Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kinema / Letërsi

PIANISTI MBI OQEAN

nga Bujar Meholli

Porsa të përmendet emri i Giuseppe Tornatore-s, njohësit e filmit e dinë se bëhet fjalë për një regjisor të jashtëzakonshëm, të aftë për të nxjerrë filma madhështorë edhe nga tekste letrare jo fort të njohura. Një film të tillë, ai arriti ta realizojë nga novela “Legjenda e pianistit mbi oqean” (Novecento) e shkrimtarit italian Alessandro Baricco, shkruar më 1994. Gjatë këtij shkrimi do të bëjë përpjekje ta shoh si arrin regjisori ta shndërrojë monologun e Baricco-s në një film që nga shumë kritikë konsiderohet klasik dhe njëri nga filmat më të mëdhenj të realizuar ndonjëherë. Me teknikat që përdorë në filmat e tij, Tornatore është bërë ikonë e kinemasë botërore. Përzgjedhja e aktorit të famshëm britanik Tim Roth në rolin e pianistit Novecento, është padyshim gjetje fantastike e regjisorit italian për ta portretizuar gjeniun që kur luan në piano duket sikur ka më shumë se dy duar.

Monologu i Baricco-s

Me dellin prozaik, Baricco është bërë njëri nga shkrimtarët më të mirë të letërsisë bashkëkohore italiane dhe mbarë botërore. Për fat të mirë, pas disa përkthimeve ai është i njohur edhe për lexuesin shqiptar. Monologu “Novecento” rrëfen historinë e një djaloshi të jashtëzakonshëm në lojën e pianos, atdheu i të cilit ishte dhe mbeti oqeani. Marinari Danny Boodmann T. D. Lemon e gjeti si foshnjë të porsalindur në anijen transatlantike Virginian në fillim të shekullit 20-të. Ai e rriti dhe ia vuri emrin karakteristik Novecento (italisht, shekulli 20). Derisa e lexojmë këtë monolog dhe shohim rritjen e djaloshit, vetvetiu na sillet nëpër mendje personazhi i Jean-Baptiste Grenouille nga romani “Parfumi” i shkrimtarit gjerman Patrick Süskind. Edhe ai roman u bë film i famshëm. Grenouille ishte i braktisur, por jo i zakonshëm. Ai posedonte aftësi të jashtëzakonshme nuhatëse dhe ishte në gjendje të pikasë secilin parfum.

Novecento nis të luajë me bandën, pjesë e të cilës ishte edhe trumpetisti që rrëfen ngjarjen. “E së fundi, në piano Danny Boodman T. D. Lemon Novecento. Më i madhi. Ishte vërtetë më i madhi. Ne luanim muzikë, ai ishte diçka tjetër. Ai luante… Nuk ekzistonte ajo lloj gjëje përpara se të luante ai. Ai e kishte një histori të mirë. Ai ishte historia e tij e mirë”[1], thekson narratori Max.

Stili prozaik i Baricco-s është i veçantë, atë e formësojnë përshkrimet e shkurtra, koncize, dhe një plasticitet i hatashëm i gjuhës. Me “Legjendën e pianistit mbi oqean” ai na ka ofruar një personazh karizmatik, gjenial, që me pak fjalë krijon hapësirën e tij të lojës dhe ajo është oqeani. Ai është atdheu i tij, aty ndihet komod dhe i gatshëm t’i magjepsë të gjithë me lojën e pazakontë. Pra, ç’do të ndodhte sikur t’iu shkonte shkallëve gjer në fund dhe… të zbriste në tokë? A do të ishte prapë Novecento i njëjtë? Lojtari i madh dhe i pakrahasueshëm që e mposht “krijuesin e xhazit” Jelly Roll Morton dhe ia vendos cigaren në buzë? Me gjithë reputacionin që i përhapet anekënd botës, Novecento nuk e braktis atdheun e tij, oqeanin! “Ata që zbrisnin nga anija rrëfenin për një muzikë të çuditshme e për një pianist që dukej sikur kishte katër duar, aq shumë nota bënte”. Pra, në këtë mënyrë zgjohet kureshtja e madhe për të udhëtuar me këtë anije vetëm e vetëm për ta dëgjuar gjeniun Novecento që çuditërisht luan vetëm aty dhe jo nëpër baret e famshme të xhazit. Miku i tij përpiqet ta nxisë: “Pse rri mbi këtë udhëtuese? Ti luan në pianoforte si një zot, do të çmendeshin mbas teje, do të fitoje një thes me para, e do mund të zgjidhje shtëpinë më të bukur që ekziston. Krisht, gjithçka gjëndet në fund të atyre shkallëve. Novecento… përse nuk zbret? Përse? Përse?”

Novecento është krijesë delikate. Gjithçka di të bëjë është të ulet në pianoforte dhe të lozë, pa dashur të jetë konkurrues dhe pa shprehur ambiciet për t’u bërë “mbret i xhazit” siç e pandehte veten Jelly Roll Morton, i cili kishte kohë që e thoshte fjalën kryesore në xhaz. “Ai ishte një njeri që kur jepte koncerte shkruante nëpër afishe: sonte Jelly Roll Morton, krijuesi i jazzit. Nuk e shkruante kështu sa për të thënë: ishte i bindur, krijuesi i jazz. I binte pianos”. Kur hip në anijen Virginian dhe nis të lozë duke e ftuar tërthorazi në duel Novecenton, xhaz pianisti Morton shfaqet virtuoz, aq sa e mahnit vetë Novecenton i cili s’është në dijeni se po e sfidojnë. Ja çfarë dialogu interesant zhvillohet mes dy pianistëve: “- Ju jeni ai që keni krijuar xhazin, është e vërtetë?

– Ashtu. Kurse ti je ai që luan vetëm nëse ke oqeanin nën bythë, është e vërtetë? Ashtu.”

Pas lojës virtuoze, kur i erdhi radha prapë Novecentos të luajë, publiku mbeti pa frymë, “pas asaj shkarkese vrastare akordesh që dukej sikur luhej prej njëqind duarsh, dukej sikur pianoja do të shpërthente nga çasti në çast.” Mortoni, krijuesi i xhazit gjithçka mundi të thoshte teksa ikte nga bordi qe: “E, në të s’ëmës edhe xhazi”.

Kemi të bëjmë, pra, me një histori të mrekullueshme plot muzikë, e pasazhe me sens të lehtë humori që të mbërthejnë. Kjo histori ofron mundësi për lloj-lloj interpretimesh. A është vallë Novecento një hero i mbyllur dhe gjenial vetëm pse nuk përzihet me botën e madhe? Nëse e shohim në rrafshin semantik, heroi ynë mund të jetë aluzion për shoqëritë që nuk e integrojnë lehtë individin, andaj ai mblidhet kruspull aty në botën e tij, të mbyllur, atje-tej, larg fanfarave socio-politike. Një histori të ngjashme ku individi përdhoset nga rrethi dhe shoqëria e hasim tek filmi i famshëm i ditëve tona “Joker”, ku protagonisti (Joaquin Phoenix) nuk merret parasysh, përkundrazi ai tallet dhe injorohet çka e shtyn drejt krimit.

Kur flet për krijimin e tij, Baricco shprehet “Nuk di nëse kjo është e mjaftueshme për të thënë që kam shkruar një tekst teatral: por dyshoj. Më duket më tepër një tekst që luhatet mes një sajese për skenë dhe një tregimi që mund të lexohet me zë të lartë. Mua më duket një histori e bukur, që ia vlente të rrëfehej. E më pëlqen të mendoj se ndokush do ta lexojë”. Megjithatë, teksti nuk është që u lexua dhe aq shumë, madje po të mos e merrte Tornatore dhe ta shndërronte në film ndoshta do të njihej fare pak. Por kur një tekst letrar e merr mbi supe një regjisor si Tornatore që ta ekranizojë, atëherë suksesi është i padiskutueshëm. Sot, përveç filmit të njohur botërisht, edhe monologu i Bariccos lexohet mjaft dhe kjo, gjykoj, në saje të regjisorit italian.

Ekranizimi i “Novecentos”

Tornatore njihet si njëri nga regjisorët më të mirë, nën regjinë e të cilit janë realizuar filma si: “Cinema Paradiso”, “Malèna”, “A Pure Formality”, “The Star Maker”, etj, duk e bërë fitues të shumë çmimeve të rëndësishme kinematografike. Historinë e Bariccos të adaptuar në film, vendos ta titullojë “Legjenda e 1900-ës”, jemi në fillim të shekullit 20-të, një shekull që do të përshkruhet nga shumë ngjarje, lëvizje letrare artistike, e muzikë xhaz. Ky zhanër muzikor ishte tepër i pranishëm sidomos në vitet e më vonshme të shekullit të ri. Ekipi i aktorëve i përzgjedhur për ketë film është fantastik. Përbëhet nga Tim Roth në rolin e Novecentos, pastaj Pruitt Taylor Vince në rolin e Max Tooney-t, mikut të pianistit gjeni. Rolin e marinarit që e gjen foshnjën e porsalindur e luan në mënyrë mjeshtërore Bill Nunn, mbase aktori më i përshtatshëm për atë rol. Lista vazhdon me aktorë të shquar si: Clarence Williams III, krijuesi i xhazit, Mélanie Thierry, vajza që dashurohet pas Novecentos, e të tjerë.

https://www.youtube.com/watch?v=2uf-LDlZMFE (Traileri)

Skenografia është mbresëlënëse: Anija Virginian paraqitet plot salltanete, me sallën e këndshme të vallëzimit, me pianoforten që “e thërret” Novecenton të lozë. Ajo tundet sipas valëve të oqeanit të madh gjersa udhëton nëpër botë, kurse Novecento bën atë që di më së miri: lojën në piano për më se 20 vjet që i rrëshqasin pas shpinës. Aktori Tim Roth duhet theksuar se arrin ta bëjë një punë fantastike: ai ngjizet me personazhin e Baricco-s.

Shikojeni pjesën kur futet në duel me krijuesin e xhazit, aty mendoj se është kulminacioni i aktrimit të Roth-it. Ai duket vërtetë se po luan me më shumë se dy duar.

(Loja e Roth-it)

I nxitur nga miku i mirë i tij, ai nis t’i zbresë shkallët dhe të ‘futet’ në botën e madhe ku janë qytetet si New Yorku, Parisi e Londra, por kthehet prapa. Ky është determinimi i fatit të tij! Dekadat vinë e shkojnë, ndryshojnë modat e plasin luftëra, Novecento është po aty, me duart mbi taste. Megjithëse lëviz sa në njërin sa në tjetrin qytet, nuk zbret, mbetet aty i gatshëm të luajë ‘çmendurisht’ në piano, të rrijë në kuvertë me vajzën që dashuron e të luajë piano për të, por vetëm kaq… sepse nuk mund të shkelë në tokë të thatë. Siç shprehet kritiku amerikan i filmit Roger Ebert: “Ekziston një heroizëm që lidhet me këtë njeri, jeta e të cilit përshkohet nga ideja fikse se nuk duhet ta shkelë tokën”.[2]

Filmin e përshkojnë ndjenjat pikëlluese për fatin e pianistit të madh, kjo romancë italiane mund të duket fare bukur si një operë për një dashuri të parealizuar. Është e njohur filozofia që e fut regjisori italian në filmat e tij, karshi psikologjisë e dilemave të ndryshme. Tornatore arrin të na jap një skenë shumë interesante me imagjinatë të madhe, gati surreale, kur pianoja rrokulliset para dhe prapa dyshemesë gjersa jashtë po mbretëronte stuhia. Novecento luan krejt i shpenguar, miku i tij ngelet i mahnitur. Max-in e shohim në fund teksa vlerëson tingujt e një regjistrimi të vjetër para tregtarit të antikave duke i treguar atij për një pianist gjenial që një herë e një kohë lozte mbi oqean.

Për Peizazhe të fjalës, shtator, 2020

(c) 2020, Bujar Meholli. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Alessandro Baricco, Legjenda e pianistit mbi oqean, Zenit Editions, 2005, fq. 16. (Përkthyer nga Shpëtim Kelmendi), citimet në vazhdim janë nga ky botim

[2] Roger Ebert, The Legend Of 1900, November 19, 1999.

11 Komente

  1. Nuk e di. Nga c’percolli shkrimi, libri duket vertet i merzitshem.

    Tornatore ka perpunuar brumin me miellin e librit, po keto kane aq lidhje sa ka pizza me miellin.

    Tornatore merret me legjendat. E kompreson kohen, Novecento, ne nje hapesire, anija, e kohe, 20, qe nuk mjaftojne zakonisht per krijimin e miteve e legjendave. Tornatore na shfaq para syve krijimin e nje legjende. Ne nuk degjojme, por e shohim muziken. Skema arketipe e legjendes: heroi, anti-heroi dhe rrefimtari jane te gjitha atje ne kutine e filmit. Keto shkurtimisht jane disa simbolika.

    Prandaj interpretimi i autorit me duket shume i ceket per mendjen e sofistikuar te lexuesve te ketushem (duke thirrur ne ndihme Edon Qesarin ketu qe do kish ndonje interpretim edhe me te nderlikuar, lidhur me historikun e emigracionit italian, kinematografine italo-amerikane etj.)

    Filmi ka lidhje te ngushte me Cinema Paradiso, nostalgjine ne lidhje me kendveshtrimin kinematografik te botes. Anija eshte skene, piano eshte si topuzi i luftetarit apo mandolina e Don Juan qe ysht ne gjynah publikun, e tundon ti largohet realitetit te mergimtarit, te enderroje sikur ne kinema nje bite tej oqeanit etj. Se mu lodhen gishtat ne cel.

    1. (nga autori, Bujar Meholli, që nuk po komenton dot për arsye teknike)

      Përshëndetje durimpaku!

      Kam përshtypjen se si durimpak nuk e ke lexuar këtë shkrim timin, por edhe nëse e ke lexuar nuk ke arritur t’i ikësh klishetizimit të famshëm shqiptar: “Unë gjithmonë dhe në gjithçka e kam mirë, kurse tjetri medoemos e ka keq dhe është i cekët”, që t’u shpërfaq në komentin tënd sipas meje, tendencioz. Unë jam kundër kësaj mendësie të mykur! Sa i përket shembullit me pizza dhe miell: Tornatore nuk i ikën librit, paçka se nuk i përmbahet tërësisht atij.

      Nuk dhatë kurrfarë argumenti që do të provonte cektësinë time, përveç disa bredhjeve me fjalë dhe një Don Kishoti që se nga e fute aty bashkë me mandolinën e tij që ysht publikun në gjynah (!) (Kjo më duket krejt e pakuptueshme). Pastaj thirrja për ndihmë që i bëni Edon Qesarit më duket grotekse dhe s’po ndalem hiç në të. A duhet medoemos të jetë interpretimi i “ndërlikuar”?! Po ashtu nuk treguat konkretisht, ku është ajo lidhje e ngushtë me “Cinema Paradiso”? Gjithashtu nuk po ndalem as në fundin e komentit, banal, me shprehjen “se m’u lodhën gishtat në cel” që pandeh sikur i jep vulën “kritikës”, demek “ja, ç’i thashë, e dërmova fare!”…

      Sidoqoftë, arsyeja pse t’u përgjigja nuk ka të bëjë me ndonjë sulm timin kundrejt teje dhe komentit. Dua të ta bëj me dije se nuk kam qëllim të doktoroj me Tornatoren, as nuk vendosa ta bëjë këtë shkrim që t’i “demoloj” njohësit dhe studiuesit e regjisorit italian, ishte thjesht një impresion i imi për regjisorin që duke përzgjedhur aktorë të klasit të parë ka arritur të krijojë këtë film të përbotshëm nga monologu i “mërzitshëm” i Baricco-s siç po e quani ju. Pastaj si pretendoni që “shihet” muzika dhe që ka anti-hero në këtë film?

      Citimet janë prej botimit të “Zenit-it”, Shpëtim Kelmendi e ka përkthyer dhe libri s’është i mërzitshëm aspak, por natyrisht ju mund të mos e honepsni nëse e keni lexuar këtë botim.

      Mund të jeni njohës i mirë i filmografisë së Tornatores, s’e vë në dyshim, mirëpo qasje të tilla nuk iu bëjnë nder dhe nuk iu ngrisin intelektualisht. Të paktën unë s’i besoj dhe nuk i shkoj pas kësaj ideje: të tentosh përdhosjen e tjetrit në mënyrë që të ngritesh ti! Jam i hapur çdoherë ndaj kritikave konstruktive dhe sugjerimeve, por jo ndaj sulmeve dhe ofendimeve që e degradojnë debatin.

      Sulmeve edhe mund t’iu përgjigjem me të njëjtën monedhë natyrisht, por, tek e fundit, s’e çajë kokën fare për sulme, ofendime, etiketime e ku di unë. (?)

      Mendimi është i lirë, natyrisht, reagova vetëm se më ofenduat e quajtët interpretimin të cekët ashtu në ajër, e që në fakt i tillë po dilni ju!

      Gjithsesi të uroj shëndet të mirë dhe shtim të durimit.

      1. Bujar, duhet te kalitesh per sulme. Ta thashe pse i ceket: duke treguar sesi do te ishte nje kritik filmi duke u futur tek tematikat qe trajton regjizori, historine e filmit dhe lidhjen me ceshtjet e ndryshme sociale qe trajtohen ne film. Gishtat mu lodhen vertet, nuk po beja ironi. Tani po shkruaj ne tastiere, dhe ketu ke mundesi te fshish, ti kthehesh etj. Dmth. vec durimit, eshte edhe puna e tastieres ndonjehere. Por vec takt mos prit nga komentuesi. Lexo edhe ti neper rreshta, mos iu nenshtro klishes qe permende. Dale njeher – thote robi – ndoshta e kam une gabim, ky e ka mire. Ndoshta asnje nga te dy. Prit! Del ndonje i trete dhe e sqaron kete pune.

        Muzika eshte performative, e shpejte, jo e bukur – Lady Gaga ne anije. Qe te zgjatem, heroi nuk eshte hero, se eshte thjeshte nje lloj idiot savant qe nuk ka asnje rol social. I lidhur me anijen, si ato statujat qe zbukuronin dikur direkun e anijes me vela. E megjithate krijon nje legjende, si ai robi qe kishte jetuar me ujkun dikur ne France, apo ato grate me mjekra neper cirke. E te shkojme ca me thelle, si arixhiu qe kercen me ariun, deri sa ky i fundit ta perpije e te behet gojedhene. Dmth. une do te lexoja dicka me tragjike per filmin dhe personazhin.

        Po fundja, gjithsekush sipas midese.

  2. Këto janë vetëm në paragrafin hyrës:
    “një regjisor të jashtëzakonshëm, filma madhështorë, klasik dhe njëri nga filmat më të mëdhenj të realizuar ndonjëherë, ikonë e kinemasë botërore, gjetje fantastike e regjisorit italian për ta portretizuar gjeniun”.

    E mirëkuptoj entuziazmin, se secili ka autorët dhe regjizorët e vet të parapëlqyer, po qëllimi i një shkrimi si ky është (duhet të jetë) ta udhëheqë lexuesin natyrshëm drejt një përfundimi.
    Për mua, si autori ashtu edhe regjizori, janë dy nga të shumtët, epitoma të masivizimit të letërsisë dhe kinemasë, e prapë u afrova me interesin për të dëgjuar opinionin e informuar të dikujt tjetër. Theksi tek “i informuar”, jo “opinioni”.

    Psh, cilët janë shumë kritikët që e konsiderojnë filmin në fjalë si “klasik dhe njëri nga filmat më të mëdhenj të realizuar ndonjëherë”?

    Po ashtu, ç’domethënë “Me dellin prozaik, Baricco është bërë njëri nga shkrimtarët më të mirë të letërsisë bashkëkohore italiane dhe mbarë botërore.” ? Si ta kuptojë lexuesi “dellin prozaik” të një shkrimtari që shkruan prozë? A është llulla një llullë?

  3. Unë vazhdoj ta konsideroj filmin si një ndër më të mirët që kam parë. Librin nuk e kam lexuar e ndaj nuk mund të shprehem. Sa për filmin, më është dukur gjenial në përshkrimin e një agorafobie in extremis. Në teoritë e çrregullimeve të sjelljes ekziston klasifikimi i sjelljeve si “egodistonike” (atëherë kur impulset, mendimet apo sjelljet janë të papranueshme apo në mospërputhje me konceptin dhe imazhin që kemi mbi veten) dhe “egosintonike” atëherë kur të gjitha këto janë në harmoni. Nëntëqinta është zakonisht egosintonik, ai është i vetëdijshëm për ngërçin që ka me të zbriturit dhe të jetuarit në tokë, por nuk e përjeton këtë si problem, e pranon dhe jeton jetën.

    Shfaqja e vajzës së adhurueshme e cila lë anijen për zënë fill një jetë të re në tokë, zgjon tek ai impulse të tilla për të cilat sjellja e deriatëhershme shkakton vuajtje. Loja e Tim Roth kur është duke zbritur nga anija për në qytetin e New York-ut është epitomë (meqë po flasim për epitoma) e këtij konflikti dhe e çastit fatal kur paaftësia e tij për të zbbritur në tokë bëhet egodistonike.

    E bukura e kësaj historie është që, në ndryshim nga vepra të tjera që epitomizojnë masivizimin e kinemasë, nuk është një happy ending story. Në fund të fundit flitet për një njeri me kaq shumë potencial që sosi ditët e veta pa shkelur një herë të vetme në stere’ për shkak të konstrukteve mendore, që, porsi këmishë force, kishin modeluar korniza të ngushta sjelljesh e mendimesh. Anija, është në mënyrë si metaforike ashtu edhe thuajse literale ajo këmishë force brenda së cilës ndërtohet e plazmohet jeta mendore e Nëntëqintës. Ndërsa episodi i fundit i eksplodimit të anijes kontraston me implodimin përbrenda të një jete që, në pamundësi të konsumojë energjinë e vet nëpërmjet dhënieve e marrjeve me botën, shuhet e vetëshkatërruar.

    Falemnderit autorit që e risolli në vëmendje, ishte një shkëputje e ndjerë nga rutina e të përditshmes gjithë kovid.

    1. Mund te zgjateshim ketu edhe per alegorine e Pinokut ne barkun e balenes. Pinoku, nje lloj frankenstein, krijese e teknologjise ngec diku ne mes te detit per te krijuar boten e tij, ne nje jo-vend (aeroporte etj), pse nuk e gjet veten asgjekundi ne rolin qe e caktojne (the world is a stage) … ky duket te jete i lumtur ne syrgjynosje … nuk me kujtohet se c’bente Pinoku ne balene, ndoshta i binte mandolines. Po Noah apo Jonah e Bibles? Me siguri ka oshetire.

      nese do te me lejonte Adriani t’ja pervetesoja historine e familjes, do ta shihja edhe historine e gjyshit te tij si ky 900. Krijese e shekullit, qe noton per diku e ngec ne asgjekundi – ne mes Gjirokaster-Napolit-Bronx .. e si cdo emigrant, ne toke veshtire se do e gjeje veten, duke levizuar odhise ndoshta po.

  4. Filmi mund të kqyret edhe përmes optikës fukoiane të heterotopisë. Anija si hapsirë e mbyllur, e lëvizshme brënda hapsirës reale, bëhet mitra nga e cila pianisti nuk del. Toka është Tjetri i panjohur

    1. Bobo e paskeni bere telef filmin dhe si paski lene semundje mendore pa i gjetur pianistit derzi. Personalisht do te doja t’iu ofroja nje kendveshtrimi te ri e me te fresket. Po sikur i gjithe filmi te jete nje kunderpergjigje ndaj figures se emigrantit te perjetshem italian me kapele ne koke dhe kominoshe bojkafe aq te tipizuar ne cdo film te Hollivudit njësoj si cifuti me valixhe qe shkon ne Mathauzen? Po sikur ky te jete qenia e mbrame e evolucionit te pirateve angleze qe refuzonin te zbrisnin ne toke pervecse per te per mbushur ca nevoja elementare ne port, dhe e linin amanet qe edhe po te vdisnin ne toke, trupin t’ua hidhnin ne det. Po sikur Deti te jete liria pa kufi dhe Toka burgu i zi. Po sikur anija te jete voza e Diogjenit… Po sikur te jete Kulla e Fildishte e artistit qe synon perfeksionin. Po sikur… Po sikur.. Sepse mbase sic e ka thene i madhi Twain, cdo njeri shikon ne pasqyre vetem veshet e tija.

      1. Pikërisht, pikërisht PF, prandaj është film i madh, se lejon gjithë këto sikure. Secili e sheh nga këndvështrime të ndryshme. Madje këtë çast po mendoja sa interesante do të ishte që të gjithë sikuret të shtjelloheshin pak më gjatë e të viheshin krah njëri tjetrit. Tani m’u kujtua diktatura e zyshave të letërsisë të kohës së qoftëlargut që bënin analizën e tekstit me bindjen e devotshme se ajo analizë ishte e vërteta supreme e asaj që “kishte dash’ me thënë autori”. Shyqyr që jetojmë në kohë të tjera ku sikuri ka qytetarinë e vet.

        1. Eshte vertet film I madh sepse figura e artistit eshte shume arkeotipale sic e quan Jungu.Ai eshte figura e Personit te Vetmjaftueshem, qe nuk ka nevoje per kerkend, qe nuk vjen e nuk shkon askund dhe qe per me teper e ka te permbushur boten shpirterore njësoj si nje murg asketik ne nje manastir mesjetar ose nje artist qe ka arritur ta shprehe veten plotesisht dhe tani I gezohej vetmise apo nje shkencetari qe e ka marre edhe Nobelin. Pra ai nuk ka flows. Ketu edhe terheqja e te gjithe shpirtrave tone te humbur karshi ketij ishulli shkembor ne mes te detit. 🙂

  5. Shpesh mua me duket se sikuret, dhe interpretimet e shumta te filmave jane njelloj si puna e atij qe merr te shtrydhe nje portokall dhe pret ti dale leng domatesh. Po jam dakord qe kjo, midis te tjerave, na jep edhe kenaqesine estetike, ose po deshet intelektuale.

    Sa per filmin ne fjale, mbaj mend qe me pelqeu shume, pothuaj me la pa fryme, po nuk mora mundimin te persias se cfare kish dashur te thoshte ai qe shkroi librin, apo ai qe beri filmin. Me nje fjale nuk e shtrydha frutin qe ti pija lengun, e hengra sic ma dhane dhe u kenaqa. E di, mbase tingellon infantile dhe aspak e sofistikuar, por ja qe me duket me pragmatike dhe kohekursyese.

    Oh, meqe ra fjala edhe une e kam urryer me gjithe shpirt “diktaturen” e zyshave te letersise te kohes se qoftelargut, pervec paraqitjes se e verteta supreme e asaj qe kishte dash me thene autori, edhe sepse me dukej si nje cenim i privatesise se autorit, i cili kur shkruan” vinte era kembe” nuk besoj se i pelqen shume kur del ndonje mendjendritur dhe shpiegon “kjo do te thote qe çorapet ishin te palara”. (Eh, e di qe mund te kisha zgjedhur ndonje shembull me te fisem).

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin