gjendur para një befasie të pakëndshme. Kush ndër miqtë do të guxonte të shprehte një mendim të sinqertë?
Nëse emisioni dëgjohet me vëmendje, dy ndër folësit që janë shprehur më shumë janë anëtari i jurisë Agim Baçi dhe poeti e gazetari Irhan Jubica, por në “apologjinë” e tij poeti laureat nuk merret fare me ta. Gabimisht i ka harruar vallë? Z.Baçi është distancuar duke u shprehur që nuk ka votuar për këtë autor, ndërsa z. Jubica në analizën e tij ka mbajtur qëndrim të fortë kundër çmimeve që sot risjellin në jetë kujtesën e kohës së diktaturës. I pyetur për librin e poetit laureat, z. Jubica u shpreh se materiali poetik i përfshirë në të i kujton poezi të fundit të viteve ’80. Këto qëndrime sillen për të treguar atë që poeti laureat në një shkrim që e demaskon krejtësisht në qëndrimin e tij si njeri i letrave, u shmang ta shprehte në shkrimin e tij. Por le t’ia kujtojmë edhe një herë. Mbase tani bëhet mbarë të sulmojë edhe kritikun Baçi – anëtar jurie dhe poetin e gazetarin Jubica – botues i një prej revistave më të njohura letrare ne vitet 2000, ars. Këtë herë le të shpresojmë me një shkrim më pak të dobët se ai i pari.
Në mbyllje, diçka për të panjohurat dhe të panjohurit, shtrigat dhe shtriganët, beqareshat dhe beqarët që ndodheshin në emision dhe gjithë të tjerët që i kanë ndjekur nga ekrani dhe që kanë po të njëjtat cilësi, si njerëzore ashtu edhe letrare. Janë pjesa më e çmuar e asaj që po rritet sot si letërsi shqiptare, për një arsye të thjeshtë por madhore: Pa u mbështetur në struktura miqsh që janë ngritur që në kohën e diktaturës komuniste kur i thureshin lavde partisë dhe diktatorit Hoxha, kur spiunohej miku dhe kolegu, dhe të cilat vetëm se janë forcuar në 30 vite tranzicion, pa fonde, përveçse atyre që i nxjerrin nga ekonomia private për të mbajtur veten për ato ditë e muaj e vite në të cilët shkruajnë e përgatisin libra për botim, ata e ato shkruajnë dhe vazhdojnë të shkruajnë, qoftë si krijues/e, qoftë si studiues/e, qoftë si kritikë/e, të lirë nga miqësirat dhe presionet e lidhura me to. Janë filizi që qoftë tani apo në vitet e ardhshme do të nxjerrë fryte që shkojnë në të mirë të diçkaje që është më madhore se Freunderlliteratur-a.
(c) 2020, autorja. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Shënim redaksional nga Peizazhe të fjalës: E marrim dhe e botojmë me kënaqësi këtë shkrim të Lindita Komanit, sepse gjykojmë që tema e poetit laureat dhe tema tjetër e trashëgimisë së realizmit socialist në poezinë shqipe meritojnë të trajtohen me përparësi. Revista jonë është një nga ato forume ku debati mund të çohet më tej, pa ngecur në baltërat e ad hominem-it dhe të qokave krahinore e klanore. Për fat të keq, ca përvoja të hidhura në të shkuarën, më detyrojnë të saktësoj tani se shkrimi nuk përfaqëson pikëpamjet dhe qëndrimet e mia (A.V.), si drejtues i revistës dhe dikush që është shprehur për këto tema, në lidhje me çështjen e tanishme: në fakt, unë besoj se, kush dëshiron të merret me arkeologjinë e realizmit socialist në letërsinë shqipe, bën mirë të mos niset nga Rudolf Marku dhe as nga brezi i poetëve të viteve 1980. Mirëpresim, në faqet tona, reagimet ndaj këtij shkrimi dhe kontribute nga palë të treta, që besojnë se kanë diçka për të thënë rreth temave në fjalë.