nga Dorela Dëgjoni
Tek lexoja një shkrim të Ardian Vehbiut në Peizazhe të Fjalës, ku artikulohej efekti i terrorit që solli shembja e Teatrit Kombëtar, u vetëdijësova papritmas se përmes këtij terrori ish dhënë tashmë edhe shfaqja e mbrame e asaj godine të Teatrit Kombëtar.
Teatri na vjen prej Greqisë së lashtë me dy veti qendrore, që mbarten në qenien e tij të degëzuara nën termat e formës dhe funksionit.
Forma, ashtu siç është e mbarsur edhe tek fjala teatër, përshenjon një vend ku njerëzit mblidheshin së bashku për të parë ose vëzhguar. Ndërsa funksioni na paraqitet si një tension që bartet në formën e katarsisit prej lojës në skenë te ndërgjegjja e vëzhguesit që i qëndron kundruall. Një lëvizje që, tek vjen e shpaloset përmes ngjarjes në skenë, trazon, (por edhe trondit) ndërgjegjen, duke e ndihur kësisoj të pastrohet e dëlirësohet, por, nën mbartjen e mëvonshme te Poetika e Aristotelit, edhe të shquajë më qartë.
Parë prej këndej, shembja e Teatrit Kombëtar, ishte mirëfilli një shfaqje, shfaqja e tij e mbrame. Kësaj here e beftë dhe e shpënë gjer në skaj për nga forma dhe funksioni.
Ky akt, luajtur prej fadromave dhe mekanizmave që vetëm e luajnë pjesën, pa mësuar asnjë fjalë, jo vetëm që u shfaq si pjesë, por na u vu kundruall të gjithëve me përdhunë, ndonëse paradoksalisht, u orvat të fshihej në terrin para agut. Shfaqja na u servir pa e u nisur për ta parë, pa biletë, pa pengesa hapësinore dhe pa ndonjë orë takimi që bën bashkë palët.
Së bashku me të, përmes efektit të terrorit që artikulohet në artikullin e përmendur më lart, ia beh edhe si tronditje, si katarsis, që deri më tani po na ndih të shquajmë më qartë çfarë luhet mbas ndërgjegjes së përgjumur. Plasaritjet në mur nuk paskan qenë veç plasaritje, ata fshehkan një grykësi që tashmë nuk tenton as të fshihet tek ha pa u nginjur dinjitetin e një populli që bën të lindë e nuk lind dot.
Teatri Kombëtar ra si ndërtesë, por tek jepte shpirt, bujar ashtu siç mund të jetë diç që i shërben veç frymës, dha një shfaqje të fundit të cilën nuk e prenë dot as me terr, as me propagandë e as me frikë.
Fare padashur, shfaqja u dha, ngjarja ia behu, e bashkë me feksjen e agut ia behu edhe tronditja. Tani mbetet veç t’ia paguajmë!
© 2020, Dorela Dëgjoni. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Është vërtet interesante ideja e autorit, se edhe me prishjen e vet, teatri vazhdoi të bënte atë që ka bërë gjithmonë, dmth. VËNIEN NË SKENË TË NJË DRAME. Jashtë tij dhe mbi ’të u inskenua një dramë, ku “dramatis personae” ishin nga njëra anë protestuesit (lexo: heroi që për shkak të hybrisit është i destinuar që në fillim të dështojë) dhe forcat policore, përfaqësuese të aparatit ndrydhës shtetëror të destinuara të dominojnë me anë të dhunës mbi klasën protestuese. Këta të fundit kanë për detyrë të ndërhyjnë në kohë të duhur në favor të interesave të klasës sunduese. Kimera edipiane që ngrinte pyetje e bënte gjëegjëza është natyrisht “thadroma”.
Vetë dhuna e ushtruar mbi protestuesit, ndaj prishjes së godinës së teatrit kombëtar është ideologjike: e majta gjithmonë i ka mëshuar motivit të “së resë që lind gërmadhave”. Mjafton që kjo e re të mbështetet mbi bazat e majta; vete pa thënë që edhe gërmadhat të jenë po dhuratë e së majtës. Pak rëndësi ka që pas kësaj ideologjie fshihen interesa shumë personale ekonomike të kompanive të ndërtimit.
Në traditën zulmëmadhe marksiste, kritika e ideologjisë ka të bëjë me kritikën e “ndërgjegjes së rreme”, një gënjeshtër mbi gjendjen e vërtetë të punëve në botë. Kritika e ideologjisë është analiza e ideologjive të gjendura në vepra politike, ekonomike dhe kulturore, të shprehura në mënyrë pak a shumë implicite. Megjithatë, ajo mund të ushtrohet edhe mbi aktet e dhunës së veshur me petkun e ideologjisë. Me pak fjalë, ideologjia është një justifikim për një padrejtësi ekzistuese ose të kryer.