Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë / Urbanistikë

KUJTESA JONË E SHKURTËR

nga Redi Asabella

(Shënim: ky shkrim i pabotuar përket shtatorit 2019; synimi i tij për të mbrojtur selinë e Teatrit tashmë ka rënë, por argumenti meriton vëmendje.)

Për teatrin në këtë periudhë është folur pak ose shumë pak, siç ndodh shpesh në kohën digjitale dhe frenetike në të cilën jetojmë. Teatrin e ndoqi protesta studentore, kaluar dhe ajo në skutat e harresës për të ndjekur më me interes zhvillimet politike që janë aktualiteti i çdo shqiptari prej mëse njëzet e tetë vitesh tashmë.

Informacioni udhëton me një shpejtësi gjithmonë e më të lartë për t’u harruar gjithmonë e më shpejt e duke u zëvendësuar nga ai më aktual, më me interes për momentin.

Por ne shqiptarët, edhe në kohë më të hershme, kur teknologjia nuk kishte penetruar ende në fshatrat më të thellë të vendit, kemi qenë me kujtesë të shkurtër. Jo rrallëherë kemi shembur në pak ditë atë që me mund dhe gjak kishin ndërtuar paraardhësit tanë. Po flas për godinat e fabrikave, uzinave, minierave dhe TEC-eve që në vitet ’90 pësuan dëme shpesh të pandreqshme e në këtë mënyrë futën në krizë edhe më të thellë ekonominë e brishtë të një vendi rishtas të hapur ndaj botës.

Mllefi, i mbledhur për 45 vite, u shfry kundër godinave që ishin burim punësimi për shumë nga ata që, me duart e tyre thyen e grabitën pronën e përbashkët.

Sot, gati tre dekada më vonë, prona publike ka humbur thuajse tërësisht vlerën dhe kuptimin e saj. Mund të thuhet se shihet me sy të keq, madje përbuzet e keqtrajtohet. Me vendime tërësisht arbitrare e klienteliste mund të kthehet në pronë private, të jepet me koncesion apo edhe të dhurohet për shumën simbolike, 1 Euro.

Në hijen e kësaj logjike, ne një qytet si Tirana që në 25 vitet e fundit e ka rritur numrin e banorëve në mënyrë eksponenciale, duhet shfrytëzuar çdo centimetër katror. Këtë fat ka patur Parku i Liqenit, kafshuar nga të katër anët, në terrenin e të cilit kanë mbirë pallate e tashmë kodrat që e kufizojnë ngjajnë më tepër si pirgje ndërtesash.

Territori rreth teatrit është ndër të vetmit në qendrën e kryeqytetit ende i pandotur nga kullat shumëkatëshe që kanë mbirë thuajse kudo.

Por, po të mos ishte për qëndresën historike të aktorëve e qytetarëve vitin e kaluar, sot do të kishim një teatër më pak e disa kulla më shumë.

Them këtë sepse qëllimi ishte të rrafshohej ajo që u quajt “Dopolavoro tallashi”, ngrehinë e vjetër dhe e çalë apo plot epitete të tjera, për ta kaluar në sytë e opinionit publik si një mbetje anakronike të zhvillimit të pandalshëm që qyteti ka marrë prej vitesh. (kjo e fshehur nen fakte jo rrallë, të pavërteta)

Por a është gjithmonë mirë të bësh Tabula Rasa e të rifillosh?

Në këtë situatën aktuale, ku vendi nuk ka më shumë se një orë kujtesë për veprimet e veta, nuk duhet fshijmë atë që dëshmon më mirë se, çdo kullë është shumë e ulët për tu krahasuar më një godinë historike, sepse ajo godinë përveç mureve të vjetruara, mbart punën e palodhur dhe shfaqjet brilante të Violeta Manushit, Robert Ndrenikës, Roland Trebickës, Mirush Kabashit, Reshat Arbanës dhe qindra artistëve të tjerë që në dhjetëra sezone artistike kanë çlodhur, argëtuar dhe edukuar breza të tërë spektatorësh.

Po, kanë edukuar, sepse siç thotë Federico Garcia Lorca, një nga dramaturgët më të mirë të shekullit të kaluar:
“Teatri është një nga veglat më shprehëse dhe të dobishme për ndërtimin e një vendi dhe barometri që shenjon ngritjen apo zbritjen e tij.

Një teatër i ndjeshëm dhe i mirëdrejtuar mund të ndryshojë në pak vite ndjeshmërinë e një populli, teksa një teatër i shkatërruar, aty ku thundrat zëvendësojnë krahët, mund të varfërojë e të përgjumë një komb të tërë. Një popull që nuk ndihmon e nuk ushqen teatrin e tij, nëse nuk është i vdekur, është në grahmat e fundit, porsi teatri që nuk mat pulsin shoqëror, pulsin historik, dramën e njerëzve të tij dhe ngjyrat e pastra të peizazhit e shpirtit të tij, me qeshje a me lot, nuk ka të drejtë të quhet teatër, por sallë lojërash apo vend për të bërë atë tmerrin e quajtur të vrasësh kohën. ”

Këtë koncept e kanë të qartë artistët e qytetarët të cilët dolën në mbrojtje të godinës, dhe rëndësinë e tij e njohin shumë mirë edhe banorët e Montikielo në Toskanë, fraksion i komunës së Piencës me vetëm 202 banorë, që ruajnë fanatizëm teatrin e tyre, madje i kanë ngritur edhe një muze, i cili qëndron aty pikërisht për të mbajtur gjallë kujtesën e këtij teatri “të varfër” (teatropovero.it).

I varfër porsi teatri ynë, ama me dikaster të veshur me lëkurë dhe gurë të çmuar. Madje edhe pse fondet shpesh ishin qesharake, teatri çonte shpeshherë një numër të madh shfaqesh në skenë. Shumë nga aktorët që janë shprehur me pozitivitet rreth ndërtimit të një godine të re e të denjë për ta dhe për spektatorin që duket se nuk i ka munguar asnjëherë sallave të ftohta e të parehatshme. Kurrsesi ama nuk kanë qenë dakord me rrafshimin e godinave ekzistuese, madje është sugjeruar me forcë që ato të kthehen në muze, për të rrëfyer më së miri historinë dhe për të nxjerrë në dritë edhe atë që ndodh në prapaskenat e teatrit e syri i spektatorit nuk arrin ta shohë.

Pjesë gati e panjohur është ajo lidhur me gjyqet në fillimkomunizmin e viteve ‘45-’46, e së cilës mund t’i kushtohet një hapësirë e rëndësishme.

Pra, jo vetëm që nuk duhet në mënyre kategorike të mos prishet godina e teatrit, e cila ndër vite i ka mbijetuar goditjeve sizmike dhe jo vetëm, por ne, si qytetarë të një vendi vdekatar, duhet të kërkojmë më tepër nga teatri ynë, duke vënë në pozitë të gjithë aktorët, jo vetëm ata të skenës, që të japin më tepër.

(c) 2020, Redi Asabella

1 Koment

  1. PF je ca puritan, por nuk kemi çfare te bejme! Ama ato problemet e hamshorve (nuk te konfrimoj dot rastin konkret) jane e kane qene kudo pjese e jetes. B. Femiu nuk donte te luante ne teatrin e Prishtines sepse… (nuk po e them), por qe te mos krijohet pershtypja se keto pune, imoraliteti (nje termi i mire social), ndryshe kurveria (me vjen keq qe nuk i gjej ekuivalentin mashkullor, jane meny e vendeve te varfera nuk po them asgje per teatrot italiane, as ato francese, por se ç’mu kujtuan historite e Hollovudit, gje e pasur. Dhe as me shume e as me pak por kujtoj ato parate e medha qe paguan studiot e Los Angeles (para se ai te krijonte united…) te themi per t’u mbyllur gojen gazeteve sepse… Çarli Çaplini kapej mat neper hotele duke shkerdhyer goca minorene…

    Tashti, problemi vertete i Teatrit popullor, qe u be per rahmet, eshte njekohesisht edhe drama e vete atij si teater, presioni i madh qe kishte per tematike politike per te qene ne funksion te ideologjise funeber zyrtare.

    Keshtu ndodhi qe edhe dramaturge te talentuar si Jakova, Pulaha e plot te tjere u ulen e shkruajten per ato ngjarje qe e vune poshte Shqiperine, per kooperativizime, kolektivizime, probleme ideologjike, lufta e pamoraleshme e klaseve, lufta kunder jugosllav (per kete ishte specializuar F. Balliu, por vetem sa shfaqeshin aty, sepse venia ishte e Skampes) revizionizmit sovjetik, kinezve (e di ti se ne teatrin poullor kinezet, Fadil Kujovska i qante, demaskoheshin sepse u kerkonin puntorve shqiptare tuba bakri per te bere antena qe te shihnin tv-te e huaja? Dhe ata, puntoret revolucionare shqiptare, revoltoheshin nga kjo sjelle revizioniste dhe njoftonin partine se Kina ka degjeneruar etj), por kishte edhe horrore te tjera. Meqe ti me siper permende Kiço Blushin mua m’u kujtua Lezja e tij, qe disa, pas kinezerimit te operas, baletit etj., e shinin si ndikimin e revolucionit kinez ne teatrin shqiptar (personazhi kujtohet ende si e tille), etj., etj., etj. Horrore me megaton!

    Ne kete kuptim teatri ka qene qendra me e madhe e antikultures, por jo per fajin e tij.

    Por ama, krahas kesaj kishte edhe Arturo Ui, ardhja e banditit ne pushtet, kishte Tmerr dhe frike ne Rajhun e trete, ku te gjithe shihnin vendin e tyre, spiunllikun ne familje etj.. Kishte drama te Lorkes, Gogolit, Shiler, Miler, Pirandelo, Figuerero, Çehovit, Goldon,Shekspirit, ndonje Rikard i tij fliste bukur mire, por kishte edhe ndonje pjese tjeter qe fliste me shume me mosvenien e saj si Makbethi. Te gjithe kishin interpretimin e tyre personal perse me kohe ajo nuk vihej me skene etj.

    Ishte pastaj edhe dramaturgjia e mrekulleshme shqiptare. Une pak gjera mbaj mend nga Shenomni dhe mua, Lezja, Shega etj., por nuk harroj Moshen e Bardhe (qe e pashe ne Korçe), Rrethimin e Bardhe te N. Priftit, por edhe ndonje pjese e Çomores, realizmi i Kokonës, por edhe shume te tjera qe hiqeshin nga skena ne çastin e fundit.

    Fati i atij teatri te ngjall me shume deshire per ta qare se sa per ta share, tha se shkoi edhe vone.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin