nga Enxhi Noni
Përpos gjithë problemeve të ngritura nga gjullurdia e ditëve të fundit, duke nisur që nga përgjegjësia qytetare ndaj artit e trashëgimisë kombëtare e gjer tek problemet më të rënda etike të pushtetit në krye, një problem në veçanti nuk duket të ketë prekur opinionin publik: po traumën që na u la mbi shpatulla, si do e kapërdijmë?
Një seri pyetjesh kanë fluturuar nga të gjitha anët këto ditë, në një tentativë të dëshpëruar për të qartësuar situatën me qëllim mbylljen sadopak të plagës kolektive që na gjendet rrënjosur në shpirt: Përse nisi operacioni për prishjen e teatrit në orën 4 të mëngjesit? Kush është përgjegjës për projektin e ri dhe sa do të kushtojë ky i fundit? Përse qytetarët e indinjuar brenda e jashtë teatrit nuk u morën në konsideratë, por u injoruan me një të kërcitur gishtash me justifikimin që “nuk përbëjnë shumicën”? Një pyetje po aq e rëndësishme u la disi mënjanë: si t’i shërojmë traumat e shkaktuara nga ato çfarë pamë e dëgjuam?
Për disa persona është më e vështirë se të tjerë: për shqiptarët të cilët jetojnë jashtë kufijve, të quajtur ndryshe “fatlumët” që shpëtuan nga sakatimi i përditshëm i post-komunizmit, i vetmi mjet i procesimit të situatës aktuale bëhet falë pamjeve mediatike, të cilat nuk janë gjithnjë të mëshirshme. Mes artikujve të nevojshëm e të panevojshëm, fotove të shkrepura shpejt e të kuruara bukur, e videove dorë-dridhur nga dramaciteti dhe e vërteta, qarkullimi i të tillë materialesh bëhet e vetmja mënyrë për të kapërcyer lëmshin që krijohet në grykë. Jo pak herë, ndodhitë që marrin të tilla përmasa të mpijnë përpara laptopit dhe/ose celularit për një kohë të pashëndetshme (dhe nuk bëhet fjalë vetëm fizikisht; mesa duket dhe pedagogët e punëdhënësit e huaj nuk e preferojnë shumë kur u thua që “nuk mund t’i përgjigjem pritshmërive që mund të keni për të qenë prezent/e mendërisht me ju sot, vendi prej të cilit vij gjendet në momentin që flasim në kolaps total”). Gjëja më e mirë për të bërë në këto momente është të ulesh këmbëkryq duke u përpjekur për të marrë frymë nga çdo pore, me shpresën se shija e keqe një ditë do të kalojë. Madje dhe kur të krijohet përshtypja që vendi në të cilin mësove si të qëndrosh mbi dy këmbë është duke u copëtuar ngadalë dhe në mënyrë të dhimbshme, një ditë (këtë me të dëgjuar e kam), shija e keqe do të kalojë.
Për të tjerë, situata është më e prekshme, por nuk do të thotë me domosdoshmërisht më e lehtë. Duke lënë mënjanë arkitekturë e filozofi, qytetarët që ndodhen ende brenda kufijve gjenden përpara një problematike ende më të madhe. Me lule në duar në hyrje të pedonales, e drejta e tyre për të vajtuar nuk pranohet nga pushteti, e aq më pak të mbështetet. Sipas modelit Kübler-Ross, ose të njohur më popullorçe si “Pesë fazat e hidhërimit”, kur përjetohet një humbje, parashikohet gjithashtu një cikël nga i cili duhet të kalohet me patjetër nëse duam të qetësojmë tronditjen fillestare shpirtërore. Kështu, duke nisur nga mohimi, zemërimi, bërja e kompromiseve, dëshpërimi dhe pranimi, qytetari shqiptar përballë humbjes së teatrit (i cili mban epitetin “kombëtar” po aq sa himni e flamuri), është ndaluar rreptësisht të kalojë nga hapat e përballimit të hidhërimit. Jo, situata nuk është ashtu siç duket! Jo, ç’punë ke ti në këtë mes, nëse nuk je interesuar ndonjëherë mbi teatrin qëmoti?! Jo, nuk je mjaftueshëm i aftë për të kuptuar; ty po të kanosej rrezik e ne po të mbronim! Jo, policia po bën detyrën e saj duke të përplasur e të tërhequr zvarrë, siç ndodh në çdo shtet demokratik!
Si duhet të veprosh kur të mohohet e cenohet një institucion i cili pavarësisht dëshirës, është pjesë e pashmangshme e trupit fizik të qytetit që mbi të gjitha, përkufizon limitet fiziko-kohore të identitetit tënd si qytetar? Si t’i japësh drejtim shokut që të kap për fyti në mënyrë që të jetë po aq i vlefshëm sa dhe shoku i të tjerëve? Jeni në dijeni të ndonjë manual i cili të përmbledh shkurt e qartë se cila është sjellja më e pranueshme në të tilla situata, që të kënaqet si shoqëria ashtu dhe qeveria? Thuhet që skena e Teatrit Kombëtar shqiptar është prioritet i padiskutueshëm, ndaj po rindërtohet në përmasa të magjishme, e ky fakt vetëm mund të bëjë punë si ilaç për shpirtin. Ama kryeneçësia për t’i dhënë artit shqiptar atë çfarë i është mohuar prej kohësh (të paktën në dukje), në realitet nuk është gjë tjetër veçse një ndërtesë luksoze (duke folur për të dukshmen më të pastër të mundshme) e cila nuk përkon në asnjë pikëvështrim as me ndërtesat e tjera rrethuese, as me politikat e tanishme kulturore dhe investimet që bëhen ndaj artit dhe artistëve prej vitesh. Në këtë mënyrë, ndërtesa që duket të zgjidhë gjithë problemet tona duke e futur zyrtarisht Shqipërinë në rrugën edhe më të sigurt të modernizimit, nuk është gjë tjetër veçse mjerane dhe e vrazhdë në krahasim me çfarë i gjendet rrotull.
Në rastin më të mirë duke iu mohuar, e në më të keqin duke iu normalizuar dhuna me të cilën ballafaqohet, plagosja e vazhdueshme e shoqërisë shqiptare si dhuratë nga e kaluara historike vazhdon të rëndohet dhe më shumë. Andaj, në një shekull ku çdo gjë lëviz me shpejtësinë e fibrave optike, nuk kemi si të ulemi një moment për të reflektuar se çfarë po bëjmë e ku po shkojmë; përkundrazi, duhet bërë ç’është e mundur dhe sa më shpejt që niveli ynë i zhvillimit t’i afrohet sadopak pikave të referimit perëndimore që kemi, ose të paktën të duket i tillë në letra. Në një mendje të dytë, më mirë që pyetja mbi traumën dhe përtypjen e saj nuk është bërë ende me zë të lartë; i druhem përgjigjes së rëndomtë e patetike që do e ndjekë.
(c) 2020, Enxhi Noni. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Në vendin tonë po shohim një rënie të vlerave morale, përcaktuar nga mbizotërimi i materializmit. Materializmi, ose më mirë ideologjia materialiste nga ana e saj është përcaktuar nga natyra dhe karakteri i njëanshëm i shoqërisë bashkëkohore – se nuk guxoj ta quaj qytetërim – dmth. nga përparimi ekonomik, nga vlerat e prosperitetit dhe bollëkut, te hullia ekskluzive e prirjeve njerëzore për të shfrytëzuar burimet dhe shijimin e përdorimin e të mirave materiale. Megjithatë nuk është e lehtë të përcaktohen shkaqet e devijimit të shoqërisë sonë, kinse e qytetërimit perëndimor.
Në revolucionin francez – pse pikërisht atje nisi gjithçka – ky ishte një fenomen i rrjedhur nga keqinterpretimi e interpretimi abuziv i konceptit të lirisë, nga dorëheqja e zbythja e pushtetit publik para qeverisjes morale dhe kontrollit shpirtëror të turmave.
Pa shkuar te origjinat, pa kërkuar përgjegjësitë duhet vëzhguar fenomeni ashtu siç manifestohet. Dhe duke shkuar kundër rrjedhës së arsyetimit tonë logjik zbulojmë se nga ajo hulli ekskluzive e prirjeve njerëzore ndaj përparimit ekonomik në mënyrë të paevitueshme kalohet nga materializmi te një forcim i egoizmit individual, te anashkalimi i vlerave shpirtërore. Mbërrihet pra në një pikë kur frenimet morale nuk arrijnë të përmbajnë më shfryrjen e egoizmave individuale. Një shoqëri ku interesat e të paktëve vihen mbi interesin publik dhe vlerat shpirtërore pushon së qeni e tillë.