nga Gjovalin Macaj
Ka fjalë që mbushin faqen, por ka fjalë që nuk të dalin faqet për t’iu zbërthy ngarkesën që mbajnë. Në tre paragrafe, Ardian Vehbiu thotë aq shumë për nji temë që lëvrohet aq pak, sa nuk do të mjaftonte nji libër i tanë për me i trajtu si duhet për nga randësia që kanë.
Fryma me të cilën zoti Vehbiu shprehet rreth lidhjes mes standardit e gegnishtes dëfton prirjen tonë të përgjithshme të pranojmë me lehtësi mohimin e vedit si të mirën e përbashkët.
Nji vendim krejt arbitrar si vendosja e standardit na paraqitet si nji domosdoshmëri historike, nji veprim mbase i padrejtë, por i pakthyeshëm— ‘Çfarë ka ndodhë, ka ndodhë – tani duhet të shofim përpara, sepse nuk asht se nuk na dalin hallet që kemi sod’, duken sikur thonë. Sikur hallet që kemi sod, e do t’i kemi prap nesër, nuk lidhen me hallet që kishim dje.
E djeshmja shifet si nji faqe e errët e së kalumes sonë, për ata që nuk e kanë përjetu drejtpërdrejt por që kanë nji fije vetëdije morale e ndershmëri intelektuale.
Por ata që e kanë vuajte mbi kurriz, e djeshmja asht nji realitet i përditshëm, pamvarësisht se mund ta rrejnë vedin për t’i dhanë vedit shpresë, apo rrehen nga të tjerët që i’u lejnë fajin për hallet e tyne—sikur të ishin fajtorë vetë ato, e hallet e tyne të mos i kishin rranjët tek e djeshmja.
Ministria e së vërtetës
Mohimi i plotë i gegnishtes nga standardi zyrtar asht rranja e mohimit të gjithanshëm që gegëve i’u asht dasht e i’u duhet me vuejtë nga qytetnimi zyrtar që jeton në saj të tij.
Por fryma qytetare zyrtare na ban me besue krejt të kundërtën, bash sikur të jetonim në nji botë Oruelliane.
Ajo na ban të besojmë se halli nuk qëndron te mohimi mizor i gegnishtes, por te dështimi i policisë së mendimit për ta mohu atë perjetësisht, për ta zhdukë në vrimën e kujtesës.
Vigjilenca që tregohet për ruajtjen e pastërtisë së standardit nga gegnishtja, ku e folmja e saj në hapësirën tonë të përbashkët shifet si shfaqje subversive, do të bante me u krenue edhe idhtarët ma të mëdhenj të ministrisë së vërtetës. Nji ministri me vullnetarë pa fund që mbrojnë të vërtetën zyrtare kurdoherë, kudo që gegnishtja ngre kryet në hapësirën publike.
Me këto rreshta do të cek në mënyrë telegrafike disa nga pikat kryesore që ngren zoti Vehbiu në reagimin e tij ndaj shkrimit tim ‘Rranjët e Universales’, për të vu në pah se si përdorimi i përditshëm i standardit asht i pandashëm nga vijimtësia e mohimit të gegnishtes, e shkaku madhor i gjendjes mjerane ku gjenden gegët sod.
Ju shkruani:
“Çështja që diskutohet i tejkalon caqet e përdorimit të standardit/dialektit, por po komentoj vetëm sa i takon kësaj si nënçështje. Supozojmë se jemi të ftuar në një televizion publik dhe dikush fillon të flasë gegnishten e Shkodrës (ose të Kosovës). Ky person është, besoj, i vetëdijshëm se duke vepruar kështu, sinjalizon edhe se nga është, në mos edhe pozicionimin e tij në çështje të standardit. Duke vepruar kështu, e ekspozon veten ndaj kritikës për partikularizëm, sa kohë që të ftuarit e tjerë përpiqen t’i mbahen standardit ose, në rastin më të keq, të flasin në ligjërimin bisedor të Tiranës, që ka integruar elemente të shumta nga e folmja e qytetit.”
Cilësimi juaj asht i saktë: ky person që flet në dialektin e tij do të dallohej qartë, si për përkatësinë e tij, ashtu edhe ndoshta për qasjen ndaj standardit. Por lidhja me partikularizmin, apo thanë ma shqip e shkoqun, me perkatësinë si gegë, mua nuk më duket kaq e qartë. Do të ishte e tillë, vetëm sikur ne ta gjykonim nji njeri për nga mënyra se si flet, dhe jo për atë ç’ka thotë.
Po sikur nji gegë të mos zotëronte standardin si duhet, por të ketë diçka me domethanie për me thanë, në gjuhën që ai din të shprehet ma mire, edhe kur nuk asht gegnishte letrare? A nuk duhet të ketë vend ne hapsirën publike për këtë njeri?
Nëse i shohim gjanat nga prizmi yt, ne shpjegojmë sociologjikisht me nji shembull të spikatun si kuptimin ashtu edhe forcën marramendëse të rolit, por kjo njohuri nuk na afron afër thelbit.
Thelbi ka të bajë me lidhjen mes standardit dhe gegënishtes.
Përse ndeshemi ne me një dukuri të tillë, ku standardi nuk e kapë e nuk e përcjellë fuqinë e imagjinatës të atyne që e folin, kur ata shofin mjetet rrethanore si mënyrën ma të volitshme për t’u shprehë? A nuk mësohet si duhet standardi, apo janë të trashë ata që nuk e përvetësojnë atë? Apo të dyja?
Apo mos e kemi hallin tek standardi vetë. Nji standard me të cilin pjesa ma e madhe e atyne që e flasin nuk e gjejnë vedin ne elementin ma themelor, bash në elementin që na ndan prej shtazorëve të tjere: aftësinë tone të shprehemi nëpërmjet fjalës, të japim e të marrrim mend, të ndryshojmë mendjen tonë e të tjerëve, e mbase edhe sjelljen e njerzve – jo me kamzhik, por veç nëpërmjet fjalës. Jo me pushkë, por me penë.
Kur flasim për një çështje kaq madhore, pra për ç’ka na veçon si njerëz, a mund t’ia lejojmë vedit të folim rreth saj sikur të ishte nji defekt teknik, nje ngërç administrativ që duhet të marre rrugën e zgjidhjes në mënyre zyrtare?
Unë thom jo.
Gjuha për të cilën e kam fjalën nuk asht veç një mjet komunikimi, siç ishte nji herë e nji kohë lingua franca, por ma tepër nji menyrë me qenë në kët botë. E kam fjalën per gjuhën e zemres, gjuhen e andrrave, gjuhen me te cilën lavdojmë jetën e vajtojmë vdekjen. Gjuha që përcakton frymën me të cilën kuptojmë vedin, botën që na rrethon e vendin tonë mrena saj. Gjuhën e shpresës e gjuhën e vetëdijes – gjuhë që s’ka të krahasueme me gjuhët e huaja që mëson, sado mirë t’i zotnosh ato.
Gjithmonë e ma shpesh i baj vedit pyetjen: pse unë arrij të shprehem rrjellshëm në gjuhë të huaja kur kam nji njohje siperfaqesore të tyne, por nuk gjej vedin në gjuhën që duhet të jetë gjuha amtare, pra standardin që ne po marrim në shqyrtim?
A mos jam unë problemi, që kam marrë arsimin e mesëm në nji shkolle fshati në nji periudhë ku mësimi ishte fjalë e huaj, a thua përnimend të kem nji mangësi te theksueme që vlekërka vetëm për standardin tonë?
Pra pse qenka kaq e veshtirë gjuha që duhet t’a flasë e të luaj me të krejt natyrshëm?
Standardi nuk asht gjuha jonë
Kam frikë se problemi ne këtë mes nuk qëndron veç tek unë, apo shumë të tjerë si unë. Hallin e kemi të dorës së parë – hall që na dërgon deri tek themelet e qytetënisë qe kemi ndërtu nan udhëheqjen e simbas frymës së Enverit.
Ju shkruani:
“Kur unë flas në publik, duhet të jetë tjetri dialektolog i trajnuar, që ta kuptojë se nga vij – unë kam lindur dhe jam rritur në Tiranë, në familjen time është folur edhe dialekti i Gjirokastrës, por tani – në familjen time të re – flas zakonisht një gegnishte të zbutur, ose të përzier (p.sh. them “kam shku” dhe jo “kam shkuar”). Megjithatë, në publik, për respekt të forumit ku jam dhe të publikut, unë gjithnjë përpiqem të flas në standard. Gjykoj se kompetenca ime për të qenë qytetar i mirë varet EDHE nga aftësia që kam për të kaluar nga një regjistër ligjërimor në tjetrin, sipas rrethanave. Dikush që flet gegnishten e Shkodrës (ose të Kosovës) në publik është, besoj, i vetëdijshëm se zgjedhja e tij për të folur kështu është subversive (ndaj rendit ligjërimor publik); dhe nëse është i vetëdijshëm, atëherë nuk duhet të habitet për efektet e kësaj zgjedhjeje, tek të tjerët që nuk veprojnë ashtu (nëse dikush vërtet nuk arrin dot të shprehet në standard, edhe pse përpiqet, atëherë me të ka dështuar sistemi shkollor publik). Për ta thënë thjesht: unë që flas me ty në publik nuk kam nevojë që ta di se nga vjen ti, për ta gjykuar argumentin tënd dhe për të dialoguar me ty, sa kohë që argumenti yt nuk ka lidhje me origjinën tënde gjeografike.”
Na po folim për diçka jetësore. Çështja nuk asht se si duhet të sillemi me standardin në lidhje me dialektet. Çështja asht nëse ky asht standardi i duhun, apo jo. Unë them se standardi i sotem i shqipes nuk asht gjuha jonë.
Këtu nuk bahet fjale për të tregu dashamirësi heroike apo mëshirë për gegnishten. Gegnishtja nuk asht për t’u mëshirue. Ajo ç’ka duhet mëshiru asht standardi i kashtës që na errëson mendjen e nuk na lejon të shofim e shijojmë pasuninë e hiret e gegnishtes.
Ajo që asht për t’u mëshirue asht qasja jonë kundrejt gegnishtes, jo vlera e gegnishtes.
Kur ju si dijetar i gjuhes e shifni të pëlqyeshme të shpreheni me nji gegnishte të zbutun në mjedisin ma të shtrenjtë, pse nuk duhet të vlejë për të gjithë ne, t’a kemi të gjithë kët mundësi? Që standardi jonë të jetë gjuha jonë e të rrezatojë forcën e pasuninë e thesarit të gjuhes sonë.
Unë pajtohem me ju kur thoni se e folmja në nji gjuhë të kuptueshme shihet si nji shenjë respekti për ata që t’shofin e ngjojnë, por kjo vlen vetëm nëse i shof gjanat nga prizmi i standardit. Pra nga pika vrojtuese sunduese, që kërkon nga gjithë të tjerët, të gjithë ata që folin shqip, të përtypin standardin.
Vetëm nëse marrim standardin si pikënisje të mirëqenë, mund të rrejmë vedin se mohimi i gegnishtes asht virtyt i standardit.
Puna asht se neve hallin e gjejmë n’rrajë—e kemi tek standardi. Asht sikur dikush që prek trupin me një gisht të thyem, e kujton se trupi asht n’agoni, kur në realitet asht vetëm gishti i thyem që shkakton dhimjen. Standardi asht gishti i thyem.
Thelbi i çështjes asht mali që kemi përpara nesh: pra arsyeja pse ligjërimi publik asht kaq përjashtues për ata që kanë gegnishten si gjuhën e nanës—pra shumica dërrmuse e shqiptarëve.
Sistemi shkollor asht me randësi të madhe këtu, por vetem nëse ajo që mësohet n’shkollë asht me vlerë. Sistemi shkollor mund të jetë afër së përsosunes, por kur mëson terrin, nuk ka si me na nxjerr n’dritë; n’fakt, na mban t’ngërthyem në terr të përjetshëm, gjithnji tue na ba me mbajt vedin për t’shkolluem. ‘Huta me shkollë’, sikur i thonë.
Në kët rrafsh nuk kemi t’bajm me peshën e prejardhjes mbi atë qa themi dhe si e themi – por me arsyet se pse pesha e prejardhjes shifet si barrë, dhe jo si nji pikë mbështetje, nga ku mund të shohim madhështinë e shumanshme të gjuhës sonë; si nji burim i pashterrshëm që përçon nji za ndryshe në polifoninë tonë kombtare, nji gur tjeter themeli për t’përforcu kshtjellën tonë t’shqiptarise, duke na pasunu të gjithëve si shqiptarë.
Pra përse rreshtohemi në barrikadën e mbrojtjes kundra vedit e përjashtimit të vedit, dhe nuk hapin krahët e pranimit e përfshirjes, të jemi ma bujar e dashamirës mes vedi, e jo veç me të huajt, që duket se i mbajmë nalt me përulsi porsi Zotin.
Unë jam për dialog, por vlera e tij varet nga thelbi që shoshisim nëpërmjet dialogut, e kushtet e dialoguesve. Dialogu mund të jetë mjet i artë n’kërkim të të vërtetës, por edhe nji rrugë e volitshme për mohimin e saj. Duhen pa rrethanat në të cilat zhvillohet dialogu për ta cilsu atë si diçka të dobishme, apo jo.
Në debatin televiziv që përfytyroni ju, unë nuk shof dialog, por njerz që bajnë punën e ministrisë së vërtetës, me dije ose me padije.
Pse mos t’ia japin dorën gegnishtes?
Ju shkruani:
“Këtë e ndërlikon edhe më fakti që gegnishtja, me të cilën dalin në publik disa, nuk është aq e konsoliduar, si variant letrar, për të përballuar standardin. Kjo, sepse ata që e flasin, për arsye të ditura, nuk e kanë studiuar kurrë në shkollë dhe, në një mënyrë ose në një tjetër, gjithnjë improvizojnë. Gegnishtja këtyre u del herë pas here gjysmake, e cunguar, me trajta të luhatura, e përzier me forma të standardit (unë këtë mund ta provoj me hollësi, por nuk besoj se është rasti). Është shumë e vështirë të flasësh sot një gegnishte letrare aq të rafinuar, sa t’i afrohet standardit, sepse gegnishtja letrare praktikisht nuk po praktikohet as po kultivohet më. Kjo ia ul vetvetiu statusin atij që kërkon të pozicionohet politikisht, duke përdorur gegnishten atje ku PRITEJ që të përdorte standardin.”
Pajtohem plotësisht në këtë pikë. Nuk kam nevojë të shoh përtej vetes për te pranu se sa e mangët asht mënyra se si shkruhet gegnishtja, dhe e di fort mirë se sa borxhli i jam kur s’e shkruej si duhet.
Gegnishtja e sotme letrare gjendet në kushtet e mbijetesës. Bajmë fjalë për nivelin e Nard Ndokës, e jo te Fishtës.
Por do të ishte e habitshme sikur gegnishtja të mos ishte në këtë gjendje, me krye në hi.
Gegët e letrave që mbanin gegnishten gjallë u shfarosën. Veprat e tyne u syrgjynosën, bashkë me gjuhën. Folësit e saj u shtypën e u lanë mbas dore, për nji gjysë shekulli. Vendin e tyne e zuni sundimi gjakatar komunist, që i bani me mendu për gjuhën e kulturën e tyne sikur të ishin gjana prapanike për ti mbulu me dhé, për t’u zhdukë ne vrimën e kujtesës.
Gegëve iu desht t’i binin mohit rranjeve të tyne e t’i thurnin lavde robnisë së tyne. Me iu thur kangë e knue me dorë n’zemër sundimit të ri, në të folmen e re Oruelliane, në standardin e ri—bash si të ishte gjuha e pushtuesit.
Sod na takon të zgjedhim si te sillemi kundrejt kësaj ndodhie historike—apo katastrofe kombëtare, nëse gjykojmë sikur të ishim nji komb.
A e mbulojmë me dhé gegnishten, ta varrosim të gjallë, aty ku tani dergjet me kry në hi, për të mos me na bezdis ma? Apo t’ia japim dorën me e çu në kambë–me e ngjallë prap e me ia përtëri e vlerësu hiret e saj. Gegët rifitojnë hirin e nderin që iu takon, e ne të tanë gjejmë nji gjuhë që na përket e na naltëson.
Këtu nuk bahet fjalë për nji garë mes gegnishtes letrare dhe standardit. Unë e kam fjalën për ndryshimin e standardit. E kam fjalën për formimin e një standardi të ri që përbashkon të dyja krahët e shqipes.
Standardi si tra
Kjo sepse standardi zyrtar funksionon si postbllok i një zaptuesi, ku gegëve ju bahet nji kontroll i imtësishëm për t’mos i leju të trafikojnë gjuhën e kulturën e tyne në gjuhën e kulturën tonë t’përbashkët—që veç të përbashkta nuk janë.
Na me të drejtë mund t’ habitemi me traun e Kukësit që i’ua vumë përpara shqiptarve të Kosovës, por trau i standardit asht gjthkund, edhe ma i madh e ma i fortë—pse nuk asht krejt i dukshëm apo i drejtpërdrejtë për t’u vëzhgue.
Trau i standardit vepron kudo, edhe në zonat ma të thella të Gegnisë, gjthkund ku qytetnimi zyrtar ka kthetrat e tij, dhe që i mban t’ ngulme në emen t’ shqiptarise. Ma keq asht kur traun e kemi të tane në kokë, siç kanë gjermanët ish-murin e Berlinit apo die Mauer im Kopf.
Tani imagjino për një çast, sikur gegët të mos zotrojnë si duhet as gegnishten dhe as standardin qe kemi sot. Me thanë të drejtën kjo gja kërkon shumë pak imagjinatë: mjafton të hapim sytë me deshirën e mirë me pa, për të vërejtë që ky asht realiteti i përditshëm për pjesën dërrmuese të gegëve.
Por lypet me e nxitë pak imagjinatën për të kuptu mjerimin pa fund qe i’u shkaktohet gegëve nga qytetnimi sundues që buron prej standardit e fshihet mas tij. Kur format ma jetësore të pushtetit që ushtrohet çdo ditë, shiten e blihen në monedhën e standardit zyrtar.
Fakti që jemi me kët standard nuk dëshmon përshtatshmërinë e tij apo epërsinë mbi gegnishten, por asht shembulli ma i spikatun i kastes zyrtare që sillet si zgjedhë sunduese.
Ky standard nuk mishëron perkushtim deri ne vetflijim për mbrojtjen e nji ideali kombëtar, apo së mirës së përbashket. Ai vé në pah nji nga mjetet jetësore me të cilat kasta sunduese mbush barkun, e sundon sikur të ishte Enveri gjalle.
Disa e bajnë kët punë sepse dinë se qa bajnë. Të tjerët ngase tjetër nuk kanë qa të bajnë. Dhe shumica dërrmuese që çojnë ujë ke mullini i sundimit për me i përblue, e bajnë atë pa e ditë se po e bajnë atë gja; po ta dinin, do t’ju digjte zemra për ndonjë fletë lavdrimi për punën e tyne të palodhun vullnetare.
E kështu, si për mrekulli, i kthejmë gegët sikur duam t’i kemi—ma së shumti si ushtarë trima e atdhetarë të zjarrtë, si punëtore krahu e partiakë të flakët. Pra si mish për top.
Por jo si njerz të vetëdijshëm për vlerat e aspiratat e tyne.
Pra me standardin që kemi dhe qytetënimin zyrtar që mbahet tek kjo, na bashkarisht bajmë atë që Stalini ju bani Polakëve —për dikand nji e keqe e nevojshme për të sundu një popull, për dikand tjetër shfarosja e ajkës intelektuale të nji populli që e vuan edhe sot e kësaj dite. Por kësaj rradhe e kemi lanë pushkën meqë pena mjafton.
(c) 2020, Gjovalin Macaj. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
si njeri jo i fushes por qe me pelqen ideja e levrimit te shkrimit edhe ne dialekt kam nje pyetje. a nuk mund te gjendet nje kompromis ku gjuha standarte perdoret ne te gjithe hapsiren zyrtare dhe dialektet ne lemin letrat.? une besoj se dialektet jane nje thesar qe nuk duhet humbur por duhet mbrojtur.
Ka një numër të vogël folësish të gegnishtes veriperëndimore, qendrore dhe nga Kosova, që ngrenë zërin, ndonjëherë me të madhe, për “të drejtën” që ta shkruajnë dialektin e tyre (si variant letrar – kjo nuk ka lidhje me thirrjet e një lloji tjetër, për integrimin e gegnishtes në një standard të ri). Nuk besoj se kjo përfshin bartës tipikë të gegnishtes nga Tirana, Durrësi dhe Elbasani. Është mirë që kush provon ta shkruajë gegnishten, të mbajë një farë standardi në të shkruar. Gjon Buzuku e shkroi shqipen për herë të parë, e megjithatë shqipja e tij është më e standardizuar se shumica e teksteve që shkruhen dhe botohen sot në gegnishte (përfshi edhe këtë më lart). Dua të them, pavarësisht se si dhe ku e shkruajnë, duhet të bien dakord për një dorë rregullash drejtshkrimore dhe gramatikore që do të ndjekin – sepse sot për sot, mezi gjen dy nga këta që ta shkruajnë njëlloj: disa duan të ndjekin traditën e shkodranishtes letrare, të tjerë të variantit letrar të Kosovës, të tjerë duan t’i shpikin rregullat sipas dëshirës, të tjerë akoma kujtojnë se mjafton “të shkruajnë” të folmen e tyre dhe shumica hyjnë në ujë pa ditur not. Situata është jo vetëm kaotike, por edhe e padenjë për prestigjin letrar të gegnishtes vetë. Të gjithë këta që i dalin zot gegnishtes letrare, do të duhej të uleshin bashkë dhe të binin dakord për një standard – qoftë edhe duke adoptuar atë të Prishtinës të viteve 1950 (nëse nuk gabohem). Dhe pastaj ta ndiqnin. Për t’i dhënë gegnishtes së tyre një fytyrë dhe një profil publik të pranueshëm. Sa herë që i dëgjoj të ngrihen të protestojnë, më duket sikur e kanë inatin me veten – ose pse nuk po arrijnë dot të merren vesh mes tyre. Të thonë: kemi pengesa nga shtëpitë botuese. Ndoshta kjo vjen ngaqë shtëpitë botuese nuk duan të rrezikojnë me botime librash që e kufizojnë, që me ligjërimin e përdorur, numrin e lexuesve (po të ishin të sigurta për tregun, shtëpitë tona botuese me zell do të nxirrnin libra edhe në dogançe). Ndoshta vjen ngaqë shtëpitë botuese duan të ndjekin standardin zyrtar – dhe për këtë nuk i qorton dot. E mira do të ishte që një shtëpi botuese të specializohej në botimin e letërsisë së re në gegnishte, duke garantuar edhe standardizimin e saj. Sidoqoftë, unë nuk arrij ta shoh gegnishten letrare të praktikuar seriozisht përtej sferës së kulturës: letërsisë, teatrit, televizionit dhe radios. Sa për gegnishten në Internet, në SMS dhe në chat-e (njëlloj si atë të rappers nga Kosova), nuk do ta quaja mirëfilli letrare. Ideja ime është që variantet letrare të specializohen (të funksionalizohen) në raport me standardin, përdorimi i të cilit duhet imponuar me ligj, në rrethana specifike (p.sh. në legjislacion ose në ligjërimin e akteve publike gjithfarësh). Një tjetër ligj do të duhej menduar, për respektin e standardit në çdo botim – pavarësisht nga cili standard: një libër i botuar në variantin letrar të Shkodrës, duhet të ndjekë me ligj standardin e atij varianti që ka zgjedhur.
Auron,
Une do te doja mendimin tend nese ka apo s’ka te vertete ne thenien e z. Macaj:
“A e mbulojmë me dhé gegnishten, ta varrosim të gjallë, aty ku tani dergjet me kry në hi, për të mos me na bezdis ma?”
personalisht sa here shkoj ne Shkoder ndaloj ne Librarine e Franceskaneve per te blere librat e fundit ne se ka apo revisten e hyllit. deri me sot nuk kam degjuar ndonje shtepi botuese qe ndalon nxjerren e librave apo botimeve pasi jane ne dialekt. pra nuk ka ndonje kufizim te dialekteve ne publikime. ne se me tregon ndonje rast jam kurioz ta di. nuk besoj se ka ndonje tendence per te zhdukur gegenishten pasi duhet te kete njesoj tendence per zhdukjen e toskerishtes. mendoj se ka nje lloj qendrimin reflektar tek ata qe shkruajne gegerisht edhe pse botohon perseri kane tendencen apo maninen e persekutimit. nuk me rezulton se zoti Macaj ka te drejte ne thenien e mesiperme
Pas nderhyrjes se Adrianit, u nisa te shkruaja gjate por s’ia vlente se keto gjera jane diskutuar mjaft here ketu ne pejsazhe. Per mua me e rendesishme eshte ruajtja e te folmeve dialektore se shkrimi ne standart, apo dialekt. Krim eshte te persekutohet tjetri pse flet ne dialekt, kur ne standart nuk flasin as vete tosket. Gjinushi p.sh. qe eshte bere dhe kryeakademik e eshte rritur ne Tirane flet sikur te kete ardhur sot nga fshati i tij, Ruci kryeparlamentar po ashtu, Fino kur ishte kryeminister po ashtu, Xhafa minister i brendshem po ashtu, disa aktore, Asqeriu psh po ashtu, madje nje rotacizem te forte ka dhe akademiku Doja- nuk e di eshte rritur ne Tirane apo eshte i ardhur. Pra Kur keta toske nuk bejne as perpjekjen me minimale per te qene korrekt me teleshikuesin, dhe e kane shume te lehte se standarti eshte i toskerishtes, s’e kuptoj pse i qepen gegeve kur per ta kalimi ne standart eshte nje kercim se gjati shume i mundimshem, madje i kote kur vete tosket s’japin shembull per kete. Ne nje diskutim te dikurshem, ketu ne Pejsazhe, Ardiani pat thene se nuk eshte pune e te folmes por e drejshkrimit…apo se e folura duhet te shkoje sipas drejtshkrimit. Une per kete s’jam i qarte dhe i paqarte kam mbetur dhe me nderhyrjen e Teutes se ka manuale per drejtshqiptimin…nuk e di, ku jane keto manuale. Ajo qe thote Ardiani se e folura shkon me shkrimin bie ndesh me ë-rat e patheksuara e te tjera gjera qe do ta benin te padurueshme te foluren standarte…
Pra ketu ka shume per te thene, por per t’mos u zgjatur por rihedh edhe nje here pyetjen e para ca diteve per te cilen nuk mora pergjigje:
-Perse, p.sh. gjuhetaret kane vendosur qe foljes “me hanger” t’i heqin pjesoren -hanger- e t’i ngjisin mballomen -ngrene-? nderkohe qe kjo folje eshte e plote ne te gjithe zhvillimin e saj gramatikor?
– Perse, psh. gjuhetaret kane vendosur sot (se ne librin e Demiraj, Agalliu s’ka qene keshtu) ta quajne paskajore formen e pashtjelluar -per te + pjesore – ? a eshte shkencerisht korrekte kjo? dhe ne fund te fundit cili eshte shkencerisht korrekt emertimi i kesaj forme? ose ç’emertim ka pasur kjo forme gramatikore para standartit te 72-shit? forma -me+pjesore- e gegnishtes para kwsaj kohe eshte quajtur paskajore, po kjo tjetra?
Shkruan:
Më paskeni lexuar në mënyrë shumë post-moderne.
Pikëpamja ime, për këtë punë, që e kam shprehur shpesh, është se standardi duhet zbatuar më parë dhe kryesisht në drejtshkrim dhe më pak në drejtshqiptim. Gjykatësi mund edhe ta parashtrojë vendimin me trajta të gegnishtes (p.sh. duke thënë ka shku në vend të ka shkuar), por duhet ta shkruajë në bazë të normës.
Shkruan:
Besoj se me “të folme dialektore” keni parasysh dialektet gjeografike. Të cilat për mendimin tim nuk kanë të ardhme, pse rrezikohen nga shumë anë: nga lëvizjet e popullsisë (masive), përzierjet, trysninë e mass mediave (televizioni) dhe efektin rrafshues të shkollës. Çfarë po ndodh dhe çfarë do të vazhdojë të ndodhë, për mua, është konvertimi i dialekteve gjeografike në dialekte sociale. Në Tiranë tashmë një version i gegnishtes së Tiranës (tironçja) po përshtatet si formë e ligjërimit bisedor. Mes kosovarëve, kam parë një formë të shkruar pseudo-dialektore që përdoret shpesh në Facebook dhe në chat-e. Në këto rrethana, kur të gjithë janë të interesuar për avancim social (shkollim, vend pune i mirë) dialekti rrezikon të ruhet më mirë në xhepa në emigracion, sepse atje përshtatja gjuhësore nuk është problem (bëhet në një gjuhë tjetër). Nga ana tjetër, mbetjet e dialektit gjeografik mund të përdoren dhe do të përdoren për të ndërtuar me to zhargone (si ai i rapper-ëve) ose forma të tjera diferencimi të grupit. Përkundrazi, dialekti gjeografik do të ruhet – nëse do të ruhet – në qarqe elitare, që i përkushtohen kultivimit të traditave lokale.
Edhe një gjë: sociolinguistika nuk është tamam fusha ime. Më vjen keq që shumë sociolinguistë i lexojnë këto faqe dhe nuk shprehen, edhe pse do ta bënin këtë më mirë se unë dhe të tjerë këtu, duke i dhënë tjetër kalibër diskutimit.
(përgjigjja ime nuk e përjashton përgjigjen e Auronit; shpresoj ta plotësojë)
Edhe pse shkrimi i Gjovalinit nuk bën ndonjë dallim të prerë për sa do të shkruaj, unë besoj se “të pakënaqurit” me standardin, ose të gjithë ata që besojnë se në 1972 gegnishtes letrare iu bë një padrejtësi epokale, ndahen në dy grupe me objektiva të ndryshëm: njëri grup kërkon të reformojë standardin, duke integruar në të më shumë elemente të gegnishtes (elemente fonetike specifike, forma gramatikore si paskajorja, fjalë të lëna jashtë fjalorit normativ, etj.) ose edhe ta rithemelojë standardin, në bazë të një pakti të ri qoftë shtetëror qoftë kombëtar; grupi tjetër, duke menduar se standardi nuk i përmbush nevojat gjuhësore dhe kulturore të popullsisë gege, nuk kërkon të reformojë standardin, por vetëm t’ia heqë privilegjin, t’ia ndryshojë statusin, t’ia mohojë hegjemoninë, gjithë duke lejuar në mos promovuar kultivimin e një varianti letrar të bazuar në gegnishten veriperëndimore (shkodranishtja letrare) ose atë verilindore (kosovarishtja). Disa nga këta të grupit të dytë, me të cilët edhe kam biseduar gjatë në privat, mendojnë se integrimi i mëtejshëm ose më i thellë i gegnishtes në standard do të ishte dënim me vdekje për traditën e lëvrimit letrar të gegnishtes; këtyre ju intereson gegnishtja, jo standardi (që këtej, edhe kritika ime ndaj tyre, për nevojën e standardizimit të gegnishtes). Besoj se kërkesat e këtyre dy grupeve, edhe pse frymëzohen nga i njëjti pasion për të ruajtur vlerat dhe virtytet e gegnishtes si dialekt dhe si variant letrar, nuk mund të pajtohen mes tyre: nëse gegnishtja do të integrohet më fort në standard nëpërmjet reformës drejtshkrimore dhe normative, atëherë gegnishtja letrare si e tillë nuk ka të ardhme; nëse gegnishtja letrare do të arrijë të organizohet si variant letrar përballë standardit – p.sh. duke u standardizuar – atëherë arsyet që sillen për integrimin e mëtejshëm të formave të gegnishtes në standard nuk do të kenë më forcë. E kuptoj që ka edhe një zgjidhje maksimaliste, e cila edhe kërkon reformën drejtshkrimore për t’i hapur vend formave të gegnishtes në standard, edhe nxit dhe mbështet kultivimin e gegnishtes letrare; por në këtë pikë do të përligjeshin gjithfarë forcash centrifugale, p.sh. lëvrimi i varianteve letrare të toskërishtes, elbasanishtja, e kështu me radhë, çfarë do të kishte kosto të mëdha politike, kulturore dhe mirëfilli ekonomike. Nga ana tjetër, unë nuk shoh si mund të shkëputet kultivimi i gegnishtes letrare sot nga elitarizmi, sidomos sa i përket shkodranishtes letrare – të cilën më duken fare të paktë ata që janë në gjendje ta shkruajnë dhe ta lexojnë. Duhet mësuar në shkolla, vërtet, por a do të ishin të justifikueshme kostot, në raport me përfitimet? Me sa di, as Vatikani nuk e mbështet aktivisht ligjërimin fetar (librat, liturgjitë, shërbesat) në një variant të ndryshëm nga standardi, në një shtet shumë-fesh, si Shqipëria.
Ardian,
per mua, dhe e them sinqerisht, nje teme mjaft e rendesishme per t’u hapur do te ishte drejtshqiptimi, se drejtshkrimi ne fund te fundit nuk eshte me nje problem ne shkrimet serioze; nuk flas per gegnishten si tendence e re e disa autoreve, madje kot e gjitha kjo se asgje e keqe s’e gjen shqipen nga nje ecje paralel e saj, per te pare dikur dhe rezultatet, do te ishte interesante madje. A s’jeni ju dhe akoma me teper disa kolege tuaj, si Demiraj, Shamku, se s’po me vin nder mend te tjere qe me vetedije keni filluar te perdorni fjale dhe madje forma gramatikore te gegnishtes ne shkrimet tuaja? çfare dhe eshte per t’u pershendetur…
Dhe si shtese te komentit te mesiperm: une vete jam rritur ne nje lagje tironsish(Dervish Hatixheja)dhe s’e kam fare problem kete dialekt; nderkohe pallati ku banoja kishte me shume korcare, e nderkohe im ate fliste toskerisht(vlonjatshe, se andej ishte), mamaja gege safi s’u degjhua kurre te fliste gegnisht, kishte nje letrare perfekte; dajat gjithashtu; gjyshja e mamase gegnishte (mirditorçe). Me shembullin e mamase, qe ne fakt toskerishten e pervetesoi ne Vlore dhe standartin ne Tirane, kam parasysh shembullin e atyre zyrtareve qe as ju rruhet se u kercasin ë-rat e rr-rat si per inat te standartfolesve heterogjene te Tiranes, siç jam une , ti e shuem te tjere…
Ti vete i ke sqaruar keto gjera here pas here, por pyetjen ia drejtova Tares sepse ai u be shkak per kete rradhe te gjate shkrimesh, qe aty rrotullohen me ndonje devijacion te vogel. Nuk do te doja t’i numeroja, se kush me hapur e kush terthorazi te gjithe i erdhen pas Auronit. U bene shume madje.
Ne pergjigjen e nxehte, nder te parat fare ne shkrimin e Auronit, i kam thene gati te gjitha,”antropologjikisht”. Dhe me shkrimin tend te fundit, me pare dhe me ate te Yzeirit me erdhi ne shteg, madje t’ia kercisja fort “antrop[ologjikisht” , por prap them se fare shkurtazi e kisha thene dhe tek komenti i Auronit. Vete nga vete, kjo pune me shume se shkencore eshte pune palesh, e ketu s’ka gjuhetar qe i del zot.
Megjithate pres pergjigje per per pyetjen specifikisht gjuhesore te mepershme. Edhe nga Auroni nese mundet, madje me shume prej tij, se nuk kerkon shume shkence pergjigjia.
Me sa mbaj mend, norma në drejtshqiptim është diskutuar sidomos në kontekstin e hiperkorrektizmit kosovar – ose përçudnimi që i bëhet shqipes standard të folur, nga mësues dhe të tjerë folës publikë në Kosovë, që duan t’i rrinë besnik standardit, duke i shqiptuar të gjitha ë-të. Ndërkohë që, për mendimin tim, standardi në të folur do të zotërohet atëherë kur folësi ta dijë, pak a shumë me siguri, sa mund të shmanget nga norma, pa “e shkelur”. Normë drejtshqiptimi të shqipes standard nuk ka. Ka një luhatje në interpretimin e parimit themelor të drejtshkrimit: (1) shqipja shkruhet ashtu siç shqiptohet apo (2) shqipja shqiptohet ashtu siç shkruhet. Sot, sa i përket standardit, do të thoja se është shkrimi ai që i jep stabilitet shqiptimit dhe jo e kundërta. Askush nuk i shkruan fjalët ashtu siç i shqipton. Por – dhe kjo ka rëndësi – i shkruan siç ia kanë mësuar t’i shkruajë dhe siç i ka shkruar në të shkuarën. Kjo do të thotë se shkrimi, në nivelin e përdoruesit individual, nuk ka më lidhje me të folurit (shqiptimin).
Pikerisht dialektet gjeografike kisha parasysh. Ndersa per konvertimin e dialekteve ne dialekte sociale, qe ti permend e ku bie plotesisht dakort; do te shtoja(gjithnje ne rrjedhe te fillimit te ketij diskutimi) se, ketu ne Tirane, pikerisht nen efektin e dialektit te vendasve, ardhesit toske e zbuten rrotacizmin dhe ë-n ne ate mase, sa toskerishtja kryeqytetese u be krejt tjeter nga ajo e zonave te jugut prej nga kish ardhur. Ky eksperiment jashtelaboratorik, krejt natyral, i ndikimit pozitiv te gegnishtes mbi toskerishten, ka dhene frut te mire. Pra gjuha ka ligjet e veta te zhvillimit, e gjen shtratin vete, si lumi, dhe s’pyet per shkencen. Shkenca pastaj nga ana e saj sigurisht qw ka shume me ç’te merret ne grumbullimin dheinterpretimin e te dhenave…
Perfundimisht: nderveprimet ekzogame edhe ne gjuhe jane me te shendetshme se ato endogame. Dhe ti e kupton qe me kete te fundit, qe s’e kam per here te pare, hapet nje teme tjeter, edhe kjo per Taren, por sidomos per ke deshiron ti shikoje çeshtjet e gjuhes me sy ANTROPOLOGU.
Nga leximi i shkrimit te autorit Macaj, nuk eshte veshtire te kuptohen disa gjera:
1. Duket qarte qe autori ne Shqiperi ka pasur nje shkollim te nivelit te ulet ( me sa duket ka mbaruar nje shkolle te mesme ne fshat, dhe per kete nuk eshte faji i tij ).
2. Autori duket qarte qe, jo vetem nuk e njeh standardin e Gjuhes Shqipe te cilin e anatemon sikur te ishte djalli vete, por ai nuk e njeh mire as dialektin Gege. Prandaj ai ( dhe jo vetem ai ) flasin per Dialektin Letrar Gege. Nuk ka pasur dhe as ka nje dialekt standard gege pasi, jo vetem popullsia injorante e veriut dhe Shqiperise se mesme ( ashtu si ajo e jugut) nuk kane folur dhe as flasin te njejtin dialekt por edhe vete autori i shkrimit ( qe prezantohet si njeri i shkolluar jashte ) shkruan me shume gabime edhe atehere kur kerkon te shrehet gegerisht. Gjithashtu, dihet se edhe autoret e ditur gege nuk kane shkruar nje gjuhe te njejte gege por me dallime mjaft te medha.
3. Duket qarte qe autori ka me shume mllefe dhe dhe pasione politike sesa probleme gjuhesore. Ai ( besoj, me te drejte ) ka urrejtje per sistemin politik gjate te cilit u krijua gjuha standarde dhe kjo eshte arsyeja kryesore qe ai shprehet emocionalisht dhe politikisht per gjuhen dhe standardizimin e saj. Ai arrin deri aty sa thote se ” kam marre arsimin e mesem ne nji shkolle fshati ne nji periudhe ku mesimi ishte fjale e huaj “. I mire apo i keq, arsimimi ka qene nje veper madhore e kohes dhe jam i sigurt se paraardhesit e z. Macaj nuk kane ditur as shkrim dhe as lexim. Mesimi nuk ka qene fjale e huaj por e drejte dhe detyrim ndersa arsimimi i larte ( padrejtesisht ) iu eshte mohuar mjaft familjeve te cilat ishin konfliktuar me regjimin. Nuk mund te paraqesesh statusin vetjak si status mbarekombetar.
4. Vete fakti qe autori e konsideron standardin gjuhesor si ” ” gjuha e pushtuesit ” mjafton te kuptohet se reagimet e tij jane shtytje emocionale dhe jo racionale ndaj standardit. Ai duhet ta dije se shume vende perendimore kane si gjuhe standarde nje forme te shkruari qe dikur perdorej nga nje pakice e atij populli.
5. Standardi gjuhesor nuk pengon askend te shprehet dhe te shkruaj ne dialekt ( e, po deshi, edhe ne nendialekt ). Askush ne bote nuk ka bere perpjekje qe standardin letrar ta modifikoje ne menyre te tille qe te mundesoje kuptimin e shkrimeve te Mesjetes apo Lashtesise prandaj autoret e nderuar gege mund te lexohen e kuptohen nga ata qe duan t’i lexojne. Por, e folura dhe e shkruara gege ka ( si kudo tjeter ) shume forma dhe perpjekjet per ta bere standardin 50% me 50% jane qesharake dhe jo shkencore, madje te pamundura.
Standardi i gjuhes shqipe eshte Autostrada qe lidh Jugun me Veriun dhe Lindjen me Perendimin. Dialektet jane rruge te rendesishme brendaperbrenda hapesires ku levrohen. Kush ka ndjenja kombetare respekton standardin edhe pse mund te flase e shkruaj ne dialekt. Krahinarizmi dhe emocionet politike jane te demshme dhe te destinuara te mos perfillen.
Diogjen,
po pse t’mos jete ne sens te kundert autostrada qe thua zotrote? pse Jug-Veri e jo Veri -Jug?
Pse mos ta kthejmë penën edhe në kazmë atëhere?
Hajde, pra, le të shkatërrojmë edhe hekurrudhën Rrogozhinë – Fier vetëm sepse e kanë ndërtuar komunistët…?!
Autori bën mirë që shfryn, por do të bënte shumë herë më mirë edhe të lexonte pak më shumë në këtë fushë.
Askush sot në Shqipëri nuk pengohet të shkruajë në gegërisht, me variantet e saj: shkodranishten, dibranishten, tirançen, të folmen e Elbasanit, apo edhe “dogançen” po të dojë… Një anëtar “novic” i Akademisë biles shkruan vetëm shkodranishten “katolike”, por kjo nuk e pengoi Akademinë ta pranonte në gjirin e vet.
Kjo temë është rrahur dhjetëra herë në faqet e kësaj reviste. Ja një shembull:
https://peizazhe.com/2010/11/18/6072/
Autori është pa dyshim i suksesshëm në fushën e vet si dhe në shprehshmërinë në anglisht, për çka i heqim kapelen. Sa u takon mangësive në standard, apo edhe në gegërishten e tij, vallë ia ka kush fajin përveç vetvetes?
…meqë jeni akoma ne “ditët e eneverit”, mund edhe te shembesh ato udhe-hekuri qe nuk hipi treni kurre mbi to!
Hovin revolucionar mund ta shkrini edhe mbi Uren e Tarazhit qe ngeli “dhurate” nga “aksionisti” dhe pastaj mund te japesh mendimin e kazmes edhe ndaj gegerishtes ne versionin tosk..!
Pa lëshuar kazmën nga dora, mundesh edhe të gjeni eshtrat e At Gjergj Fishtes, Homerit Shqiptar, mundesh edhe te kërkoni për “armë” nëpër kisha e tu thyni dhëmbë e dhëmballë priftërinjve nëpër biruca e burgje..!
Mos e lësho kazmën, si “amanet” të Toger Babës, e bjeri Gegërishtes si armikes tënde e hidhe vallen me muzikë greke..!
Gegnishtja asht gjuha e t’parve ton pri Janine e deri n’Mitrovic, asht xhep qi perkun engjuj shqyptar e qi ruen flamurin e Gjergjit ‘Madh..!
I dashur Gjovalin, faleminderit për mundësinë që më jepni për t’ju afruar çështjes në dukje gjuhësore nga një pikëvështrim që për mua është gati i pamundur për shkak të përkatësisë dialektore. Është e lehtë për mua ta marr ‘standardin’ të mirëqenë meqë e kam marrë ‘me qumështin e nënës’ dhe të harroj që gjuha që ti ke marrë ‘me qumështin e nënës’ është po aq e vlefshme dhe e domosdoshme për identitetin tënd siç është edhe për timin.
Fatkeqësisht ambienti ku besoj shumica prej nesh jemi formuar në masë të konsiderueshme, që pamvarësisht nga përpjekjet tona për ta tejkaluar vazhdon të influencojë zhvillimin tonë, na e bën të vështirë të kapërcejmë dualizmin brutal me të cilin jemi ushqyer. E them këtë pikësëpari nga përvoja personale, pa patur nevojë të drejtoj vështrimin te të tjerët apo te shoqëria shqiptare. Mendoj se është e rëndësishme të ndërgjegjësohemi për këtë ‘sëmundje’ në një farë mënyre të trashëguar në mënyrë që të kemi mundësi të shërohemi apo çlirohemi; udhëtim ky që kam përshtypjen, që shumë prej nesh, do të na marrë githë jetën.
Shpresoj se theksi jashtëgjuhësor që ju sillni në këtë shkrim do të konsiderohet seriozisht nga dijetarë si të gjuhësisë po edhe më gjërë. Një identitet i mirëformuar dhe mirëinformuar përbën themelin e çdo shoqërie të lirë dhe të pëqlyeshme për të bashkëjetuar.
Gjithë të mirat,
Ilir Mitrushi
Tema eshte trajtuar shpesh nder vite, po ceshtja e standartit eshte pak a shume keshtu.
Do te bazohet ne nje variant dialektor, jo domosdoshmerisht varianti qe ka topa, tanke e avione. Para levrimit letrar vjen aspekti numerik i folesve te variantit, se levrimi letrar vjen vete e ska ndonje gje te vecante qe nje variant dialektor e arrin dhe varianti tjeter nuk e arrin dot. Pak a shume puna e levrimit eshte ceshtje imperializmi dhe supremacie kulturore qe nuk ka ndonje baze reale ( cdo variant e dialekt ka kapacitete letrare).
Pra, baze per standartin do te jene ose toskerishtja veriore ose kosovarishtja sepse kane nga 1.5-2 milion foles secila.
Meqenese kosovarishtja ne Shqiperine Londineze perfaqesohet nga gegerishtja e Kukesit, e Hasit dh’e Tropojes, atehere per te njejta arsye praktike e numerike ngelet qe ne Shqiperine Londineze standarti duhet te jete i bazuar ne variantin tosk qe njihet si toskerishtja veriore.
Kur te kemi Shqiperine Etnike ose te pakten bashkimin e Kosoves me Shqiperine, mund te ngrihet ceshtja nese shteti i bashkuar duhet ta bazoje standartin tek toskerishtja veriore apo tek kosovarishtja.
Megjithate ne Shqiperine e Bashkuar mund edhe te bihet dakort per elbasanllishten, meqe nje avantazh numerik ne Shqiperine Etnike geget padyshim e kane ( ne Shqiperine Londineze nuk e kane, prandaj s’kane pse sikletosen shume, ne fund te fundit shteti duhet te jete praktik e tu sherbeje sa me shume banoreve).
As tani dhe as pas bashkimit ( po ndodhi) s’duhet diskutuar standarti fare. S’nderrohet standarti se dukush nga Lezha hidhet perpjete, apo tjetri nga Lushnja nuk e pelqen. Standartit i vune gjysmen e vules kosovaret, boll te respektuar dhe te ditur ishin kur e pranuan. Si flitet ne Shkoder, s’flitet ne Kukes apo Mirdite. Korca me Vloren ndryshojne shume. Si ne gjithe shtetet xhanem. Kudo ka ndryshime, kudo ka nje stsndart. Lereni standartin rehat ndaç me pushke e ndaç me pene se s’ka nevoje memedheu per kete rremuje qe korkoni.
Ka disa pyetje qe ndonese mund te jene jashte kesaj teme jane intriguese dhe kjo reviste mund te hedhe drite meqe frekuentohet nga studiues te fushes.Nje nga faktoret e krijimit te dialekteve ishte gjeografia .Jo me ne mesjete por edhe ne kohe te Dulles te shkoje psh nga Saranda ne Kukes ishte nje nderrmarrje epike qe donte e pakta dy dite udhetim. Sot mund te behet ne 5-6 ore.Cila eshte e ardhmja e dialekteve ne kushtet e levizjes , komunikimit e perzierjes se popullsise ?Sot dihen pak a shume ligjet e fonetikes se shqipes , a ka ndonje studim duke perdorur keto ligje te projektohet si do te flitet shqipja ne te ardhmen?Standardi ndryshon nga shqipja e perditshme.Nese shqipja e perditshme vazhdon te evoloje a duhet qe standardi te reflektoje zhvillimet e shqipes se folur ?Nese jo a rrezikon te kthehet ne nje gjuhe te vdekur nese shkeputet shume nga gjuha qe flet popullsia ne jeten e perditshme?
Nga njëra anë, lëvizjet e popullsisë e përshpejtojnë ndryshimin gjuhësor; nga ana tjetër, standardi (shkolla) gjuha e shkruar dhe mass mediat i frenojnë ndryshimet. Unë besoj se ndryshimet do të fillojnë të depozitohen vertikalisht, ose për të shënjuar diferencime sociale. Sot jo vetëm mund të duhen 5-6 orë për të shkuar nga Saranda në Kukës, por edhe ka shumë kuksianë që janë vendosur në Sarandë (mbase edhe sarandiotë në Kukës), sepse në Sarandë jetohet më mirë se në Kukës. Kjo krijon kushtet që gegnishtja e kuksianëve të Sarandës të fillojë t’i diferencojë këta jo vetëm si të ardhur rishtas ndaj vendësve, por edhe më thellë.
Gjithsesi, ideja që standardi duhet të reflektojë zhvillimet e shqipes së folur, ndryshe rrezikon të kthehet në një gjuhë të vdekur është pa bazë. Standardi duhet të ruajë balancat, në një sistem që edhe riprodhohet edhe ndryshon pa prerë. Një standard i mirë i bën të vetat ndryshimet pa u reformuar – thjesht duke u artikuluar më mirë (duke u pasuruar). Për shembull, forma ain’t nuk është se e ka futur standardin e anglishtes në krizë: thjesht ka gjetur një vend dhe një mënyrë, për të bashkëjetuar me isn’t; të njohësh standardin e anglishtes, sot, do të thotë të dish se kur duhet përdorur isn’t, kur duhet përdorur is not dhe kur duhet përdorur ain’t.
Ju thoni:
“Pra pse qenka kaq e veshtirë gjuha që duhet t’a flasë e të luaj me të krejt natyrshëm?
(…) Gegëve iu desht t’i binin mohit rranjeve të tyne e t’i thurnin lavde robnisë së tyne.”
Kam frikë mos problemi s’është norma, po fakti që ju jetoni prej vitesh brenda një gjuhe tjetër. Vetë e kam “humbur” dy herë shqipen, shoqëruar me ndjesinë e pakrahasueshme të humbjes së rrënjës.
Thoni:
“Thelbi i çështjes asht mali që kemi përpara nesh: pra arsyeja pse ligjërimi publik asht kaq përjashtues për ata që kanë gegnishten si gjuhën e nanës—pra shumica dërrmuse e shqiptarëve.”
Ligjërimi publik s’është përjashtues për ata që duket se kanë diçka për të thënë në gegnishte. Ndreca dhe Gjekmarkaj, për shembull, lexohen gjerësisht, ftohen në studio, u respektohet fjala. Bashkë me shumë figura të tjera publike.
Thoni:
“Fakti që jemi me kët standard nuk dëshmon përshtatshmërinë e tij apo epërsinë mbi gegnishten, por asht shembulli ma i spikatun i kastes zyrtare që sillet si zgjedhë sunduese.”
Nuk di për ç’kastë zyrtare flisni, po z. Berisha ka qenë për vite me radhë kryeministër i vendit. Edhe ai shpërnguli në Tiranë një numër jo të vogël lëvruesish të gegnishtes, njëlloj siç bëri Enveri dikur me besnikët e vet. Tundimi krahinorist nuk lulëzon vetëm nga Shkumbini e poshtë.
Thoni:
“Sod na takon të zgjedhim si te sillemi kundrejt kësaj ndodhie historike—apo katastrofe kombëtare, nëse gjykojmë sikur të ishim nji komb.”
Jo, më vjen keq, po juve nuk ju takon të vendosni. As mua dhe të tjerëve, për sa kohë nuk jetojmë në Shqipëri. Ju mund të kontribuoni, të shkruani ta zëmë një libër aq të nevojshëm për historiografinë shqiptare sa të gjithë të duan të mësojnë të folmen tuaj. Kthejeni gegnishten në dialekt të zhvillimit: shkruani filozofi, letërsi, fizikë e matematike në të. Kontribuoni që qendra e Shqipërisë ekonomike të jetë në Shkodër, Peshkopi… E shoh këtë si rrugën më të natyrshme.
Janë edhe reparacionet pastaj, po këto sikur s’para funksionojnë.
Shkrimi më lart ballafaqon disa herë standardin me gegnishten, duke i vënë – dashur pa dashur – në një rrafsh; por nuk janë.
Ka një standard të miratuar formalisht, me të cilin shkruhen tekstet publike, nga kushtetuta e ligjet, tek aktet juridike, burokratike e kështu me radhë, përfshi edhe tekstet shkollore dhe pjesën dërrmuese të mediave të shkruara dhe të letërsisë. Ka edhe një gegnishte që, si dialekt, i ka funksionet sociale detyrimisht të kufizuara në krahasim me standardin, dhe si variant letrar praktikisht kufizohet në fare pak vepra, autorë dhe lexues; dhe ca më shumë mbështetës socialë.
Çfarë harrohet ndonjëherë, është që standardi është rezultat i një marrëveshjeje – dhe si i tillë, artificial (konvencional), në raport me të folmen, që është e natyrshme. Ndryshe nga e folmja, që fëmija e mëson vetvetiu, standardin duhet ta mësosh në shkollë – kjo vlen jo vetëm për shqipen, por edhe për të gjitha gjuhët e standardizuara. Në këtë kuptim, të thuash që dialekti është i natyrshëm, ndërsa standardi jo, është diçka triviale (“begging the question”).
Pyet autori:
Kjo ndodh sepse shpesh ligjërimi arrin fuqi shprehëse maksimale edhe në situata intime (private); ndërsa standardi i përket, me përkufizim, sferës publike. Për ta thënë me një krahasim: mund të standardizosh ceremoninë e martesës publike, por jo aktin seksual. Mund të diskutojmë sa dhe si duhet zbatuar standardi dhe deri ku duhet imponuar; por jo për nevojën e tij. Standardi ka rregulla, që duhen përvetësuar; e folmja ka rregullsi, që janë koduar në langage. Të vetmit shqipfolës, që nuk janë të sigurt për shumësin e fjalës lab (lebër? labë?) janë ata që mundohen të përdorin standardin – sepse standardi parakupton zgjedhje mes variantesh. Por, nga ana e vet, standardi zhvillohet së brendshmi dhe i ofron komunikimit mundësi të pakufishme, në raport me ato që i ofron dialekti.
Sërish, autori duket se ngatërron dy gjëra që duhen mbajtur veç: standardizimi i shqipes publike dhe homogjenizimi gjuhësor, që solli si pasojë tkurrjen në mos ndalimin e gegnishtes së shkruar. Kjo e dyta kish filluar të ndodhte që pas 1944-ës, pas shkatërrimit të institucioneve kulturore të bashkëlidhura me Kishën Katolike, nga regjimi totalitar. Kur mbylleshin institucionet katolike dhe digjeshin revistat e tyre, standardi nuk ekzistonte. Dhe po ashtu – shqipja mund të ishte standardizuar tamam siç u standardizua, pa i prekur një fije floku gegnishtes letrare dhe traditës së saj. Meqë gjuhët standarde janë tipar i modernizimit anembanë botës, pavarësisht nga regjimi politik, le të themi që fajin duhet ta kërkojmë te
standardizimi (procesi dhe mënyra si u krye), jo te standardi. Të kemi parasysh edhe se në standard janë shkruar vepra letrare të spikatura, që e vendosën letërsinë shqipe në raftet e librarive dhe të bibliotekave anembanë botës: çfarë më provon se standardi, në vetvete, nuk është i gjymtë dhe as gjymtues.
“Shkrimi më lart ballafaqon disa herë standardin me gegnishten, duke i vënë – dashur pa dashur – në një rrafsh; por nuk janë.”
Leximi im është që ato vendosen në një rrafsh për të provuar që një standard me bazë në gegnishte do t’ishte më dinamik. Shumë prej atyre që sot kërkojnë një standard të tillë (ndoshta) harrojnë që do t’u duhet megjithatë të rimësojnë normën e re, paçka që më të afërt me të folmet e tyre.
Pyes shpesh veten për vlerën praktike të diskutimeve të këtilla — jo se nuk duhen bërë, po më duket sikur, pavarësisht standardit, niveli i dijeve të përgjithshme të një shqipfolësi është gjithnjë e më trishtues. Do ta ndihmonte thua një gazetar/e në intervistë me një mjek të bëjë dallimin mes “paliativ” dhe “placebo” ndërsa zbardh intervistën për gazetën që e lexon një milet i tërë në panik prej koronavirusit? Ç’vlerë të shtuar do merrte përkthimi i një telenovele turke në një standard me bazë gegnishten?
Ndoshta shqipja e standardit ngjan e cekët sepse kumton gjëra të cekëta, sepse përdoruesi e shpërdoron me shkujdesjen që ke për sendet që t’i kanë falur.