Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

MONOLOG VERTIKAL MES JERMIT DHE UTOPISË

(Rreth romanit “Incógnito” të Ardian Kyçykut, Naimi 2016)

Në këtë analizë të romanit Incógnito [Copëza nga jeta e rojeve dhe anasjelltas] të shkrimtarit Ardian Kyçyku, do të rrekemi të shpalosim një lexim metafizik të veprës, apo thënë ndryshe, një zbulim të shpirtërores më të thellë të protagonistit, në raport me veten/drejt vetes. Studiuesja Ledia Dushi e ka përcaktuar shkrimtarin Kyçyku si bartës i shkëlqyer i një estetike të posaçme e cila të këndell të gjitha shqisat.[1] Pikërisht këtë lloj këndellje shqisash do të përshkruajë leximi ynë. Është një analizë që para së gjithash kërkon leximin paraprak të romanit, për sa kohë që ka të bëjë me një ravgim ndërtimi kuptimor. Për ta bërë sa më të prekshme këtë alternativë interpretative, si për një lexues që e ka lexuar veprën, si për një lexues të ardhshëm, po citojmë një synopsis të vetë autorit mbi romanin.

“Në një kazermë perëndimore që të kujton mërgimin, gjatë një mërgimi që ngjan edhe me vdekjen në mungesë, edhe me çlirimin nga çdo e tashme, një i ri shqiptar, rritur me bunker në oborr, (me nofkën Incógnito) caktohet roje, ose thjesht çon një jetë në dukje të rëndomtë. Për vite me radhë, tek shpreson të kthehet në dashurinë e hershme, ai ruan depo armësh e municionesh, salla librash, veten, kujtesën dhe disa të panjohur, i rrethuar nga eprorë e bashkëkohës që ndonjëherë sikur mishërojnë vetë fatin, në një hapësirë e kohë ku njeriu ka arritur të mos kushtojë më tepër se një plumb.

Ligjërimi i romanit rrjedh mbi tehun që bashkon e ndan metaforën nga e përditshmja dhe vendos një baraspeshë të çuditshme midis ngjarjeve, qënieve dhe sendeve të ngjashme e të kundërta, duke u dhënë mjaf fjalëve kuptime të pahasura më parë. Gjërat rrjedhin herë si në ëndërr, herë si në zhgjëndërr, herë si në vegim, herë si në të gjitha bashkë, brenda e jashtë një bote tashmë të globalizuar. Kaosi i mendimeve, i shprehjeve dhe i ngjarjeve hyn në qënien e protagonistit dhe i nënshtrohet fjalës-kyçe “anasjelltas”, që sundon natyrshëm nëntekstin e librit.

Brenda 24 vjetëve gjatë të cilëve shkruhet romani, kufijtë hapen; kazerma, ose mërgimi zgjerohen; poashtu edhe vendlindja, – në kahe e kohë të ndryshme, – ndërsa Incógnito jeton disa jetë, i bindur se vërtet “mund ta nxjerrësh njeriun nga mërgimi, por s’mund ta nxjerrësh më mërgimin nga njeriu”. Roja është shndërruar tashmë në diçka krejt tjetër; Incógnito nuk pranon të tjetërsohet edhe ngaqë di me përafërsi se sa të gjatë e ka jetën trupi i tij – dhe ndjen me saktësi se sa të gjatë mund ta ketë jetën shpirti i tij. Ai nuk del nga “hija”, duke vendosur që më mirë të mbetet “një askush i zgjedhur, se sa një dikush me një jetë të vetme”. [2]

Sipas Harold Bloom-it, vlera, në letërsi, si në jetë, ka të bëjë shumë me idiosinkratiken, me tepricën me të cilën fillon kuptimi.[3] Kuptimi na shpërfaqet kështu si pragu i një tjetër pragu. Jo më si një rrënjë dhe një tjetër bimësi aty-këtu truallit parak, por si një harlisje shtangëse që të pret udhën, ndërsa kërkon ta hedhësh vështrimin në habitatin mëmë. Teprica i paraprin thelbit, e jo thelbi tepricës. Po nga duhet nisur, nga ajo që vjen, apo nga ajo që është vijimësia e saj? Cila prej tyre hedh më së shumti/më së pari dritë mbi tjetrën? Bloom-i parakupton se me tepricën fillon. Mirëpo nuk dimë nëse me tepricën fillon fillimi fare, ai që vjen nga kurrkundi i kuptimit (moskuptimi), apo kuptimi si tërësi nuancash kuptimore. Lexuesi i romanit Incógnito, ende pa hyrë në prag të rrëfimit, ndeshet me një shënim shpjegues nga vet autori.

Sipas disa fjalorëve të besueshëm, incógnito rrjedh nga incógnitus i latinishtes, alias dikush i njohur (i famshëm, i shquar), që udhëton nën emër tjetër, pa dashur të bjerë në sy. Ka edhe kuptimin person që dëshiron të mbetet i panjohur ndaj botës dhe të tjerëve, duke u fshehur, ose duke dalë nga dijenia e njerëzve.
Autori

Rrëfimtari na lë ndërdyshaz. Ai mbetet po aq diskret sa fjalët përshkruese për të panjohurin. Incógnito mund të jetë ose një i njohur i panjohur, ose mund të jetë një i panjohur fare. I panjohur fare, ngase do të dalë nga vetëdija e njerëzve. I panjohuri i parë shfaqet se është kinse një tjetër. Një human i përshtatur me dëshirë në një tjetër që nuk është. Por ekziston një shfaqje e tij, një qenësi e pohuar rrejshëm, ndërsa në rastin tjetër, i panjohuri ia mohon vetes shfaqjen. Është një i padukshëm. Pra, nuk është. Vjen me thënë një të thënë tjetër, ose vjen me thënë se s’mundet ta thotë. E thëna e parë mishërohet në kockë, rrashtë, ashtë e logjikë. Ajo feks për veten dhe për të tjerët. Tjetra e thënë vjen vetëm drejt vetes së vet. Të dy këta Incógnito janë në një lloj jermi. Jermi i reales në udhën drejt së rrejshmes dhe jermi i tjetrit për hir të vetes. Kahu i duhur i udhëtimit të mendimit formësohet vetëm kur rrëfimi mbyllet. Deri në atë çast, teatri ka prezantuar deklamimin e monologut të një aktori të vetëm. Mbyllja e romanit na jep të kuptojmë, se ky monolog është apologjia jetësore e një qenie që ndodhet në kufirin mes jetës dhe vdekjes, në një gjendje jermi të pakthyeshme. Incógnito -njeriu i mpakur dhe i mplakur në përpjekje mbi-njerëzore, apo mbi-jermore, për të na i fjalësuar deri në fund dëshminë e tij. Një i panjohur këmbëngulës në statusin e tij, që më të njëjtin afsh këmbëngulës bën të njohur botërisht një të vërtetë.

Monologu merr jetë mes dy atmosferash simbolike. Kemi monologun e një oshënari mendimesh oshëtitëse nga Kulla e Rojes. Qenien monologuese nga kjo kullë, e cila i paraprin monologut të Rojes së Kullave. Kulla e parë vjen si një kullë ngujimi dhe deri diku njëfarësoj si një kullë Babeli, ku gëlojnë njerëz (roje), të cilët flasin një gjuhë të ndryshme nga rrëfimtari, si në rrafshin denotativ (gjuha si përkatësi etnie), si në rrafshin alegorik (gjuha si etnitet mes të ngjashmëve të pangjashëm). Brenda këtij ngujimi, i panjohuri Incógnito, nis një udhëtim kundrues nga vetja drejt vetes, duke dëshiruar të mbetet i panjohur nga të tjerët. Shkëputja nga realiteti dhe dashuria si dritë jete (e dashura jo rastësisht pagëzohet Iris, sipas bebëzës së syrit) nxit në të medituarit e tij enigma ekzistenciale të panjohura më parë, si dhe vë në pikëpyetje ato ideale e utopi të realitetit jashtë kullës. Ngujimi në një garnizon ushtarak perëndimor është simbolika e oshënarit/filozofit/profetit, të shkëputur nga bota e tokësorëve të tjerë për t’u thelluar në kuptimet e ekzistencës, në çastet kur i bën roje vetes, pragut të vetes dhe shkakësisë universale. Mirëpo mbetet një oshënar thellësisht human. Përndritja mentale nuk ia ndihmon ligështimin fizik. Papritur, thjesht prej largësisë, ftohet prej dashurisë shpirtërore dhe dashur padashur i nënshtrohet një rutine të rëndomtë seksuale. Me përndritjen e mendimeve dhe jermin e dashurisë vihen në pikëpyetje gjithë utopitë. Është faza kur shpirtit i qe mpakur zjarri, ndoshta edhe zjarrit i qe mpakur shpirti.[4]

              Me siguri kështu ishte, kur shpirti të shpikte duke të bindur se, në fakt, ti po
              e shpikje atë.

 Monologu nga Kulla e Rojës provon se ngujimi nga realiteti e ndihmon qenien të kuptojë dhe të prekë shpirtin universal, me tërë enigmat e ekzistencës. Por paparashikueshëm gjymton shpirtin human. Kundruesi fiton dhe njëherazi humb. Jermi i dashurisë lirohet nga prangat, po prej kësaj dashurie. Irisi është e dashura e lexuesit empirik dhe ana e papërlyer e syrit të Incógnitos. Dritë që e lidh ende me përndritjen e shpirtit të prekshëm njerëzor, kur ai zgjedh udhën e të qenit i panjohur, tek prek dimensionin e shpirtit të padukshëm. Ky i fundit duhet zbuluar, por çudia është se, ndërsa flaka e shpirtit universal prek shpirtin human, pikërisht aty ndodhin dy gjëra që janë në mospërputhje me njëra-tjetrën. Së pari, shpirtit njerëzor i mpaket zjarri. Këtu ndodh vdekja e utopive. Më saktë fillon jermi i çdo utopie, në të cilën Incógnito pat’ besuar para ngujimit. Proces që ndodh qoftë nga largësia e dritës së jetës (Irisit), qoftë nga deshifrimi i thelbit të ekzistencave nën ndriçimin e së epërmes. Së dyti, monologuesi fillon të përhumbet para dashurisë. Shkaku? Nuk e ka ditur se shpirti universal, drita e thellë, ajo që ai zbulon përgjatë ngujimit, ka qenë në fakt e plazmuar në çdo formë dashurie të prekshme. Atë pjesë të së panjohurës që e kërkojmë në kullën e ngujimit, ne e kemi zotëruar, pa e kuptuar, edhe jashtë kullës. Gjithçka ka filluar me tepricën, por kjo tepricë shquhet veçse kur zbulon esencën përgjatë vetmisë. Asnjëra prej tyre nuk vjen nga vetja, si vetë vetja, si gjërat që nuk vijnë prej saj. Duket se drita e epërme, e cila ia beh në kufirin e ngujimit e vetmisë, thekshëm na ulërin: “Po ta kishit ditur, se te bebëza e syrit të jetës në liri fshihet enigma e tepricës, nuk do të ngujoheshit në kullë dhe me prekjen e pragut mëmë të kridheshit në këtë dëshpërim pataksës. Kthehuni te pragu i pragut! Jeta e vërtetë nis aty. Tani u shndërruat në ca incógnito të dalë prej vetëdijeve tuaja. Kthehuni sa më shpejt te Pragu i pragut! Kthehuni o mosmirënjohës!”

Shkrimtari nuk bën gjë tjetër veçse lexon ligjërimin[5]. Lexuesi i prozës së Kyçykut, në të njëjtën kohë me rrëfimtarin lexon (për të zbuluar) monologun e një kundruesi thellësisht njerëzor. Lëkundjet e qenies, si këmbim i dashurisë me epshin vazhdojnë si në Kullën e Rojes, si në rojen e kullës. Kjo gjendje në kullën e parë (kazermën perëndimore) i vjen Incógnitos si një ndëshkim, nga i cili nuk do të shpëtojë dot plotësisht as jashtë ngujimit. E gjithë kjo simbolizon sulmin e përhershëm të instinkteve seksuale në vetjet tona. Incógnito është ai honi i tejmbushur cik më cik me to. Falë dritëzës së shpirtit hyjnor në tokë, falë asaj, dashurisë, ai nuk lejohet ta shkojë jetën vetëm e vetëm në tokën e instinkteve. Dlirësia absolute e kundruesit në këtë kontekst është një mision i pamundur.  Përpos kësaj, braktisja e tij prej dritës nuk ndodh kurrë. Pavarësisht luhatjeve të tmerrshme prej instinkteve seksuale. Ai është një i bekuar i  kësaj drite prej çastit kur ka kuptuar se roja është si lutja. Në gjendjen e jermit është kjo dritë që e merr përkrahu, për ta shpënë drejt dashurisë së dlirë, apo drejt atij dimensioni utopik për botën instinktive. Incógnitoja, përherë i gatshëm të bjerë në jerm, “ndiqet” këmba këmbës prej diellit të utopive. Këto utopi vijnë të tilla jo ndaj vetes së tyre, por ndaj instinkteve që pushtojnë qenien.

               Fërkoj dhëmbët brenda gojës, pa shpresuar se do të nxjerrin xixa, dhe them me një
              ton prej orakulli sy-, ose gjuhëshkulur: “ Ati ynë që je në Qiej…Unë jam këtu, me
              këmbët përdhe, me duart, me kokën dhe fytyrën e vrarë. Dikush më kërkon, por
              gjithkush  është diku. Gishti po më dridhet për ta shkrepur, por nuk e shkrep. Edhe
              po ta shkrep, edhe po të mos e shkrep, metali mbetet metal”.

I gjithë ky monolog vjen nga muzgu i jetës së heroit, apo nga eteri i jermit, para se gjithçka të muzgohet. Kulla e Rojës zgjat në kohën reale shumë më pak, se ajo e rojës së kullave, jashtë e larg ngujimit. Mirëpo, në kohën rrëfimore, koha e ngujimit duket se zgjat pambarim. Për arsyen e vetme se ajo është pragu, kufiri ku nis çdo gjë. Ajo është Njohja për një Incógnito që nuk kupton tepricën, për sa kohë shkon dhe mbyllet në atë tempull. A nuk jemi të tërë ne ca incógnito të trishtë në këtë kuptim? A nuk mbartemi te e njëjta uri? Kërkojmë bukën e jetës, kur e kemi atë me tepri. Shumica e qenieve të tilla janë. Në Shkrimet e Shenjta (ku autori mbështetet së shpeshti në ligjërim), shkruhet se shumë janë të thirrur, por pak janë të zgjedhur.[6] Kyçyku rrëfen për të shumtët, prandaj rrëfimi i tij sjell për lexuesin një personazh që jeton mes përplasjeve të pandërprera të instinkteve me shpirtin dhe anasjelltas. Po të kish rrëfyer për të paktët, ata të zgjedhurit, ndoshta rrëfimi i tij do të kish ndalur në atë stacion rrëfimor, ku Incógnito shpjegon mënyrën e përzgjedhjes së nxënësve nga lloji i dritës që kanë në sy.

Kjo tepricë apo ky prag i pragut, në një kontekst të diskutueshëm (si parantezë), duket se mund të jetë një urë lidhëse mes dy personazheve, Incognitos së Kyçykut dhe Tat Tanushit të Mitrush Kutelit në rrëfimin “E madhe është gjëma e mëkatit”. Tat Tanushi i Kutelit përballet gjithashtu me nje tepricë kohore. Një dënim me përjetësi, për të mos e lënë qenien në udhën e largneshit[7]. Teprica në kohë për një te vajosur si Tata, i cili hyn te të paktët, është krejt e ndryshme nga ajo tepricë që Incognito nuk e përkap në kohën para ngujimit. Pasi në fund të fundit, oshënari i Kyçykut, edhe pse qëndron në kufi, riatdhesohet përfundimisht te të shumtët. Duke qenë aty më i përndritur se të tjerët. Ajo që i afron të dy personazhet është se te teprica qëndron kuptimi i vërtetë dhe meditimi në atë lloj ngujimi shpalos për të dy të vërtetat e epërme. Incognito e ka këtë tepricë përherë para syve, por nuk e shquan, ndërsa Tat Tanushi e zotëron dhe më pas e humb. Për t’ju ridhënë edhe një herë prej Hyut, si një shans i dytë për shpëtimin e shpirtit.

(c) 2020, Alisa Velaj. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


 

[1] Dushi, Ledia. (2017). Ardian-Christian Kyçyku: autori që kërkon diçka të re…në Mapo Letrare https://gazetamapo.al/ardian-christian-kycyku-autori-qe-kerkon-dicka-te-re/

[2] Kyçyku, Ardian. (2016).  Synopsis. HaemusPress në http://ardiankycyku.blogspot.com/2017/01/incognito-copeza-nga-jeta-e-rojeve-dhe.html

[3] Bloom, Harold. (2001). How to read and why. New York, London, Toronto, Sydney, Singapore: Simon & Schuster, fq. 23. Idiosinkratikja ka të bëjë me ndikimin në një variabël kuptimor të caktuar dhe jo në një tjetër.

[4] Me shkronja italike shënohen edhe ato fjali që merren prej veprës dhe ndërkallen si pjesë e kësaj analize, për të ndërtuar një mënyrë të kuptuari të tekstit letrar për lexuesin.

[5] Todorov, Tzvetan. (2000) Poetika e Prozës (Përkthyer nga Gjovalin Kola dhe Ndoc Papleka), Tiranë 2000, Panteon, fq.51.

[6] Mateu 22:14, Bible, New International Version.

[7] Largneshi është koncept i shpikur nga Kuteli në rrëfenjën “E madhe është gjëma e mëkatit”.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin