Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Kulturë

DOSJET CAMAJ NË MYNIH

nga Bardhyl Demiraj

Sot (më dt. 28 gusht 2020) Autoriteti i Dosjeve organizoi një tryezë të rrumbullakët “95 vjet – Martin Camaj – vepra dhe përndjekja”, ku isha ftuar edhe unë të referoja shkurt mbi veprimtarinë e Martin Camajt në Mynih. Sigurisht që e pranova me kënaqësi këtë ftesë e kjo për shumë arsye, por po mjaftohem të përmend këtu vetëm diskursin e kohëve të fundit në mediet dhe rrjetet sociale të internetit, pre e të cilave rashë dashur padashur edhe unë duke dhenë një intervistë në gazetën “Panorama” (10 korrik 2020). Që kam dëshirë të përmbledh sado thukët këtë temë në faqet e “Peizazheve të fjalës”, edhe kjo ka të bëjë me të njëjtën arsye; për më tepër këtu u botua shkrimi i zotit Auron Tare (5 korrik), pasuar edhe nga Albert Doja (18 korrik 2020), lidhur me dritëhijet që shoqërojnë personalitete të kulturës shqiptare në mërgatën politike të Pasluftës, duke rrokur kryesisht emrin e Martin Camajt dhe sado shkarazi edhe atë Ernest Koliqit.

Sigurisht që e pranova pa-një-pa-dy temën e sugjeruar, edhe pse ua bëra me dijë organizatorëve se hapësira kohore që kisha në dispozicion nuk lejonte asesi një ezaurim të saj. Për më tepër dihet se jeta prej tri dekadash e Camajt në Mynih përkon me fazën e ravijëzimit dhe të konsolidimit të personalitetit të tij a) si përfaqësues i letrave shqip në mërgatën politike në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, b) si nxitës i përftimit të një vatre të re shkencore-universitare në rrjetin ndërkombëtar të albanologjisë si shkencë ndërdisplinore rajonale, sikurse nuk mund t’i anashkalohet as c) angazhimit të tij social sa i përket mbarështimit të kulturës shqiptare brenda dhe jashtë asaj mërgate, duke rrokur sigurisht edhe ato rrethe intelektuale dhe organizma shtetërore që ishin sadopak të interesuara për zonën perëndimore të Ballkanit.

Asgjëmangut, i vetëdijshëm se nuk do të mundja të referoja gjithçka brenda minutazhit të fiksuar ndërkohë, m’u desh të skicoja me një vijimësi sistematike veprimtarinë e Martin Camajt në këtë qytet gjatë periudhës në fjalë, si vijon:

  1. Aktiviteti kulturor-intelektual

Parë nga kjo perspektivë, në prurjet e Martin Camajt feks sidomos krijimi poetik-letrar si edhe kërkimi filologjik-shkencor në fushën e albanologjisë. Sekush që është potencialisht i interesuar për prurjet e tij në njërën ose tjetrën fushë nuk e ka sot të vështirë të fitojë vetë përshtypjet dhe bindjet përkatëse, anipse ndërkohë qarkullon një numër i konsiderueshëm studimesh e monografish të mirëfillta kritike letrare dhe shkencore. Prashtu shkruesi i këtyre radhëve nuk e ndjen aspak për detyrë të kumtojë vlerat që bartin për të personalisht këto prurje. Thjesht mund të përmendë shkarazi kohën, punën dhe energjitë që investoi së bashku me një ekip të improvizuar në botimin filologjik të të gjithë trashëgimisë poetike-letrare të Martin Camajt në plot dhjetë vëllime (Onufri. Tiranë 2010). Ishte gjithsesi një punë që i dha e i jep kënaqësi, kur mëson se vepra e tij ndërkohë ka gjithkund akses në hapësirën shqipfolëse, sidomos te brezat e rinj.

  1. Karriera akademike-profesionale.

Shumëkush ka mësuar ndërkohë edhe se Camaj “themeloi” në Mynih degën universitare të Albanologjisë në universitetin ndërkohë elitar Ludwig-Maximilian të Mynihut. Po përdor me vetëdije thonjëzat, meqë Camaj vetë nuk do të ishte aspak në gjendje të themelonte një degë të tillë e le më të përdorte ndonjë shprehje të njohur të Qezarit. Megjithatë nuk gabojmë aspak po të mëtojmë se falë karrierës së tij akademike-profesionale dhe koniunkturave politike-shkencore fatlume të kohës (Gjermania përjetonte ndërkohë boom-in ekonomik) u mundësua hapja e një profesure edhe në Albanologji, si e vetmja në Veri të Alpeve deri sot e gjithë ditën. Pa dashur të rrudh aspak meritën e Camajt në hapjen e saj, dua t’u mëshoj më fort mundit dhe energjive në mbarështimin e degës me një program të plotë universitar – mbuluar me një person!!! – e sidomos rropatjet e sakrificat pa fund që hoqi, në mënyrë që kjo degë të gëzonte vazhdimësinë e saj, që vjen me thënë që profesura për albanologji të mos hiqej nga nomenklatura e profesoratit të universitetit. Nuk e përballoi dot deri në fund gjithë atë stres e lodhje, u sëmur dhe mbylli sytë dy vjet pas daljes në pension, jo më larg se 67 vjeç.

Shtojmë gjithashtu se Camaj erdhi e u bë profesor ordinar në Albanologji në LMU, nuk erdhi e zuri ndonjë vend vakant apo e “kapi” atë falë ndonjë miqësie të thekur ase makinacioneve nën rrogoz. Karriera e tij shkencore-profesionale është e dokumentuar në detaj në dosjet e tij të punës në arkivin e LMU, andaj po lejohem vetëm të citoj disa stacione të kësaj karriere: a) bursist i fondacionit shtetëror gjerman DAAD: janar 1961 – dhjetor 1961, pasi ka hyrë për të dorëzanë sllavisti dhe etnologu i njohur i Ballkanit, prof. Alois Schmaus. Ai ishte i pari që pikasi dhuntitë e pazakonshme të Martin Camajt; b) habilitand në Seminarin e Gjuhësisë (Sektori i Indoeuropianistikës) me mbështetjen e fondacionit shtetëror gjerman DFG: mars 1962 – korrik 1964; c) docent privat me lejë mësimdhënieje në albanologji: janar 1965 – qershor 1971; c) profesor jashtë plani për Albanologji: korrik 1971 – gusht 1978; d) profesor ordinar për albanologji: shtator 1978 – prill 1990.

Siç vërejmë, kemi para nesh karrierën e çunakut azilant të dikurshëm që mund e di ta admirojë një studiues i zakonshëm, por i vullnetshëm dhe pa ambicje për funksione të natyrës organizative e politike-shkencore. I tillë ishte vetë Camaj, duke ditur t’i bëjë vend vetes, pas një pune katër vjeçare si lektor pa pagesë (voluntariat) i gjuhës shqipe e që arriti të fitojë një kontratë të parë punësimi në moshën plot 45 vjeç.

Ky përshkrim i thukët i dosjes së punës në arkivin e LMU-së i kujton me siguri dikujt “koleksione fluturash” (A. Doja), madje e gëzon kur përsërit – këtë radhë me thonjëza!!! – “lagje studiuesish informatorë [që] siguronte mbështetje edhe për avancim në karrierat e tyre akademike….” (A. Doja), sikurse të qesëndisë se si: “…me një qëndrim tipik vetë-kolonizues, pikërisht Martin Camaj … ka mbajtur gjallë me shumë dëshirë esencializmin folklorik të filologjisë empiriciste”[1] (A. Doja) e së fundi edhe të krekoset se si: “Në dritën e të dhënave të reja mund të thuhet se nuk qenkam gabuar dhe se nuk është thjesht rastësi që pikërisht Ernest Koliqi apo Martin Camaj, të cilët me shumë gjasë janë mbështetur e përkrahur përkatësisht nga regjimet fashiste para dhe gjatë Luftës se Dytë Botërore dhe pastaj nga shërbimet sekrete gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, kanë kontribuar dhe kanë përjetësuar këtë karakter tipik për studimet shqiptare, në përputhje me kuadrin ideologjik të traditave studimore italiane dhe gjermano-austriake në shërbim të politikave të tyre të kahershme kolonialiste dhe nacionaliste.” (A. Doja). Empiricizimi dhe teknicizimi që bie në sy në sistematizimin e kësaj dosjeje (e të tjera si kjo) përcjellin së paku faktin e thjeshtë se Camajn mbarimi i Luftës e la pa përfunduar Liceun Xaverian në Shkodër, aq i ri mustaqepadirsur ishte atëbotë; ndërkohë që lidhjet me shërbime sekrete çfarëdo edhe A. Doja i merr si të vetëkuptueshme, a thua se ka përvojë të thelluar personale në këto punë. Gjithsesi shpresojmë, në mos besojmë, se janë të shumtë lexuesit e “Peizazheve” që kanë mësuar dhe dinë të respektojnë edhe të rinjtë azilantë politikë shqiptarë të asaj kohe. Sepse shpallja në mexhlis me hamendje e të qenit agjent i rekrutuar prej Sigurimit shqiptar apo i UDBA-s jugosllave për persona juridikë që nuk jetojnë mes nesh nuk mund të klasifikohet asesi si delikt kavalieresk e që jep shkas me zhvilluar debate të natyrës intelektuale të mirëfilltë e pa partizanizëm ideologjik, bash ashtu siç receton ndërkohë A. Doja në rolin e heqimit të shpirtrave të vdekur intelektualë.

  1. Angazhimi social

Angazhimi social i Martin Camajt është, më saktë bëhet, shumëplanësh gjatë jetës së tij në Mynih. Lejohemi të sistematizojmë me stil telegrafik disa pamje: a) si pjesëtar i mërgatës politike shqiptare të Pasluftës në Perëndim – me statusin e azilantit politik pa shtetësi deri në vitin 1970; b) si pjesëmarrës aktiv i jetës sociale-kulturore të mërgatës shqiptare në Perëndim – ndër të tjera, edhe si redaktor përgjegjës për thuajse 20 vjet me radhë i revistës “Shêjzat – le plejadi”; c) si mbarështues i marrëdhënieve me qendrat e studimeve albanologjike në Perëndim e SHBA-të – ndër të tjera iniciator i fushatës së hapjes së një katedre të shqipes në SHBA-të; d) si ekspert dhe këshilltar pranë instancave të ndryshme shtetërore në landin e Bavarisë dhe të federatës sa i përket situatës politike, kulturore, ekonomike e sociale në Shqipërinë e kohës, bash ashtu siç prezantohej ajo në shtypin shqiptar të ditës – Camaj ka qenë në bordin organizativ të vizitës së parë të Straußit në Shqipëri, kur nuk kishte marrdhënie diplomatike midis dy vendeve.

Lejohem të shtoj si paragraf më vete edhe e) marrëdhëniet me qendrat simotra në hapësirën shqipfolëse. Në Kosovë Camaj ishte deri pak para se të mbyllte sytë persona non grata për arsye që në fakt dihen mirë, por në kohë tonë keqinterpretohen (A. Tare). Në Shqipëri edhe më keq. Pjesëmarrja e delegacioneve shqiptare në konferenca ndërkombëtare (p.sh. Innsbruck 1972), kushtëzohej mes mospjesëmarrjen e Martin Camajt në to, si armik i shtetit shqiptar. Në fund të viteve 80-të, pra në një kohë kur në atë vend po e merrte ferra uratën, delegacioni shqiptar “u thye”, meqë prof. A. Guzzetta (Hora e Arbëreshëve / Palermo) i tregoi kufirin te thana, duke ua bërë të qartë instancave shtetërore-shkencore përkatëse se kush ishte zot shtëpie e kush ishte i mirëseardhur në shtëpinë e vet. Po ashtu edhe delegacioni, më saktë një pjesë e tij, tregoi me mënyrën e vet se kush ishte miku i ftuar në vatër: rrahën me këmbë e këpucë dyshemenë e auditorit, derisa e detyruan Camajn të ndërpriste ligjëratën.

Ndërkohë në këto dosje e në do të tjera të depozituara në arkivin “Monancensia” po në Mynih përjetojmë edhe sjelljen e Camajt këso rastesh: nuk lexojmë gjëkundi të ketë prononcuar dikur zyrtarisht zemëratën ndaj veprimeve antihumane të institucioneve shkencore-shtetërore në Shqipëri, sikurse ndaj sosh prej kolegësh të porositur. Siç rezulton prej korrespondencës kolegjiale të sinqertë, Camaj e vuante shumë këtë linçim, megjithatë për të kishte më shumë rëndësi që Shqipëria dhe institucionet e saj shkencore të dilnin sa më parë e si të ishte e mundur nga vetizolimi, për të mos thënë të gjithë së bashku nga “vetë-kolonizimi”, bash ashtu siç po mësohemi ta lexojmë gjithnjë e më shpesh këtë term e të tjerë si ky, të transponuar edhe në përshkrimin e historisë së zhvillimit të albanologjisë.

Sigurisht që në këto dosje përjetojmë edhe shenja gëzimi; ja p.sh. kur Camaj mëson prej kolegut të tij prof. Ölberg (Uni Innsbruk), se si ai kishte mundur t’i dorëzonte personalisht prof. Çabejt solo ocultamente pakon e tij me librat e botuar. Por këto shenja nuk i ndesh edhe aq shpesh në këto dosje. Duhet vërtet puna e specialistit të arkivave, ajo e të ashtuquajturve empiricistë dhe teknicistë, por që kanë edhe dëshirën dhe vullnetin përkatës me qëmtuar momente të jetës njerëzore.

  1. Përfundim

Kjo është pak a shumë jeta intelektuale, akademike dhe sociale e Martin Camajt në Mynih (1961-1992), bash ashtu siç kumtojnë dosjet që mbajnë emrin e tij dhe mirëmbahen në arkivat e këtij qyteti. Pra në këto dosje kush do mëson shumë, sidomos dhuntitë e karakterit dhe sjelljen etike-sociale të Martin Camajt, të cilave dashur pa dashur i ka anashkaluar e gjithë ajo mori artikujsh divulgativë në mediet shqiptare, apo ato studime dhe ese që fokusohen kryesisht në aktivitetin e tij intelektual, të cilin mund ta rrokim thukët: si shkrimtari më i spikatur në letërsinë e mërgatës shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar dhe si studiuesi albanolog që guxoi në disa fusha të gjuhësisë – me sukses në filologji dhe kulturën e shkrimit shqip –, dhe që vuri bazat e dialektologjisë moderne arbëreshe.

Duke cekur aspekte të angazhimit social të Camajt uroj të mos u kem prekur thembrën në asnjë rast autorëve të do shkrimeve “të qëlluara”, që e prezantojnë Camajn, si shqiptarin e mbyllur, krejtësisht të mohuar dhe të izoluar prej mjedisit social, të cilit i takonte; një Robinson që e “kishte bërë gjuhën e vet atdhe dhe shtëpi”, apo një Dranje me atdhe të koracuar portativ që kërkoi dhe gjeti strehë diku rrëzë Alpeve të Evropës, nga ku mund kundronte gurët e gurrat e mjedisit përreth e të kujtonte kështu “Itakën” e vet, Temalin dhe Dukagjinin.

Në rast se gjurmojmë hap pas hapi ecurinë e bursistit, të docentit dhe profesorit Camaj gjatë angazhimit të tij social dhe profesional, ne përballemi me një tjetër Martin; pikërisht a) me Martinin vital dhe aktiv, që kërkon dhe gjen në Munih ato rrethe shkencore-intelektuale, që interesohen për hapësirën gjuhësore-kulturore të Ballkanit Perëndimor; b) me Martinin bursist që integrohet shpejt në jetën universitare dhe në programin universitar që mundësonte atëbotë Seminari i Gjuhësisë, madje ndikon vullnetarisht në larminë dhe pasurimin e programit të tij si lektor vullnetar; c) me një Camaj docent dhe profesor që përsiat dhe sendërton një program të plotë universitar për një degë gjermëatëherë “të pazakonshme”, duke e shndërruar atë hap pas hapi – e me vetëdije – në një vatër kërkimi të shkencës rajonale ndërdisiplinore të albanologjisë; për më tepër d) do të njohim një Camaj që vendos dhe përkujdes marrëdhënie të mira kolegjiale brenda dhe jashtë universitetit, e që organizon me kolegë të ndryshëm programe të përbashkëta universitare; si edhe e) një Camaj që bashkëpunon intensivisht me qendra të tjera albanologjike në Evropë dhe SHBA, përpos sosh në hapësirën kompakte shqipfolëse në Ballkan.

Së fundi dua të shtoj se ja ashtu, u rreka të mos përplasem drejtpërsëdrejti me insinuatat dhe inskenimet që përsiasin e syzojnë sot do depistatorë të mbetjeve arkivore të shërbimeve sekrete, të cilët di t’i marrë në mbrojtje vetëm me ide e modele teorike ndonjë heqim, më saktë antropolog i atij shpirti intelektual sa të pastër aq edhe të vdekur, të cilin po mësohemi ta lexojmë shpesh e më shpesh në këto kohë të prapshta.

 

(c) 2020, Bardhyl Demiraj. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Citati pa pika në origjinal: “With a typical self-colonizing attitude (Kiossev, 2011), native scholars educated or established within German academia (e.g. Martin Camaj or Bardhyl Demiraj, the first and the current chair holders of Albanologie at LudwigMaximilian University in Munich) willingly perpetuate the folkloric essentialism of historicist philology.” (A. Doja:  From the German-speaking point of view: Unholy Empire, Balkanism, and the culture circle particularism of Albanian studiesCritique of Anthropology 34, no. 3 (2014), p. 311.

12 Komente

  1. Kete fund viti do te kemi mjafte diskutime dosjeresh,por do te ishte e dobishme te percaktohesh koncepti i “bashkepunetorit”.
    Eshte “personazh pozitiv” qytetari (shqiptar,grek,suedes,amerikan…) qe bashkepunon me istitucionet shteterore te vendit apo me organizatat shoqerore te ligjeshme te vendit qytetar i te cilit eshte?
    Referimi objektiv ndaj ketij koncepti do te sherbente per shoqerine ne vleresimin e individeve ,por edhe te individeve per “te mos care tra…. nga ideollogjite apo thash themet.Pra:
    -Bashkepunetori ….. eshte “personazh pozitiv apo negativ”?
    Une mendoj se morali eshte i lidhur ngushte me kohen dhe shoqerine,por inercia veshtireson mirekuptimin…

    1. Mendoj se nuk mund te kete nje pergjigje te prere per kete sepse “bashkepunimi” implikon gjithashtu motive dhe principe nga ana e tij qe bashkepunon si edhe faktin se me ke bashkepunon. Rregjimi i Hoxhes pavaresisht se i ligjshem nuk pati ne thelb asgje njerezore dhe aq me pak atdhetare. Une dua te falenderoj prof Bardhylin me kete rast per shkrimin. Nje kendveshtrim krejt tjeter. Po une do ngrija nje pyetje tjeter. Kur hulumtojme nje figure si Camaj a kedo tjeter te ketyre permasave , a ka vlere te merremi me fakte te tilla nese ato nuk kane asnje ndikim ( te pakten ashtu duket) ne vepren – per te cilen Camaj eshte i njohur dhe kontributin e tij ne letrat shqipe. ? Sa personal duhet te jete nje hulumtim per nje figure te permasave te tilla dhe deri ne c’detaje duhet te hyjme qe na japin dicka me vlere?

  2. Faliminderit profesor Demiraj për shkrimin Tuaj. Ndërhyrja Juaj në këtë temë, absolutisht profesionale dhe e nevojshme. Respekte!

  3. Në shkrimin e z. Tare thuhet, pa u cituar burimi, se Camaj u martua në vitin 1951 me Nina Bogdanovich-in, vajza e ish-nënkryetarit të Bashkisë së dikurshme të Beogradit. Tani, Beogradi ka pasur vetëm një kryetar bashkie me emrin Bogdanovic, që u bë i tillë në vitin 1982. Më kujtohet se ky ishte i vetmi disident që u arratis në perëndim, arkitekt dhe eseist shumë i njohur. Më kujtohet mjegullazi një takim i organizuar me të në atë kohë në Palais Lichtenstein në Vjenë, takime ku shkonin atëhere me qindra vetë.

    Në vitin 1987 ai i kishte dërguar një letër të hapur Millosheviçit, në të cilën e akuzonte atë dhe pasuesit e tij si luftënxitës mendjengushtë. Pas kësaj, dha dorëheqjen nga posti dhe më 1993 emigroi në fillim në Paris e pastaj në Vjenë, ku edhe vdiq në vitin 2010.

    Sipas një informate të sigurt që kam unë nga një person që i njihte mirë, çifti Bogdanovic nuk kishte fëmijë. Prandaj, për cilin nënkryetar bashkie bëhet fjalë? E solla këtë shembull vetëm për të treguar se nëse pretendohet se po bëhet një studim shkencor, atëhere duhet të bëhen edhe hulumtime përkatëse të sakta, ashtu siç i bëjmë ne të albanologjisë duke ndenjur me muaj e vite mbi një shkrim dhe jo të numërohen “fakte” pa kurrfarë reference.

    1. Se cfare shkruan nuk hyj dorezane, por besoj se behet fjale per tjeter Bogdanovic, qe kishte dale me kohe ne pension, kur u martua Martini. Genc Korca mik i Martinit prej periudhes se Beogradit shkruan ne kujtimet e tij rreth vizites se pare ne shtepine e tij:
      “…më kishte shpënë te Martini. Ky banonte bashkë me gruan ngjitur me prindërit e saj. Prindërit banonin në një vilë të bukur dhe Martini me Ninën banonin në serrën e dikurshme që e kishin rregulluar më së miri. I ati kish qenë kryetar’i bashkisë së Beogradit në kohën e mbretit dhe tani ishte në pension. Nina punonte në Radio Beogradin….” (Arkivi Camaj.)

      1. Atëhere duhej të ishte thënë patjetër që ka qenë kryetar bashkie në kohën e mbretit. Askush nuk hyn dorezanë për asgjë, por kur pretendon studim shkencor për çështje kaq komplekse dhe delikate duhet të japësh të dhëna të sakta. Sepse dikush mund të mendojë se bëhet fjalë për atë Bogdanovic që përmenda unë dhe ky është krejt kahu i kundërt i thelbit të shkrimit. Falemnderit B. Demiraj për shpjegimin e bazuar në fakte.

        1. Shkruani, znj. Arapi:

          **Atëhere duhej të ishte thënë patjetër që ka qenë kryetar bashkie në kohën e mbretit.**

          Auron Tare ka shkruar:

          **vajza e ish-nënkryetarit të bashkisë së dikurshme të Beogradit.**

          Nuk ka rrezik që “dikush” të mendojë se po flet për Bogdanoviqin tuaj, kryetar bashkie (JO nën-kryetar) dhe që nuk mund të kishte vajzë në moshë martese në vitin 1951.

          E dhëna e Tares është shumë e saktë. Leximi juaj lë për të dëshiruar. Uroj që në studimet tuaja të tregoni më shumë kujdes (jo për gjë, por meqë i sollët si kundrashembull).

    2. Shembulli që sollët, znj. Arapi, tregon se nuk e keni lexuar mirë tekstin. Kryetari i bashkisë nuk është nën-kryetar bashkie dhe anasjellas. Beogradi ka pasur një nën-kryetar bashkie me emrin Bogdanoviq dhe një kryetar bashkie me emrin Bogdanoviq. Mbajnë të njëjtin emër por kanë pasur ofiqe të ndryshme dhe kanë qenë dy persona të ndryshëm në kohë të ndryshme.

      Po pse, kështu do ta hidhni poshtë Taren ju? Me kësi gjepurash?

      1. I nderuar z. Hoti, logjika dhe metoda me të cilën e lexoj unë një tekst është e ndryshme nga juaja. Ju siguroj se nuk dua të hedh poshtë asgjë pa pasur fakte të vërtetuara. Sidoqoftë, falemnderit për vërejtjen.

  4. Autori shkruan: « Në Kosovë Camaj ishte deri pak para se të mbyllte sytë persona non grata për arsye që në fakt dihen mirë (…)”
    A eshte e tepert te pyetet cilat jane keto arsye, qe ndoshta jo kushdo i di aq mire?
    Dhe çfare kuptohet me “ne Kosove”: provinca autonome, nje pjese e Jugosllavise, pushtetaret e Kosoves, dijetaret/universiteti/Akademia e Kosoves?
    Nderkohe, mesa di, qytetare te Kosoves, perfshi dhe universitare e intelektuale udhetonin relativisht lirshem ne Gjermani dhe vende te tjera te Perendimit qe ne vitet 70 (I Rugova, psh ka studiuar ne Paris, dhe citon botimin gjerman te Çetes, te bere nga Camaj, te Vepra e Bogdanit, botuar ne Prishtine para 90-es, dhe ne Tirane me pas jo sh vone).

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin