Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Art

SHKRIMI I GJYSHES

Vera Molnár Lettres de ma mère, 1987 Plotter and hand drawing, ink on paper Courtesy of Artspace

Eni Bendo kish postuar në FB një pamje të vizatimit Lettres de ma mère, nga Vera Molnár (1987), një artiste frënge me origjinë hungareze. Titulli i veprës më tingëllon dykuptimsh: “letrat e nënës sime” por edhe “shkronjat e nënës sime.” U përpoqa t’i përjetoj të dyja kuptimet të mbivendosura, si notat në një akord.

Më gozhdoi ky vizatim – sepse më kujtoi menjëherë gjyshen time; më kujtoi shkrimin e gjyshes sime. Nuk di të kem marrë ndonjëherë letër prej saj, nuk di çfarë mund të ketë shkruar ajo në letra, por format e dhëmbëzuara të shkrimit në ekran më sollën gjyshen vetë fare pranë.

Ka një këmbëngulje gati obtuze te “shkronjat” e nënës së Molnár-it, një avancim përpara si prej vemjeje, një ngadalësi gërvishtëse, një refuzim për ta hequr penën nga letra, për të bërë një pauzë – prej frikës se mos vdekja ia beh dhe ta ndërpret mendimin më dysh. Ka një dyndje të lehtë nga e majta në të djathtë, një lloj trysnie që e shtyp buzën e djathtë të tekstit, ku edhe strokat vertikale sikur fillojnë të rriten, një lloj gati refuzimi për ta mbaruar rreshtin dhe për të kaluar tek tjetri, të thuash se u merren mendtë përballë abisit.

Mendova: të gjitha të moshuarat shkruajnë njëlloj.

Këtë lloj arti vizual abstrakt e kanë quajtur shkrim asemik (asemic writing) – shkrimi i reduktuar në gjest, i distiluar në koreografinë e majës shkruese, por që megjithatë e ruan krenarisht identitetin e vet si praktikë e dorës. Teksti i shkruar nuk thotë asgjë, por përcjell – lakuriq – imazhin e atij që shkruan.

Henri Michaux, Narration (an excerpt) by Henri Michaux 1972

Grafologët e “lexojnë” shkrimin për të shkuar jo te përmbajtja (semantika) por te njeriu që shkruan: gjurmën e penës në letër e interpretojnë si një EKG të mendjes. Ndryshe nga semantika, që është gjithnjë e kthyer për nga jashtë (outward), forma e të shkruarit është e kthyer përbrenda (inward). Grafologët shohin tek kjo formë edhe një manifestim të trupit jetues, të reflektuar tek energjia e strokës, hapësirat mes fjalëve, gjatësitë e bishtave, masa e disiplinimit ndaj akseve të kontrollit (drejtvizimi), precizioni.

Shkrimi asemik niset nga kjo premisë, për të eksploruar përmasën jo-figurative të “gjurmës”, ngjashëm me të kënduarit me fjalë pa kuptim[1], që pastaj zgjon një lloj tjetër kuptimi, duke e çliruar mendjen pritëse nga kushtëzimet e kodit gjuhësor.

Ose edhe më mirë, ngjashëm me personalitetin që përcjell zëri i dikujt, i zhveshur nga fjala.

Në shtëpi, në Tiranë, ende i ruajmë fletoret e tim eti, disa që nga vitet 1960 – ku mbante rregullisht shënime, për librat dhe artikujt shkencorë që lexonte. Më qëllon që i hap ndonjëherë. Se çfarë është shkruar atje, ndonjëherë edhe drejtpërdrejt në gjuhë të huaj, nuk më intereson – protokolle të diagnozës dhe të mjekimit, tashmë me siguri të kapërcyera.

Por shkrimi është prania magjike e tim eti, më fort edhe se pamja e tij në fotografitë. Nuk kam nevojë të interpretoj asgjë, për të përjetuar – nëpërmjet shkrimit – fizikalitetin e tij, lëvizjet pak angulare, disiplinimin pas vijave të drejta, forcën e shpërpjesëtuar me të cilën e shtypte penën në letër, vullnetin për të vënë me çdo kusht rregull në kaos.

Grafologu, që nuk jam, më kthen te babai.

A mund ta (ri)përjetosh dikë nëpërmjet shkrimit, duke e hequr mendjen nga çfarë ka shkruar? Këtë lloj gjimnastike e kanë quajtur piknolepsi, sipas një intuicioni të Paul Virilio-s: “gjendje epileptike e vetëdijes e përftuar nga shpejtësia, ose më mirë, vetëdija e shpikur nga subjekti përmes mungesës së saj: zbrazëtitë, hapësirat midis, defektet dhe “gungat” e shpejtësisë.”

Një përkufizim më i mirë do të ishte: këmbimi i pandërprerë midis momenteve minimale të vetëdijes dhe vdekjeve po aq minimale të pavetëdijes…

Me gjasë, kjo hap edhe një shteg përmes të cilit kalon personaliteti i tjetrit, për të t’u shfaqur i plotë, por gjithnjë në periferi të fushëpamjes.

Siç më ndodhi me veprën me Molnár-it: m’u përhi gjyshja, tashmë prej 25 vjetësh e vdekur, që pa e kuptuar unë mirë se po më vinte e koduar në “valët” e gjurmës shkrimore asemike.

 

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Shkrimit asemik do t’i afrohej – stricto sensu – të kënduarit me “fonema” që nuk janë fonema; sa kohë që vepra të tilla artisti nuk kombinon shkronja në fjalë pa kuptim, por vetëm monton pjesë shkronjash në imazhe pseudo-shkronjore.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin