Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Art / Botime / Fotografi

KRISTAQ SOTIRI, SHQIPËRIA NGA NJË BOTË NË TJETRËN

Libri: Kristaq Sotiri, Shqipëria nga një botë në tjetrën
Autorët: Loïc Chauvin, Christian Raby, Renaud Dorlhiac
Hyrja: përpiluar në frëngjisht nga Renaud Dorlihac dhe përkthyer në anglisht nga Amelia J. Spooner
Botoi: Écrits de lumière, Paris, 2015
Përktheu në shqip dhe pajisi me lidhje (links) për PTF: Lazjon Petri
Redaktore dhe korrektore letrare: Xhoana Hoxhallari
Përkujdesja grafike e fotove për këtë botim: Enis Çela dhe Elona Pira

Të drejtat fotografike janë të Familjes Sotiri, Korçë. Ndoshta kjo është ndër familjet më të pasura në Ballkan, jo nga kamja, por nga fakti që mban prej një shekulli dorëshkrimet e dritës së Kristaq Sotirit. Falenderimet ndaj kësaj familjeje janë dhe duhet të jenë të pasosura sepse dukshëm mishëron atë vetëdije të epërme që lispset të kenë familjet e mençura e të kulturuara, kur rrjedha e jetës bën që paraardhësi i tyre të jetë autor me një vepër artistike të pashoqe, e që domosdo meriton vëmendje. Sa ishte gjallë mjeshtri, -falë natyrës së tij të kujdesshme-, por edhe më vonë, arkiva është ruajtur si sytë e ballit fillimisht nga fëmijët dhe mëpastaj nga mbesat me stoicizëm të pashembullt.

Sotiri është i Korçës së Kulturës, por si Korça ashtu edhe Kultura, -përfshi institucionet përgjegjëse-, janë ende larg të qënurit pjesë e shpirtit të Sotirit, që ndofta do të gjente paqe vetëm atëhere kur vepra t’i ekspozohej siç do t’i kishte hije. Sot që flasim kanë kaluar 50 vjet prej ndarjes nga jeta të Kristaq Sotirit dhe pas 2 vjetësh do të bëhej një shekull nga koha e mbrame kur do të hapte studion e Tij në Korçë. Le të jetë pra 2022-shi, përvjetori që mund t’i hidhet dritë për të qënë Artit të Tij. Ky urim e kjo shpresë qoftë e vërtetë, e jo si ajo drita në fund të tunelit, që siç thote Robert Lowell-i, s’është gjë tjetër veçse një tren që po na avitet, siç edhe në fakt u veprua me të singjashmin e Tij, Vangjush Mion, një pjesë e veprës së të cilit u vodh tinëzisht nga vetë institucionet shtetërore që frymonin për ta ruajtur.

(Lazjon PETRI, 1 tetor 2020) 

 

Është e pamohueshme që në familjen e fotografëve shumë të mëdhenj që njohu Shqipëria gjer në Luftën e II-të Botërore bën pjesë edhe Kristaq Sotiri. Çfarë prodhoi Sotiri nuk barabitet në kohështrirje e as në cilësi me Marubët, dinastia e të cilëve tash e tutje gëzon njohje ndërkombëtare. Sidoqoftë, teknika e tij cilësore dhe temat e trajtuara e bëjnë një dëshmitar të privilegjuar të një kohe ndryshimesh të thella, tranzicionesh të shpejta në kapërcyell të epokës Osmane drejt një shteti modern kombëtar shqiptar. Përveç kësaj, me vetëdije ose jo, vepra që na la Sotiri bart qartësisht gjurmët e një autori, e me radhë, aktori dhe produkti të shoqërisë që e vëzhgonte.

Kristaq Sotiri lindi në Mborje, një fshat i vogël afër Korçës, më 19 Tetor 1884. Korça që sot është qyteti kryesor i Shqipërisë juglindore, asajbote, ishte kryeqendër e një ndarjeje administrative të Perandorisë Osmane. Porsi shumica e bashkësive të krishtera të zonës, familja e Kristaq Sotirit ishte ortodokse, megjithatë Kristaqi u rrit në një mjedis të përzier nga pikëpamja fetare ku mbizotëronte besimi Mysliman. Familja e tij e la fshatin e zanafillës për të zënë vend në Korçë, vetëm disa muaj pas lindjes së Kristaqit. Nuk do të rridhte shumë ujë nga koha kur babai i Kristaqit, Sotir Karaxhozi, do të rregullohej në Greqi, ku edhe hapi një restorant. Asokohe, ndryshe nga ç’ndodhte me pjesën tjetër të Shqipërisë, mërgimi për arsye ekonomike ishte tipar spikatës i juglindjes së vendit: të rrahur qyshkur me kurbetin, shqiptarët e këtij rajoni përbënin edhe numrin më të madh të mërgatës shqiptare. Po ashtu kurbetin “e hante” (apo “i hante”, LP) më shumë e më gjatë popullata e krishterë, ngaqë e kishin më pak të lehtë se myslimanët të zotëronin ofiqe dhe prona. Andaj, qyteti i Korçës e ruan përherë kujtimin e atij mërgimi të detyruar dhe të dhimbshëm. Pikënisja e rrugës që merr për nga Maqedonia e matanë vijon të quhet “Lëndina e Lotëve” edhe sot e kësaj dite.

Kristaq Sotiri s’i shpëtoi dot trajektores së zakonshme të shumicës së të rinjve që vinin nga klasat e varfëra apo të mesme. Pasi ndoqi shkollën fillore greke të Korçës, mesa duket punoi ndoca vjet para se t’ia merrte udhës së syrgjynit, në fillim të viteve 1900[1]. Por në ndryshim nga shumica e bashkëkombasve të tij që përgjithësisht mërgonin në Greqi, Rumani, Egjipt, ose thjesht nëpër Perandorinë Osmane (kryesisht në Selanik apo Stamboll) Kristaqi e mbajti frymën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sotiri i përket valës së parë të kurbetçinjve që mërguan përtej Atlantikut, destinacionit që do të njihte së shpejti, deri në vitet 1920, një dyndje shumë të madhe nga popullata e atyre anëve.

Vështirë ta gjesh me saktësi arsyen e zgjedhjes së këtij destinacioni nga ana e Sotirit. Me gjasë erdhi prej marrëdhënies së ngushtë që e lidhte me kunatin, Kristo Shulin ose Sulidhin, i cili kishte dobësi të veçantë për botën anglo-saksone. Sulidhi njihej si një nga nismëtarët e fotografisë në Shqipëri dhe si aktor e dëshmitar i “Rilindjes shqiptare”, periudhës që shenjoi fillesat e Lëvizjes Kombëtare shqiptare [2]. Kjo ishte koha kur Sulidhi do të përqafonte protestantizmin. Besimi protestant po shtëllisej me gjallëri në Korçën e fundshekullit të XIX-të nën nxitjen e misionarëve amerikanë dhe shqiptarë [3]. Kristaq Sotiri do të na linte një nga fotografitë e misionarit më në zë, Révérend Phineas Kennedy-it, njëherazi edhe drejtor i shkollës amerikane të qytetit.

Pas tri moteve punë ndërmarrjeve tekstile të New York-ut duke u thelluar edhe në të nxënit e artit të tij, Kristaq Sotiri shkon në Los Angeles për t’u pjekur me George Steckel-in, fotografin me emër të dhënë pas sipërmarrjes së tij që në fillesat e 1890-ës. Steckel-i në fillim e refuzon Sotirin dhe e këshillon ta përsosë teknikën [4]. Do kohë më vonë e merr në punë dhe më së fundi këta dy burra do të bashkëpunonin për afro një dekadë. Rreth 1920-ës, Kristaq Sotiri kthehet në New York dhe hap aty studion e vet (F.1). Më 28 janar të 1921-shit merr kombësinë amerikane dhe e ndryshon emrin nga Kristaq Sotiri Karaxhoz në Charles Sotir. Megjithatë, drejt vendimit për t’u kthyer në Shqipëri më 1922-shin duket ta kenë shtyrë paraliza e nënës dhe vdekja e parakohshme prej tuberkulozit ose gripit spanjoll e së fejuarës, për të cilën na janë lënë trashëgim disa shëmbëlltyra shumë të bukura (F.2). Gjatë kohëqëndrimit në Amerikë, Sotiri ishte rikthyer disa herë duke qenë ortak në studion e kunatit Kristo Shuli, çelur në Korçë në vitin pararendës.

Kthimi në mëmëdhé i Kristaq Sotirit ishte larg të qenët një rast i veçantë. Sa e sa të tjerë do të riktheheshin asokohe nga mërgimi për t’i dhënë jetë ndërtimit të shtetit shqiptar, sovraniteti i të cilit nuk ishte fituar plotësisht deri në gusht të 1920-ës [5]. Arsyet familjare luajtën një rol vendimtar, por kthimit të Sotirit i dha një dorë edhe lëvizja e gjerë që do ta tejkalonte rastin e tij vetjak e që nuk do të linte pa prekur asnjë kategori sociale dhe profesionale. Zeja e fotografisë nuk mbeti pa u lagur, gjë që e dëften edhe krijimi i shumë studiove fotografike në Korçën dhe rrethinat e asaj kohe, më së shumti prej nismave të zanatçinjve të brumosur jashtë Shqipërisë [6]. Më 1923-shin, Kristaq Sotiri do të hapte atelienë e vet në Korçë (F.3) në afërsi të Katedrales Ortodokse (është fjala për “Burimin Jetëdhënës” apo që njihej nga populli si Mitropolia, e projektuar nga arkitekti Kristo Vangjel Sotiri, LP) dhe kjo do të shënonte fundin e bashkëpunimit me kunatin.

Qysh atëherë, për 20 vjet me rradhë Sotiri do të nxirrte në dritë një vepër të ngjeshur, të pasur sa s’thuhet dhe të larmishme, e cila do të ngjatjetohej njëzëri për cilësinë aq të madhe teknike për kohën. Pikërisht kësaj epoke të artë të punës së Sotirit i përmbahet edhe ky libër. Me të vërtetë, gjurmët nga veprimtaria e përtej Atlantikut janë të shpërndara dhe në fund të Luftës së II-të Botërore prodhimtaria e tij artistike do të pësonte një ulje të vrazhdë të cilësisë, ndofta prej kalimit në negativët e përkulshëm më 1946-n, ose sepse gjatë regjimit komunist kushtet e ushtrimit të fotografisë u shtrënguan fort. Fotografitë e paraqitura dolën nga një operacion përzgjedhës ndaj 13,000 negativëve që kanë mbijetuar deri më sot, nga 15,000 syresh të prodhuara gjatë gjithë karrierës së Sotirit.

Kristaq Sotiri e ushtroi veprimtarinë po aq mirë përjashta si edhe në studio. Kapja e pamjeve brenda nxori në pah modernitetin e shoqërisë urbane të kohës, paçka se punët me porosi përbënin thelbin e aktivitetit. Ky prizëm nuk ishte medoemos i qëllimtë: varej prej natyrës së klientelës, dashurisë dhe interesit të saj për fotografinë, në një kohë e në një shoqëri ku ende të fotografuarit s’ishte kthyer aspak në zakon banal, megjithëqë përdorimi i aparateve “Foto Kodak” po shtohej dita-ditës në qytet.

Kur nuk është fjala për familjen e fotografit, popullsia që na parakalon para syve është para së gjithash borgjezia e porsalindur dhe intelektualët me interesa dhe mënyra të reja jetese. Ky modernitet zdrit shumë qartë përmes të veshurit, që u jep pak vend elementëve tradicionalë. Në shumicën dërrmuese të rasteve, fustanet, kostumet, kravatat, shapkat dhe kapelat e modës së fundit do të zëvendësonin festen dhe tiparet e tjera greke ose osmane. Ky ndryshim s’u bë aspak me dhunë. Në të pasqyrohet tranzicioni i një brezi që atëhere po vepronte me nxitim të përshpejtuar, siç na e tregojnë fotot e familjeve të zgjeruara apo siç na bien në sy dallimet në t’u veshur mes grupmoshave të ndryshme. Petkat tradicionale (Fotot 4-8) janë privilegj i më të mëdhenjve. Anëtarët e tjerë të familjes i shpërfillin ose e gjejnë me vend t’i veshin veçse nën suazën që e kërkon vërtetësia e vënies në skenë, siç na e dëshmon fotoja e bashkëshortes së Vangjus Mios (F.9) si një gjetje e domosdoshme për të pavdekësuar gjurmët e një paraqitjeje të detyruar. Po ashtu, edhe fotografitë e fëmijëve të vegjël të mbathur me veshje osmane (F.4) apo me uniformat e luftëtarëve grekë (F.10) flasin shumë.

Përtej riprodhimit të një modeli të përsëritur fotografik [7], me ç’rast tjetër do t’i vishnin ato tesha që po zhdukeshin progresivisht nga hapësira publike? Mbase fotoja më elokuente është ajo e Sabiha Kasimatit (F.11) vajzës së re të një familjeje të madhe myslimane libohovite, praktikante pranë Liceut Francez të Korçës. Mbretëria e mbështeti Liceun i cili u bë promotori i larmisë dhe meritës, sikundër edhe ishte shkolla më e mirë e Shqipërisë midis dy luftrave. Kur gratë u emancipuan, pas luftës, visheshin me petka të thjeshta njëngjyrëshe, ndaj fotot me gra të stisura-e-stolisura me veshje tejet tradicionale, sa ç’t’i këndellnin aq edhe t’i vrisnin sytë. S’ishte kohë për nostalgji – ende jo të paktën. Ajo që gëzonte përparësi ishte moda. Promovuar prej shtëpive të rrobaqepësisë së Modës dhe Modenës apo prej dyqanit të madh “Le Bon Marché”, klientëve u propozohej “eleganca pariziene”; etja për kashmirin englez, syzet amerikane, kapelat borsalinoje dhe shapkat panamaje, makinat Chevrolet, Ford apo Studebaker…; Moda u demokratizua me tërësinë e shitjeve dhe reklamave që shtypi lokal i kohës u mëshonte me fjalët “janë shpirti i sipërmarrjes”. Kristaq Sotiri nuk ishte thjesht një vëzhgues i këtij revolucioni, të cilin e pranoi duke u kujdesur për të përjetësuar gruan e vet, Ollgën, siç veproi po njësoj edhe me zonja të tjera elegante të Korçës. Në këtë prizëm, fotoja e Maria Frashërit na shfaqet si më emblematikja (F.12), siç është dhe fotoja e pronares së shtëpisë publike të qytetit (F.13).

Prandaj nuk përbën ndonjë çudi që fotot e shkrepura në studio i përkasin mbi të gjitha një klase të pasur të mishëruar nga vendës të shquar [8] dhe familjet e tyre, klasë kjo e cila paralelisht me modën zbuloi një raport të ri me trupin. Fytyrat e grave na shërbejnë të hamendësojmë rreth ndikimit të produkteve të përkujdesjes dhe bukurisë. Tek disa fotografi përdorimi i këtyre produkteve duket me sy të lirë. Edhe burrat nuk ngelen prapa, pasi në kulmin e rinisë heqin dorë nga mustaqet e gjysh-stërgjyshërve të tyre. Të ishte faji i brisqeve Gillette që lëvdoheshin aq pa kursim nga shtypi? Kjo rendje kah të dukurit nxori në pah vetë trupin, këtë lëndë të parë që e stërvisim, e kufizojmë dhe që e vemë në provë. Fotoja “në veprim e sipër” e Rafail Dishnicës (F.14) na ngjall entuziazmin që gëzonte boksi asokohe [9]. Ndeshjet organizoheshin rregullisht në qytet nga klube ose shoqata të ndryshme sportive. Shtypi u bënte jehonë këtyre ndeshjeve, siç nuk linte pa pasqyruar rezultatet e ndeshjeve të futbollit, garat çiklistike, apo rezultatet sportive të atletëve shqiptarë në Lojrat Olimpike të Parisit apo Athinës.

Por, aksesi i popullsisë përkundrejt modeleve te reja te konsumit kapur nga Kristaq Sotiri nuk u mjaftua vetëm me tërheqjen ndaj modës dhe sportit. Njerëzit po shfaqnin një interes të ri për veprimtaritë artistike dhe intelektuale. Nga aktorët e teatrit tek këngëtarët, si e famshmja Tefta Tashko (F.15) apo muzikantët si pianistja Lola Aleksi (F.16) fotot e Kristaq Sotirit i akordojnë një vend të veçantë botës së spektaklit. Sotirit s’i mbetej gjë tjetër veçse të përkthente entuziazmin që e kaplonte qytetin nga aktivitetet kulturore tejet të larmishme dhe nga organizimet e lloj-llojshme (cirqe, karnavale…). Mbrëmjet gulçonin nga shfaqjet e dramave apo nga lexime poezish. Ballot, koncertet dhe operetat gjallonin nga orkestrat, fanfarat, koret apo shoqëritë e ndryshme zyrtare të qytetit. Edhe muzika, e cila qyshse me shfaqjen e pllakave të para të gramafonit po rrokte sferat private, njohu një lulëzim të pashoq. Shoqëritë e kurseve të vallëzimit hodhën shtat sallave të argëtimit. Na mahnit fakti që filmat e Pola Negri-t dhe Rudolph Valentino-s u shfaqën në sallat e Mazhestikut dhe Lluksit që në fund të viteve 1920.

Nuk mungojnë as pikturat apo vizatimet. Këtë gjë na e kujton fotografia e vajzës së re para kanavacës (F.17), ashtu si dhe fotografia më e famshme e piktorit Vangjush Mio që mban kavaletën (F.18). Përtej famës së tyre, Mioja me Sotirin ishin miq të ngushtë që kur Mioja u kthye nga emigracioni dhe filloi punë si mësues vizatimi në Liceun Francez. Kristaq Sotiri për dekor të studios së vet mbante pikturat e mikut të tij. Vangjush Mioja e praktikonte me zell fotografinë. Secili tregonte kështu shijen që gëzonte për disiplinën e tjetrit. Ky respekt i ndërsjelltë, kjo miqësi, u jepte mundësinë ta shprehnin lirisht artin e tyre fundjavave në pllajat e Dardhës dhe Voskopojës apo bregut të liqenit pranë Pogradecit (Fotot 19-20) të cilin secili e pavdekësonte me mënyrën e tij.

Në krahasim me artet e “bukura” si letërsia, muzika apo piktura, fotografia ende po shqiptohej si nëpër dhëmbë. Fotografia nisi të çmohej ngadalë hapësirave publike dhe private ku koncertet dhe ekspozitat ishin më të shpeshta dhe ku leximi me të gjitha format e tij po i jepte dorë alfabetizimit të vendit dhe rrjedhimisht etjes për dije. Në fund të fundit, a nuk ishte Korça qyteti i Shqipërisë me bibliotekën më të rëndësishme dhe me numrin më të madh të gazetave dhe revistave midis dy Luftrave Botërore?

Edhe pse në sfond, fotografia përfitoi natyrshëm nga ky bum. Gama e saj vijoi të zgjerohej. Ndonëse në përmasën artistike po e gjente veten me zor, funksioni i fotografisë po shtohej në vazhdimësi. Para së gjithash publiku po familjarizohej me dimensionin dokumentar dhe ilustrativ të fotografisë. Libri i parë që do t’i jepte fotografisë një rol qëndror do të ishte libri me titull “Shqipëria e ilustruar: album me foto i Shqipërisë, më 1927-ën”, përgatitur për botim nga Teki Selenica më 1928-ën. Duke u marrë me ekonominë, historinë, politikën apo organizimin administrativ, ky libër nëpërmjet imazheve rrekej ta bënte të prekshëm shtetin e ri, ende të panjohur nga popullsia e vet. Sidoqoftë, mospërmendja sistematike e emrave të artistëve që e vunë në jetë, na shtyn të mendojmë që akoma nuk vlerësoheshin sa duhej. Duke qenë se anonime janë edhe imazhet e shumta të cilat ilustrojnë juglindjen e Shqipërisë, s’na mbetet veçse të supozojmë që Kristaq Sotiri mori pjesë në këtë sipërmarrje njëlloj si fotografët e tjerë të rajonit.

Përkundrazi, e themi me siguri që ishte një bashkëpuntor aktiv i revistës “Studenti shqiptar” e cila nxirrej në Torino nga Odhise Paskali [10] gjatë semestrit të I-rë, më 1929-ën. Fotot e Sotirit figurojnë në të gjitha numrat e revistës, sidomos në rubrikën që ravijëzonte shpalosjen e bukurive natyrore të Shqipërisë. Asnjë foto studioje sepse foto të tilla nuk vlenin për këtë punë. Ashtu si me albumin “Shqipëria e Ilustruar” edhe këtu, përmasa kombëtare e projektit ishte e pashmangshme. Revista nuk e fsheh, madje e thekson qartë dhe fort se synon të përhapë dashurinë për artin kombëtar dhe letërsinë shqiptare duke u bërë kësisoj zgjatim i luftës së armatosur të veprimtarëve të parë të Lëvizjes Kombëtare.

Në fakt, shumica e botimeve dhe debateve në periudhën midis dy Luftrave Botërore vërtiteshin rreth ndërtimit të një arti të posaçëm shqiptar, të njohur sipas togfjalëshit “neoalbanizëm”. Fotografia nuk ishte më e kërkuara mes disiplinave, sadomos, luajti rolin e vet në këtë mes. Ky konstatim na bëhet më i qartë kur librat dhe revistat të marra së bashku u nderuan falë bashkëpunimit me fotografët që punuan në të gjithë territorin shqiptar. Mungesa e imazheve të vendbanimeve shqiptare të ndodhura jashtë kufijve të vendit, megjithë gjallimin e një irredentizmi të fuqishëm, na jep arsye ta shohim si qasjen që sillte ujë në mullirin e shtet-ndërtimit. Për t’i trumbetuar bukuritë e atdheut shqiptar, fotot e Kristaq Sotirit na zbresin në peizazhet baritore buzë liqenit të Pogradecit (bregut të liqenit, perëndimeve të diellit), rreth-e-rrotull Korçës, apo në pika të Dardhës dhe Voskopojës.

Edhe pse ecuria e Kristaq Sotirit u rrënjos thellë në rajonin e Korçës, nuk ishte domosdoshmërisht vetëm produkt lokal. Është e vërtetë që rrathët e mësimit dhe qarkullimi i protagonistëve të fotografisë ndryshonin mes jugut dhe veriut të vendit, sepse të ndryshme ishin edhe shtigjet e tyre migratore. Ndryshe nga shkolla e Shkodrës e cila u zhvillua në vazhdën e Marubit, për artistët e rajonit të Korçës Italia nuk përbënte ndonjë model e as pikë referimi, të paktën deri në motet midis dy luftrave. Pionerët e një arti që në harkun e tridhjetë e tre viteve të fundit të shekullit të XIX-të u zhvillua në qendrat kryesore urbane dhe intelektuale të rajonit (Dardha, Korça, Voskopoja) u frymëzuan anë-e-kënd Stambollit, Greqisë, Rumanisë, madje edhe Rusisë.

Më pas vala e kurbetllinjve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të sillte ndikime të tjera aristike në Shqipëri. Të tilla ishin veçanërisht rastet e Petro Fotografit, dinastisë Zengo (Papa Jani Andoni, Nikolla, Efthimi…), Perikli Kaçaunit, Efthim Racit, Kristo dhe Vangjel Sulidhit… I gjendur mes kësaj baze të fortë lokale, Kristaq Sotiri do të mbante lidhje të ngushta me fotografët e rajoneve të tjera [11] dhe do të merrte pjesë në ekspozita të përbashkëta në kryeqytet (1931) dhe në Itali [12]. Për më tepër, pajtimet me “The Camera”, “The Photographic Journal of America” dhe “The British Journal Photographic Almanac” do t’i mundësonin të qëndronte krah për krah ecurive dhe rrymave të fotografisë. Por, t’u përfshirit në këtë lëvizje kolektive dhe politike nuk ishte me patjetër tregues i heqjes dorë nga të gjitha aspiratat artistike.

Siç na e tregon edhe letërkëmbimi i asaj kohe, Odhise Paskali nuk gabon kur e çmon cilësinë artistike të kompozimeve të tij. Madje pretendon se Kristaq Sotiri zotëron një teknikë të patëdytë. Kjo afërsi me Odhise Paskalin nuk është për t’u habitur. Pavarësisht lashtësisë që evokonte, skulptura në Shqipëri hasej me të njëjtat vështirësi të fotografisë. Edhe skulpturës i duhej të afirmohej në një mjedis artistik ku sundonin letërsia dhe muzika. Odhise Paskali ia doli shkëlqyer në fillim të viteve 1930, që dy prej skulpturave të tij emblematike, Themistokli Gërmenji [13] dhe Luftëtari Kombëtar të instaloheshin në vendndodhjet strategjike të lagjeve të reja.

Çuditërisht, qyteti modern i cili mori hov zhvillimor mes dy luftrave, vështirë se është i pranishëm në prodhimtarinë artistike të Kristaq Sotirit. Fotografitë e Sotirit me natyrë urbane fokusojnë vendet që lidhen me të kaluarën, kryesisht lagjet e vjetra të qytetit, ku jeton e ku ka studion. Ato pak foto të bulevardeve madhështore i tërheqin vëmendjen ngase janë të mbuluara me borë (F.21) duke theksuar kësisoj karakterin piktoresk më tepër sesa modernitetin e vendeve. Në të njëjtën mënyrë, artisti parapëlqen të kapë skena të jetës duke privilegjuar ndodhitë, si puna e përmbytjes (F.22) dhe rënies së zjarrit në pazar apo duke nxjerrë në pah artizanët dhe shitësit e fruta-perimeve (F.23).

Në punën e Kristaq Sotirit gjithçka ndodhte sikur fotot e shkrepura jashtë, të përfaqësonin saktësisht pikën kundërthënëse të punës së kryer në studio. Tërheqja ndaj piktoreskes duket e sinqertë, e natyrshme, e shpenguar nga çdo shqetësim i vënies në skenë. A thua se në studio, pozat me veshje tradicionale t’i përgjigjeshin më së paku një zgjedhjeje personale e jo kërkesave të klientelës së tij. Por sapo del nga studioja vëmendja e artistit i kthehet anonimes, të deklasuarve. Ishin ata që do t’i interesonin me përparësi kur do të realizonte një reportazh për spitalin (Fotot 24-25) më 1930-ën. Do të ishin pikërisht të sëmurët që do t’i kapte (dritëshkruante, LP) urtë e butë dhe me përulësi. Çfarë kontrasti (!) mes spitalit publik dhe asaj aspirate për mirëqenie dhe shëndet që po fitonte klientela që ishte më e prirur të shkonte në klinikën moderne private që hapi dyert në vitin 1927. Asaj klientele që po frekuentonte klinika të specializuara, të cilat po merrnin hov së tepërmi [14]. Asaj klientele që tanimë në faramaci nuk po blinte vetëm barna që të ishin domosdoshmërisht për kurim.

Nuk i nevojitej të bridhte spitaleve apo jetimoreve për të gjetur popullsinë pa grada. Janë të panumërta fotot në rrugë që na tregojnë romët, lypësit, të verbërit, ata që mbanin arinj (Fotot 26-29). Disa syresh janë ndër fotot më të bukura të prodhimtarisë së tij. Kjo përmasë thuajse etnografike gjendet gjithashtu në fotot që u ka bërë vendpushimeve vllahe (Fotot 30-32) rrethinave të Korçës. Kasollet prej druri, veshjet, kërcimet folklorike e bëjnë të lehtëpërcaktueshme këtë popullatë trans-humane me gjuhë latine, tejet të pranishme në këtë pjesë të Ballkanit. Duke i qëndruar besnikë stilit të jetës baritore apo të lidhur pas blegtorisë -ky ishte rasti për shumicën e vllehëve-, ky komunitet popullonte fshatra të tëra të fushës së Korçës (Plasë, Dishnicë) apo vendndodhje të thjeshta (në Boboshticë e Mborje). Komuniteti në fjalë ishte gjithashtu i pranishëm në qytet dhe ndonëse i përkiste Kishës Ortodokse, kishte në dispozicion kishën dhe mëhallën e vet. Ashtu si shumë korçarë të shquar, mbase edhe Kristaq Sotiri rridhte nga ky komunitet. Shtyhemi të mendojmë kësisoj prej fshatrave nga i vinin prindërit dhe vendndodhjes së shtëpisë ku jetonte.

Por dualizmi i Kristaq Sotirit mes të shkuarës dhe modernes nuk mjaftohet me aq. Vëmendja që i dha artisti ngjarjeve fetare (të gjitha besimeve së bashku) nënvizon peshën e fesë në një shoqëri, padyshim në rrugën e shekullarizimit, por ende thellësisht të devotshme dhe patriarkale. Natyrisht, i kushtoi vëmendje të veçantë kremtimeve të riteve të komunitetit të krishter ortodoks. Në bamirësitë publike, procesionin paskal, ceremonitë mortore e varrimet do të ravijëzoheshin portrete konvecionalë -por sidoqoftë shumë të bukur-, të personaliteteve kishtare si Agathangjel Çamçe [15] (F.33) apo të priftit At Petro (F.34). Prapëseprapë, do të gabonim po të shihnim shenjën e ngrirjes së një shoqërie në një kohë kur Mbretëria do t’i strukturonte, rregullonte, e mbi të gjitha do t’ia u nënshtronte përkohësisht fuqitë bashkësive fetare.

Ky modernizim i cili qe i shurdhër, për çudinë e të gjithëve, edhe për bartësit e traditës shfaqej si i shndritshëm në disa prej reportazheve të kryera në uzinë. Fotoja e ndërmarrjes së parafinës (F.35) kap industrializimin e porsalindur në përmasat e veta fizike. Ajo me zinxhirin e punëtoreve ne fabrikën e tekstileve (F.36) zbulon aspektin njerëzor. A duhet të shohim tek Kristaq Sotiri provën e një kërshërie të pangopur për botën që e rrethonte, të një interesi real ndaj zhvillimit teknologjik që po prekte të gjitha fushat e aktivitetit ekonomik nga bujqësia tek prodhimi i ushqimit? Apo s’ishte tjetër veçse një formë empatie karshi një mënyre të jetuari që e pati parë me sytë e tij kur jetoi në SH.B.A para se t’ia tërhiqte vëmendjen fotografia?

Veprimtarisë profesionale i dha fund më 1963-shin, shtatë vjet para se të vdiste, më 14 korrik 1970. Qysh prej fundit të Luftës së Dytë Botërore puna e tij përjetoi një rënie të dukshme të cilësisë. Arsyet mbeten të paqarta dhe nuk duken të lidhura vetëm me vendosjen e regjimit totalitar. Sado e habitshme të duket Kristaq Sotiri e ruajti aktivitetin e tij artizanal deri sa doli në pension, pa qenë i detyruar të punojë në kooperativë si fotografët e tjerë. Madje moshën do ta përdorte si argument edhe për të refuzuar ndonjë ofiq me përgjegjësi (fjala vjen: drejtimin e Shoqatës së Fotografëve, LP). Dukuria në fjalë është mjaft mbresëlënëse, pasi formimi dhe ndikimi i tij artistik ishin pjesë e kuadrit të një Perëndimi të urryer nga autoritetet komuniste dhe për më tepër, fashistët italianë kishin qënë klientë të tij gjatë viteve të luftës. Sigurisht që gëzonte një respekt të posaçëm nga ana e regjimit të ri, pavarësisht yshtjes paragjykuese ndaj atij sistemi nga gruaja. Kjo e fundit pa si rrodhën ngjarjet e sovjetikëve gjatë viteve që kaloi në Chișinău, në Besarabi, ndaj ngurronte shumë për çdo angazhim të të shoqit, përpos kërkesave që i vinin. Pa dyshim që Sotiri gëzoi një formë mbrojtjeje. Mbase edhe prej vetë sundimtarit të ri të Shqipërisë, Enver Hoxhës, mësuesit të Shkollës së Mesme të Korçës në vitet 1930, të cilin do ta fotografonte shpesh në studion e tij (të Sotirit, LP), së bashku me nxënësit. Ndodhte që lideri i ardhshëm komunist ta shoqëronte atë dhe Vangjush Mion në arratisjet e tyre krijuese, brigjeve të Liqenit të Pogradecit.

Arti i Kristaq Sotirit është bërë sipas shëmbëlltyrës së autorit, shqetësimeve të tij: i tërhequr prej dy epokave të cilat refuzon t’i zgjedhë. Cytja për modernitetin u zbut në Shtetet e Bashkuara dhe u risoll në studion e tij në Korçë. Të kaluarën e gjeti kur u kthye. Por e kaluara është iluzore dhe moderniteti është relativ. Në fakt arti i tij vështirë se ndryshoi pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara, siç të ftojnë vetëportretet që ia shenjuan karrierën (fotot 37-40). I margjinalizuar kokë-e-këmbë.

Ndryshe nga bashkatdhetari i tij Gjon Mili, i cili u ngul në Shtetet e Bashkuara [16] bash kur Sotiri u largua, Kristaq Sotiri do ta shpërfillte shumicën e risive avangardiste të kohës (shkrepjet në kënd të gjerë dhe të ngushtë, mbishkimet). Teknikat që do të përdorte (gamat e ngjyrave, përdorimi i turbullirave, sfumato-s, apo bërjes së hijeve me anë të qymyrit në negativ) duken më shumë si rryma piktorike. Kthimi i tij në Shqipëri do ta largonte nga trendet artistike ndërkombëtare por do ta bënte dëshmitar të përpiktë, të ndjeshëm dhe të sofistikuar të një Shqipërie midis dy botëve. Vepra e Sotirit na flet për një kohë të sapolindur dhe prapëseprapë të zhdukur.

 

Shënim: Të gjitha fotot e cituara në shkrim janë të bashkërenduara edhe në një kolazh me sfond muzikor të Eno Kalos. 

 

*Z. Dorlhiac është historian, shkrimtar dhe anëtar i Qendrës për Ballkanin, në Universitetin e Shkencave Sociale (EHESS), në Paris. (LP)

**Brendon Salihut dhe Igli Saros i shprehim miradije të thellë për ndihmat e tyre në letërkëmbimin me autorët e librit. (LP)

*** Kujtdo që ia ka ënda të këndellet me foto të tjera të mjeshtrit Sotiri apo kushdo që do të ishte i zellshëm për ta kënduar në gjuhën origjinale (frëngjisht) dhe në anglisht, shkrimin e mësipërm, është i/e lutur të shfletojë librin dygjuhësh, “Kristaq Sotiri, Shqipëria nga një botë në tjetrën”. (LP)

**** Të gjitha të drejtat e përkthimit janë të rezervuara, Lazjon PETRI ©.


Legjenda e poshtëshënimeve (LP):

[1] Fëmijët e klasave të pasura kishin mundësi të ndiqnin shkollën e mesme në Korçë, pranë Liceut grek, i cili funksiononte prej fund-shekullit të XIX-të, apo edhe shkollën e lartë në qendrat më të mëdha të rajonit ose gjetiu në Evropën Perëndimore.
[2] Edhe Lëvizja Kombëtare shqiptare u ravijëzua sipas modeleve nacionale që bulëzuan në shekullin e XVIII-të, mbi bazën e vazhdimësisë historike, në orvatje për ta legjitimuar këtë vazhdimësi në raport me konkurrencën që vinte nga lëvizjet e tjera nacionaliste (greke, serbe, etj.) prej të cilave donte ta dallonte dhe shquante veten. Termi “rilindje” aq i zakonshëm gjatë ndërtimit të shteteve, në fakt, kamuflonte risinë e këtij modeli politik.
[3] Protestantizmi u bë umbrella mbrojtëse e ortodoksëve shqiptarë, të cilët u gjendën përballë ashpërsisë së qarqeve nacionaliste greke.
[4] Kristaq Sotiri më pas kthehet në Bregun Lindor, në qytetin e Pawtucket-it (të shtetit Rhode Island).
[5] Do të duhej largimi i kontigjenteve të fundit të italianëve, që të themelohej shteti shqiptar, pavarësia e të cilit u njoh zyrtarisht nga Konferenca e Londrës, në Korrik 1913.
[6] Vani Burda do të punonte në Rumani kurse Efthim Zengoja, Vangjel Sulidhi dhe Efthim Zografi do të qëndronin në Shtetet e Bashkuara.
[7] Shëmbëlltyra e parë e njohur e Kristaq Sotirit fëmijë e paraqet të veshur me fustanellë.
[8] Në thelb ishin personalitete fetare, oficerë, konsuj apo profesorë të huaj, politikanë, sipërmarrës, dyqanxhinj, drejtorë institucionesh, …
[9] Rafail Dishnica është një nga pionierët e kësaj disipline, të cilën e popullarizoi në Shqipëri që nga fillimi i viteve 1930, kur u kthye nga mërgimi në Argjentinë.
[10] Odhise Paskali së shpejti do të bëhej skulptori më i madh shqiptar.
[11] Kristaq Sotiri do të mbante një letërkëmbim të rregullt, veçanërisht me Kolë Idromenon e Shkodrës.
[12] Një çmim (Sotiri) do ta merrte në Bari, më 1936-ën.
[13] Themistokli Gërmenji, udhëheqës i një çete kombëtare është në zanafillën e shpalljes së Republikës jetëshkurtër shqiptare të Korçës në Dhjetor 1916, gjatë pushtimit ushtarak të rajonit nga armata franceze e Lindjes.
[14] Prej mesit të viteve 1920 nuk do të kishte më reklama për stomatologë, gjinekologë apo specialistë sëmundjesh veneriane…
[15] Agathangjel Çamçe, një prej protagonistëve të emancipimit të Kishës Ortodokse shqiptare nga gjiri i Patriarkanës Ekumenike, në vitet 1920.
[16] Gjon Mili (i lindur në Korçë, në 1904-ën) mbërriti në 1923-shin në Sh.B.A. Fitoi një famë të madhe si fotograf, rreth mesit të shekullit, përmes punëve të tij inovative në zbërthimin e lëvizjeve dhe dritës.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin