nga Marelba Fushekati
Ditën e diel, më 30 Gusht 2020, famullitarët e kishës katolike “Zonja e Libanit” në Toronto, në kohën kur do të nisnin meshën e tyre, u përballën me statujën e Shën Mërisë të mbetur pa kokë. Një veprim barbar, që sipas tyre duhet të kish ndodhur ndaj të gdhirë. Koka e Marisë akoma nuk është gjendur.
Veprimi është cilësuar si akt vandal nga autoritetet. Hetimet vazhdojnë.
Askush nuk di të thotë nëse ky akt është frymëzuar nga kërkesat për rrëzimin e statujave në Amerikë apo edhe në Kanada e që po i mëshohet fort së fundmi, dhe që unë nuk kam ndërmend ta komentoj këtu pasi është një temë e nxehtë dhe delikate për të cilën nuk dua të shpreh qëndrim. Vetëm se si e krishterë më takon të pozicionohem, edhe fort madje.
Nuk jam adhuruese e ikonave. Artistikisht më pëlqejnë shumë dhe i vlerësoj. Personalisht, nuk mendoj që të lutesh para idhujve, qofshin ato statuja apo grafika, është rruga që të çon drejt shpëtimit dhe përmirësimit të vetvetes. Ky është mendimi im, dhe praktika ime personale fetare është më e drejtpërdrejtë për sa i përket komunikimit me qiellin, sikundër është ajo protestante në përgjithësi. Por nuk kam asnjë mëri me Marinë, e as me ata që i luten dhe që besojnë tek ajo. As me shenjtorët e shumtë, para të cilëve jam mësuar të shoh gratë e familjes sime të luten e të bëjnë kryqin pa u lodhur.
Pa dashur fare të analizoj figurën e Marisë, pasi ajo për besimtarët e krishterë është një figurë që tashmë ka vendin e saj të nderuar, po ndalem tek figurat e errëta që historia rezervon.
Shkrimtari britanik, Simon Sebag Montefiore, në librin e tij “Monstrat” ka përpiluar një listë të gjatë të grave dhe burrave më të urryer të historisë. Lista e tij nis me dy nga figurat më diabolike të Biblës, përkatësisht nga të dy testamentet. Ndërsa nuk po ndalem tek figura e Jezebelës, po kaloj tek ajo e Salomesë.
Gjon Pagëzori, profeti që paralajmëroi ardhjen e Krishtit, u vra nga mbreti Herod Antipas, sunduesi romak i Galilesë. Gjoni e qortoi publikisht Herodin që kish ndarë të shoqen e që ish martuar me Herodian, gruan e Filipit, vëllait të tij.
Gjatë një feste, ndërsa vajza e së shoqes, Salomeja po kërcente, i dehur nga bukuria e saj, mbreti Herod i ofron Salomesë t’i kërkonte ç’të donte. Dhe Salomeja i kërkoi kokën e Gjon Pagëzorit, e nxitur nga e ëma e saj, e cila nuk po e përballonte guximin me të cilin Gjoni e gjykonte aktin e saj të martesës. Gjonit iu pre koka dhe iu varros vetëm trupi. Legjenda thotë që Herodia u hakmor duke e fshehur kokën e Gjonit në një vend të papastër.
Lista e Montefiores është e gjatë dhe përfshin Papën Gjoni XII, i cili drejtoi kishën katolike gjatë viteve 937 – 964, i njohur për uritë e tij seksuale dhe sjelljet e tij në kundërshtim me moralin e fesë të cilën predikonte, çfarë e ktheu në një njollë të kishës katolike.
Montefiore përmend pastaj Xhengiz Khan-in, Henrin e VIII, Panço Vilën, Benito Musolinin, Adolf Hitlerin, Josif Stalinin, Mao Ce Dunin, Al Kaponen dhe e mbyll me Sllobodan Millosheviçin e Pablo Eskobarin. Libri mbyllet me Osama Bin Ladenin.
Ndërsa qëndrimet për figurat historike, mund akoma të jenë të ndryshme, pyetja që mbetet është: Kush e shkruan historinë? Kush e jep përkufizimin përfundimtar për heronjtë dhe antiheronjtë?
Në vitin 1967, Shqipëria u përball me faktin e mbylljes së të gjitha institucioneve fetare, duke u bërë kështu vendi i vetëm në botë që pretendonte se kishte një popullsi tërësisht laike. Nuk di të them nëse Enver Hoxha kish kulturë fetare, apo vargu 6:24 i marrë nga ungjilli i Mateut, ku thuhet se “Askush nuk mund t`u shërbejë dy zotërinjve, sepse ose do të urrejë njërin dhe do ta dojë tjetrin; ose do t’i qëndrojë besnik njërit dhe do të përçmojë tjetrin; ju nuk mund t’i shërbeni Perëndisë dhe parasë” e frymëzoi të konsideronte shembullin e zotërisë së parë, duke u vetëkthyer kështu në perëndinë e vetëm të shqiptarëve. Pasojat e përndjekjes ndaj klerikëve, veçanërisht atyre katolikë, tashmë njihen.
Është ende e vështirë të thuhet për vende si Shqipëria se çfarë vendi zënë heronjtë dhe antiheronjtë në historinë tonë. Unë kam takuar disa prej tyre.
Unë dhe Stalini u përballëm në vitin 2014 në oborrin e Galerisë së Arteve Figurative, në Tiranë. Dy buste të Stalinit, me dhe pa kapelë. Lenini ishte gjithashtu aty; i mungonte një krah. Edhe të tjerët, figura të realizmit socialist, pa emra konkretë. Një bust me çarçaf të bardhë sipër, i vetmi i mbuluar, e kishin lënë në këmbët e tyre. Një litar përqark. Për mbrojtje ndoshta.
“A të bëj një foto me Stalinin?” pyeta rojen e bashkisë, një burrë i pakët, me një uniformë të lirshme dhe me kapelën që e mbante shtrembër mbi kokë.
“Mos je e medies ti?” më pyeti në konfidencë, duke mëshuar theksin tek e-ja fundore.
“Jo, nuk jam e medies.”
Më la. Në atë ekspozitë të hapur nën qiell, sarkazma m’u përzie me një ndjenjë të mirë arti.
Roja më sillej rrotull duke ruajtur një rreze privatësie. Kur po kapërceja pragun për t’u hedhur në trotuar, në krahun tim, ruajtësi i Stalinit, më thotë me zë të ulët:
“Për një mijë lekë të vjetra shef edhe Enverin!”
Drejtoi gishtin nga busti i mbuluar me çarçaf të bardhë. Fytyrën e kishte solemne, sytë të mallëngjyer.
Ika. Më pihej kafe. Kushtonte më pak se një mijë lekë. Reston, bakshish.
Ndoshta historinë për atë vit e kishin shkruar drejtuesit e Galerisë së Arteve. Noshta çdokush mund të shkruajë dhe ta quajë më pas histori. Koha është treguesja më solide në të cilën figura të ndryshme zënë vendin që iu takon. Ajo që i bashkon deri më sot personazhet me një të kaluar diabolike është pikërisht dëmi që u kanë shkaktuar popujve të tyre. Vetëm se edhe ata, “meritojnë” një vend në histori, për të shërbyer si shembuj ilustrues që japin përkufizimin e sundimit të së keqes mbi tokë. Mohimi, si sjellje njerëzore për të shmangur të vërtetat e dhimbshme është më i dëmshëm se pranimi i realiteteve dhe nxjerrja e mësimeve nga historia.
Tek kthehem tek statuja e pa kokë e Shën Marisë, që në bindjen time të krishterë, jo vetëm nuk i ka shkaktuar dhimbje askujt, por ka vuajtur si askush grua mbi dhé, më mbetet sërish të bëj pyetjen: Po Maria, kë lëndoi në Toronto?
© 2020, Marelba Fushekati. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Brilante! Nje menyre te shkruari qe prek kufijte e mrekullise!
Shkrimi shumë i bukur, por më duhet të ndalem pak tek një detaj teologjik:
“Por nuk kam asnjë mëri me Marinë, e as me ata që i luten dhe që besojnë tek ajo. As me shenjtorët e shumtë, para të cilëve jam mësuar të shoh gratë e familjes sime të luten e të bëjnë kryqin pa u lodhur.”
Shumica e të krishterëve të cilët u drejtohen shenjtorëve gjatë lutjes nuk i drejtohen këtyre shenjtorëve në lutje apo adhurim, por thjeshtë i kërkojnë të jenë biçim ndjërmjetësi midis lutësit dhe Zotit.
Çështja e ndërmjetësimit mes besimtarit dhe Zotit është në fakt temë tjetër e cila kërkon një diskutim të zgjeruar, pasi është një nga argumentet që “ndan” protestantët nga praktika katolike, ortodokse, disa herë edhe nga ajo anglikane. Ka një pasazh në letrën e Palit drejtuar Timoteut ku thuhet se “Në fakt një është Zoti, dhe një i vetëm është ndërmjetësi midis Zotit dhe njerëzve: Krishti Jezus njeri” Dhe mua më pëlqen të heq një paralele mes dy ndërmjetësve kryesorë të këtij Libri, midis Mosiut që ish ndërmjetës i popullit të tij me Zotin dhe Krishtin në Testamentin e Ri. Sidoqoftë, interpretimet të gjitha janë mekanizma që e humbin disi rëndësinë e tyre kur njerëzit orientohen nga besimi, ç’ka unë besoj se i bën ata më të mirë.
Unë ju falenderoj për kohën që më lexuat dhe për vlerësimin.
Marelba,
u bera kureshtar per paralelen midis Moisiut dhe Krishtit, ne komentin tuaj:
“Dhe mua më pëlqen të heq një paralele mes dy ndërmjetësve kryesorë të këtij Libri, midis Mosiut që ish ndërmjetës i popullit të tij me Zotin dhe Krishtin në Testamentin e Ri”.
Per ç’paralele behet fjale?
Qe te dy figurat biblike kane sherbyer si ure komunikimi midis njerezve dhe Zotit.
Shetja e M’ri, nana e tën’Zot, lutu per ne mekatnoret tash e n’fille t’dekes sone!
Toronto deri ne vitet 50 quhej Toronto The Good ngaqe kishte dhe vazhdon te kete fizikisht nga nje kishe ne cdo kryqezim rruge. C’te kete ndryshuar vallë… vallë?!! Te shpresojme qe Trudoja te nxjerre nje ligj kundra kristianofobise qe te ruaje kishat, po dhe ne megjithe kishat. Ja sikur e ka mbaruar thone. Pret vetem sa ti thahet boja.
Kane ndryshuar kohet, e njerezit ndryshojne gjithashtu. Nuk mendoj se kjo qe ka ndodhur eshte sulm ndaj kristianizmit; me teper marri e frymezuar keqazi.
Patjeter. Bile thone se e kishin ngaterruar me statujen e John MacDonald qe e beheaden nje dite me pare. Te cilen gjithashtu e kishin ngaterruar me nje statuje te Fidias.
Ndoshta eshte isharet nga Perendia.
“You shall not make for yourself a carved image, or any likeness of anything that is in heaven above, or that is in the earth beneath, or that is in the water under the earth. You shall not bow down to them or serve them, for I the Lord your God am a jealous God, visiting the iniquity of the fathers on the children to the third and the fourth generation of those who hate me,
Une nuk doja te komentoja me gjate, nga frika se mos i prishja bukurine shkrimit, por tundimit per t’ju pergjigjur pyetjes tuaj “Po Maria ke lendoi ne Toronto?”, duket, nuk po i shpetoi dote. Ndaj pyes: Po Gonxhe Bojaxhiu, kujt i kish bere keq ne kete bote, dhe per me teper, c’te keqe i kish bere regjimit te Tiranes, qe nuk e lejuan me gjallje te takonte nenen dhe motren te cilat jetonin ne Tirane?
Valle,a nuk tregon ky qendrim me shume barbari sesa prerja e kokes se satujes se virgjereshes Mari ne Toronto? Me kete akt barbar, duke mos e lejuar te takonte njerzit e saj me te afert, kesaj gruaje te madherishme, drita e paqes dhe miresise se shpirtit njerezor, ja prene koken me gjallje.
Asgje tjeter nuk mund te presesh nga ai kontigjent njerezor, i cili ka bindjen e patundur se shoqeria njerezore cohet perpara vetem me terror dhe lufte te pakompromis kunder te liges ne gjirin e saj. Mjerisht,ketij kontigjenti as i shkon nepermend, se nuk eshte ne dore te njeriut te rregulloje njeriun. Ata nuk duan ta kuptojne se urrejtja nuk te con ne asnje liman ku do te sundonte paqja dhe miresia. Kete mund ta beje vetem drita e dashurise. Eshte per kete arsye, qe kombet te cilet promovojne dashurine ne gjirin e tyre kane ecur perpara.
Shkrim shume i mire. Me pelqeu paralelizmi midis te dy rasteve nga dy skaje te kunderta do te thoja.
Shkruan ” Vetëm se edhe ata, “meritojnë” një vend në histori, për të shërbyer si shembuj ilustrues që japin përkufizimin e sundimit të së keqes mbi tokë. Mohimi, si sjellje njerëzore për të shmangur të vërtetat e dhimbshme është më i dëmshëm se pranimi i realiteteve dhe nxjerrja e mësimeve nga historia”
Pavaresisht se autorja nuk shpreh nje qendrim te hapur per ceshtjen e nxehte te rrezimit te statujave mendoj paragrafi i cituar e shpreh qendrimin e saj. Ndryshimi ose fshirja e historise nuk do ishte zgjidhje e asnje problemi. Ne ne Shqiperi jemi deshimitare te te pasojave te nje procesi te tille qe po i vuajme edhe sot . Nje brez thellesisht i indoktrinuar dhe nje brez tjeter qe po rritet pa nje bosht atdhedashurie qe e shikon vendin si te huaj e mendon si e si ta braktise.