nga Dilfirus Vrioni
pak. Ai u zgjua i pari se mezi e kishte pritur orën pesë kur hapej shtetrrethimi. Çdo ditë urdhëronin vendosjen e shtetrrethimit të detyruar për qytetin, pastaj urdhëronin heqjen e shtetrrethimit të detyruar për qytetin. Në këtë qytet nuk kishte ndonjë fushë a ndonjë kodër që kishte lidhje me qiellin. Kishte ca kohë që midis qytetit dhe qiellit ishte formuar një shtëllungë e madhe që i ndalonte sinjalet. Asnjë raport i plotë nuk u hartua për të shpjeguar fije e për pe atë që ndodhi nga njëri skaj i segmentit te tjetri. Kronika meteorologjike. Lista e të vrarëve nga bombardimi i fundit: A.P, F.Z, D.I, K.R, O.
Në qytet nuk hyri asnjë Italian, gjerman, turk a ndonjë shtetas tjetër i ndonjë vendi mik. Një mëngjes rruga u zgjua e zbrazët dhe ashtu befasisht, nga data dymbëdhjetë kur kalonim në trembëdhjetë, apo nga data njëmbëdhjetë kur kalonim në dymbëdhjetë ishim në luftë. Flamujt në ndërtesa mbetën siç kishin qenë përpara lufte. Nuk dukej aspak nëse do të ishte një hyrje e përkohshme apo e përgjatshme e armikut. Madje armiku nuk shihej e cilësohej nga të gjithë si armik. Fjalët ishin hapur që armiku ishte më shumë armik i moshës së tretë, ose i atyre që e kishin më parë një plagë lufte.
Nga ora në orë qytetit i vinin rregullat e reja për t’u vendosur në front, për t’u shtrirë në llogore. Secili duhet të merrte masa mbrojtëse, për vete dhe për ata që i rrinin afër fizikisht. Buçisnin televizionet lani duart, mbani distancën, mos i jepni dorën kujt, aq më pak t’i puthni, dezinfektim! dezinfektim! dezinfektim! Qyteti na qenkësh infektuar. Qëndroni në shtëpi, mund të shpëtoni jetë, përgatituni për mësymje nga dera, nga dritarja, nga komshiu, nga familjari, po sidomos nga dora dhe hunda jote.
Ndërto një rezervë higjienike që mund të shpëtojë ty dhe familjen tënde, nga bombat e padukshme. Mbaj gati në shtëpi enë të mbushura, dezinfektant të disa llojeve, vitamina C, D, B kompleks, e ç’të gjesh, maska, po, sidomos maska dhe doreza. Mbaj gati një kovë gëlqere në rast se do të duhet të dezinfektosh shtëpinë. E për dreq gëlqerja nuk zë mbi modernizmat që janë lyer shtëpitë e qytetit. Gëlqerja zë vetëm te varfanjakët.
Kjo i shpjegonte disi gjërat, kishte ardhur armiku. Armik që jo vetëm që nuk dihej nga kishte ardhur por ishte edhe i padukshëm.
Kjo krijonte konfuzion në qytet, se armiku si i padukshëm që ishte, edhe ushtrinë e padukshme mund ta kishte kudo. Do të kemi pranverë të lagësht dhe të butë, tregonte parashikimi i motit, por lufta e madhe do të jetë kudo gjer në vendin e çinmaçinit ku njerëzit janë të verdhë, e ku nga lajmet thonë që ka pasur fillin ky i flamosur armik. Dritaret, ballkonet, muret, çatitë, oxhakët ndriçonin, po ishte një ndriçim i tmerrshëm nga ata që mund të marrë flakë oxhaku nga njëri çast në tjetrin.
Prapë alarm! Të gjithë prisnin armikun që t’i hidhej në shpinë, të gjithë e prisnin në heshtje që nuk ishte heshtje. Ç’është ky moj gra, nga na doli ky moj korba! S’e kemi parë ndonjëherë! Ç’është kjo e zezë, kjo hata! Mynxyrë dhe shkuar mynxyrës! Na ra ky virus, na bëri hatanë! Kur do ikë virusi?
Kaloi një muaj që qyteti bombardohej çdo ditë. Gjithçka tjetër u harrua. Nuk flitej për tjetër gjë veçse për bomba e virus. Pranvera po hidhte dritë mbi qytet. Biseda e luftës bëhej në çdo shtëpi, e njerëzit s’e gjenin dot burimin e kësaj të zeze. Disa thoshin se i nxehti i parë i madh do e gjejë luftën me armikun të mbaruar. Nënat me fëmijë thonin se i duhej dhëne një zgjidhje pak më ndryshe problemit, kurse pensionistët ishin në çdo rast të pakënaqur, si përpara, si përgjatë dhe me shumë mundësi pas luftës. Ata me një plagë në trup tundnin kokat vazhdimisht, çuditeshin, bënin shenja dhe flisnin për luftën dhe bombardimet.
Shumica e njerëzve thuhej që e kalonte kohën duke u lutur të mos i çonte Zoti në spital. Spitali duhet të ishte plot nga lufta. Ditën, sekush bënte ç’bënte rregullohej me ato që i interesonin. Pijetoret ishin mbyllur. Berberët gjithashtu.
Tregonin se në një shtëpi “kishin ndërtuar një aeroplan dhe e kishin vënë në mes të dhomës. I madh sa një njeri me krahë të hapura dhe krejt i bardhë. I bardhë. Krahët, bishtin dhe të gjitha pjesët i kishte prej druri. Si do t’u dilte ky përpara aeroplanëve të mëdhenj metalikë që fluturonin përditë mbi kokat tona. Atyre avionëve të tmerrshëm bojë hiri, të ngarkuar me bomba dhe zhurmë shurdhuese? Ata do ta copëtonin në çast këtë gjë të bardhë, si bishat që shqyejnë një qengj.”
(c) 2020, Dilfirus Vrioni. Të gjitha të drejtat të rezervuara.